PROF.ASSOC.DR.SABIT SYLA: DRENICA NË FUND TË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE (1944 -1945)

Prishtinë, 18 shkurt 2020: Drenica ka një të kaluar të lavdishme historike, që nga kohërat më të hershme e deri në ditët e sotme. Popullsia e kësaj treve shqiptare me traditë e qëndresë aktive kundër pushtuesve të huaj, gjatë historisë ka dhënë një kontribut të veçantë, në historinë e popullit tonë. Në Drenicë lindën e u zhvilluan lëvizje, ngjarje e luftëra të karakterit çlirimtar, nën udhëheqjen e personaliteteve e figurave të ndritura të kësaj treve. E tillë është edhe Lufta e dimrit të vitit 1945, pjesë përbërëse e historisë sonë kombëtare që kërkon një trajtim dhe qasje të gjithanshme.
Lufta e Drenicës e karakterizuar si luftë për çlirim kombëtar, bëri një kthesë të madhe dhe ndryshoi kursin e Lëvizjes sonë Kombëtare, duke qenë sfiduese për pushtuesin serbo – sllav, i cili popullsisë së Zonës së Drenicës i shkaktoi shumë vuajtje, burgime e keqtrajtime me metodat më makabre që ushtroi presion për kolonizim e sllavizim të saj. Në fund të vitit 1944 dhuna e terrori i ushtruar në Drenicë nga pushteti ushtarak serb koinçidoi me masakrat më çnjerëzore. Njerëzit humbnin natën pa marrë vesh kush, vriteshin në masë dhe i masakronin me sëpata në mënyrë që popullsia e vendit t’i shihte viktimat pa hundë, pa veshë, me sy të nxjerrë e të lidhur me tela nga 6 – 7 e më tepër sish 1, duke bërë kështu një terror mbi ta, për të vetmin faj që ishin shqiptarë. Ishin komandat e vendit të porsaformuara ato të cilat thirrnin njerëzit kinse për bisedime dhe menjëherë ata futeshin në burgje që ishin adaptuar për atë qëllim. Në fakt ato nuk ishin burgje, por kasaphane. Masakrat, internimet, terrori, burgosjet individuale e kolektive, dhunimet e gjenocidi i ushtruar mbështeteshin në urdhëresën e Shtabit Kryesor të Serbisë, i cili më 2 dhjetor 1944 kishte dhënë urdhër për spastrimin e Drenicës dhe viseve përreth saj nga “bandat shqiptare” dhe nga “njësitet e armatosura prej tradhtarëve shqiptarë”2.
Situata e tillë e krijuar në Drenicë shkaktoi një indinjatë të thellë si tek popullsia ashtu edhe të krerët e prijësit e asaj ane si: Shaban Palluzha, Mehmet Gradica, Rexhep Xheli, Miftar Bajraktari, etj. Për t’i bërë ballë situatës së rëndë të krijuar në vend, me qëllim të ruajtjes së jetës, nderit, pasurisë së popullit, për mbrojtjen e sigurimin e rendit publik, në dhjetor të vitit 1944 u formua Brigada e Drenicës me komandant Shaban Palluzhën 3. Shtabin e Brigadës e përbënin: Azem Aruqi, Feriz Boja, Hamëz Istogu, Hazir Xhaka, Mehmet Gradica, Miftar Bajraktari, Mulla Ilias Broja, Regjep Gjeli, Rifat Maloku, Sadik Lutani dhe Ukë Sadiku. Brigadën e përbënin gjashtë batalione (çdo batalion përbëhej nga tri kompani). Komandant i Batalionit I, ishte Ramë Sejdia; i Batalionit II, Ymer Fazlija; i Batalionit III, Isë Zymeri; i Batalionit IV, Bajram Bajraktari; i Batalionit V, Zeqir Lutani dhe i Batalionit VI, Hazir Gjaka 4.

Shaban Palluzha, 1871 – 1945

Brigada, për t’ia ndalur hovin forcave partizano – çetnike me shovinizmin e tyre të pafre, shumë shpejt u shtua me luftëtarë të rinj. Formimi i kësaj Brigade të përbërë nga antikomunistë e antifashistë, si dhe rekrutimet në masë të popullsisë pranë Brigadës, si luftëtarë, shkaktuan një reagim të ashpër tek qarqet politiko – ushtarake të Jugosllavisë. Në fillim të janarit 1945 Shtabi Suprem i Ushtrisë Jugosllave dhe Shtabi Kryesor i Serbisë e urdhëruan Shtabin Operativ të Kosovës që të dërgojë në veri të Jugosllavisë, në drejtim të Banatit, brigadat VI, VII dhe VIII të Kosovës. Mbi bazë të këtij urdhri drejtuesit ushtarakë serbë e malazezë, në bashkëveprim me Shtabin Operativ të Kosovës, urdhëruan që edhe Brigada e Drenicës në kuadër të Brigadës VII të nisej për në veri të Jugosllavisë, në drejtim të Banatit. Forcat e Drenicës u urdhëruan që të shkonin në Lypjan dhe atje të bashkoheshin me Brigadën VII 5. Këtë urdhër Shaban Palluzha me luftëtarët e tij kategorikisht e kundërshtoi, përderisa shkuarja e tyre në fronte të Jugosllavisë nënkuptonte likuidimin e tyre prapa shpine (siç edhe ndodhi në rastin e Tivarit) dhe lënien e popullatës së Drenicës në mëshirën e fatit. Pra, largimi i tyre nga Kosova nënkuptonte zëvendësimin me forca serbo – malazeze, të cilat siç kishin masakruar me parë, do të bënin edhe më shumë krime. Vendosmëria e Brigadës për të qëndruar në Drenicë vinte e shtohej edhe nga ardhja e vullnetarëve prej viseve tjera të Kosovës e në veçanti nga: Mitrovica, Istogu, Peja etj., të cilët për të shpëtuar veten dhe popullin nga masakrimet inkuadroheshin në këtë Brigadë për të luftuar pushtuesin serb.
Lidhur me kërkesën e Shtabit Operativ për të shkuar në frontin e veriut Shaban Palluzha u kishte dhënë këtë përgjigje: “Kërkoni që ne të lëmë Kosovën…, populli kërkon që djemtë dhe vëllezërit e tij të mos largohen prej vendit të tyre dhe këtë jo për të mos shkuar në luftë kundër fashizmit, por për të mos e lënë në duar të serbo – malazezve, të cilët me veprat e tyre të poshtra po tregojnë se nuk kanë asnjë ndryshim nga forcat e Jugosllavisë së vjetër të cilat më 1925 ushtruan masakra të llojllojshme me qëllim shfarosjeje e dëbimi të popullit shqiptar nga trualli i vet. Populli na ka armatosur deri në dhëmbë për ta mbrojtur atë, e tash ne nuk mund ta lëmë fatin e tij në duar të atyre që deri dje ishin çetnikë, ndërsa sot kanë vënë yllin në ballë dhe, përveç që vrasin meshkuj, familje e gra, djegin gjithçka”. Ndërsa, në urdhrin e dytë të Shtabit Operativ të Kosovës dhënë Shaban Palluzhës dhe shokëve të tij, thuhej: “Dërgoni një delegacion në krye me Shaban Palluzhën i cili duhet të vijë në Prishtinë për sqarime”. Por, Shaban Palluzha nuk pranoi, përkundrazi kërkoi që një delegacion i Kosovës të vinte tek Shtabi i tij.
Mirëpo, prapë Shtabi Operativ i Kosovës dha urdhër që më datë 20 janar 1945 të bisedohej me Shaban Palluzhën dhe të bindej ai që bashkë me Brigadën VII të nisë gjithë forcat e tij për në Banat. Megjithëse urdhri ishte në formë ultimatumi, (ky ishte urdhri i tretë i cili iu komunikua Shaban Palluzhës dhe anëtarëve të Shtabit të tij) Shaban Palluzha ishte përgjigjur me këto fjalë: “Nuk jemi kundër Luftës Nacionalçlirimtare, vetëm se po ta lëmë Kosovën e të shkojmë në Banat, gjë që nuk po ndëgjon as populli dhe as djemtë e tij që janë bashkuar me ne, kjo do të thotë se kur të kthehemi të mos gjejmë asnjë shqiptarë të gjallë këtu. Po të na e japë fjalën Shtabi Operativ se në Kosovë nuk do të vijnë forca serbo – malazeze dhe se nuk do të qëndrojnë as këto forca që janë këtu, ne jemi gati për t’u nisur ku të jetë nevoja”. Megjithatë, pas shumë diskutimesh Shaban Palluzha pranoi që më datë 21 janar të nisej me të gjitha forcat për Podujevë, ku do të takoheshin me Shaban Haxhinë, sipas marrëveshjes së arritur dhe do të niseshin për në Banat bashkë me 6 000 efektivë të Brigadës VII, që përbënin edhe grupin e parë që shkonte për Banat më 21 janar 1945. Por, në këtë ditë Shaban Palluzha nuk shkoi ngaqë në katundet e afërta ku ishin të vendosura forcat e tij, natën e datës 20 nga forcat çetniko – partizane u arrestuan 12 shqiptarë nën pretekstin e shoqërimit për në komandën e vendit, por pasi i nxorën nga fshati që të gjithë i pushkatuan. Kështu kaloi data 21 dhe forcat e Shaban Palluzhës nuk shkuan në Podujevë. Në mbrëmjen e datës 21 Shtabi Operativ urdhëroi sërish që Shaban Palluzha me forcat e tij më datë 22 janar të shkojë në Podujevë, mbasi atë ditë do të nisej edhe grupi i dytë i Brigadës VII me 5 000 vetë për Banat. Ndonëse të revoltuar nga vrasja e 12 shqiptarëve, pas shumë diskutimesh u arrit marrëveshja që të bashkoheshin forcat dhe të shkonin, por Shaban Palluzha kërkoi një afat prej dy ditësh që të mblidhte forcat në Podujevë më 24 janar dhe Fadil Hoxha pranoi që Shabani të ketë afat deri më datë 24, për të mbledhur forcat e tij.
Më datë 24 forcat e Shaban Palluzhës mbërrin në Podujevë nga ora 10 paradite, duke lënë rreth qytetit edhe një pjesë të luftëtarëve për t’ju ardhur në ndihmë në qoftë se këta brenda do të ndodheshin në rrezik. Së fundi, edhe në këtë qytet të gjitha përpjekjet do të dështojnë të bindin këtë Brigadë për të shkuar në Banat. Gjatë fjalimeve që iu mbajtën të gjithë luftëtarët e Shaban Palluzhës i kapën armët në duar duke thërritur: “ne nuk shkojmë në Banat me ruejt pasuninë, jetën e nderin e serbianëve, e neve të gjitha këto po na merren nëpër kambë dhe njerëzit e vramë gjinden grumbuj – grumbuj si me qenë kunguj n’arë”. Kur Brigada nuk pranoi të shkojë dhe filloi të shpërndahej, përfaqësues të Shtabit Operativ i paralajmëruan duke iu thënë: “Do të keni luftë me UNÇ-në e Titos”. Brigada la Podujevën dhe u nis në drejtim të Drenicës 6. Nuk kaluan as 2 orë dhe krisi pushka midis forcave partizane – dhe forcave të Shaban Palluzhës.
Pra, qenë rrethanat e krijuara të dëmeve, plaçkitjeve, keqtrajtimeve, vrasjeve e masakrimeve, si dhe urdhri i kësaj Brigadë për të shkuar në Banat shkaktarët kryesorë të shpërthimit të luftës së Drenicës, mandej moslejimi i përdorimit të flamurit kombëtar, statusi dhe pozita e ardhshme e Kosovës, etj. Masa e popullit nuk kishte më asnjë besim tek partizanët komunistë të Titos. Sipas popullit, “bashkim – vëllazërimi është politika e shkjaut, se ata kur vjen koha të gjithë janë bashkë dhe letrat i përziejnë. Vllaznimi i propaganduar s’është gjë tjetër veçse një e zezë. Na ka dalë për hundësh bashkëjetimi me ta, thoshin shqiptarët. Qe kaq kohë tuj u vra me ta, tuj u rreh, sha e tyrli lloj çnderimi tjetër kemi pasë prej tyne; jemi gjakosë keq me ta (me serbët) dhe s’mundet me kenë parti ose qeveri në botë qe mundet ata me i mbajtë e të mos hakmerren mbi neve.., me shka qe vallahi s’ka besë dhe as qi ka pasë ndonjiherë dhe mund të na presi prapë si ti vijë ujët në lugë”7.
Edhe në një raport të Korparmatës III të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë në mars të vitit 1945, thuhej: “… në Kosovë janë vrarë njerëz nga ushtria nacionalçlirimtare jugosllave…, Një pjesë e madhe e popullit të këtyre anëve është në mal. Populli i Kosmetit (Kosovës S. S.), nuk ka aspak besim në ushtrinë nacionalçlirimtare jugosllave… Heqja e flamurit shqiptar në qytetet e Kosovës e Metohisë, vrasja e delegacionit shqiptar që ishte dërguar nga shtabi operativ për marrëveshje… vrasja e 20 vetëve nga Malësia e Gjakovës pa asnjë arsye, vrasja në masë në Drenicë, humbja e njerëzve natën pa i marr vesh askush, janë shkaqet që revoltojnë për së tepërmi popullin e Kosmetit kundër ushtrisë nacionalçlirimtare jugosllave”8.
Mosbesimin e popullatës shqiptare disa përfaqësues të Frontit Nacionalçlirimtar, kishin parapëlqyer që bashkimin me ta, ta arrinin përmes fobisë. Në një shkresë të datës 3 maj 1944 shkruhej: “Populli tutet fort prej Rusisë, se ka me na lshue Serbinë, me gjithë qi jemi mundue me çdo mënyrë me e spjegu këtë çështje asht e kotë, kjo vjen nga injoranca prandaj per keta nuk mund të bajnë nji bashkim si dishrojm neve, vetëm se per me mujt e me punue dishka me ket popull duhet friga d.m.th. me u banun disa bombardime dhe mbas kësaj me qit letra me anën e avijacionit tuj u fol se ne qoftëse nuk bashkohuni me frontin Nacionalçlirimtar do të damtoheni krejt” 9. Rezultatet e pritura në këtë drejtim nuk dhanë efekte. Ajo ishte rrjedhojë e drejtpërdrejtë e marrëdhënieve të këqija të shqiptarëve me serbët, tek shtypja e popullit shqiptar dhe mungesa e lirive dhe të drejtave të tyre kombëtare. Ishte shumë e vështirë të kapërceje realitetet e shkuara dhe të kohës, e të bashkojë në një front jetese të përbashkët shqiptarët dhe serbët.

Mehmet Gradica, 1913 – 1945

Shqetësuese tej mase, si për popullsinë e Brigadën ishte çështja e statusit të Kosovës. Në këtë kontekst, Brigada e Drenicës, e njohur ndryshe edhe si “Brigada e Shaban Palluzhës”, kishte këto qëllime parësore: ndalimin e menjëhershëm të dhunës e terrorit serb në Drenicë e vise të tjera të Kosovës, respektimin e të drejtës së popullit shqiptar për vetëvendosje – bashkim me Shqipërinë dhe largimin e menjëhershëm të forcave partizano – çetnike nga vendi, etj.
Brigada e Drenicës, që përbëhej nga intelektualë, ushtarakë, krerë e bajraktarë nëpërmjet luftës se saj kishte për qëllim të realizojë edhe vendimet e Kuvendit të Skënderajt, të mbajtur në tetor të vitit 1944, i cili kishte aprovuar këto vendime: Të bëhet shkëputja e Kosovës nga Serbia e Jugosllavia. Meshkujt të mos largohen nga Kosova. Të mos ia dorëzojnë armët armikut fashistë e komunistë, etj.
Për të arritur këto qëllime, si mjet i vetëm mbeti lufta e cila do të jetë e ashpër ndërmjet forcave të Brigadës së Drenicës dhe forcave pushtuese Jugosllave. Në këtë luftë të zhvilluar në janar, shkurt, mars të vitit 1945 kundër Drenicës dhe Brigadës së udhëhequr nga Shaban Palluzha, Mehmet Gradica etj., morën pjesë: Brigada e Parë e Kosovës dhe Metohisë, me Zufer Musiqin në krye; Brigada e Bokelit, e njohur me emrin famëkeq “Bokelska”, e 6-ta malazeze; pastaj ajo e KNOJ-it, brigadat IV dhe V të Kosovës. Në luftën e Drenicës u inkuadruan edhe brigadat serbe e maqedone 10, etj. E tërë kjo forcë ushtarake nga e cila shqiptarët e Drenicës ishin të rrethuar, sipas të dhënave studimore të deritanishme ndryshojnë. Sipas historianit Muhamet Shatri, mbështetur në një raport të prof.Ymer Berishës, të datës 02 tetor 1945, forcat ushtarake përbëheshin nga afro 36 000 ushtarë serbë, malazezë, maqedonë, bullgarë dhe fatkeqësisht edhe shqiptarë. Në këtë luftë për vetëm 28 ditë u vranë dhe u plagosën rreth 430 luftëtarë nga Drenica, u dogjën dhe u plaçkitën 450 shtëpi, iu konfiskua i tërë ushqimi e gjëja e gjallë 6 000 banorëve të Vushtrrisë e të Mitrovicës me rrethinë 11. Sipas të dhënave qe na ofron studiuesi Muhamet Mjeku, mbështetur në të dhënat e Komandantit të Administratës Ushtarake, Sava Dërljeviq, ishin mbi 40 000 luftëtarë të huaj 12.
Ndërsa, sipas historianit Islam Dobra, mbështetur në një raport të dhënë nga organet ushtarake, deri më 12 shkurt 1945, Formacioni i Drenicës kishte patur këto humbje: të vrarë 393 veta, të plagosur 313, robër të zënë 490, të zënë pa armë 264, të dorëzuar 1 087 dhe prapavijës iu dorëzuan 700 veta. Deri në datën e lartpërmendur janë zënë 988 pushkë e mitraloza të rendë me 70 000 fishekë të llojeve të ndryshme e disa predha dore e pajime tjera. Sipas raportit ushtria kishte këto humbje: 82 të vrarë, 117 të plagosur dhe 700 të dezertuar 13. Megjithatë sipas hulumtimeve të bëra në Institutin Ushtarak në Beograd, sipas historianit në fjalë, raporti i humbjeve ushtarake nuk përputhet me të dhënat e lartpërmendura. Sipas regjistrave të të vrarëve dhe të plagosurve humbjet ushtarake vetëm për Divizionin e 52 na dalin shumë më të mëdha. Nga 2 regjistra për të vrarë e të plagosur dalin 413 ushtarë të vrarë e 8 të plagosur e nëse llogarisim mesataren e 22 regjistrave që ishin, na del se humbjet ushtarake sillen mbi 2 000 apo 3 000 ushtarë të vrarë 14.
Kur lufta në Drenicë ishte në kulmin e saj, sipas një relacioni të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Shtabi dhe pushteti i Kosovës me pëlqimin e OZN-së vendosi sipas propozimit që bënë Fadil Hoxha, Xhavit Nimani, Mehmet Hoxha etj., të dërgonin një komision në Drenicë të përbërë prej 12 shqiptarëve që kishin ndikim në ato vende të Drenicës dhe në katundet e saja përreth. Komisioni i përbërë nga Asim Efendi Luzha dhe 11 shqiptarë të tjerë me urdhrin e Komandës së Shtabit Operativ, OZN-së e të Partisë niset për në Drenicë dhe porositet që t’i ftojë ata për ndalimin e luftës. Asim Luzha, arriti marrëveshjen për ndërprerjen e luftimeve dhe për këtë njoftoi Fadil Hoxhën dhe u nis së bashku me shoqëruesit e tij për ta njoftuar edhe Brigadën e KMPJ, në fshatin Tërstenik. Shtabi i kësaj Brigade jo vetëm që nuk pranoi rezultatet e arritura për ndërprerjen e luftimeve por partizano – çetnikët, pasi që u marrin dokumentin që vërtetonte shkuarjen e tyre në Drenicë, i lidhin dhe në mbrëmje vonë i pushkatojnë të 12-të. Është për t’u theksuar se “ky komision nuk ka pasur me vete as armë e as thika dhe kur i kanë kapur ka qenë ditë” 15. Vlen të përmendet fakti se në këtë fshat qe bërë masakër e përmasave të mëdha. Sipas studiuesit Islam Dobra, brenda dite ishin likuiduar 51 veta /16.
***
Lufta e Drenicës ka qenë luftë e përgjakshme në të cilën popullsia e vendit ka përjetuar gjithfarë mizorish. Shumë veta janë pushkatuar për të vetmin faj se ishin shqiptarë. Shumica edhe e atyre që janë dorëzuar gjatë luftës së Drenicës, qoftë ata që ishin me Shaban Palluzhën si luftëtarë, qoftë nga radhët e popullit janë pushkatuar. Por, plaçkitjet, dhuna e terrori i ushtruar në Drenicë nga forcat partizano – çetnike u shpagua nga luftëtarët e Drenicës. Kështu në Prekaz, qysh në fillim të luftës (së Drenicës) u likuidua Shtabi partizano – çetnik i cili kishte bërë terror e masakra në Drenicë e më gjerë 17. Edhe në luftimet e zhvilluara në fshatrat e tjera si Rezallë, Aqarevë, Ticë etj., luftëtarët e Drenicës, kishin luftuar grykë më grykë duke lënë të vrarë shumë pjesëtarë të forcave ushtarake partizano – çetnike. Madje, për fitoren e arritur në kullën e Jetish Ticës dhe të kullave tjera përreth fshatit, populli thoshte: “Masakrat që bëri Brigada e Gores në Drenicë pagoi haraçin në Ticë”.
***
Lufta e lavdishme e Drenicës e zhvilluar në fillim të vitit 1945, gjatë kohës së sistemit komunist ka qenë e anatemuar ose është e interpretuar sipas interesave klanore e politike të kohës. Duke u mbështetur në filozofinë e historisë bardhë e zi, zhvillimi i kësaj lufte, është cilësuar edhe si kundërrevolucionare. Po ashtu, janë përdorur edhe nocione të ndryshme, si: revoltë, lëvizje, kryengritje, rezistencë, etj. Pa mëdyshje, duhet theksuar se nuk është njësoj si të thuhet Revolta e Drenicës, Lëvizja e Drenicës, Rezistenca e Drenicës apo Kryengritja e Drenicës, dallime këto të mëdha që ndryshojnë në filozofinë e historisë po sikur nocionet “tradhtar e i tradhtuar, mashtrues e i mashtruar, lajthitës e i lajthitur, kushtëzues e i kushtëzuar”, etj.
Duhet theksuar se Lufta e Drenicës më 1945 mbi bazën e cilësimeve të përmendura më parë, ia zvogëlon vlerën trimërisë popullore të asaj treve e më gjerë, prandaj me të drejtë ajo duhet të quhet me emrin e saj të vërtetë Lufta e Drenicës.
Së pari, për nga rëndësia e zhvillimeve të saj, qe e një përmase gjithëpërfshirëse duke qenë asgjë mangut nga luftërat e tjera që kanë marrë emrin e tyre përkatës si luftë, si p.sh. Lufta e Vlorës më 1920, etj.
Së dyti, luftimet janë zhvilluar në luftë frontale dhe në front të rregullt.
Së treti, sikurse në viset e tjera të Kosovës e më gjerë, lufta e zhvilluar në Drenicë kundër pushtimit dhe lufta për çlirim kombëtar ishte e vazhdueshme me pjesëmarrje të madhe të atdhetarëve të devotshëm të cilët bartën dhe ndihmuan në përhapjen, zhvillimin, organizimin, forcën dhe efikasitetin e veprimtarisë së saj.
Së katërti, në këtë luftë u inkuadruan njerëz nga të gjitha shtresat e popullsisë të përfshirë edhe ata që deri atëherë nuk ishin të angazhuar në luftë si dhe dezertorët shqiptarë nga njësitet e UNÇJ-së, etj.
Së pesti, ajo ishte luftë që përfshiu një territor të gjerë, e zhvilluar formacione te rregullta ushtarake, me synime të qarta politike e strategjike për zgjidhjen e çështjes kombëtare, etj. Në anë tjetër, armiku në Drenicë përdori artilerinë e rëndë e korpuset e tëra ushtarake. Bazuar në urdhrin e marshallit Tito të datës 8 shkurt 1945 në Kosovë vendoset Administrimi Ushtarak, me epiqendër Drenicën 18.
***
Për Luftën e Drenicës dhe karakterin e saj dëshmuan edhe mjetet Amerikane të Informimit të cilat shpreheshin: “Drenica heroike, nën udhëheqjen e trimave të saj, Shaban Palluzha e Mehmet Gradica i shpallën luftë Ushtrisë jugosllave dhe ideologjisë komuniste, sikurse Pashallëku i Janinës, nën udhëheqjen e Ali Pashë Tepelenës që i shpalli luftë Perandorisë turke” 19.
***
Mbi bazë të këtyre veçorive të përgjithshme, mund të arrijmë në këtë përfundim: Brigada e Drenicës kishte karakter institucional e jo karakter individual, e organizuar apo e filluar prej një njeriu, por ishte e formuar nga vendimi i marrur në Kuvendin e Skënderajt. Ajo ishte formacion i mirëfilltë ushtarak dhe përbëhej prej Shtabit, batalioneve, çetave dhe kompanive, e si e tillë quhet Brigada e Drenicës. Ndërkaq, Lufta e Drenicës e zhvilluar në fillim të vitit 1945 fillimisht në Llap, Artakoll, Shalë e me gjerë, kishte karakter mobilizues të një lufte të përgjithshme kombëtare, për çlirim e vetëvendosje të fatit vet. Ajo nuk kishte karakter lokal apo rajonal, nuk ishte spontane, lëvizje, kryengritje, rezistencë apo revoltë, por ishte luftë me një karakter gjithëkombëtar e organizuar nga prijës për çlirim e bashkim me shtetin amë.
________________
Fusnotat:
1. Lefter Nasi, Ripushtimi i Kosovës, Shtator 1944 – Korrik 1945, Tiranë: “Akademia e Shkencave e Republikës se Shqipërisë, Instituti i Historisë”, 1994, f. 153.
2. Fazli Hajrizi, Drenica dhe Lutanët e Turiçefcit, Mitrovicë: ¬“Lumi i Bardhë”, 2006, f. 237.
3. Islam Dobra, Lufta e Drenicës 1941-1945 dhe NDSH në Kosovë deri më 1947 (Ribotim me zgjerim dokumentar), Prishtinë: “Shoqata për Ndriçimin e Historisë Kombëtare Shqiptare”, 1997, f. 158.
4. Mehmet Rukiqi, Tahir Berisha, Prishtinë: “Instituti Albanologjik i Prishtinës”, 2008, f. 152-153.
5. Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë (më tej: AMPJ), viti 1949, dos. 202, f. 27.
6. AMPJ, viti 1949, dos. 202, f. 27 – 30. Relacion.
7. Po aty, f. 2.
8. AMPJ, viti 1981, dos. 1140/1, f. 114-115. Raport i Korparmatës III të Ushtrisë Nacionalçlirimtare të Shqipërisë, mars 1945.
9. ASHAK, Fondi: Komiteti Krahinor i L. K. të Kosovë, viti 1942 – 44, kutia 17, dokumenti nr. 880, f. 1 – 2. Letër drejtuar nga një partizan me pseudonimin Molla një shoku të tij me pseudonimin Blini.
10. Muhamet Mjeku, Kosova në dimrin e vitit 1945, New York: 2002, f. 52.
11. Muhamet Shatri, Kosova në Luftën e Dytë Botërore 1941-1945, Prishtinë: “Instituti i Historisë – Prishtinë”, 1997, f. 274-275.
12. M. Mjeku, Kosova në dimrin…, f. 207.
13. I. Dobra, Lufta e Drenicës…, f. 291.
14. Po aty, f. 291-292.
15. Arkivi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Shqipërisë (më tej: AMPJ), viti 1949, dos. 202, f. 27.
6. I. Dobra, Lufta e Drenicës…, f. 183-184.
17. Bedri Muhadri, “Sefer Mikushnica veprimtar i lëvizjes çlirimtare në Drenicë 1941-1945”, E Djathta Shqiptare në Mbrojtje të Shqipërisë etnike – (8). Sesioni VII shkencor, Shqiptaret gjatë viteve 1878-1948, organizuar nga “Trojet e Arbërit”, Shkup 26 korrik 2009, Prizren 2010, f. 415-416.
18. Sabit Syla, Shteti shqiptar dhe çështja e Kosovës 1939 – 1981, Prishtinë: “Instituti i Historisë – Prishtinë”, 2012, f. 97.
19. I. Dobra…, f. 453.
 

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura