GJOKË DABAJ: ALBINI U RRËZUA! KU GABOI ALBINI? TANI ËSHTË KOHA TË MENDOJË KU I KISH GABIMET, SEPSE KOMBI SHQIPTAR NUK KA SHUMË TË TJERË SI AI!

Durrës, 26 Mars 2020: Rrëzimi erdhi. Nuk ka asnjë fije dyshimi që qeverinë e Albin Kurtit e rrëzuan keqdashësit e kombit shqiptar. Të përhershëm ose të çastit. Cila është rruga që tani duhet të ndjekë ky prijës i yni, i rrëzuar nga pushteti? Sigurisht, jo të heqë dorë nga ajo që në gjuhën e popullit quhet luftë, edhe kur nuk bëhet me topa e me pushkë. Përkundrazi, Albin Kurti tani e tutje duhet ta rishikojë rugën e tij, duke korrigjuar gabimet dhe duke e vazhduar luftën.
***
Udhëheqësin duhet ta karakterizojnë tri cilësi kryesore: 1.T’i dojë kombin e vet dhe shtetin e vet, aq sa të jetë i gatshëm të sakrifikohet në emër të asaj dashurie. Të jetë i gashëm të sakrifikohet, por jo të dorëzohet! 2.Të jetë mjaftueshëm dinak, për të mos rënë vetë viktimë, por për t’i shndërruar në viktima kundërshtarët, armiqtë, sulmuesit, të hapur dhe të fshehtë. 3.Të jetë mjaftueshëm i rreptë, duke e ditur që, po s’qe ai i rreptë ndaj armiqvet të vendit të tij dhe ndaj shërbyesvet të tyre, do të jenë ata të rreptë ndaj tij, madje deri në asgjësimin fizik të tij dhe atdheut të tij.
Cila prej këtyre tri cilësive i mungoi më shumë Albinit?
Ose, thënë ndryshe, në cilën prej këtyre tri vetive, të domosdoshme për të qenë udhëheqës, “çaloi” Albini?
Në historinë e etnisë dhe kombit tonë ka mjaft shembuj pushtetarësh dhe udhëheqësish, sepse jeta jonë si etni është, jo qindravjeçare, por mijëvjeçare. Po marrim si shembuj vetëm disa prej tyre.

– Teuta gaboi, se i vrau të dërguarit e Romës, sepse u dha shkas romakëvet për të sulmuar ushtarakisht Ilirinë. Sulmi romak do të ndodhte gjithsesi, por atij sulmi i duhej shmangur, deri kur ilirët të ishin gati, pra të ruhej moment, jo kur koha të punonte për Romën, por kur koha të punonte për Ilirinë. Këtu i mungoi zgjuarësia Teutës. Ndaç thuaj, dinakëria.
– Gjergj Kastrioti-Skënderbeu i pat mjaftueshëm të tria këto cilësi. Lidhur me cilësinë e dytë, taktikën, dinakërinë, mjafton të kujtojmë vitet kur ai ishte në shërbim të sulltanit. Në ata vite ai e ndrynte brenda vetes urrejtjen që kish ndaj pushtuesit. Mirëpo, ndaj keqdashësvet perendimorë Gjergj Kastrioti nuk mundi të jetë aq diplomt sa duhej dhe prandaj, me sa duket, vdiq para kohe.
– Abdyl Frashëri nuk mundi ta realizonte programin e vet madhështor, midis tjerash, edhe sepse, nga njëra anë, nuk u ruajt aq sa duhej prej pushtuesvet osmanë dhe, në anë tjetër, nuk ia doli t’i bëjë për vete perendimorët, madje as aq sa ia kishin arritur Bushatasit e Ali Tepelena (për pashallëqet e vet shqiptarë), apo Mehmet Aliu (për Egjiptin). Dhe Abdyl Frashëri vdiq nga dhuna e atij pushtuesi, i cili ish vetë duke vdekur.
– Ismail Qemali gjithashtu vdiq mistershëm, si Gjergj Kastrioti. S’po dimë si i ndodhi, por e dimë me siguri që nuk ia mori jetën Turqia, siç pat ndodhur me Abdylin. Atij ia mori jetën Evropa, tek e cila ishte mbështetur. Ku e pat defektin Ismail Qemali?!
– Fan Nolin s’e lanë as gjashtë muaj për të vënë në jetë programin e vet progresist. Antifeudalët evropianë, në vend që ta njihnin e ta përkrahnin antifeudalin shqiptar, e quajtën “prift të kuq” dhe ata antifeudalë e lejuan Sërbinë që të sjellë në krye të shqiptarëvet një feudal. Cilën nga tri cilësitë e kish të mangët Fan Noli?! E ka thënë vetë te “Krishti dhe kamxhiku”.
– Ahmet Zogu arriti t’ia “dredhë” Sërbisë, por nuk mundi t’i bëjë ballë njërit prej shtetevt të Evropës… Prapë Evropa! Ne evropianët s’kemi qenë të mençur për vete, pikërisht në disa nga periudhat kur duhej të ishim më të mençur se kurrë! Edhe Ahmet Zogu e çoi pjesën më të rëndësishme të jetës së vet “syrgjyn gjallë e syrgjyn vdekur”, shumëfish më pa dinjitet se kundërshtari i tij Fan Noli.
– Enver Hoxha, për fatin e mirë të pjesës më të madhe të shqiptarëvet, i pat të tria cilësitë që i përmenda në krye të këtij shkrimi. Por cilësia e dytë, dinakëria, vlen për t’u vënë dukje, si edhe kombinimi i dinakërisë me rreptësinë, mjaft herë deri në shkallën e makabritetit. Ç’do të bënte në Mbledhjen e Beratit Enver Hoxha, veçse “ta hidhte lumin” duke bërë “autokritikë”. Në të gjitha kohët, më herët dhe më vonë, Enver Hoxha, edhe kur e dinte kush ishin spiunët, kush ishin ata që “e hanin bukën në Tiranë e përtypeshin gjetkë”, ai nuk ngutej as për t’i demaskuar, as për t’i ndëshkuar, madje i mbante afër. Kjo bëri që Enveri mundi të qëndrojë më gjatë në krye të një pjese të Shqipërisë, të asaj cope që mezi i kish shpëtuar copëtimit të mëtejshëm. Mbas vdekjes, iu pish varri edhe këtij, si dikur Skënderbeut.
Albini nuk qëndroi dot as sa Fan Noli.
Por jeta e tij politike në të mirë të atdheut nuk ka përfunduar. Prandaj është e nevojshme të bëhen analiza sa më të frytshme. Ku gaboi Albini?! Kjo është tani nyja që duhet zgjidhur, sepse kombi shqiptar nuk ka shumë të tjerë si Albini.
Për mua Albini gaboi te shkarkimi i ministrit. Albini duhej ta dinte që, jo armiqtë e tij, por armiqtë e Republikës së Kosovës, të të gjithë sojeve, të të gjitha ngjyrave dhe të të gjitha madhësive e rrëzikshmërive, e prisnin në shteg. Në vend që të shkarkonte ministrin (s’e kam fjalën për këtë zv-kryeministrin që e shkarkoi tash – A.Hotin), Albini duhej të merrej me Isën. Jo ta shkarkonte, as ta ngarkonte, por të gjente mënyrën që atij t’i thyhej edhe këmba tjetër. Ta gjente mënyrën që Isa, momentalisht bartësi kryesor, jo i vetmi, i trajtimit të popullit shqiptar të Kosovës si popull kukull, të rrëzohej. Këtë nuk e llogariti mirë Albin Kurti, ashtu si nuk llogariti mirë edhe kur nuk ia dha dorën Hashim Thaçit. Gabim tjetër i Albinit ishte vetëzbulimi përballë të huajvet. Të huajtë janë të shumëllojshëm. Miq, gjysmëmiq, çerekmiq, armiq. Por, që të gjithë, llogaritë i bëjnë për vete. Parimi është ky: me një palë të koordinohemi, palës tjetër t’ia fusim ujin nën rrogoz. Ne nuk jemi fuqi bërthamore, që të dalim në shesh e të rrahim gjoksin përpara atyre që duan të na shkelin.
Të gjitha këto janë vërtet punë tepër të vështira. Por, një atdhedshës si Albin Kurti, duhej të kish ditur të manovronte.
Kur ishte në opozitë, Albini i bëri popullit shumë premtime dhe bëri mirë. Ky ish thelbi i të shfaqurit të tij si politkan. Ky qëndrim i tiji ishte dhe faktori kryesor që e solli në pushtet Albinin.
Ç’duhej t’i thoshte tani popullit Albin Kurti?!
T’i sulmonte me ngut shushunjat dhe gjakpirësit?! Por ky lloj veprimi quhet revolucion!
A është koha për revolucion në këta vite të shekullit 21?!
Aq sa ish koha për një revolucion demokratik në vitin 1924.
Albini arriti të vijë në pushtet, duke mbrojtur flamurin kombëtar. Ishte pozicioni i tij më atdhetar i mundshëm. Por Ahtisari e ata që fshiheshin pas Ahtisarit, i kishin imponuar Republikës së Kosovës një leckë larërverdhë, në vend të flamurit tonë të vërtetë dhe të lavdishëm. Albini kryeministër tani duhej të mbante në sfond pikërisht atë copë pëlhurë me larë të verdhë në mes, e cila fatkeqësisht, por edhe fatmirësisht, paraqet hartën e Republikës së Kosovës. Duhej t’ia kish thënë popullit që në ditën e parë: Unë po rri para këtij flamuri, sepse nuk po dua të ma marrin për keq miqtë tanë.
Një hartë të Republkës së Kosovës, të cilën vetë ndërkombëtarët e kanë vizatuar dhe vënë në atë farë “flamuri”, tani po ata ndërkombëtarë po duan ta “modifikojnë”. Ç’duhej t’u thoshte zgjedhësvet të vet Albin Kurti, tani që erdhi në pushtet? Është vërtet tepër e vështirë. Pikërisht ky ishte shkaku që Albini nuk qëndroi dot më shumë se 51 ditë në krye të asaj pjese të Shqipërisë, të ngjyrosur “ndërkombëtarisht” me ngjyrë të verdhë. Por ai duhej ta mbronte atë hartë edhe duke u kapur pas këtij fakti: Ne nuk mund të pranojmë rimodelimin e këtij flmuri.
Albinin edhe mund ta kishin vrarë. Edhe mund ta vrasin. Por ai nuk është aty për të mbrojtur jetën e vet. Ai është aty, siç edhe e tha, për të mbrojtur jetën e Republikës së Kosovës dhe, në një shikim më të gjërë, për të mbrojtur, bashkë me shqiptarët e tjerë, jetën e krejt kombit tonë.
Rrëzimi erdhi. Nuk ka asnjë fije dyshimi që qeverinë e Albin Kurtit e rrëzuan keqdashësit e kombit shqiptar. Të përhershëm ose të çastit.
Cila është rruga që tani duhet të ndjekë ky prijës i yni, i rrëzuar nga pushteti? Sigurisht, jo të heqë dorë nga ajo që në gjuhën e popullit quhet luftë, edhe kur nuk bëhet me topa e me pushkë. Përkundrazi, Albin Kurti tani e tutje duhet ta rishikojë rugën e tij, duke korrigjuar gabimet dhe duke e vazhduar luftën.
Te pika e parë, atdhedashuria dhe përkushtimi ndaj kombit, kam bindjen që Albini nuk ka ç’të korrigjojë. Te pika e tretë, goditja e kundërshtarit, të hapur apo të kamufluar, të vogël a të madh, të mençur a budalla, duhet kujdes i madh. Goditjet të bëhen vetëm atëherë kur garantohet fitorja së paku deri në kufijtë e mosdështimit. Pika kryesore, ajo që, pas mendimit tim, Albini duhet ta shohë në mënyrën më rrënjësore të mundshme, është ajo e taktizimit. Taktizimi nuk është tradhti, sado që shumë „vëzhgues“ mund ta quajnë të tillë. Jo vetëm Albini, por të gjithë njerëzit që i ka afruar e bashkuar me të ideali ynë kombëtar, duhet ta quajnë këtë aspekt të politikës si një domosdoshmeri. Trima po, por jo kamikazë! Një trimëri e nëntë kopili! Derrit shumë herë duhet t’i thuash dajë.
Dhe unë shpresoj, mbasi t’ia kemi njohur vetes këta gabime, në zgjedhjet e ardhshme Vetëvendosja do të mund të vijë në pushtet pa bashkëpunimin me një „aleat“- hafie, siç ndodhi këtë herë. Kur them „aleat“- hafie, nuk e kam fjalën aspak te shumica e LDK-së. Shumica e LDK-së, besoj unë, bashkë me Vjosa Osmanin, këtë herë duhet demonstrativisht t’i bashkohen VV-së. Me atë çfarë ndodhi mbrëmë, masa e anëtarësisë e të gjitha partive, duhet ta ketë kuptuar kush gjendet në krye të atyre partive. Iku koha kur shqiptarëvet mund t’u hidhej hi syvet. Një pjesë e madhe e votuesvet këtë herë do t’u kthejnë shpinën udhëheqësvet të vet tradhtarë deri në palcë dhe do të bashkohen me Vetëvendosjen.
Në këta kushte, Albin Kurti nuk duhet të dorëzohet. Albin Kurti nuk duhet kurrsesi të veprojë si Fan Noli, sado që edhe ky, ngjashëm me Fan Nolin, e ka tashmë vendin e vet në piedestalin e këtij kombi.
Gjokë Dabaj, Durrës 26 mars 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura