BEHXHET SHALA BAJGORA: PARA 31 VJETËVE, I PAVDEKSHMI BACË ADEM DEMAÇI KALOI NGA NJË ROBËRI E VOGËL NË NJË ROBËRI TË MADHE!

Prishtinë, 22 Prill 2020: Adem Demaçi i pamësuar në robëri të jetueshme dhe në liri të pajetueshme: Viti 1990 ishte vit i kthesës së madhe sidomos për shqiptarët por edhe popujt e tjerë të ngrehinës shtypëse dhe terrorizuese që quhej ish-Jugosllavi. Sllovenia dhe Kroacia kishin shpallur pavarësinë e që në të njëjtën rrugë ishin Maqedonia dhe Mali i Zi. Nga cofëtina shtetërore dhe territoriale e ish – Jugosllavisë mbeti një kërmë e quajtur Jugosllavia e Zhablakut e që në fakt ishte Serbia e zgjeruar me territore të okupuara që i takonin Kosovës dhe Bosnjë dhe Hercegovinës. Filloi marshi i lugetërve të etur për gjak në me krye kryelugatin Sllobodan Millosheviq. Një numër i madh i atdhetarëve shqiptarë ishin të ngujuar në llogoret e UDB-së dhe KOS-t jugosllav dhe serb në kampet e përqëndrimit në Serbi , Bosnje dhe Hercegovinë, Mal të Zi , Maqedoni dhe Kroaci . Sllovenia i kishte liruar të burgosurit politikë shqiptarë dhe në këtë rrugë ishte edhe Kroacia. Një kohë të gjatë qëndroja në Kampin e Lepogllavës, në një burg të vjetër nga koha e Austro – Hungarisë dhe , sikur në Burgun Shpandau ku qëndronte i izoluar (pasi kishte refuzuar faljen), i vetëm njëri ndër kokave kryesore të nazizmit, Rudolf Hes, në Lepogllavë ishim të izoluar për mjë kohë të gjatë , unë , Behxhet Shaban Shala , pa vrarë njeri dhe me të vetmin faj se doja të isha i lirë sikur të gjithë popujt tjerë dhe, një kat më poshtë ishte i izoluar Dr. Marko Veselica , njëri ndër udhëheqësit e Lëvizjes Masive Kroate për Liri dhe Pavarësi. Në një kat Marko Veselica , emër shumë i njohur i disidencës kroate dhe në tjetrin Behxhet Shaban Shala , emër krejtësisht i panjohur dhe anonimus i vërtetë por i vendosur deri në fanatizëm dhe vetflijim në mbrojtje të idealit për çlirim, liri dhe bashkim kombëtar sikur edhe pjesa dërmuese e të burgosurve politikë shqiptarë. Mendoja , të mbashë 12 vite burg pa e takuar kuptimin dhe vulën shqiptare për pavarësi dhe bashkim kombëtar, të Madhin dhe të Pavdekshmin Bacë Adem Demaçin , e llogaritja si humbje kohe , si asgjë hiç dhe një zbrazëtirë e pambushur me brumë me të cilin gatuhet liria , pavarësia dhe bashkimi kombëtar. Më herët pata mbajtur 24 muaj burg në Kazamatin e Foçës , të Sarajevës dhe të Mostarit me bardët e çështjes kombëtare , të papërsëritshmin dhe legjendarin Rexhep Malën, të urtin dhe të pathyeshmin në çdo përballje me dhunën e shfrenuar të hetuesve serbë dhe atyre që flisnin shqip por që dhunonin më shumë se çdo hetues serb , Skender Kastratin dhe shpërthyesin e emocioneve por i cili kishte qëndrim të palëkundur gjatë qëndrimit në burg , Agim Sylejmanin mirëpo , nuk ishte njëjtë si të takosh zotat apo Zeusin , kryezot i të gjithë zotave , Zeusin e çështjes kombëtar, Bacë Adem Demaçin. Kur Gjykata Ushtarake në Zagreb , në një proces krejtësisht të montuar politik na dënoi 9 ushtarë shqiptarë , e para punë që m’u kujtua ishte pasi isha recidivist apo i dënuar për herë të dytë për “ faje politike “, ishte si rregull të më dërgonin në Llogorin e Stara Gradishkës , ku ishte Baca Adem e që për mua ishte bingo. Se çdo rregull ka përjashtim ishte pikërisht rasti im sepse më dërguan në Lepogllavë e që u dëshpërova shumë . Kalvari im në Lepogllavë ishte si pasojë e qëndrimit në hetime dhe gjatë gjykimit duke më vënë etiketën si i papërmirësueshëm dhe i pabindur prandaj trajtohesha sikur të isha nën hetime ndonëse isha i dënuar me një formë të prerë të dënimit. Itinerari ishte përafërsisht ky ; një muaj në vetmi , një ose dy ditë me të dënuar tjerë e pastaj përsëri në vetmi dhe veçim gjashtë mujor. Mendoja se me këtë qëndrim do ta provokoja situatën dhe të më dërgojnë në Stara Gradishkë mirëpo vetëm pa 4.5 viteve të qëndrimit në Lepogllavë , më dërguan 12 ose 13 muaj veçim – izolim në burgun e Gospiqit për të më dërguar , më në fund në Stara Gradishkë ku ishin 35 -40 të dënuar shqiptarë për “ faje “ politike , të moshave dhe gjeneratave të ndryshme në me krye Bacën Adem Demaçi.
Si e pashë për herë të parë Bacën Adem
Pasi na kthyen nga Burgu i Gospiqit , na vendosën në karantinë deri në çastin kur të na vendosin në pavijone apo na degdisin në ndonjë burg tjetër. Nga dritarja e vogël e karantinës vërehej një grup i madh të të burgosurve që e rrethonin dikend që dukej se iu fliste por se nuk shihej. Aga Cena i Kaçanikut ( Hysen Shurdhani ) që kishte qenë më heret në Stara Gradishkë dhe kishte ndejtur me të gjithë të burgosurit më tha se ai në qendër është Baca Adem , majtas është Fehmi Lladrovci , përballë është Binaku , në krah të tij Hafir Shala , Riza Demaj , Nuhiu , Avdullahu dhe kështu me radhë. Pasi filluan të lëvizin të burgosurit , Baca Adem u bë i dukshëm dhe , unë që asnjëherë nuk e pata takuar pakëz u befasova sepse , të gjithë popujt e ne shqiptarët në veçanti kemi prirjet’i portretizojmë heronjtë ashtu si ne duam , me sytë tonë, për t’i dalluar nga të tjerët. Po Baca Adem , nga larg dukej edhe më i vogël se që ishte në të vërtetë dhe mendoja se si është e mundur që një njeri që nuk i ka përmasat e një kreshniku apo gjiganti të përballojë , atëherë ishin mbi 27 vite burg të rëndë , shumë vuajtje dhe tortura e ta ruaj qetësinë shpirtërore si dhe integritetin fizik ! Meqë ishte kohë vere , Baca ishte i veshur me një palë brekë Adidas ( sigurisht ia kishin dhënë shokët sepse Bacës sa që i bënte përshtypje Adidasi ) , një kanotiere të bardhë dhe të gjërë numri i të cilës ishte pikërisht për një gjigant dhe një palë syze me xhama shumë të trashë. Fliste pa ndërprerë dhe i lëvizte duart shpesh dhe shpejtë që ishte në përputhje me temperamentin e tij të jashtëm e që nuk shkonte me qetësinë e akullt të brendshme sepse asnjëherë nuk vërehej se reagimi i jashtëm e përjashtonte ate të brendshmin. Po Baca Adem ishte Një dhe i papërsëritshëm . E pata vërejtur se ishte “ ligështuar “ kur heroikisht ra Rexhep Mala dhe për Fehmi Lladrovcin dhe Xhevën kurse vërtetë ishte mërzitur kur ndërroi jetë Ahmet Haxhiu. Për Shashivar Makollin – Qalin gjithashtu është mërzitur fort . Gjatë qëndrimit në Stara Gradishkë , Baca Adem për ne ishte , nënë e babë , vëlla dhe motër , mësues , arsimtar , profesor , ushtar , gjeneral dhe komandant, ngushëllues dhe shërues , frymëzues dhe pikë destinimi për qëllimin e përbashkët , histori vuajtjeve dhe e krenarisë , shtyllë për ta që ecnin më ngadalë , shërues i plagëve fizike dhe shpirtërore , një qiri që bënte dritë edhe në terrin më të madh , njeriu që na mësonte se nënën biologjike e kemi nënë të dytë kurse Shqipërinë e kemi nënë të vetme , njeri që na falte çdo gjë përveç se nuk na falte kur nuk ishim në shërbim të atdheut dhe , përfundimisht njeri që i dha kuptim çdo sakrifice për liri , çlirim dhe bashkim kombëtar . Baca Adem ishte dhe mbeti sikur një monedhë që nuk mund t’i caktohet vlera sepse ishte vlerë mbi të gjitha vlerat , në njërën faqe AI , Baca i Madh Adem Demaçi kurse në anën tjetër Komandanti Legjendar , Adem Jashari . Të dy komandantët , Baca Adem Komandant Politik dhe Shpirtëror , Adem Jashari Komandant Ushtarak dhe i Sakrificës Fizike dhe Biblike.
“Marksisti“ , “përçarësi “ dhe “trazuesi“ Adem Demaçi
Bacën Adem e sulmonin se është i majtë , është komunist dhe se është marksist – enverist , stalinist dhe enverist. Dhe kush e sulmonin ?! , ata që me rob , me dhi dhe me thi ishin dhe mbetën të tillë por tani të veshur me një kostum të kohës , më heret kombëtar dhe patriotik kurse tani kosmoplotit dhe demokratik. Baca Adem nuk i përkiste asnjërit cilësim përjashtuar këtu enverist , jo se i përkrahte mendimet e Enver Hoxhës por se Enver Hoxha , për një kohë të gjatë ishte udhëheqës i Nënës së Parë , siç thoshte Baca , Nënës Shqipëri . Për sa e njoh Bacën , asgjë tjetër nuk e lidhte me Enver Hoxhën e që e vërtetoi kur shkoi për herë të parë në Shqipëri pas daljes nga burgu dhe tha se : “ do të ndjehesha shumë më i lumtur që të vdisja me bindjen time që e kisha për Shqipërinë se të jetojë më këtë që po e shoh në Shqipëri ..”. Disa shokëve në burg e që e kalonin kohën mbi veprat e Leninit dhe që e kishin kapacitetin maksimal për Afërdita përsëri në fshat apo Lulja e Kujtimit, Baca u thoshte : “ Lërini more këtë e mos humbni kohë , mësojeni historinë e popullit shqiptar si dhe shkrim – leximin në gjuhën shqipe ..”. Baca Adem ka besuar në Zot , komunistët dhe marksistë – leninistët nuk besojnë. Baca nuk pajtohej me faktin se shqiptarë nga Kosova dhe Shqipëria luftuan dhe u vranë në luftën qytetare në Spanjë në kohën kur edhe Kosova edhe Shqipëria ishin nën robëri. Bacës nuk i kanë interesuar as Lenini , Kropotkini , Stalini , Trocki e as Titoja por i ka interesuar Gjergj Katrioti , Çerçiz Topulli , Isa Boletini , Azem Bejta dhe Shotë Galica , Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica , Tahir Meha e sidomos Hasan Prishtina sikur që edhe çdo politikan apo luftëtar për liri , çlirim dhe bashkim kombëtar. Baca Adem nuk e ka kënduar kurrë këngën e Internacionales Proletare apo shoku Tito ne të betohemi por e ka kënduar këngën për Dedë Gjo Lulin ( e që e ka pasur dëshirë t’ia këndojnë edhe në funeral ) , këngën për Mehmet Shpendin dhe këngën Te rrapi në Mashkullore dhe këngë tjera kombëtare. Me një fjalë , Baca Adem ka qenë një nacionalist i bindur që njëqindmijë herë ka vdekur dhe do të sakrifikohej për popullin shqiptar por se kurrë dhe asnjëherë nuk ka shprehur urrejtje për popujt tjerë . Ka qenë humanist i madh dhe nacionalist i bindur ! A ka qenë Baca Adem përçarës ?! Jo dhe aspak. Edhe sa ishim në Llogorin e Stara Gradishkës,jo që e përkrahu Ibrahim Rugovën por kërkonte që edhe ne ta përkrahim dhe të mos bëhemi pjesë e LDK-së për faktin se ishim me “ balosha “ ( të dënuar ) dhe për këtë arsye do t’i nxirnnim probleme , edhe Rugovës edhe LDK-së. Po të donte Baca Adem , menjëherë pasi dolëm nga burgu do ta formonte një parti politike ( të burgosurit politikë shqiptarë në atë kohë kishin shumë autoritet ) dhe do ta ndante skenën politike kosovare në dysh duke shkaktuar përçarje të madhe . Pikërisht për këtë nuk e bëri dhe , madje na udhëzoi që në zgjedhjet e para ta votojmë Rugovën që edhe e bëmë ( shumica ). Votova edhe unë , në saje të kërkesës së Bacës, për Rugovën . Ishte ky votimi i parë dhe i vetëm imi gjatë jetës sime! Baca kishte kundërshtuar Rugovën për mosveprim , mungesë të guximit dhe marrjes së përgjegjësisë dhe pengim të luftës çlirimtare. Kundërshtimi i Bacës nuk ishte ad hominem ( kundër personalitetit të Rugovës ) por parimore dhe , po Rugova do të merrte përgjegjësi për luftën , Baca Adem Demaçi do të ishte përkrahësi më i madh i tij dhe ushtari i parë i tij !
A manipulohej Baca Adem siç thonin kritikuesit e tij?
Jo dhe asnjëherë. Bacën Adem nuk ka mundur ta manipulojnë as UDB-ë , KOS-i jugosllav , asnjë politikan , asnjë e mirë materiale dhe asnjë pozitë. Për hirë të interesit kombëtar , Baca Adem ka bashkëpunuar me dreqin dhe të birin , me këlyshët e Titos dhe të Rrahman Morinës duke marrë nga ata ate që i ka hyrë në shërbim për çështje kombëtare por duke pasur parasysh se kush janë ata , ç’të kaluar kishin dhe se ç’kishin bërë për kombin dhe vendin ; të këqijat që nuk ua përmendte kurse mundohej të gjente ndonjë të mirë. Baca nuk ishte manipuluar as nga Sali Berisha , as nga Ramiz Alija , as nga Fatos Nano, as nga Fadil Hoxha e Azem Vllasi , as nga Hashim Thaçi e Ibrahim Rugova e as nga Xhavit Haliti dhe Albin Kurti. Bacën ka mundur ta mashtrojë dikush që i ka besuar për gjëra të vogla por asnjëherë për çështje të mëdha politike , kombëtare dhe shtetërore. Baca u bë Përfaqësues Politik i UÇK-së kur e kishin më ngushtë se ne me COVID -19, por dha dorëheqje kur këta deshën të ngriten mbi Zotin që i krijoi , i mbrojti dhe i përkrahu në çastet më të vështira. Baca Adem e refuzoi Rambujenë dhe Robin Kukun ( Albini ishte dëshmitar ) , Baca e refuzoi cilësimin e Gelbartit për UÇK-ën si terroriste , nuk e pranoi Hillin dhe Holbrukun për faktin se ofronin autonomi ( kulturore ) në vend të pavarësisë. Baca Adem nuk u pajtua as me Medlin Olbrajt sepse nuk donte që çështjen e pavarësisë ta trajtonte si diçka fakultative; mund të ndodhë por se edhe nëse nuk ndodhë nuk bëhet kijameti ! Baca Adem dha dorëheqje nga kryetari i Bordit të RTK-së sepse “ shokët e luftës “ ia censuruan fjalën në ditarin kryesor të RTK-së. Dhe shumë veprime të tjera për të cilat mbase do të shkruaj më vonë.
Po si u sollëm ne ndaj Bacë Adem Demaçit
Tahir Hani – Zhidovi, një patriot dhe ish i burgosur politik nga Veleshta e Strugës e që pastaj bëri përpjekje të merrej me politikë por për shkak se ishte parimorë dhe kishte shumë gjëra të përbashkëta me Bacën Adem të cilin e përkrahte deri në admirim , asnjëherë nuk e fitoi hapësirën e merituar në Maqedoni. Mirëpo , krahasuar me Bacën , megjithatë ishte bartës i disa posteve. Adem Demaçin më së shumti e penguan pikërisht “ shokët e luftës “ , që botërisht e përkrahnin kurse, në realitet punonin që të mos e merrte asnjë post . E luanin rolin e Janusit dhe Ponti Pilatit. Nuk e lanë kurrë të bëhet as deputetë , as kryetar komune e as kryetar fshati , as minister e as zëvendësminister , as anëtar të Akademisë e as drejtor të Policisë , as ambasador e as kryeminister. Madje , nuk e lanë të bëhet as kryetar i Komisionit për Hulumtim të Krimeve të Luftës sikur që ishte Simon Vizental nga Izraeli. Së fundi , kur në garë për president hyri një person që kurrë dhe asgjë nuk ka bërë për Kosovën , Shqipërinë dhe shqiptarët përveç se i ka dëmtuar ( kur të hapen dosjet kjo do të vërtetohet ) , Bacën Adem e kundërshtuan patriotët e vjetër (shokët e luftës ) dhe patriotët e rinjë ( LVV ) . Të parët bisedonin me Bacën kurse kishin vendosur për Pacollin kurse të dytët donin ta përkrahnin Bacën me kushtëzime. Ta kushtëzosh Adem Demaçin është sikur ta kundërshtosh Zotin si krijuesin e Botës , Gjithësisë dhe Njerëzimit. Këtë do ta sqaroj më gjerësisht më vonë dhe me shumë fakte që janë të pakundërshtueshme. Merreni me mend , një popull që ka luftuar 100 vjet për t’u çliruar nga robëria , në vend të Adem Demaçit , që dha çdo gjë që pati dhe mundi për liri , u zëvendësua nga krejtësisht e kundërta e Adem Demaçit , në çdo pikëpamje , Behgjet Pacolli. A ka turp dhe fyerje më të madhe për një popull liridashës . Të jem i sinqert; në atë kohë më parimorë përballë Bacës Adem ishin treguar Daut Haradinaj ( Ramushi ishte në Hagë ) dhe Isa Mustafa , se “ shokët e luftës “ dhe “ patriotët e rinjë “. E kam detyrim që këtë lëmsh të intrigave ndaj Bacës Adem ta sqaroj më vonë sepse më duhet më shumë kohë dhe më shumë hapësirë.
Kur Baca Adem Demaçi kaloi në përjetësi , Ilmi ( Reçica ), me lotë në sy më tha se Baca na la keq dhe kur thashë se në gjendje shëndetësore që e ka pasur është më mirë që u bë si u bë , Ilmiu përsëri tha se me ikjen e Bacës na është mbyllur një Derë e Madhe dhe se tani na mbeti vetëm Kujtimi i Madh dhe i Përjetshëm.
Po e përfundoj me një konstatim shumë të drejtë dhe të pamohueshëm që e dha për Bacën Adem , Tahir Hani – Zhidovi se : “ populli shqiptar, si tërësi ka rënë në provim njerëzorë , kombëtar dhe politik se si e ka trajtuar Adem Demaçin duke ia mbyllur të gjitha rrugët që të bëhet President në vend se ta bëjnë President sikur që bënë jugafrikanët me Adem Demaçin e tyre – Nelson Mendelën . Kush na merr seriozisht nëse sillemi në mënyrë aq joserioze ndaj një vlere të papërsëritshme kombëtare siç ishte , është dhe përjetësisht do të mbetet – Bacë Adem Demaçi ..”. Nuk kam asgjë për të shtuar në këtë që e tha Tahiri. Bacë , po jetojmë në kohëra të përçudnuara kur antivlerat janë vlera , tradhëtia është besë, vesi dhe e keqja janë virtyt, antikombëtarizmi është kombëtarizëm , idealisti llogaritet si i marrë kurse horri është idealist pragmatik. Po jetojmë në kohëra kur fillojnë të distribuohen faturat , me kamata , kamata ndëshkuese dhe gjoba tjera për faktin se i kemi hyrë shumë në hak Adem Demaçit. Ato të rëndat do të vijnë më vonë , pa asnjë dyshim. Mallkimi kinez është: “ jetofsh në kohëra interesante “. Mallkimi i shqiptarëve janë faturat e Adem Demaçit dhe Dëshmorëve të Kombit . Dhe janë dhe do të jenë shumë të papërballueshme!
Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA, Prishtinë 22prill 2020  

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura