Vlorë, 19 Prill 2020: Nisur nga shkrimi i të nderuarit, z.Moikom Zeqo tek gazeta “Dita”, datë 26.01.2019, kam dëshirë të shpreh disa mendime. E them qysh në fillim, se ky shkrim nuk ka qëllimin e një debati, por edhe as të një replike. Thjesht dua ta quaj një bashkëbisedim me të nderuarin, eruditin, “njeriun libër”, Moikom Zeqo; nëqoftëse Ai do të ma lejonte këtë.
Paraprakisht dua të them se të gjithë gjuhëtarët shqiptarë janë me kontribute të jashtëzakonshme; ndërsa Çabej mbahet më i madhi prej tyre, pikërisht për këto kontribute. Asnjëherë nuk duhet haruar vlera e jashtëzakonshme e punës së tyre për dekada e dekada të tëra për Gjuhën tonë Shqipe, e cila kulmon me Kongresin e Drejtëshkrimit të vitit 1972, një vepër gjigande, ku shekujt vetëm do ta flladitin, por asnjëherë nuk do të mundin ta rrëzojnë. Pse? Sepse krijimi i gjuhës standarte shqipe ishte nje mission hyjnor, i cili u realizua për ne shqiptarët në shekullin e XX.
E mirëkuptoj z.Moikom për ato që shpreh në shkrimin e tij dhe e mbështes. Por nuk do të isha i një mendje, më atë që z.Moikom, në frymën e atij shkrimi shprehej më shumë, si një i revoltuar në mbrojtje të figurës së Çabejt, në shpërthim të ndjenjave të trazuara si tallaze të shpirtit; se sa atë të shpalosjes së disa argumentave në mbrojtje të mendimit të tij.
Unë do të thosha se përqëndrimi debatit të z.Moikom dhe “sulmuesve” të Çabejt tek vetë figura e Çabejt është i gabuar. Çabej është një kala, ku disa “kalorës aventurierë”, ose “jeniçerë” duan ta marrin dhe ta rafshojnë deri në themel, dhe mbrojtësve të kësaj kalaje, “kalorës me tituj dhe grada shkencore”, që e mbrojnë atë. Vetë Çabej, po të ishte gjallë, do të ishte kundër kësaj. Pse? Sepse ai është një ndërtim megalitik, ku, nga njera anë, sulmuesit nuk e pushtojnë dot, dhe nga ana tjetër, mbrojtësit janë të panevojshëm, pasi ajo kala është e papushtueshme. Nëqoftëse mbrojtësit e saj, kalorës me pancirë dhe parzmore prej metali (titujt shkencorë) fshihen prapa mureve të mëdha të kësaj kalaje dhe nuk dalin në fushë të hapët për t’u ndeshur me këta kalorës të armatosur lehtë, por të guximshëm; nuk kanë për të qënë asnjëherë fitimtarë dhe një ditë kanë për ta humbur këtë betejë. Por këtu problemi më i madh është ajo, vetë kalaja, sa ajo do t’i rezistojë kohës, pasi mund të vijë një ditë, që ajo mund të rrëzohet nga pesha e vet e stërmadhe, ku themelet e rrënuara nga koha, nuk do ta mbajnë më dot këtë peshë gurësh të mëdhenj. Prandaj lereni të qetë Çabejin. As mos u mbroni pas tij dhe as mos e sulmoni atë.
Problemi kapital është ky: A ka arritur shkenca shqiptare zyrtare të arrijë në një përfundim themelor dhe objektiv mbi origjinën e gjuhës shqipe dhe për rrjedhojë edhe të vet shqiptarëve? Jam i mendimit (dhe qofsha i gabuar) se shkenca shqiptare zyrtare ka arritur në mes të rrugës që të çon drejt këtij objektivi të shenjtë dhe me një rëndësi të jashtëzakonshme për të ardhmen e kombit tonë. Kjo arritje përgjysëm, ngadonjëherë, më së shumti merr pamjen e një udhëkryqi, se sa të një mesrruge. Gjë e cila mund të ketë rrjedhoja të rrezikshme dhe të pariparueshme.
Ne si shqiptarë shpresojmë që një ditë të arrijmë fitoren tonë më të madhe: Bashkimin Kombëtar. Kjo aspiratë e shenjtë është akoma një ëndërr. Por shqiptarët do të arrijnë një ditë që këtë ëndërr ta përjetojnë realisht. Realizimi i saj do të kërkojë sakrifica të mëdha. Populli, në mënyrë intuitive dhe të pandalshme shkon drejt saj. Por sa e kuptojnë këtë të mençmit, të diturit e tij, këtë intiutë gjeniale, këtë intuitë hyjnore. Sa janë ata në gjëndje t’i paraprijnë këtij llauzi të bekuar nga zotat. Nëqoftëse shqiptarët nuk do të arrijnë të mësojnë saktë origjinën e tyre dhe të gjuhës së tyre hyjnore; siç shprehej Naimi, ose të gjuhës së tyre kozmike, siç shprehej Petro Zheji; atëhere e ardhmja e tyre, ekzistenca e tyre, rrugëtimi i tyre në histori mund të futet në një rrugë qorre dhe mund të ndodhë që kësaj rruge t’i dalë përpara një humnerë e rrezikshme.
I drejtohemi të parit të madhit Çabej. Si e mendon ai këtë rruge: “Nuk do të mund të kënaqim ata që edhe sot kanë besim të patundur në një origjinë pellazge të gjuhës sonë. Përkundrazi, është koha që, së paku në shkollë, të mos mbushen trut’e nxënësve me hipoteza të mjergullta të mezit të shekullit të kaluar…”.1 (“Elemente të gjuhësisë dhe të literaturës shqipe”,Tiranë-1936)
Qëndrimi i Çabejt është i qartë: Ai është kundër origjinës pellazgjike te shqiptarëve dhe gjuhës së tyre. Deri këtu nuk ka ndonjë problem. Epo, në vitin 1936 ai kishte këtë mendim. Por jo. Problemi, mendoj unë, qëndron në atë, që ai për 44 vjet rresht nuk ndryshoi mendim. Të ishte papë dhe nuk ndahej dot nga dogma?!! Çfarë e pengoi Çabejin, megjithëse i ka patur të gjitha mundësitë, të ndahej nga kjo dogmë mohuese? Kjo për mua është një enigmë!!!
Çfarë ka këshilluar për këtë problem mbesa e Ismail Qemalit, Nermin Vlora Falaski: “…Shpresojmë se ata, të cilët ende e ndjekin shkollën e të nderuarit Eqerem Çabej ta kenë qortuar këtë gabim tepër të madh, dhe të kenë kuptuar se shkencat e përpikta kanë më shumë nevojë për gërmime se sa për modën politike të një periudhe apo të një tjetre. Nëse nuk ndodh ky qortim i rëndësishëm, dikush mund të kujtojë edhe ato fjalët e urta të kinezit Konfuci, ku ai shprehet në këtë mënyrë: Vetëm të diturit e mëdhenj dhe injorantët e mëdhenj nuk e ndryshojnë mendimin e tyre!..” 2
Që të kuptohet më mirë se çfarë u tha më lart, po u referohemi se çfarë thonë perëndimorët për këtë problem. Për këtë na ndihmon Spiro Konda. Në Enciklopedinë Britanike (botim i vitit 1910-1911, vëll.XXI, faqe 65), bëhet fjalë gjërësisht për pellazgët. “Emri pellazgë, që përmendin shkrimtarët grekë, tregon një popull parahistorik, gjurmët e të cilit besohet se ekzistonin në krahinat greke…kurse ata, pellazgët, janë shqiptarët me famë…”.3
Nermin Vlora Falaski na thotë, se në “Enciklopedinë “Nouveau Petite Larousse”, botuar në Paris më 1950. Në faqen 1599 shkruhet: “ Pellazgët, popull fort i lashtë që banonte në kohërat parahistorike në Greqi, në Arqipelag, në bregdetin e Azisë së Vogël e të Italisë…Në përgjithësi konsiderohet se Trakët e lashtë, Frigjët, Lidët, Karianët, Etruskët, Epirotët, Ilirët, Latinët Samnitë dhe Oskë dhe Shqiptarët e sotëm janë degët kryesore të pellazgëve…”.4
Me siguri që këta inglizët dhe frënqtë nuk janë në terezi, kanë luajtur nga fiqiri. Pse nuk shikojnë dhe të marrin shëmbull nga këta tanët, që janë për mrekulli dhe nuk lëvizin nga “istikami”.
Ndërsa vetë Spiro Konda për këtë problem shprehet: “…Pra kombësia e parë e fjalës gur është vetëm pellazgjike dhe çdo kundërshtim kundër këtij përfundimi është pa bazë. Të tridhjetë e pesë emrat toponimikë, emra burrash dhe grash, që gjetmë gjer këtu, dhe që kanë për bazë fjalën pellazgjike gur dhe trajtat e ndryshme të saj, janë tridhjetë e pesë dëshmitarë, që dëshmojnë dhe vërtetojnë se atje ku ndodhen këto emra, atje janë të pranishëm pellazgët. Në këtë përfundim na solli studimi ynë “Mbi gjurmat e shqiptarëve të vjetër ose të pellazgëve”. Nga kombësia e parë e fjalës pellazgjike gur del edhe kombësia e parë e shqiptarëve të sotëm, që është patjetër pellazgjike…Stërgjyshërit e shqiptarëve të sotëm, pellazgët”, kanë qënë ata që kanë banuar që nga kohët më të largëta parahistorike në vendet më të shumta të botës që njihej deri atëhere, duke zhvilluar një qytetërim shumë të rëndësishëm dhe duke ndërtuar vepra të ndryshme arti dhe qytetërimi, siç janë, sipas artikullshkruesit të (“Fjalorit të Historisë dhe të Gjeografisë”, prej S.P.Vutira, vëll.V, vitit 1888, f,287, Kostandinopojë), muret pellazgjikë, të quajtura zakonisht ciklopide, të cilat gjënden në çdo vend të Europës dhe Azisë, të banuara nga pellazgët e lashtë (në mënyrë të plotë dhe të trajtuara hollësisht, muret pellazgjikë në trojet shqipfolëse mund të shihen në librin “Epiri nga lashtësia deri më sot”)…”5
Por shumë interesant është edhe ajo që na thotë Diodori i Siçilisë (Libri I, 1,12,14): “…Teoria kozmike e pellazgëve themelohet mbi Dhe-Mitrën, d.m.th, nëna e madhe e të gjithëve…”6 Pra Diodori, para dymijë vjetësh, e quan teorinë pellazge një teori kozmike. Shumë interesant. Kur sot, akademikët tanë, pas fjalëve të Çabejit, e quajnë një “përrallë që nuk duhet t’u mbushë kokën fëmijëve në shkolla”!
Pasi vumë në një paralele thëniet e Çabejit dhe të Kondës, vazhdojmë më tej. Për këtë “rrugë” ndeshen aktualisht diletantët dhe profesionistët. Profesionistët ndihen të fyer pasi diletantët po përpiqen “t’i tregojnë arat babait”. Ndërsa diletantët (një pjesë e mirë e tyre), në inferiotetin e titujve dhe gradave shkencore, ndihen të përbuzur kur të parët, këtë ua “hedhin në sy”. Por a janë kaq pa vlerë diletantët, amatorët? Për këtë i drejtohemi historisë dhe e pyesim. Po përmend dy raste dhe po bëj një pyetje. Aleksandër Moisiu, ishte profesionist apo diletant? Më thjesht akoma. Kur ai filloi të shkëlqejë, ketë e kish nga mbarimi i ndonjë akademie arti, apo e filloi si sufler, një punonjës i rëndomtë teatri? Çfarë kishte te veçantë Aleksandri që u bë një kolos i teatrit botëror? Talentin dhe vullnetin.
Rasti i dytë vjen nga fusha që “kemi në gojë”. Kush është ai? Një toger artilerie i ushtrisë së Napoleon Bonapartit, Shampoljo (Champollion). Një diletant, një i ri entuziast, këmbëngulës, me një vullnet të paepur, por edhe me një talent të madh, arriti të deshifrojë hieroglifet egjyptiane falë gjuhës kopte. Tani i afrohemi problemit me një rast analog të gjuhës shqipe. Gjuha kopte është sot gjuha e të krishterëve të Egjyptit, të cilët, për mendimin tim, janë pasardhës të pellazgëve të Egjiptit; dhe gjuha e tyre, nuk është gjë tjetër, veçse vazhdimi në kohë i dialektit pellazg te egjyptianëve të lashtë. Ashtu si edhe gjuha shqipe sot, nuk është gjë tjetër, veçse vazhdimi në kohë i dy dialekteve pellazge të gadishullit të Hemit.
Tani vijmë tek “molla e sherrit”. Shkenca zyrtare shqiptare, gjuhëtarët dhe historianët e formatuar dhe të mbrojtur në “kornizat” e tyre akademike, thonë se origjina e shqiptarëve vjen prej Ilirëve, ndërsa gjuha shqipe rrjedh nga ilirishtja e lashtë. Deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Kjo është një e vërtetë. Po kundërshtarët e tyre, “delenxhinjtë” amatorë, çfarë thonë? Jo, thonë ata, ne shqiptarët e kemi origjinën nga pellazgët dhe gjuha shqipe rrjedh prej pellazgjishtes. Edhe kjo është e vërtetë. Po mirë tani, do të thoni ju, cila nga këto “të vërteta” është e vërtetë?
E shikojmë problemin në kohë. Mësojmë se edhe në vitin e largët 1929, sipas Çabejit, paska pasur disa amatorë kafenesh, që kur paskan dalë në “perëndim” janë habitur, pasi shumë fjalë të gjuhëve perëndimore u janë dukur të afërta me shqipen. Kuptohet që ata nuk ishin gjuhëtarë. Megjithatë, mendoj se “habitja” e tyre nuk është një mëkat. Kuptohet, që vetë Çabej, u dha një fshikull të mirë, që herë tjetër ta nxënin mirë mësimin. Mirëpo filozofët e lashtësisë, si për dreq, na thonë se filozofia, dituria dhe të nxënët fillojnë fillimisht me habinë dhe dyshimin. Ata vazhdojnë në të tyren dhe na thonë, se pa u habitur dhe pa dyshuar në ato që na thonë dhe në ato që dimë, asnjëherë dituria jonë nuk do të shkojë përpara. Hej bela, kujt t’ia prishim dhe kujt t’ia ndreqim.
Por këtu është vendi të vemë në dukje diçka, të cilën e thamë më lart. “Pellazgjistët” kanë përparësi, pasi janë shumë të vullnetshëm, janë të talentuar. Por njëkohësisht kanë në maksimum ndjenjën e krenarisë kombëtare dhe të atdhedashurisë. Ndërkohë, qe tek antipellazgjistët, në mjaft raste, keto cilësi, sidomos talenti, mungojnë. Shpesh herë, mediokriteti dhe ndjenja e inferioritetit ndaj të huajve, dominon.
Vijmë pas viteve 90-të. Përsëri disa emigrantë kureshtarë, por edhe të tjerë që nuk shkuan në emigracion, dyshimtarë dhe “ngatërestarë”, do të shtoja unë, kur shkuan në Greqi dhe Itali, si për dreq, dhe pa jua kërkuar njëri, filluan të merren me gjuhën shqipe. Ata na thonë se shumë fjalë të greqishtes dhe italishtes, por edhe të gjuhëve të tjera, shpjegohen dhe marrin kuptim vetëm nëpërmjet gjuhës shqipe. Po rrini o të bekuar, shikoni punën tuaj, se janë ustallarët e kombit që merren me këto punë. Po ata, përsëri në të tyren.
Por në rradhët e pellazgjistëve ka edhe të tjerë me tituj dhe grada shkencore dhe me zotërim të gjuhëve te huaja. Por këta janë jashtë gardhit të Akademisë së Shkencave dhe nuk pranohen atje. Nga kjo racë dyshimtarësh, por edhe të tjerë, janë krijuar tani falangat e diletantëve, amatorëve, por edhe “profesorëve”, që kanë ndërmarrë një sulm në shkallë të gjërë kundër gjuhëtarëve dhe historianëve tanë të Akademisë së Shkencave. E kush i mban! Në flamurin e tyre ata kanë shkruar: “Ne dhe gjuha jonë shqipe vijmë prej pellazgëve”.
Pala kundërshtare; një ushtri e mirë organizuar, me kapitenë dhe gjeneralë të sprovuar në këto beteja, me tituj dhe grada shkencore, me konferenca dhe kongrese ndërkombëtarë, me zotërim të gjuhëve të huaja, përfshirë edhe ato të lashta dhe të vdekura, të argasur “në vaj dhe në uthull”, ustallarë në punën e tyre; i shikojnë nga lart poshtë me përbuzje, fodullëk dhe mëndjemadhësi dhe thonë: U bënë edhe këta “rrjepacakët” të ndeshen me ne. Në flamurin e kësaj ushtrie të organizuar, me mbështetje shtetërore dhe mediatike, është shkruar: “Ne dhe gjuha jonë shqipe vijmë prej Ilirëve”. Të tjerat i haroni, në mos, u bëjmë ne që t’i haroni! Kështu me sharje dhe kërcënime, të dyja ushtritë janë vënë përballë njëra tjetrës në një luftë të pabarabartë
Mirëpo këta diletantët amatorë sëbashku me ca “profesorë bukëshkalë” na qëlluan guximtarë dhe nuk prapsen. Mirë ne, thonë ata, që jemi diletantë, amatorë, “rrjepacakë”, “zhulsa të pashkolluar” dhe injorantë; por janë edhe disa të tjerë, shumë më të vjetër se ne, dhe në sulmet e tyre mbajnë lartë “fytyrat” e Sami Frashërit, Jeronim De Radës, Naim Frashërit, Jani Vretos, Ismail Qemalit, At Shtjefën Gjeçovit, Gjergj Fishtws etj, etj; po këta të paditur dhe injorantë janë, që thonë se ne shqiptarët vijmë prej pellazgëve?!!! Marrin si shëmbull Sami Frashërin, Ismail Qemalin dhe At Shtjefën Gjeçovin, çfarë thonë ata për pellazgët?
Sami Frashëri jep një përcaktim të emrit dhe shtrirjes gjeografike të pellazgëve:
“…Më të vjetërtë prinërt’ tanë bota i quajnë pelasgë… Ky komp kaq’ i vjetërë e kaq’i vlejturë për istorit ka qën’ i shumë’e i fortë e i përhapunë nëpër gjith’ Evropët të Lindjesë. E tërë Sinisi’e Ballkanit edhe përtej Tunësë, Ungaria, Kroatia etj. Si dhe Greqia e gjith’ anët’ e perëndimit t’Azisë së Vogëlë, do-me-thënë t’Anadollit, ishinë vend i Pelasgëvet, shqiptarëvet të vjetër, ca nga këta pelasgë u hodhë përtej den’(detin) Adriatik, n’Itali; Etrusqitë, llatinëtë e të tjerë kombe t’Italisë janë prej farës’ së pelasgëvet…”7
Ismail Qemali në vitin 1917 në kujtimet e tij, në lidhje me racën e shqiptarëve shprehet: “Ndërmjet Adriatikut, Pindit, vargut të Ballkaneve e Alpeve Dinarike mbi vijen që ndan Lindjen nga Perëndimi, ku historia ka parë takimim e shumë popullsive nomade e shumë qytetërime të lindura, atje është Shqipëria… Në tri anë nga rrethi i majave të maleve të larta e nga ana e katërt nga deti. Shqipëria është banuar që në fillim nga një racë, origjina e së cilës shkon në kohë të Pellazgëve. Megjithëse jo e huaj nga qytetërimi grek, kjo racë ruajti karakterin e vet dhe krenarinë e origjinës së saj parahelenike…”.8
Lidhur me këtë legjendë (të lindjes së Zeusit në Palavli të Delvinës) At Shtjefën Gjeçovi tek “Hylli i Dritës” shkruan: “…e ndër hyjni të panjehuna, po i përmendi nja disa të cilave s’ua shkulë rraja nëne prej tokës shqyptare…Për nder të Kronit shqyptarët (Kaonët) ngrehen nji kështiel në majë të Gurit të Kuq, i cili gjëndet në fushë t’Finikut ku u gjet edhe qytet i Kronit (Finiqi i lashtë). Sot n’at vend asht fshati Krongji, në rrethinë të Delvinës. Përmbi fshat Krongji gjënden gërmadhat e montueme të kohës së pellazgëve…”9
Gjergj Fishta, ky Omer shqiptar, si për çudi nuk e ndjek këshillën e Çabejit, beson tek përralla e pellazgëve dhe bash në atë vit që Çabeji shpall “luftën” kundër atyre që ndjekin këtë besim, ky klerik fisnik, atdhedashës dhe i ditur, shpalos flamurin pellazgjik të shqiptarëve në kryeveprën e letërsisë shqiptare “Lahuta e Malësisë”:
mbasi shambë kje për dhe Troja:
E atje larg, po, kah Urali,
npër ato breshta të larta,
siellej Shkjau, si shkërbe mali;
tue kërkue për molla t’tharta,
kur n’kto vise të Ballkanit
të Parët tonë, Pelazgtë e motit
gjanë e gjallë kullotshin planit,
qetë i ngitshin n’fush të Zotit.
Kishin frone e ligjë të mbara,
e gjatë shtegut t’qytetnimit
ishin shty ata larg përpara
ç’pranëverë të rruzullimit.
Prej kah fillë xen rriba e Verit
e m’Vezuv t’veshun n’gjineshtra:
prej Kaukazit e n’shkamb të Doverit,
ku rri Albiona e pjekë gënjështra,
fis ma t’vjetër kund nuk ka
se asht ky fis n’za i shqiptarit… 10
Me siguri këto gjëra (këta të dy bektashinjtë, Shemsedini dhe Malua) i kanë mësuar në ndonjë kafene të Stambollit, se gjëkundi nuk thuhen këto përralla me pellazgë. Po kwta priftwrinjtw katolik ku i kanw mësuar, se kwta, me sa dimë, nuk shkonin nëpwr kafene dhe mejhane?!!
Këtu “ngatërohet hesapi”. Mirë, që në ‘monizëm’, Çabej (gjuhëtari) dhe Stefanaq Pollo (historiani) arritën t’i hedhin kokëposhtë Rilindasit, lidhur me origjinën pellazge; po tani në ‘demokraci’ si t’ua bëjmë këtyre “delenxhilerëve”, që na i nxorrën prapë me kokë lart. Mirë këtyre, diletantëve, hajde se po ua rregullojmë kokën, po si t’ia bëjmë këtij qerata populli që i do kaq shumë Rilindasit? Punët nuk venë edhe aq mirë, pasi “delenxhilerët”, kohët e fundit kanë nxjerrë edhe “fytyrat” e Spiro Kondës, Dhimitër Pilikës dhe Petro Zhejit. Për këta nuk mund të thuash që janë “rrjepacakë” pa shkollë, pa gjuhë të huaja dhe pa një “përgatitje luftarake”, pasi ata janë “gjeneralë” në fushën e tyre. Madje për Spiron nuk mund të thuash, se nuk ka qënë “usta” në këto punë, pasi ai ka pasur si shegert Gjergj Bubanin, i cili edhe ai nga ana e vet u bë një “usta” i mirë. Kështu që kësaj beteje nuk i dihet fundi. Por këtu nuk duhet të harojmë edhe “njeriun akademi”, Niko Stillo, i cili ka bërë edhe një libër “Etruskishte – Toskërishte. Këtyre si t’ua bëjmë?!!
Spiro Konda është një akademik klasi, të cilin, akademitë perëndimore, do ta kishin për nder ta kishin në rradhët e tyre. Ai është i lartë si mali i Tomorrit. Por Spiro Konda, për faqe te zezë të Akademisë sonë të Shkencave, për 55 vjet me rradhë është tentuar dhe lënë në hije. Po a mund t’i bëhet hije një mali të tillë? Jo, e pamundur. Atëhere, kanë përhapur mjegull dhe tymnajë, që mali mos të duket. Po për sa kohë?!!!
Nga njëra anë këtu kemi “pellazgjistët”, të cilët për mendimin tim, përbëjnë një sekt heretik të trimëruar dhe luftarak dhe “antipellazgjistët”, të cilët na shfaqen si një kishë e mirëstrukturuar që mbron rregullat kanonike dogmatike, të qetë, të rreptë, rigoroz dhe të vendosur deri në fund që të mos ju “lëshojnë pe” kundërshtarëve “halabakë”. Për këtë ata kanë thirrur për ndihmë edhe Gustav Mejerin, një kalorës luftarak albanologjik nga Allemanja, i cili për 30 vjet rresht studjoi gjuhën e shqiptarëve. Po kush është ky Gustavi, që gjuhëtarët tanë e kanë shpallur shenjtor dhe çdo ditë i falen dhe i ndezin nga një qiri?
Marim një qiri në dorë edhe ne dhe si Diogjeni kërkojmë se kush e njeh këtë Gustavin. Fati është me ne dhe rrugës takojmë një Frëng, Zahari (Zacharie) ja thonë emrin dhe Majani (Mayani) llagapin. Edhe ky frëngu qënkërka marrë me gjuhën shqipe. Madje gojët e liga thonë se ai është i pafe dhe magjistar, pasi ka dashur të nxjerrë nga varri një llauz të vjetër të Italisë, Trusho i kanë pas quajt të ndjerët. Për këtë “kisha” dhe “kardinalët” e gjuhësisë në “Avropi’ nuk e kanë lejuar të hyjë në katedra(let) e tyre të gjuhësisë. T’i lëmë muhabetet pa bereqet dhe të merremi me hallin tonë. Çfarë na tha ky Zahariu për Gustavin? Or të bekuar na tha, po ky Gustavi ka bërë sikur ju ka dashur, se në të vërtetë ju ka futur në Dhe. Shën Mëria na ruajt, i thamë ne! Po pse? Në vendin tënë ne e mbajmë për shënjtor. Eh, nuk i dini të gjitha ju. Ai ka thënë se gjuha e shqipove është gjuhë arixhinjsh. Zoti na ruajt, i thamë ne! Ja ku e kam shkruar edhe në “qitapin” tim “Trushot janë ngjallur dhe u ka ardhur goja”: “…për të njohur gjuhën e shqipove unë pashë Fjalorin Etimologjik të kësaj gjuhe (shqipes) të bërë nga Gustavi…Por N.Jokli (një tjetër gjuhëtar nga Allemanja) thotë se Gustavi ka shkuar tepër larg në mohimin e lashtësisë së një numri të madh rrënjësh fjalësh shqipe, duke i quajtur ato (të marra borxh nga shqipot) huazime nga (gjuhët e mbretërive të tjera greke, italiane, turke, sërbe etj, etj) burime të huaja…Gustavi dyshonte se prapa çdo fjalë shqipe fshihej një (borxh) huazim…Në vitin 1885 Gustav Mayeri i quante shqiptarët si neo-ilirë…Ndërsa N.Jokli ka cilësuar se shqiptarët janë trashëgimtarët e ilirëve të lashtë, të zhvendosur nga veri-lindja drejt jug-lindjes…Kurse Fon Hani (një tjetër historian dhe gjuhëtar nga Allemanja) shihte një lidhje midis Zeusit Sellanion të njerzve të lashtësisë, fisit të sellëve që banonte pranë tempullit të Dodonës dhe njerzëve të Sulit, suliotët shqiptarë të kohëve tona…”.11
Pra, ky Gustavi, siç na thonë, paska qënë idhulli i Çabejt?!!! Zoti na ruajt!
Kthehemi atje ku ishim dhe u hedhim një sy këtyre diletantëve edhe amatorëve. Të rrimë shtrembër dhe të flasim drejt, ka disa prej tyre që këpusin ca mufka që nuk “i ngre kandari”. Ca na thonë se Dodona është në majë të malit të Tomorrit, biles pak më lart se tyrbja bektashiane. Ka të tjerë që thonë, jo or jo, Dodona është në grykë të Këlcyrës. Këta duken sikur Dodonën dhe çdo gjë pellazge kërkojnë ta gjejnë brenda kufirit shtetëror të Shqipërisë Londineze dhe harojnë, se me këtë u bëjnë nder armiqve tanë që duan të na mbajnë brenda këtij gardhi të ngushtë, që na kanë futur me ndihmën e Evropës, ku ne sot me një “yxhym prej derri” duam të fusim kokën. Po amani ore, jeni në terezi apo nuk jeni! Dodona është zbuluar një herë dhe ndodhet pranë Janinës me gjithë amfitearin e saj sa një mal.
Ka nga ne, që në marrinë e tyre entuziaste, arrijnë të thonë se mbretëritë e Ilirisë, Dardanisë, Maqedonisë dhe Epirit qëndronin shumë më lartë se Galët dhe Keltët, ku këta të fundit ndodheshin në epokën e Gurit!!! Zoti na mëshiroftë. Po mirë or të bekuar, po të ishin ne Epokën e Gurit, si arritën që të sulmonin romakët në Gadishullin Apenin. Për këtë flet Polibi. Galët kishin shpata metalike dhe nuk luftonin me hobe guri. Po të ishin në Epokën e Gurit, si do të arrinin me luftë deri në Egje, ose të hynin mercenarë në ushtrinë e mbretit të Maqedonisë Antigonit, të cilët (maqedonas dhe galë) i mposhti Pirrua i Epirit. Madje vetë Pirrua mburret që mposhti galatët e fortë, mburojat e të cilëve (kuptohet prej metali, jo prej guri) ja kushtoi Athina Itones.
Ndërsa ajo që thotë Moikomi, se këta kanë thënë që Çabeji dhe Buda duhen shembur si muri i Berlinit, është një marrëzi që nuk e mban dheu. Këta janë si ata provokatorët në një protestë paqësore që hedhin bomba dhe vrasin njerëz. Çabeji dhe Buda janë figura të nderuara të shkencës shqiptare dhe me kontribute të pakontestueshme. Por kuptohet, si çdo figurë e madhe edhe ata kanë dritë hijet e tyre. Mund të kenë edhe minuse që e ulin kuotën e tyre, por nuk mund të shëmben si një gjë pa vlerë dhe konservatore. Për shembull. Fanatizmi i Çabejt ndaj disa albanologëve gjermanë për vetëm origjinën tonë ilire dhe tjetra, në kundërshtim me atë që kanë thënë Rilindasit për origjinën pellazgjike (por edhe shumë autorë të tjerë të lashtë dhe të rinj), mohimi i origjinës pellazgjike; mendoj se ja heq atij kurorën e patriarkut të gjuhës shqipe, ashtu si një mali të lartë me borë nga të nxehtit e verës i shkrin kurora prej bore. Por vetëm kaq. Çezarit i duhet dhënë ajo që i takon Çezarit.
– Tani më lejoni të them edhe unë mendimin tim. Unë jam me “delenxhinjtë” dhe anëtar i këtij sekti heretik dhe në luftë shkencore pa kompromis me dogmën zyrtare të historisë dhe gjuhësisë. Pse? Sepse mendoj që e vërteta e shkencës zyrtare shqiptare të gjuhësisë dhe historisë deri më tani është një gjysëm e vërtetë. Një e vërtetë gjysmake. Është ajo që thamë më lart, mbetja në mes të udhës, ose në gjysëm të udhës. Pasi shqiptarët, vërtet rrjedhin prej Ilirëve. Por vetëm një pjesë, jo të gjithë, pasi pjesa më e madhe prej tyre, përveç Ilirëve të Jugut (Ilirët e vërtetë) rrjedh edhe prej Epirotëve, Dardanëve dhe Paionëve (të quajtur më vonë Maqedonë). Dhe më tej, e vërteta duhet thënë e plotë, vetë ilirët, ashtu si edhe epirotët, dardanët, maqedonasit e lashtë, që të gjithë, së bashku dhe veç e veç, vijnë prej pellazgëve. Por prej pellazgëve rrjedhin edhe një pjesë e mirë e popujve të Europës.
– Shqiptarët, Latinët dhe Grekët kanë një origjinë të përbashkët. Ata rrjedhin prej Pellazgëve të Lashtë. Shqipja, Latinishtja dhe Greqishtja e Vjetër rrjedhin prej Pellazgjishtes. Por, nëqoftëse shqipja është në vazhdën e rrjedhës së lumit ujëshumë të pellazgjishtes; latinishtja dhe greqishtja e vjetër janë dy degëzime i këtij lumi rrjedhashumë, degëzim, i cili pas disa qindra vjetësh u tha. Prandaj edhe Latinishtja dhe Greqishtja e Vjetër (përfshirë këtu edhe sanskritishten) sot hyjnë tek gjuhët e vdekura. Ndërsa shqipja është gjallë dhe ndër të gjallë, pasi ajo asnjëherë nuk u shkëput nga ky lumë rrjedhashumë. Këto gjuhë: greqishtja e vjetër, latinishten dhe sanskritishtja pasi kaluan nëpërmjet formatimit si gjuhë teologjike, si degë të thara të pellazgjishtes, deshën s’deshën hynë tek gjuhët e vdekura.
Thjesht, për ilustrim, po tregojmë se çfarë thotë një autor grek, të cilit i referohet Spiro Konda, N.P.Eleftheriadhi në veprën e vet “Greqia Pellazgjike-Parahelenët” (Athinë-1931):
“…sipas dëshmive të prera të të vjetërve, po ata popuj pellazgjikë, që banuan në vendet kryesisht greke, banuan shumë herët dhe shumë para luftës trojane edhe në të gjithë Italinë, si dhe në Siqeli, ku flitej e njëjta gjuhë pellazgjike, shumë përpara dukjes së grekëve edhe në vendet e tanishme greke, si edhe në Azi të Vogël, sikurse në Itali dhe Siqeli, dhe shtoj, edhe në gadishullin Iberik e në Afrikën e Veriut, si dhe në Francën meridionale dhe në shumë vende të tjera (këtu hyjmë ne shqiptarët)…qytetërimi i të gjithë vendeve të lartëpërmendura u detyrohet pellazgëve, të cilët banuan në to me mijëvjeçarë…me këtë mënyrë ,pra, pellazgët, përbënin një botë të tërë pellazgjike dhe bota greke (helenët), e formuar dhe e zhvilluar në kohë shumë të mëvonshme, përbën në të vërtetë një shkëputje dhe specializim, një veçanti dhe fazë të asaj bote origjinale të madhe dhe të ndritur…kështu edhe greqishtja u formua në pjesën më të madhe dhe gati e tëra nga gjuha pellazge shumë e pasur”(f,123,132-133 e veprës në fjalë) …”12
Një konstatim dhe pohimi i jashtëzakonshëm me një kthjelltësi mendimi që do të bënte ziliqar çdo akademik sot në botë.
Por shqiptarët, siç e thamë edhe më lart, nuk rrjedhin vetëm nga Ilirët, pasi ka edhe popuj të tjerë shqipfolës që janë në origjinë të shqiptarëve. Kush janë ata? Ata janë Epirotët e lashtë. Por nuk janë vetëm këta. Janë edhe Dardanët e lashtë. Madje, janë edhe Paionët e lashtë. Pra kemi një katërshe popujsh të lashtë që në kohët e reja kanë krijuar popullin shqiptar. Me të drejtë mund të thoni: Çfarë na the more! Nuk e them unë, jo. Edhe mua ma kanë thënë. Për hollësi dhe sqarime të mëtejshme mund të shfletohet libri “Epiri nga lashtësia deri më sot”. Por për të shuar kureshtjen mund të përmend disa emra, të cilët e kanë thënë këtë gjë: Hekateu i Miletit, Straboni, Apiani, Plini, Fon Hani, L.Beonley, Jakob.Ph.Fallmerajer, Robert D’Anzhely, Jean Hatzveld, Edison Clark, Uilliam Martin Leak, Zhan Klod Faveirial, Gaetano Petrotta; por edhe Sami Frashëri, Ndre Mjeda, Frang Bardhi, Nilo Borxhia, Mehdi Frashëri, Dhimitër Canco, Nermin Vlora Falaski, Shaban Demiraj, Aleks Trushaj etj.
VIJON …
____________________
BESNIK Z.IMERI: ÇABEJ NJË PROFET, NJË MIT, APO NJË GJENI? (Bashkëbisedim me të nderuarin Moikom Zeqo) 1
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=9947
***
BESNIK Z.IMERI: ÇABEJ NJË PROFET, NJË MIT, APO NJË GJENI? (Bashkëbisedim me të nderuarin Moikom Zeqo) 2
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=9948