Skënder Sadri KAPITI: Përshëndetje Z.Kurti dhe Znj. Osmani që vizitën e parë zyrtare do ta bëni në Shqipëri

Durrës, 5 shkurt 2020: Është për t’u përshëndetur fakti që si Kryeministri Z.Kurti ashtu edhe Kryeparlamentarja Znj.Osmani vizitën e parë zyrtare do ta bëjnë në Shqipëri. Gjatë këtyre viteve dhe sidomos tani së fundmi ka pasur zbehje të marrëdhënieve vëllazërore Shqipëri-Kosovë. Deri më sot akoma ka kufij klasikë mes dy shteteve shqiptare, dhe do kishte qenë mirë që të ishte realizuar të paktën një “shengen” shqiptaro-shqiptar ku të mos kishte tra doganor mallrash e mjetesh, po për çudi u vendos edhe një tra tjetër, trau i “Rrugës së Kombit”; dhe gjatë këtyre viteve vetëm sa u panë mbledhje maratonë e fiktive retorikash e dukjesh patriotike, dhe shumë pak reale e konkrete në funksion të integrimit brëndakombëtar.Tashmë duke parë dhe duke shpresuar kjo gjë do të përmrësohet dhe do të ndryshojë pasi në Kosovë, në qeverisje, shqiptarët e Kosovës zgjodhën dhe besuan më të mirët, më progresistët dhe në radhë të parë elitën politike patriotiko-kombëtare reale, Qeverinë e koalicionit LVV-LDK me Albin Kurtin Kryeministër dhe në Parlament, me Vjosa Osmanin kryetare të tij. Dhe shpresojmë që gjërat tani do të ndryshojnë shpejt për të kapur kohën dhe arrirë ndryshimin, përmirësimin dhe afrimin e integrimin e madh brënda kombëtar e gjithshqiptar; realizimin e një vizioni e programi vëllazëror marrëdhëniesh e bashkimi. Kështu e shikoj dhe e gjykoj unë edhe prioritetin e përkushtimin Kurti-Osmani të cilët vendosën që vizitën e parë ta bëjnë në Kryeqëndrën gjithkombëtare shqiptare, në Tiranë.

Z. Kurti për herë të parë në këto 20 vite menjëherë sapo mori mandatin qeverisës po tregon karakterin e një qeverisje të përgjegjshme para kombit, kur kryeministri Kurti merr përsipër të jetë ai i cili do ta përfaqësojë Kosovën në krye të një përfaqësie të gjërë politiko-akademike në bisedimet Kosovë-Serbi, pikërisht ashtu si e parashikon edhe Kushtetuta.
Me Kurtin i cili ka mbështetjen edhe të Kryeparlamentares znj. Osmani, Serbia nuk do ta ketë më shansin që ajo të ketë në bisedimet shqiptaro-serbe, atë të rolit të dominantit si e kishte me paraardhësit e Kurtit, siç ishte politika e mëparshme dhe sidomos ajo e Presidentit Thaçi i cili është treguar i dobët, tolerant dhe infererior ndaj Beogradit ashtu sikurse edhe Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama.
Së pari Serbia duhej që të përballej dhe të ndëshkohej për krimet e luftës, për genocidin që ajo ka ushtruar mbi shqiptarët e Kosovës, si dhe duhet të paguajë për dëmet e luftës që ajo u ka shkaktuar shqiptarëve.

Si mund të bisedohet, dhe madje edhe si mund të ketë pajtim shqiptaro-serb dhe marrëveshje të tipit minishengen, që fatkeqësisht në një linjë por madje edhe shumë aktiv e pro tyre ka qenë edhe kryeministri Edi Rama i Shqipërisë, kur Serbia as nuk njeh krimet, as genocidin dhe as dëmet e luftës, dhe as nuk ka kërkuar as falje si minimum për to?! Kështu pra, Kryeministri, Z. Kurti dhe Kryetarja e Parlamentit Znj.Osmani kanë edhe një problem tjeter, i cili është përpjekja e tyre për të bindur edhe politikën qeverisëse aktuale të Tiranës për dakordësimin e qëndrimeve që kanë të bëjnë me bisedimet Kosovë-Serbi, ku Shqipëria para se të vendsosë e të deklarohet për problematika të rëndësisë kombëtare gjithshqiptare dhe sidomos për atë që ka të bëjnë me marrëdhëniet shqiptaro-serbe e veçmas ato Kosovë-Serbi, Tirana duhet të konsultohet me Kosovën. Në vënd që në bisedimet Kosovë-Serbi, Serbia duhet të jetë palë e heshtur dhe fajtore, asaj deri më sot i është toleruar pothuajse gjithçka. Kjo ka ndodhur kështu, se i tillë ka qenë qëndrimi i Presidentit Hashim Thaçi, si i papërgjegjshëm dhe kapitullant, dhe i gatshëm për të nënshkruar gjithçka të dëmshme për Kosovën por mjafton që ai për interesa personale të mbetej në politikë, pushtet dhe President ashtu sikurse është po i gatshëm për sakrifikim të territoreve të Kosovës edhe kryeministri aktual i Shqipëisë për interesa pushteti personal. Kjo është dobësia dhe papërgjegjshmëria më e rëndë e Presidentit të Kosovës, si edhe e sistemit të drejtësisë në Kosovë.
Në vënd që të ishin ngritur dhe të kishin funksionuar struktura të posaçme shtetërore e ligjore ku në këtë duhet të kishte dhënë ndihmën e vet edhe Shqipëria, për të ngritur padi kundër Serbisë për krimet, genocidin dhe për dëmet e Luftës, e që kundër kësaj ka qenë mjerisht edhe vetë drejtësia në Kosovë, që madje edhe as nuk i ka regjistruar dhe as nuk ka pranuar as paditë e qytetarëve shqiptarë për të kërkuar dëmshpërblimet e luftës.
Si është e mundur që të kërkosh normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, dhe pajtimin shqiptaro serb, minishengen me rol kryesor Serbinë, kur Serbia jo vetëm se nuk njeh krimet e luftës por, përpiqet që t’i grabisë edhe territore Kosovës, por edhe të marrë statusin e viktimës së luftës dhe kur ajo sponsorizon dhe lobon fuqishëm kundër shtetit të Kosovës. Prandaj them dhe e përshëndes faktin që si Kryeministri Kurti ashtu edhe Kryeparlamentarja Osmani të cilët deklaruan se do të bëjnë vizitën e parë zyrtare në Shqipëri. Dhe kjo do t’i shërbejë bashkepunimit për unifikimin e qëndrimeve politike, diplomatike e shtetërore me rëndësi jetike kombëtare për Shqipërinë e Kosovën dhe për të gjithë shqiptarët.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura