Tiranë, 18 mars 2020: Librat e shenjtë thonë se tre janë shkaqet që kërcënojnë njeriun; epidemitë, përmbytjet dhe zjarret (temperaturat e larta që shoqërohen me ndryshimet klimaterike.) Tërmetet e vullkanet, cunamet e ciklonet, janë gjithësesi kërcënim për njerëzimin, por katastrofat të bazuara në përvojat vijnë prej shkaqeve që përmendëm më sipër.
Toka – shtëpia jonë e përbashkët
Së pari, intensifikimi i epidemive ka ardhur me fillimin e eksplorimit të tokave të reja, pikërisht atëhere kur lundërtarët evropianë zbuluan tokat e reja anë e mbanë Tokës. Madje këtu e kanë zanafillën edhe shtrirjet epidiomologjike ose pandemitë.
Së dyti, njerëzimi sot është i ekspozuar më shumë se kurrë ndonjëherë në këtë fazë kur planeti është bërë shumë i vogël për shkak të modernizimit shkencor veçmas në fushën kibernetike dhe shkëmbimit të njerëzve dhe mallrave.
Ky zhvillim i shpejtë në kushtet globalite e favorizon tepër rrezikun e përhapjes së epidemive të njohura dhe të panjohura.
Së treti, ndotja e mjedisit është aktualisht një “pandemi” e eksponencialisht e pandalshme, në të cilin mjerisht jetojmë ne njerëzit. Sidomos në shekullin e XX.
Fakti që në Kioto të Japonisë në vitin 1997 u mblodhën 38 vende të zhvilluara (në fakt ndotësit më të mëdhenj të mjedisit) ku u ra dakord për një marrëveshje që detyronte secilin prej tyre që në vitin 2012, për reduktimin e gazrave të serave në nivelin e vitit 1990, tregon qartë rrezikun që po e kanos njerëzimin. Protokolli i Kiotos kishte për synim vendosjen e kufijve në sasinë e CO2 që mund të ndotë mjedisin secili prej vendeve.
Por sa është zbatuar?
Pothuajse fare, ose fare fare pak.
Dhjetëra konferenca të tjera të mëpastajme, takime e sensibilizime të organeve dhe organizmave ndërkombëtare për ruajtjen e globit nga ndotja, në shumë raste kanë rënë në veshin e shurdhër prej vetë shkaktarëve më të mëdhenj.
Ndërsa efekti serë është shndërruar në rrezik serioz për Tokën që është shtëpia jonë e përbashkët.
Disa fatkeqësi pandemike
Pa u futur shumë thellë në këtë histori, shënojmë mortajën e Firences që plasi në vitet 1348-1350, që u soll prej eksporatorëve të detërave që vinin nga portet e Azisë dhe Indisë. Bashkë me mallërat sollën edhe mortajën e pleshtit. Për një kohë të shkurtër, në Firence, për shkak të kësaj epidemie (1347), popullsia u përgjysmua.
Me shumë shpejtësi u përhap në të gjithë Europën. Anglia në atë kohë kishte 4.2 milion banorë dhe për shkak të sëmundjes humbi 1\3 e popullsisë. Po në të njëjtën shkallë dhe intensitet e pësuan edhe shumë vende të tjera.
Në vitin 1720, mortaja e quajtur “Plaga e madhe e Marsejës”, mori pamëshirshëm jetën e 100 mijë njerëzve. Atë kohë një anije me emrin “Le Grand St Antoine” e ardhur nga Lindja e Mesme ankorohet në Marsejë. Udhëtarët dhe lundërtarët e saj ishin prekur nga murtaja. Kështu ata sollën në Francë dhe Evropë epideminë që shkaktoi rreth 100 mijë të vdekur në Marsejë dhe në krahinat përreth. Në qytetin e Marsejës vdiq më shumë se gjysma e popullsisë nga 90 mijë banorë që kishte para murtajës, mbetën më pak 40 mijë. Për të ndaluar përhapjen e sëmundjes, parlamenti francez miratoi vendimin për të dënuar me vdekje çdo individ që zihej duke komunikuar mes Marsejës dhe pjesës tjetër të Provences.
Gjithashtu u morëm masa drastike duke ngritur një mur dy metro të lartë dhe 70 cm të gjërë, që u quajt Mur de la peste, që rrethoi Marsejën. Ky mur kishte roje të vendosur prapa murit që kontrollonin rreptësisht rastet. Edhe sot janë rrënojat e këtij muri rrethues.
Një shekull më vonë plasi kolera në Evropë (1817-1824) e cila u përhap si pandemi edhe në vendet aziatike. Numri i viktimave i kaloi mbi 100 mijë.
Ndërsa në fillimin e shekullit të XX, gripi spanjoll rezultoi më i rrezikshmi. Qe një epidemi sa që u futi frikën jo vetëm të njerëzve që përjetuan këtë katastrofë, por edhe të disa brezave me radhë. Edhe sot përmenden vdekjet masive edhe në vendin tonë. Gripi spanjoll i vitit 1918, më vdekjeprurësi në historinë e njerëzimit, infektoi më shumë se 1 miliard njerëz dhe vrau të paktën 100 milion prej tyre në mbarë botën.
Ndryshimet esenciale të shoqërisë njerëzore pas pandemive
Pas mortajës së Firences njerëzit i thirrën mendjes dhe ndryshuan mentalitetin dhe menduan jo si më parë.
Ata nuk besuan më aq verbërisht te kisha dhe te qielli. Institucionet e kulteve e humbën shumë besimin dhe autoritetin që kishin. Shoqëria u orjentua te një mentalitet i ri shumë më tokësor, i ndryshëm nga predikimi i vjetër religjioz.
Arti, filozofia e shkenca kthyen vëmendjen tek njeriu, rëndësia dhe vlera e tij mbi tokë.
Rilindja Evropinane menjëherë i kushtoi vëmendje jetës njerëzore, duke lënë spiritualizmin dhe jetën e përtejme në plan të dytë.
Sipas tyre, meqë priftërinjtë nuk janë të aftë t’i dalin zot vetes së tyre, si mund të merrnin përsipër shërimin e tyre.
Artistët e mëdhenj të kësaj periudhe Mikelanxhelo, Leonardo da Vinçi, Ticiani, Bakaçio etj., me veprat e tyre i thurën himne njeriut, forcës dhe bukurisë së tij. Simbolikisht ata shpreheshin se më rëndësi ka këmba e njeriut se sa këpuca e tij.
Këto ide i kanë shprehur më së miri në veprat e tyre të papërsëritshme. Me vezullimin e këtij arti të magjishëm, u duk qartë se po lindtte një epokë e re krejt tjetër konceptualisht, e mbushur me optimizëm, jetë dhe kuptim.
Kjo epokë kërkoi titanë dhe lindi titanë, sipas humanistëve, se vetëm titanën realizojnë procese të zhvillimit të shoqërisë njerëzore.
Galileo Galilei, Shekspiri dhe Isak Njutoni, Lajbnici më vonë La Plaz, Lagranzh e shumë shkencëtarë, filozofë e artistë të tjerë, ndriçuan mendjen e shoqërisë me shpikjet dhe veprat e tyre.
Shekspiri në Angli ringjalli artin skenik që kishte vdekur një mijë vjet më parë. Që prej rënies së qytetërimit të lashtë grek ishte harruar teatri dhe skena, nuk përmendej pothuajse fare Eskili, Sofokliu, Europidi, Aristofani.
Në Spanjë Servantes shkroi Don Kishotin. Ndërsa gjeniu Njuton me shpikjet e parimit të inercisë, teleskopit dhe ligjeve të mekanikës, në shkencën e matematikës, ardhja e një realiteti të ri hulumtues në të gjitha aspektet, kryen revolucionin e paparë që ndryshoi plotësisht mentalitetin dhe praktikën e njeriut të postmesjetës dhe më pas të kohës moderne.
Mjeku – heroi i epokës tonë
Ndërsa po shkruaja këtë tekst, dëgjova në lajmet në kanalin Report TV, mesazhin që përcillte një prift për situatën e krijuar prej pandemisë aktuale. Ai ndër të tjera tha se “…mos harroni se përveçse shkencës, ka edhe zot”. Më bëri përshtypje se pse ai nuk tha se “përveçse zotit, ka edhe shkencë”, ose përse nuk tha se për të sëmurët përveçse kishës (dhe objekteve të tjera të kultit) ka edhe spital, ka edhe shtëpi.
Në shkencën e mjekësisë, veçmas në shekullin e XIX, lindi nevoja e domosdoshme e kërkimit shkencor në këtë fushë, sidomos në fushën e epidiomologjisë dhe infektologji. Veç mortajës e kolerës, sëmundje e shekullit XVIII dhe XIX e përtej tyre, ishin shumë të përhapura antraksi, leproza, sifilizi, tuberkulozi etj. Si në epokën e ndritur të mesjetës e cila kërkoi titanë dhe lindi titanë, në këtë periudhë u kërkuan heronj në fushën e mjekësisë. Shoqëria njerëzore i lindi titanët në shkencën mjekësore.
Robert Kohu qe një sintesë e grumbullimit të energjive disashekullore intelektuale njerëzore në këtë aspekt. Ai solli në fushën bakteriologjike mundësi të reja studimi, të panjohura deri në atë kohë. Si drejtor i zyrës perandorake për higjenën në Gjermani dhe më pas si profesor i higjenës dhe drejtor i Institutit për sëmundjet infektive (1891), çeli rrugë, hulumtoi dhe bëri zbulime me rëndësi të jashtëzakonshme shkencore në fushën e mjekësisë.
Merita e madhe e këtij gjeniu dhe nobelisti (1905) në fushën e mjekësisë qe te kërkimet e zbulimet rreth raporteve mes disa karakteristikave biologjike të bacilit të plasjes (antraksit) dhe patogjenezës së sëmundjes, që kanë rëndësi, sepse përbëjnë shembullin e parë të një studimi të tillë. Disa vite më vonë ai zbuloi bacilin e tuberkulozit (1882), që u quajt bacili i Kohut. Ndërsa në vitin 1884 ai zbuloi vibrionit e kolerës.
Kanosjes së njerëzimit nga pandemitë e kanë detyruar vazhdimisht të rrisë përgjegjshmërinë kolektive se asgjë nuk është zhvillimi industrial, nëse nuk e kemi shëndetin publik të sigurt.
Në fillimin e shekullit të XX pas gripit spanjoll, që ishte më katastrofiku, detyroi institutet kërkimore dhe shkencore të mjekësisë për të rritur intensitetin e punës së tyre shkencore për të pasur një shoqëri njerëzore më të mbrojtur e më të kontrolluar.
Një nga ata shkencëtarë të shquar që i ka dalë në ballë studimeve dhe zbulimeve që përbëjnë shpëtimin e njerëzimit qe mjeku skocez Aleksandër Fleming, i cili në vitin 1928 zbuloi antibiotikun e parë në botë, penicilinën, që konsiderohet një revolucion i madh në shkencën e mjekësisë.
Këta shkencëtarë e humanistë të mëdhenj, ia kanë rritë shumë namin mjekësisë në këtë drejtim, pasi përhapja e një epidemie kur shoqërinë njerëzore e zë në befasi, katastrofa është e paparashikuar.
Postsituata COVID19
Pas kësaj pandemie globale COVID19, të gjitha aspektet e shoqërisë globale do të ketë një format të ri.
Jam i bindur se shoqëria njerëzore nuk do të mendojë, gjykojë e veprojë më si më parë.
Kërkimet shkencore në fushën e mjekësisë do të kenë vëmendjen e duhur tash e tutje.
Ajo çfarë do të jetë e rëndësishme është se shtetet e fuqishme, nuk do të jenë aq të qeta vetëm brenda gardhit të vet. Do ndërgjegjësohen se jetojmë në një shtëpi të përbashkët që quhet Tokë, ku ose mund ta nxjerrim në parajsë njëri-tjetrin, ose mund ta marrim në qafë.
Do të kthehet vëmendja dhe serioziteti te investimet në shkencën e mjekësisë dhe se pa këtë seriozitet, nuk do të ketë më helikopter të sofistikuar që kushtojnë disa qindra milion dollarë.
Njerëzit do ta ndjejnë edhe më shumë praninë për njëri-tjetrin, sidomos brenda familjes.
Do të zbehet pandemia globale internetike që ka ftohur komunikimin midis njerëzve.
Njerëzit do të kthjellohen se në kohë fatkeqësisë si kjo e fundit, nuk i drejtohen kishave dhe xhamive, por shtëpive dhe spitaleve.
Pikërisht në këto situate mjeku është heroi i epokës tonë.