BESNIK Z.IMERI: HIMARA-ÇAMËRIA DHE HELENIZIMI (1)

Vlorë, 12 Prill 2020: Himara, Kimerët dhe Çamëria
Do të themi edhe dy fjalë për Himarën. Nga vjen emri Himarë dhe kur e ka marrë atë? Brenda mureve të kalasë së Himarës, në themelet e saj ka mure të ndërtuar me gurë pellazgjikë. Pra vendbanimi është shumë i lashtë. Si është quajtur Himara në kohë të pellazgëve? Nuk ka të dhëna të mjaftueshme për këtë. Por mund të ketë qënë edhe ky emër, Himara. Një gjë është e sigurtë, se nuk mund t’i drejtohemi greqishtes, qoftë edhe asaj të lashtë, për të shpjeguar etimologjinë e emrit Himarë. Pasi Himara ka ekzistuar para se të lindëte greqishtja e vjetër dhe helenët bashkë me të. Pra ky emër nuk ka lidhje me helenizmin.

Ka mendime se emri Himarë rrjedh nga bisha mitologjike e vrarë nga Belerefonti, Kimera ose Cimera. Mitologjia na rëfen se… Kimera ndodhej në Liki. Përbindëshi kishte lindur nga Tifoni i tmershëm dhe Kidna gjigande. Në pjesën e përparme Kimera ishte si luan, në pjesën e mesme si dhi e malit, ndërsa në pjesën e pasme si dragua…1 Pra të mos e harojmë këtë fakt, që origjina mitologjike e këtij emri lidhet me Likinë, kjo u drejtohet posaçërisht pretenduesve helenë të këtij emri për Himarën.
Kjo bishë është Cimera (kimera) dhe ndoshta lidhet me Kimerasit e lashtë që banonin në veri të detit të Zi, në Tauridën e Lashtë, ose Krimeja e sotme. Kimerasit ishin një popull fqinj me Skithët, dhe bëjnë pjesë tek popujt e bardhë që quheshin Albanët e Kaukazit. Skithët i përzunë Kimerasit nga vendbanimi i tyre duke i ndjekur në istmin midis Detit të Zi dhe atij Kaspik, pra nëpër Kaukaz duke qëndruar pak a shumë në Armeninë e sotme dhe më tej në pjesën veriore të Anadollit, në bregun e Detit të Zi. Ky territor, pas shpërbërjes së Perandorisë Hitite dhe pasueses së saj, Mbretërisë Frigjiane, u takonte Likianëve të lashtë. Pra, Kimerët e lashtë kanë qëndruar në atë vend, i cili, më pas, do të njihej si vendbanim i Likisë. Këtu kemi një përputhje interesante midis Likisë dhe Kimerëve, si dhe midis bishës Kimerë dhe vendndodhjes së saj në Liki. Më poshtë duhet të shikojmë se mos ka ndonjë lidhje midis likianëve dhe shqiptarëve himariotë. Sulmin e Skithëve, sipas Herodotit, e ndalën Lidianët.

Për t’u njohur më mirë me Skithët dhe Kimerët e lashtë i referohemi Herodotit, i cili pohon: “…sipas Skithëve, raca e tyre është më e reja në këtë tokë dhe për prejardhjen e tyre ata tregojnë si vijon. Njeriu i parë që lindi në vendin e tyre, i cili më parë kishte qënë i shkretë, quhej Targitau. Prindërit e tij ishin, sipas një gojëdhëne të tyre, të cilën unë nuk e besoj, por ajo ekziston, qenë Zeusi dhe një bijë e lumit Boristen… Fiset e Skithëve ishin: Aukatët, Katiarët, Traspianët dhe Paralatët. Këta të fundit e quajnë veten Skolotë. Ishin helenët që i quajtën ata Skithë… Sa për moshën e tyre, ata thonë se që nga koha e mbretit të tyre të parë, Targitau, deri në sulmin e Darit, kanë kaluar afërsisht një mijë vjet… Sipas Helenëve, origjina e Skithëve vjen nga Skithi, djali i Herakliut… Por ka edhe një version tjetër të ngjarjes, që për mua është më bindësi. Sipas tij, Skithët ishin një fis nomad që jetonte në Azi, por një herë u larguan me forcën e armëve prej Masagjetëve dhe, duke kaluar lumin Araks, u vendosën në tokën kimeriane. Pikërisht vendi ku banojnë Skithët tani, thuhet se më parë u përkiste Kimerëve… Edhe sot mund të gjesh në Skithi vende të quajtura Muret Kimeriane ose ngushticë Kimeriane, si dhe një pjesë toke të quajtur Kimeria dhe i ashtuquajturi Bosfori Kimerian. Duket qartë që Kimerët, për të shpëtuar nga Skithët, morën aratinë për në Azi dhe u vendosën në gadishullin ku është sot qyteti helen i Sinopit (bregu jugor i Detit të Zi)…”2
Tani, a duhet të mendojmë se Himariotët, janë pasardhës të Kimerëve të Sinopit në bregun jugor të Detit të Zi, pra të likianëve?! Çdo gjë është e mundur. Nëqoftëse do të marim parasysh edhe disa të dhëna të tjera, që do të paraqesim më poshtë, shanset për këtë version rriten. Interesant është emri i lumit perëndi që quhej Boristen, që në shqip merr kuptim Bor-ist ose Bor-është, Bora, pra ujë i ftohtë që vjen nga shkrirja e borës.

Mure prehistorikë pellazgë Himarë. Kaonia Antike
Pra, në vazhdim të historisë kimeriane, Kimerët të ndjekur nga Skithët, zbritën me luftë në brigjet e Detit të Zi (pjesa veriore e Turqisë së sotme) duke u ndeshur me Hititët (popull pellazg) gjatë mijëvjeçarit të dytë p.e.s, dhe mbetën aty. Në atë periudhë nuk bëhej fjalë për helenët akoma. Me shkrirjen e perandorisë Hitite në shekullin e XIII p.es, dhe më pas mbretërisë Frigjiane, kjo e fundit u nda midis Lidianëve dhe Likianëve (edhe këta popuj pellazg). Likjanët zinin pllajën qëndrore të Anatolisë dhe bregun jugor të Detit të Zi. Likjanët ishin pellazg (ashtu si Lidianët) dhe përmenden edhe nga Omeri në Iliadë si aleatë të trojanëve.
Pra paska edhe një Himarë të dytë, në Azi të Vogël, në kufi me Kaukazin, në Liki. “…Dr.Oto Blau në vitin 1863 është përpjekur të përcaktojë se “Ka raporte të shumta dhe të ngushta midis zakoneve, legjendave dhe gjuhës së Likisë së Lashtë dhe atyre të Shqipërisë…”3
Një nga këto zakone është respektimi i gruas, i cili ka qënë i njëjtë tek shqiptarët dhe likianët.
Louis Beonleu thotë: “…Në Liki, në Troadë, në Kretë, Atikë etj., në një kohë që nuk mbahej mend, hasej një popullsi zanafillore e NJËJTË, e cila fliste NJË GJUHË, dhe kjo ishte GJUHA SHQIPE, apo një gjuhë që ngjante me të… Në Arkadi – Likaoni mbahej se ishte i biri i Pelazgos…legjenda thotë se Likos ishte vëllai i Egjeut… Likaonia formon pllajën qëndrore të Azisë së Vogël, ashtu si Arkadia formon pllajën qëndrore të Peloponezit… Lelegët flijonin fëmijët për Molokun – Zeusin Likian… Doket dhe zakonet e LIKISË së dikurshme të kujtojnë shpesh ato të SHQIPËRISË së sotme…”4
Por ka edhe më, ekziston edhe një HIMERË e tretë në Siçili, e përmendur nga historianët e antikitetit, ku sundonte një mbret Tiran. Ja se çfarë na thotë Herodoti, babai i historisë së Greqisë së lashtë:
“…Në Siçili, kur Tirani i HIMERËS, Terila, i dëbuar nga qyteti i tij prej sovranit të Agrixhentos i kërkoi ndihmë…. Geloni bashkoi në Siçili një ushtri prej 300.000 burrash Fenikas, Libianë, Iberë, Ligurë, Sardonianë dhe Cirnianë me në krye Amilkon, mbret i Kartagjenës…”5
Pra paska edhe një Himarë të tretë, tani jo më në Azi të Vogël, në kufi me Kaukazin, në Liki; por në gadishullin Apenin, në Siçili, në një vendngulim tjetër pellazg. Por jo vetëm, për ta risjellë në pushtet mbretin e kësaj Himare, Terilën, janë mbledhur 300.000 burra pellazgë: Fenikas, Iberë, Ligurë, Sardonianë etj., që kanë luftuar për të.
Për këtë Himerë lidhja me Himarën është më e afërt, pasi historia njeh ekzistencën e Kaonëve, si në Akrokeraunet shqiptare, ashtu edhe brigjet përkarshi tyre, në Itali. Dihet ekspedita e Aleksandër Mollosit në ndihmë të Kaonëve italikë. Ashtu si ekspedita e Pirro Mollosit në ndihmë të kaonëve tarentas. Dhe së fundmi, dihet që streha e himariotëve pas pushtimit otoman, u bë Kalabria. Ky fakt vërtetohet edhe nga vepra e Jeronim De Radës, ku toponimet dhe emrat e personazheve janë të njëjta me ato himariote, si: mali i Skutarait, midis Vunoit dhe Himarës dhe mbi plazhin e Jalit, ose përdorimi i emrit ‘Marë’, që në Vuno është aq i përhapur. Po ashtu personazhi Milosao ka një emër të përdorur shumë në krahinën e Himarës, Milo.
Në Itali është gjendur një model i kësaj bishe në bronz dhe quhet “Cimera e Arecos” dhe është një nga kryeveprat e artit Etrusk. Etruskët, për shumë autorë, kanë ardhur nga Azia e Vogël në gadishullin Apenin midis shekujve të XIII dhe XI p.e.s, si një pjesë e popullit Lidian nga një fatkeqësi natyrore. Mbreti i tyre ishte Tirreni, djali i mbretit të Lidisë, ATI. Kur erdhën në Itali ata e quajtën veten Tirrenë, në respekt të emrit të udhëheqësit të tyre. Sot e kësaj dite, ata e kanë vulosur emrin e tyre në detin Tirren.
Në lidhje me këtë Robert D’Anzhely thotë: “Kimerasit, një popull me origjinë Skithe që erdhën nga jugu i Rusisë, duke kaluar nëpër Kaukaz dhe Armeni dhe duke ndjekur bregun e detit të Zi…. Kimerasit u dëbuan prej Lidianëve, të cilët themeluan një shtet që pati Sardën për kryeqytet… Herodoti thotë, se mbreti Lidias që shpëtoi vendin nga sundimi i Kimerasve, qe Aliati, babai i Krezit. Herodoti, gjithashtu thotë se Lidiasit ishin me të njëjtën prejardhje si Grekët, d.m.th ishin Pellazgë, dhe para se të krijonin shtetin e tyre ata ishin nënshtetas të HITITËVE, dhe më pas të FRIGASVE…”
Vazhdojmë më tej. Historia tregon se Frigasit para se të vinin në Azi të Vogël banonin në Ballkan dhe ishin popull Trakas me emrin BRIG, popull pellazg. Legjenda thotë se 3000 vjet p.e.s, si rezultat i një fatkeqësie natyrore, Brigët të lemerisur lanë Trakën dhe pasi kaluan Helespontin ndëruan emrin nga BRIG në FRIG, të quajtur kështu pasi u friguan (frikësuan). Aty me emrin Frigas, Frigjianë u bashkuan me Hititët, popull pellazg dhe ata, dhe formuan një shtet të madh, perandorinë Hitite, që shtrihej nga Ponti Euksin deri tek deti Egje. Mbretërit e kësaj perandorie, thotë D’Anzhely, mbanin titullin “MIDAS”, siç mbanin ata të Egjiptit titullin “FARAON”. Për dijeni të lexuesit një fis i banorëve të Himarës sot mban mbiemrin Brig-o. Të jenë vallë pasardhës të Frigjianëve të lashtë?!! Dhe a tregon kjo për një lidhje tjetër midis Likianëve, pasardhës të Frigjianëve, dhe himariotëve?!
Gjithashtu për dijeni të lexuesit, një e dhënë tjetër interesante që lidh frigjianët me banorët e Akrokerauneve, pra me banorët e fshatrave të Himarës, Dukatit dhe Tragjasit në rrethin e Vlorës; është fakti se këta banorë, në veshjen e tyre popullore, në kokë nuk mbajnë qeleshe si gjithë lebërit e tjerë, por mbajnë një kapele gjatësore me ngjyrë të zezë; për të cilën historianët thonë se është “Kësula FRIGJIANE” (Por me sa di edhe disa fshatra të Korçës mbajnë në veshjen e tyre popullore “Kësulën Frigjiane”). A është kjo një lidhje tjetër midis likianëve, pasardhës të frigjianëve, dhe himariotëve?!
Por ajo që është më interesante, është fakti se edhe Napoleon Bonaparti, në veshjen e ushtrisë së vet, për kapele, ka përdorur një të tillë me “tri cepa” të ngjashme me kësulën frigjiane. Po t’i shtosh kësaj edhe origjinën e Napoleonit, atëhëhere pamja qartësohet dhe krijohen disa lidhje të çuditshme dhe interesante.
Familja e Napoleonit e kishte origjinën e hershme nga arbëreshët ose arbanitasit e Peloponezit, ku në kohën e pushtimit të Peloponezit prej turqve kishin shkuar në Gjenova dhe prej aty në Korsikë. Por, dihet që një pjesë e mirë e arbanitasve të Peloponezit e kanë origjinën nga Epiri, dhe për më tepër nga Kaonia, në atë Kaoni, ku sot e kësaj dite kemi përsëri në përdorim “kësulën frigjiane”.
Në të mirë të kësaj teze, që Napoleoni është me origjinë shqiptare, ka shumë fakte. Por po tregoj më sinjifikativen: Napoleoni mbante me dashuri për simbol shqiponjën. Në shtëpinë e tij në Korsikë, që është muze, sot e kësaj dite, në një faqe muri, në një minibazoreliev ndodhet një shqiponjë. Shiko si lidhen faktet.
Por ka edhe më. Nga Nilo Borxhia na vjen një e dhënë e rëndësishme për arbëreshët e Manit të Peloponezit dhe rrugëtimet e tyre pas pushtimit turk të Peloponezit.
“…At Nilo Katalano në vitin 1682 u paraqit në Romë, ku Kongregacioni i Shenjtë i besoi detyrën e të dërguarit Apostolik në Paomia të Korsikës, pranë një kolonie greke, e cila përbëhej prej rreth 700 familjesh, të shpërngulura prej Gadishullit të Manit (Greqi), për t’u shpëtuar ndërhyrjeve të vazhdueshme dhe çnjerëzore të turqve…
…Grekët zbarkuan në Genova aty nga fundi i vitit 1676 dhe u pritën shumë mirë; më pas u dërguan në ishullin e Korsikës në Paomia…”6
Në pamje të parë duket sikur në këtë përshkrim bëhet fjalë për familje të etnisë greke. Por nuk është ashtu. Në dokumentacionin e Propagandës Fides popullsitë e besimit lindor ortodoks, dukeqënëse ishin të ritit grek, pasi greqishtja ishte gjuha e Kishës Lindore, quheshin greke. Ne e dimë shumë mirë që në Kalabri deri në fillim të shekullit të kaluar përdorej shprehja: Manja Grecia dhe pastaj nga arbëreshët u këmbye në: Piana Albanessi. Pra, 700 familjet e Manit ishin shqiptare. Pastaj dihet, në sajë të një dokumentacioni të bollshëm, që nga Mani i Peloponezit janë larguar vetëm familjet shqiptare. Në asnjë dokument nuk bëhet fjalë për largim të familjeve greke.
Vazhdojmë më tej me temën. Ku është lidhja midis banorëve të Himarës dhe Paramithisë shqiptare me Kimerasit Skithjanë, Likjanët, Lidjanët, Frigjianët dhe Etruskët. Besoj së është një fije e padukshme që ndoshta i bashkon, origjina e përbashkët pellazge dhe gjuha shqipe mijëra vjeçare. Në të mirë të kësaj teze, ja se çfarë thonë studiuesit:
Nermin Vlora Falaschi shprehet: Një mbishkrim të mirë mbi Pellazgët e mbi pasardhësit e tyre na jep enciklopedia “NOEVAU PETITE LAROUSE”, botuar në Paris në vitin 1950. Në faqen 1599 lexojmë:
“Pellazgët, popull fort i lashtë që banonte në kohërat parahistorike në Greqi, Arqipelag, bregdetin e Azisë së Vogël e të Italisë… Në përgjithësi konsiderohet se Trakët e lashtë, Frigët, Lidët, Karianët, Etruskët, Epirotët, Ilirët, Italianët (Samnit dhe Oskë) dhe SHQIPTARËT e sotëm; janë degët kryesore të Pellazgëve”…7
Louis Beonleu në veprën e vet “Greqia përpara grekëve” duke ju referuar dy autorëve, Oto Blau dhe Fallmerayer thotë:
“Dr.Blau duke u mbështetur tek Fallmerayer ka vënë në dukje se ashtu si Kalaja e Himarës, ashtu dhe vëndet e Pargës dhe të Sulit kanë qënë në çdo periudhë strehë të pamposhtura të pavarësisë shqiptare; madje vetë LIKIA antike na afron një treshe fortesash të frikshme HIMAIRA, PERGE dhe SILLION…”8
Pra, Himara (kaone), Suli (mollos) dhe Parga (Thesprote) ndodhen në Epir, por ndodhen edhe në Liki. Pra mos vallë në Liki, në brigjet e Detit të Zi, na del një Epir i dytë me kaonë, mollos dhe thesprotë?!! Apo Epiri i parë ka qënë në Liki dhe i dyti në brigjet e Jonit. Një simbiozë e çuditshme dhe një lidhje interesante. Kujtojmë këtu se adhurimi ndaj Apollonit ishte i fortë në Epir, ndërkohë që zanafilla e këtij adhurimi ndodhet në Liki. Një bashkëpërkim tjetër janë ciklopët, të cilët kanë banuar në Liki, Siçili, por kanë banuar edhe në Epir. Madje thuhet se ciklopët likianë kanë ndërtuar akropolin e Tirintit. Kujtojmë këtu gjithashtu ekzistencën e ciklopëve në Epir, marrëdhëniet e tyre me Poseidonin dhe Feakasit. Ndodhemi para disa mistereve historike, që një ditë historia do t’u japë shpjegim.
Por surprizat nuk kanë të mbaruar, tani hyn në lojë Kaonia përsëri, pasi evidentohen fakte të reja binjakëzuese midis trevës së Kaonisë së lashtë dhe trevave binjake të saj në Azi të Vogël dhe Kaukaz. Këto lidhen me malet Akrokeraune, të cilat fillojnë në Vlorë me Kepin e Gjuhëzës dhe Karaburunin në Gjirin e Vlorës dhe vazhdojnë me malin e Çikës dhe atë të Vetëtimave në Himarë. Por male të Akrokerauneve kemi edhe në Kaukaz. Çfarë i lidh këto male në Kaoni me ato të Kaukazit?! I lidh diçka interesante; një nga vetitë e Zeusit Pellazg të Dodonës, rufetë dhe vetëtimat. Ja se çfarë na thotë për këtë binjakëzim Fallmerayer:
“…Nga ana tjetër, Akrokeraunet në Arbaninë ilire dhe Kerauniet (malet e vetëtimës te Straboni) në skajin verior të Kaukazit kanë një ngjashmëri të mrekullueshme… Mundësinë e marrëdhënieve parahistorike të Albanëve të Kaukazit, të maleve të tyre Keraunia dhe të tuskëve të tyre me shqiptarët e Ilirisë, me Akro-Keraunien e tyre dhe me toskët, ne as duam dhe as mundemi ta mohojmë…”9
Më interesantja në këtë ‘binjakëzim’ është fakti se të dy malet Keraune, në Vlorë dhe në Kaukaz, siç thotë dhe Straboni, quhen “Malet e Vetëtimave”! Tani, a ka lidhje midis himariotëve, që banojnë rrëzë Maleve të Vetëtimës dhe atyre Kaukazianëve, që edhe ata jetojnë rrëzë Maleve të tyre të Vetëtimave, po të përdorim shprehjen e Fallmerajerit, “ne as duam dhe as mundemi ta mohojmë”?! Sa sipër, fare mirë, himariotët, para se ta mbajnë veten për grekë, më shumë u takon, që ta mbajnë për kaukazianë!
Por për ta plotësuar triologjinë kimeriane, ashtu siç kemi tre kimera, në Azi, Kaoni dhe Itali; ashtu kemi edhe tre male Keraune, në Azi (Kaukaz), në Kaoni dhe Itali. Këto Keraune të treta na i tregon Mathieu Aref.
Mathieu Aref duke ju referuar Dionisit të Halikarnasit thotë: “…Ai (Dionisi i Halikarnasit) përmend malet Keraune (në Itali) jo larg Suesbolas dhe Triolas. Aty është fjala për një homonim të ngjashëm me të njëjtat male të gjendura në Thesproti (faktikisht në Kaoni), vend pellazg i mirëfilltë… Përveç kësaj një popull ilir mban të njëjtin emër “Keraunët”…”10
Triologjia Kimeriane dhe ajo e Kerauneve, nga të gjitha ato që thamë më lart, japin një tablo të plotë të origjinës së tyre pellazgjike. Ky është një trekëndësh: Epir-Kaukaz-Siçili, trekëndësh, që çuditërisht ka qënë i banuar jo vetëm nga pellazgët, por edhe nga ciklopët. Ndodhemi para disa fakteve befasuese, të cilat më shumë se fakte historike duken si ngjarje në një film fantastiko-shkencor. Zeus të lutem shpjegoji këto fakte, se mendja ime nuk arrin dot tek kozmogonia jote!
Kjo origjinë pellazgjike e Himarës e bën atë automatikisht një trevë shqipfolëse në kohët e reja dhe himariotët të etnisë shqiptare. Por çuditë dhe surprizat historike nuk kanë të mbaruar. Kjo, pasi Homeri, shumë kohë para Herodotit, tek “Odiseja” flet për një Kimerë tjetër dhe për popullin e kimerëve që banojnë buzë detit pranë lumit Akeront, ku ndodhet hyrja për në Had. Kjo Kimerë mëmë i bije që të jetë e para dhe ato tri të tjerat të jenë bijat.
“…Çirçja na ka caktuar që të vemi n’Hades te e tmershmja Persefonë, këshillë t’i lypim hijes s’Tirezias, shortarit të Tebës… Atëhere ti merr rrugën drejt e te banesa e Hades. Nëpër moçal kalo gjer n’ato vise, ku Piriflegjetonin Akeronti e pret, e ujrat që nga Stigjia derdhen n’Kocit brenda… Gjithë dit’n e lume, t’bardhat vela nderë, ne velëzuam mbi det. Nga perëndimi kur rrugët i mbulojnë hijet e natës, arritëm ndër kufijtë e oqeanit, ku truall dhe banesa kanë kimerët. Jeton ky popull krejt mbuluar me mjegull edhe me re…”11
Por duhet thënë se kjo Kimerë që përmendet nga Homeri nuk ndodhet në Kaoni, pra në Himarë. Ajo ndodhet në Tesproti, në vendin që çamët e kanë quajtur Paramithi, ose Ajdonat, pra në Çamëri. Gjithashtu, këtë Kimerë na e përmend edhe Mehdi Frashëri kur flet për mitologjinë që pështjell Çamërinë:
“Në breg të lumit, të cilin mitologjia e vjetër e kish konsakruar si vendi i perëndive të skëterës, ndodhej qyteti Pandosie dhe pranë një dege të këtij lumi ndodhej qyteti Elatria. Meqënëse kolonia u shtua, ndenjësit e saj ngritën një Buchetium, një kështjellë detare, dhe Cassiopenë si limer në breg të detit; Torone, në malet që u thoshin Chimaerium, midis grykave të lumenjve Thiamis dhe Acheron… Ajdonati sot quhet Paramithi”12
Pra, paska edhe një Kimerë apo Chimaerium, e cila ndodhet në Thesproti (Çamëri). Atëhere, në këtë rast, për mendimin tim, lidhjes së Himarës kaone me Kimerën e Likisë, mbështetur edhe në këtë të dhënë të rëndësishme të Homerit, i vihet një pikëpyetje serioze. Kjo edhe për faktin se asnjë nga autorët antikë nuk e ka përmendur Himarën, qoftë vetëm, qoftë të lidhur me Kimerën. Mbi këtë bazë, unë mendoj se duhet të spostohemi më poshtë, më në jug, në Thesproti, ku të dhënat historike përputhen më mirë.
Ndoshta, këtu është rasti të flasim edhe për origjinën dhe etimologjinë e emrit “Çamëri”. Ka autorë, ku midis tyre edhe Fallmerajer, që këtë emër e lidhin me emrin e lumit “Thiamis”; …Ndofta emri i provincës bregdetare shqiptare Çamëria nuk është i prejardhur as nga greqishtja dhe as nga turqishtja, por nga emri i stërlashtë i lumit “Thiamis”, po ashtu sikundër te shqipfolësit fjala Suli dhe suliot mund të ngatërohen lehtësisht me emërtimin e stërlashtë grek Selloi…13
Por ka edhe një rast tjetër, që ndofta mund ta shpjegojë etimologjinë e këtij emri, jo nga emri i lumit sipas Fallmerajerit, Thiamis, dhe as nga emri i vendit sipas Mehdi Frashërit… Cestrinë (Kestrinë) që zgjatej deri në pellgun e lumit Aheron…
Ky mund të jetë emri i popullit që banonte në këtë vend të shenjtë pranë lumit Aheron, në malet Chimaerium, banonin Chimaerët, ku ky emër, në bazë të rregullave të shqipes, grupi “Chi” mund të shqiptohet “Ki”, por mund të shqiptohet “Ci”, por edhe “Çi”; atëhere ky popull mund të thirrej: Cimaerët, Cimerët, Kimerët, por mund të thirrej edhe Çimaerët, dhe me ndërrimin e vendit të zanoreve (që gjuhëtarët e quajnë metatezë), ‘i’ me ‘a’, përfundon tek Çamierët dhe duke vazhduar të mbllaçitet në shqip, grupi ‘ie’ mund të jetë kthyer në ‘ë’, dhe ka përfunduar deri tek fjala Çamëria. Megjithatë, fjalën e fundit për këtë, si gjithmonë, duhet ta thonë gjuhëtarët, të cilët janë ekspertë të fushës.
Triologjia Kimeriane dhe ajo e Kerauneve, nga të gjitha ato që thamë më lart, japin një tablo të plotë të origjinës së tyre pellazgjike. Ky është një trekëndësh: Epir-Kaukaz-Siçili, trekëndësh, që çuditërisht ka qënë i banuar jo vetëm nga pellazgët, por edhe nga ciklopët.
VIJON…

_______________

BESNIK Z.IMERI: HIMARA-ÇAMËRIA DHE HELENIZIMI (1)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=9920
***
BESNIK Z.IMERI: HIMARA – ÇAMËRIA DHE HELENIZIMI (2)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=9922

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura