Prishtinë, 15 janar 2020: Shkrimtari, poeti, dramaturgu, publicisti Beqir Musliu, shkollën fillore dhe të mesme i kreu në Gjilan, ndërsa Fakultetin Filozofik, drejtimi i gjuhës dhe letërsisë shqipe në Prishtinë. Beqir Musliut dhe gjenerata e tij në Anamoravë e Gjilan për ideolog të shkrimeve e të jetës politike patën atdhetarin dhe poetin Rexhep Elmazin (Wikipedia, 8 qershor 2011). Dhe, ishte krejt e pritur se në një sistem totalitar siç ishte Jugosllavia, që të vërehen, që të survejohen dhe që të hetohen poetet siç ishin Rexhep Elmazi, Beqir Musliu e shumë të tjerë. Duhet thënë se qysh në shkollë të mesme ata që ishin dhe punonin kundër sistemit të instaluar okupues në Kosovë, u morën në biseda informative, u malltretua dhe u burgosën e disa nga ata edhe u likuiduan fizikisht. Po në këtë kohë Beqir Musliu kishte fillua me të madhe të merrej me poezi dhe me shkrime tjera letrare.
Mënyra e të shkruarit dhe metaforat e simbolet e përdorura në shkrimet e tij, atë menjëherë e kishin renditur në rangun e shkrimtarëve të rebeluar që nuk ishte i kënaqur me rrethanat që mbretëronin por në anën tjetër paraqitej si një i ri me një talent të theksuar dhe të dalluar.
Punimi i parë iu botua në revistën letrare “Jeta e Re” të cilën e udhëhiqte Esat Mekuli. Po kjo revistë, tri vite më vonë, në vitin 1965, ia kishte botua edhe librin e parë të tij.
Por, gjithsesi duhet shtuar se poetet dhe historia e poezisë shqipe në ish Jugosllavi lirshëm mund të thuhej se ishte njëra ndër më tragjiket në Evropë. I ashtuquajturi “realizëm socialist” si në asnjë vend tjetër të botës, e kishte shterpëzuar dhe vrarë gjysmë shekulli të kulturës sonë kombëtare. Kundër krijuesve shqiptarë ishte ushtruar një dhunë dhe një masakër i programuar dhe i padëgjuar ndonjëherë.
Në asnjë tjetër vend të Evropës nuk janë dënuar e përndjekur kaq poetë sa në diktaturën komuniste të shtetit Jugosllavi. Për këtë “holokaust” letrar s’është folur kurrë deri sot përtej kufijve jugosllav, përkundrazi, është bërë ç’është e mundur që të fshihet e vërteta.
E sot, mund të shprehemi edhe kështu se disidenca e par e klasës politike okupuese ishin patriotet e shumtë dhe ishin, pikërisht poetët.
Beqir Musliu (1945 – 1996)
Poetet ishin ata që me një gjuhë tjetër e shprehen urrejtjen ndaj robërisë dhe dashurin e madhe ndaj lirisë. Ata në këto katrahura e vorbulla të historisë nuk kursyen as jetën. Andaj, sistemi komunist jugosllav i frikësohej tej mase zërit të poetëve, ndaj kishte vendosur të përdorte grushtin e hekurt, duke ndërsyer kundër tyre punëtoret e UDB-es dhe hetuesit e shumtë për t’i ndjekur ata. Në ish-Jugosllavi, nuk dënoheshin vetëm poetët e shkrimtarët, por në të dënoheshin edhe veprat e tyre, madje përdhoseshin edhe varret ku preheshin eshtrat e tyre. Kush zinte në gojë emrat e “poetëve antijugosllav” kryente një herezi të madhe e mund të përfundonte në biruca, pa gjyq. Inkuizicioni shtetëror ishte i dhunshëm, i tmerrshëm dhe rrëqethës. Vendi ishte kthye në një Had të vërtet e të llahtarshëm.
Nëpër këtë rrugë kishin kalua shumë penda të ndritura të letërsisë shqipe si: Adem Demaçi, Fazli Grajqevci, Rexhep Elmazi, Hydajet Hyseni, Zeçir Gërvalla, Bajram Kosumi, Sabit Rrustemi, Hajdin Abazi, Dibran Fyelli, Arif Demolli, Bedri Zyberaj e shumë të tjerë. Lista e poetëve të dënuar e të përndjekur është e gjatë, tmerrësisht e gjatë, andaj kërkojë falje që nuk mundem t’i përmendi që të gjithë në këtë punim të shkurtër ngase koha është e limituar, por me ndonjë rast tjetër do të përmendën që të gjithë.
Dënimet kapitale që u shqiptoheshin ndaj tyre, shpesh i linte vendin vrasjes apo burgimit të përjetshëm. Në fund të fundit, ishte po e njëjta gjë. Mbyllur në qelitë e kobshme, Adem Demaçi, e shumë poet të tjerë të burgosur lanë nëpër birucat e burgjeve anë e kënd Jugosllavisë, vitet më të bukura të jetës, duke u kthyer në shtëpi me kockat e mplakjes dhe vragat e torturave mizore. Shumë prej tyre s’arritën ta gëzonin as lirinë e vonuar.
Gjatë viteve të terrorit e të dhunës (para Plenumit të Brioneve), më 1962, në Gjilan ishte formuar një organizatë ilegale “Mujo Ulqinaku”, e cila udhëhiqej nga poeti Rexhep Elmazi. Organizata në programin e saj kishte si qëllim suprem angazhimin dhe luftën për çlirim dhe bashkim kombëtar. Brenda dy viteve sa veproi organizata, rreth saj dhe në të u anëtarësuan intelektualet atdhetar, që ishin kryesisht të rinj. Ata, në ato vite kishin kryer disa aksione në Gjilan e rrethin siç ishin: Shkrimi dhe shpërndarja e parullave të shumta, kishin ngritur flamujt kombëtar dhe kishin shpërndarë në shumë lagje e fshatra shumë afishe në të cilat merrte pjesë aktive edhe poeti Beqir Musliu.
Më 1964, në muajin prill, organizata “Mujo Ulqinaku”, me propozimin e udhëheqjes së organizatës LRBSH-së, respektivisht pas kontaktit që kishte Rexhep Elmazi me Zeqir Gërvallën dhe pas njohjes me programin e organizatës anëtarët e Gjilanit me një qëndrim unanim vendosin që ti bashkohen organizatës më të madhe që degët e saja i kishte në tërë Kosovën.
Komitetin e ri të organizatës të sapo formuar përsëri e udhëheq Rexhep Elmazi, duke bërë edhe anëtarësimin e shumë studentëve e nxënësve nga Gjilani. Posa formohet komiteti fillohet edhe me aktivitete të shtuara. Merret qëndrimi që me 12 e 13 prill 1964, në Gjilan të ngrinin flamujt kombëtar gjithsej pesë copë nga Rexhep Elmazi, Fehmi Elmazi, Isa Bajrami dhe Abdyl Qerimi. Në komitet për aktivitetin e treguar dallohen : Rexhep Elmazi, Fehmi Elmazi, Isa Bajrami, Abdyl Qerimi, Beqir Musliu, Isa Azizi, Elmaz Bajrami, Mehdi Bajrami, Rafet Bajrami, Gani Ahmeti, Shefki Hoda, Vehbi Hoda etj.
Më 31 maj 1964, Komiteti i LRBSH-së në Gjilan mbajti edhe një mbledhje në të cilën u konstituuan organet udhëheqëse të saja. Rexhep Elmazi (“Luli”), zgjidhet kryetar i Komitetit të Gjilanit, Isa Bajrami, (“Koka”), sekretar, Abdyl Qerimi, (“Shyti”) sekretar për informim dhe Fehmi Elmazi, (“Hakiu”) arkëtar.
Ç’është e vërteta, komiteti i Gjilanit veproi shumë shkurt, por bije në sy aktiviteti i dendur i anëtarëve të saj, vetë disiplina dhe angazhimi i madh në kryerjen e aksioneve të ndryshme. Komiteti u zbulua shpejt dhe shumë anëtarë të saj u dënuan me shumë vite burg. Më 10 e 11 gusht 1964 u organizua procesi gjyqësor kundër anëtarëve të këtij komiteti.
Rexhep Elmazi u dënua me 9 vite burg të rëndë, Fehmi Elmazi me 4 vite burg të rëndë, Isa Bajrami me 7 vite burg të rënd dhe Abdyl Qerimi me 3 vite burg të rëndë. Ndërsa Beqir Musliu për shumë herë merret në biseda informative dhe në fund si masë ndëshkuese i shqiptojnë dënimin – duke e përjashtuar nga shkolla. Pasi u arrestuan dhe u dënuan anëtarët e komitetit, megjithatë rezistenca në Gjilan dhe rrethin nuk u ndërpre. Me vitin 1968, rinia dhe popullata e Gjilanit me rrethin iu bashkëngjiten vargut të gjatë të demonstruesve të vitit’68.
Shkrimtari e poeti Beqir Musliu edhe pse u përjashtua nga shkolla ai, shkollimin nuk e ndërpreu. Me sukses, (privatisht), përfundoi shkollën e mesme, dhe me sukses përfundoi Fakultetin Filozofik në Prishtinë. Krijimtaria letrare e poetit nga kritiket e letërsisë vlerësohet lart dhe e tërë veprimtaria krijuese e tij u krijua në baza të tabanit kombëtar. Vdiq relativisht i ri, por atë segment jete e bëri në ecje vertikale duke e jetuar intensivisht dhe duke na lënë një thesar të pasur krijimesh si në prozë njashtu edhe në poezi si në dramë ashtu edhe në romane.
Ndërsa njohësi i mirë i veprës së Beqir Musliut – Kritiku i letërsisë, Ibrahim Rugova, në një parathënie të librit “Libri i Anatemave”, botuar më 1987, ndër të tjera thotë : ”Beqir Musliu u shfaq në poezinë tonë në fillim të viteve ’60, si poet me pikëpamje dhe forma insistuese, që nuk ishin të rëndomta për atë kohë… prandaj kritika e përcolli me interesim të veçantë dhe librin e tij të parë e mori si punë serioze, e më shumë konceptet e tij për artin dhe botën… Sidomos ishte shqetësuese tematika e rëndë, me një vrojtim të ngrysur dhe me një apel për përgjegjësi ndaj jetës dhe artit” konstatonte Rugova.