GJOKË DABAJ: VASHINGTONI DHE BRUKSELI NË KOHË PANDEMIE

Durrës, 11 Prill 2020: Statistikat ditore mbi vdekjet që shkakton koronavirusi, janë një tregues fare i thjeshtë për të parë e kuptuar ç’është BE-ja në krahasim me SHBA-në.
SHBA-ja e jep orë për orë e ditë për ditë numrin e të vdekurvet nga koronavirusi fillimisht në krejt SHBA-në dhe pastaj tregon sa vdiqën në Njujork, në Kaliforni apo në një shtet tjetër të SHBA-së. BE-ja nuk e jep asnjëherë numrin e përgjithshëm të të vdekurvet të vet. Ajo madje as që merret me këtë punë. Numrin e të vdekurvet e jep Italia për vete, e jep Spanja për vete, Franca, Zvicra, Gjermania, Polonia, Bullgaria, Rumania. Populli i BE-së, si një bashkësi „e organizuar“, asnjëherë nuk e ka parë as dëgjuar numrin e përgjithshëm të të vdekurvet të vet, përveç nëse ka marrë stilolapsin dhe i ka llogaritur. Brukseli s’merret me këtë punë. Le të vdesin italianët, le të vdesin polakët, le të vdesin spanjollët, në selinë e BE-së nuk ekziston as edhe një agjenci ngushëllimesh.
Nuk po themi që SHBA-ja është shembulli i përsosmërisë në këtë botë. Por po themi që, gjithsesi, SHBA-ja është një fotografi reale e vetëvetes. Ndërkaq, BE-ja është thjeshtë një karikaturë. Bën sikur është diçka, por s’është asgjë. Bën sikur është një tërësi, por s’është e tillë. Është thjeshtë një grumbull gurësh, me të cilët asnjëherë s’është arritur të ndërtohet një mur.

Në pikëpamje morale ky është një turp i madh për kombet e Evropës. Shiten si kombe nga të cilët ka buruar kultura botërore! Shiten si kombet që u kanë dhënë mend kombevet të botës.
Por cila është mendja e këtyre kombeve megalomanë?!
Lufta e Parë Botërore, kur u grinë e u copëtuan kombet e Evropës njëri me tjetrin e, për sherr të saj, u mbyt krejt bota në gjak?!
Lufta e Dytë Botërore, kur përsëri po këta kombe u grinë e u copëtuan dhe sërish, për sherr të saj, u mbulua bota me kufoma?!
Apo luftërat dyzetvjeçare midis Anglisë dhe pjesës kontinentale të Evropës, që ia mbytën njëra-tjetrës me qindra anije plot me njerëz?!
Apo lufta e Napoleonit, që e çoi rininë, lulen e rinisë franceze, për të plehëruar me trupat e saj fushat ruse?!
Ka vite e dhjetëra vite që kjo BE po shtërzen si një lopë që kërkon të pjellë e nuk pjell dot: për të pasur një qeveri, për të pasur një ushtri, për të pasur një ekonomi të përbashkët. Ka vite e dhjetëra vite që kjo BE merr e jep para, por s’di ku i çon paratë. Për çfarë i mbledh paratë BE-ja dhe për çfarë i shpenzon paratë?!
Ka vite, në mos dhjetëra vite, që kjo BE lëpihet e pështymoset, për të pranuar në këtë lloj kuazibashkësie një pjesë të vetëvetes: të quajturin Ballkani Perendimor. Në çfarë dallohet ky Ballkan Perendimor nga Karpatet, nga Apeninet apo nga Pirenejtë dhe tokat rreth tyre?! Por BE-në s’e lë pështyma, s’e lënë jargët epileptike që të mendojë kthjellët. Mendja e BE-së është mendje e paarrirë, e krimbur nga meskiniteti. Është adoleshente apo e currufjepsur nga pleqëria, kjo s’ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që, në kohën kur e gjithë bota i mban sytë këndej, ajo botë nuk ka ç’shikon këtu. Bota kërkon të marrë shembull nga Evropa, por Evropa s’ka ç’i jep botës, përveç paaftësisë për të qenë e organizuar.
Kur nuk është në gjendje të numërojë të vdekurit e vet, ashtu siç do të duhej të numëroheshin, për çfarë tjetër do të jetë në gjendje kjo Evropë?!
Gjokë Dabaj, Durrës 10 prill 2020

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura