PROF.DR.MUHAMET PIRRAKU: “GJAKUN E DJEMVE IA FALIM LIRISË SË NIPAVE TANË …”!

Nga ditari i pajtimit

PROF.DR.MUHAMET PIRRAKU: “GJAKUN E DJEMVE IA FALIM LIRISË SË NIPAVE TANË …”!

Pashtriku, 26 mars 2012

Jemi në janar 1991. Lëvizja për faljen e gjaqeve është nga fundi. Mbi 1130 gjaqe, mbi 700 plagë dhe mbi 2000 ngatërresa të falura janë një fitore e madhe kombëtare. Tashti kemi arsye të thërrasim për pajtimin e gjithëmbarshëm kombëtar. Populli ynë dha dëshmi për një kushtrim të tillë. Suksesi i Lëvizjes për faljen e gjaqeve depërtoi edhe në shumë familje, meshkujt e të cilave ishin në kurbet. Më 4 janar zëri popullit shkriu akullin e stalektitit edhe në zemrën e nënë Marisë në Grazhdanik të malësive të Prizrenit. Në odë, burrësisht njësitin e pajtimtarëve të Anaprizrenit e priti kjo nënë malësore. I mori ngrykë si evladët e vet profesor Eshref Ademajn, Dom Nikollë Minin, profesor Bajram Kurtin, mësuesen veterane Zita Bashotën, doktor Ymer Koçinajn, Dom Kelmendin, Ukë Allakun dhe nipat e Kalajve, Tadej e Engjëll Rodiqin. Janë edhe shumë aktivistë të pajtimeve dhe të rinj nga Grazhdaniku. Flasin profesorët dhe nëna dëgjon. Lufton me gjapinjtë që i kërkonin hakmarrje pas 14 vjetësh për djalin 17 vjeçar Nikollën. Mbahet. Flet profesor Engjëlli, me lot të përmbajtur. “Rruga e vetme, o grua e dajës, është të falim gjakun e djalit tënd dhe të dajës tim. Për këtë akt kaq burrëror e kemi pëlqimin e dajave, djemve të tu, të Nikë e Hilë Kalajt, që janë në botën e jashtme. Ata edhe ne të lutemi: Shtrone rrugën me lule për ardhmërinë e bijve tanë…!”

Prof.Dr.Muhamet Pirraku – veprimtar i pajtimit të gjaqeve.

Nënë Maria bënë luftë me traditën. Doli fitimtare. “O bijtë e mi, as gjaku i djalit tim nuk duhet të veçohet nga fati i gjakut të djemve të nënave të tjera… Gjakun e djemve ia falim lirisë së nipave tanë…!”. Lot e dënesje. Urojmë për ardhmërinë që po e farkojmë me gjakun tonë. Dalim nga oda e Kalajve të nderuar. Mbi kokat tona fluturojnë disa pëllumba lozonjarë. “Është ogur i mirë ky!” – na thotë një plak fisnik Lajmi i mirë në kohë të këqija dëgjohet larg. Kur më 20 janar arritëm në odën e Rrahim Kurtajt në Zhur, për faljen e gjakut nga nëna Marie me djemtë, kishin dëgjuar edhe fëmijët e Zhurit edhe plakat. Në odë të Rrahman Kurtajt na priu daja, Shaniu, i cili e kishte humbur nipin, Shukriun, para 22 vjetesh. Sa ora oda u mbyll me të rinj zhurjanë të zhuritur për liri. Flet profesor Anton Çeta me atë burrërinë e rrallë. Flasin edhe profesorë Eshref Ademaj, Muhamet Pirraku, Mujë Rugova, Enver Mehmeti e Bajram Kurti. “Nuk kemi rrugë tjetër, përpos kësaj që pasqyruan këta vëllezër, këta profesorë. Duhet të falim gjakun dhe para Lëvizjes të dalim faqebardhë…!” – i thotë të nipit xha Shaniu.

“Po, po do ta fal gjakun, por sot jo. Kam për të punuar edhe pak në familje. Nuk kam qenë gjatë në shtëpi…!”, e preu shkurt dhe me gjakftohtësi Rrahman Kurtaj. “Burri kur e jep fjalën edhe e mban…!” – sikur e mbylli kuvendin profesor Pirraku dhe u kërkua “izëm” për të dalë. Na përcjellin me fytyrë të vrarë, “l madh është ky popull!” – përsias më vete. Gjithmonë ka pësuar vetëm pse nuk ka pasur drejtues të mirëfilltë. Dy ditë më vonë më telefonojnë: “U presim më 24 janar. Do të shtrihet dora e pajtimit midis Kurtajve dhe Elezkurtajve…!”

Zhur, 24 janar 1991: Në oborrin e Remzi Ademajt duke i pritur Profesorët e Universitetit të Prishtinës dhe Karvanin e pajtimit të gjaqeve,

Zhur, 24 janar 1991: Në odën e madhe të Remzi Ademajt në ceremonin e pajtimit të gjaqeve.

Është mëngjes i datës 24 janar. Tri vetura të bëmirësve zhurjanë presin veprimtarët e pajtimeve para Institutit Albanologjik në Prishtinë. Në Zhur ishte përhapur lajmi i mirë. “Do të falet edhe gjaku i fundit në Zhurin kreshnik të martirizimeve kombëtare…!” Në të dy anët e rrugëve të Zhurit, nëpër të cilat kalojnë veprimtarët e pajtimit, kanë dalë fëmijë, gra e burra. Në fytyrë u qesh një si pranverë, ndonëse është arbain. Dy gishtrinjtë në formë të germës “V” – fitore, janë më madhështorë në duart e fëmijëve në parzmë të nënave. Në odën (e veprimtarit Remzi Ademaj) na presin burra të zgjedhur të Zhurit dhe të rrethinës. Janë edhe rreth 80 të rinj e të reja syshqiponjë. Një studente gojëshpatë kuvendit të burrave i dëshiron sukses. Ajo thërret: “Në vend të plumbave hakmarrës të shtrihen duart e pajtimit, në vend të varreve të reja të bëjmë djepa për fëmijët tanë të ardhshëm!” Kurse një djalosh sypishë konstaton: Zhuri me mbi 8.000 banorë për të parën herë shkeli në paqe, pa asnjë gjak, pa asnjë ngatërresë. Flasin profesorët: Mark Krasniqi, Sami Peja, Enver Mehmeti, Tadej Rodiqi. Flet Zita, mësuese e mësuesve të shumtë. Para tyre mban këmbëkryqin burrërisht Rrahman Kurtaj gjakftohtë, me mburrje.

Ndërkohë në odë i sollën dy burra me fytyrën dhe. Janë Elezkurtaj, janë vrasësit. Hynë me kokë të ulur dhe do të dalin me kokë të ulur. Kanë marrë gjykimin e popullit. Profesor Marku dhe profesor Pirraku asistojnë në aktin e faljes se gjakut. “Në emër të popullit, në emër të lirisë dhe në emër të shqiponjës dykrenare që po na sogjon, fali gjakun e vëllait!” – foli të madhe Rrahman Kurtaj.

Shtrëngime të forta midis veprimtarëve të pajtimeve dhe të burrave nga gjaku i Kurtajve: Falja kaq burrërisht aktit të pajtimit i dha karakter të një manifstimi të bashkimit vëllazëror që ka shtruar aktualiteti dhe ardhmëria e kombit tonë. “Zatën, falja e gjakut para flamurit kombëtar nuk mund të ishte tjetër përpos një kushtrim për pajtimin kombëtar shqiptar të plotë e në të gjitha viset ku bukës i thonë bukë e ujit ujë, siç do të thoshte profesor Rugova!” – konstatoi profesor Pirraku.

“Ky gjak dhe të tjerat që u falën kanë rëndësinë historike dhe do të çmohen për jetë krahas gjakut të martirëve zhurjanë që na i vranë para syve të nënave…” – duke derdhur lot do të përfundojë mesuesja Zita.

Derisa në odë po kryhej akti i pajtimit, në oborr kishin ardhur më shumë se 600 të rinj e të reja. Kishte edhe barinj që kishin zbritur nqa bjeshka për të marrë pjesë në këtë kurorëzim të Lëvizjes për faljen e gjaqeve. Para tyre dalin profesorët Marku, Peja, Mehmeti, Rodiçi e Pirraku. Është acar, por masa e tubuar nuk i uli dy gishtrinjtë në formë të germës “V”.

“Ju jeni ardhmëria e kombit tonë!” – u thotë burrërisht profesor Marku. “Rrahmani jua fali gjakun ju, o nxënës zhurjanë, ua fali gjakun moshatarëve tuaj, dëshmorëve të vitit 1989 – 1990…!” – u thotë profesor Mehmeti. Në odë shtrohen tri sofra të bukës së paqes deri në bakllavë. Kusherinjtë e kanë bërë këtë nder, ata të Rrahmanit, heroi i ditës.  

***

Dalim nga Zhuri të përcjellë me nderime të mëdha. I madh e i vogël është në rrugë. Veturat nëpër serpetine të xhades ngjiten majë bjeshke në Billushë, një si kala kombëtare. Na presin i tërë fshati, në tri familje, të cilat kanë vendosur t’i bashkohen Lëvizjes, popullit, duke falur një gjak, një plagë dhe një ngatërresë.

Billusha ka histori të hidhur. Nuk harrohet kurrë masakra e ushtrisë serbe në dhjetor të vitit 1912, kur u therën 63 veta. Midis tyre ishin tri gra, njëra me një lulak, djalë në parzmë. E therën edhe lulakun, bebën! Por, Billusha nuk u farua. Sot ka mbi 350 familje dhe dhjetëra të tjera që kanë dalë në fshatrat e rrafshit dhe në qytete. Në dy anët e rrugës dyert dhe deriçkat janë të hapura dhe plot fëmijë, gra e plaka me duar të ngritura, me dy gishtrinj në formë të germës “V” – përshëndetje kjo tashti kombëtare e shqiptarëve.

Billushë, 24 janar 1991: Në Sheshin e Pajtimit anëtarët e Pajtimit të Gjaqeve nga Prizreni bashkë me profesorët e Universitetit të Prishtinës: Bajram Kurti,  Eshref Ademaj, Mark Krasniqi, Muhamet Pirraku, Sami Peja, Zita Bashota etj.

Këmbë nëpër disa rrugica, na prijnë në odën e Bajram Kryeziut. Pas nesh vjen një masë e tërë. Asnjë oborr nuk do t’i zinte. Në asnjë dasmë në oborrin e nënë Zejnepes nuk ka pasur kaq shumë krushq. Ajo na pret para derës, në balIkon të kullës, me djalin, Bajramin, me çikat dhe rejat e Kryezive. Ndalemi në ballkon dhe përqafohemi me këtë nënë me nur burri. Ishte vetë nënë e nënave tona. Djaloshin, Bajramin, e tërheqim në mesin tonë, mu para mësueses veterane, Zita Bashotës. Kjo mësuese këtu ështe më e dobësuar në shpirt. E përqafon nënë Zejnepen dhe i jep ngushëllim për djalin (Faikun) që kishte humbur para dy muajve në fatkeqësi komunikacioni derisa po kthehej nga kurbeti. Kjo fatkeqësi nënën Zejnepe na e futi thellë në shpirtin tonë.

Billushë, 24 janar 1991: Karvani i pajtimit të gjaqeve gjatë rrugëtimit për në shtëpinë e Nënë Zejnepes dhe Bajram Kryeziut

Flasin profesor Bajram Kurti (kryetar i Këshillit të Pajtimit të gjaqeve për Prizren) dhe Sheradin Berisha (anëtar i këtij këshilli), pastaj flasin profesor Mark Krasniqi dhe profesor Muhamet Pirraku para masës midis gjirit të familjes Kryeziu.

Billushë, 24 janar 1991: Anëtari i Këshillit të Pajtimit të Gjaqeve për Rrethin e Prizrenit, Sheradin Berisha, duke folur para masës së tubuar në oborrin e Bajram Kryeziut.

Shtriju dorën, biro, profesorëve, shtrija dorën popullit e fale gjakun e babait, o m’u trashëgofsh me bir e bijë….” – i thërret nënë Zejnepeja djalit, Bajramit. Aty i ka motrat, anëtarët e familjes kushërinj e miq. “Kësaj rinie që ma mbushi oborrin, juve, o profesorë, Kosovës që po martirizohet, ia fal gjakun e babait…!”

Masa me duartrokitje e therritje: “Paçi faqen e bardhë, o vëlla!” e shënoi burrërisht dhe fisnikërisht këtë fitore të madhe të Lëvizjes për pajtimin gjithëkombëtar.

Billushë, 24 janar 1991: Akademik Eshref Ademaj dhe Sheradin Berisha – në odën e Nënë Zejnepes gjatë ceremonosë së pajtimit.

Nuk na lëshojnë pa kafe e duhan. Na përcollën në mënyrë dinjitoze, duke na përqafuar si vëllezërit. Nëpër një oborr na qesin në oborrin tjetër, e nga ai në një oborr tjetër, ku na pret masa e tubuar. Në odë hyjmë vetëm rreth 40 vetë, pasi nuk ka vend tjetër. Veprimtari billushas, Sheradin Berisha e hap kuvendin dhe i fton veprimtarët e pajtimit të merrnin fjalën. Flasin profesorët Marku, Peja, Koçinaj, Rodiqi, mësuese Zita, Pirraku e të tjerë. Çdo fjalë absorbohej nga të pranishmit si amanet për qjeneratat – kurrë më vrasje, kurrë më gjakmarrje. Ngritet Esat Osmani dhe e shtrin dorën e pajtimit për një plagë, kurse Maksut Krasniqi e fal një ngaterresë.

Duke përmbyllur këtë kuvend burrash të pajtuar, u sollëm ndër mend konstatimin e Skenderbeut në Krujë më 1443: “Lirinë nuk ua solla unë, por atë e gjeta në mesin Tuaj”! që do të thotë se bashkimin nuk ua sollëm ne, por e gjetëm në mesin Tuaj, pasi zëri i rinisë erdhi këtu para se të arrinim ne!

Na përcollën billushasit në mënyrën më burrërore, më madhështore. Mbi 500 burra kanë bërë një lumë përshëndetës, kurse në të gjitha dyert e oborreve fëmijë, nëna me fëmijë n‘grykë, plaka e pleq na përshëndetin me dy gishtrinjtë në formë të “V”-së – fitore. E gëzofshi paqen dhe lirinë e përjetshme! – Urojmë nga zemra.

Prof. Muhamet Pirraku (Pajtim Shala), Prishtinë – janar 1991

___________________

Prof.dr. Muhamet Pirraku në mesin e banorëve të fshatit Hoçë e Qytetit, gjatë ceremonisë së Pajtmit të gjaqeve, verë 1991.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura