Vlorë, 3 Maj 2020: Dardanët, Ilirët dhe epirotët
Nga të gjitha ato që kemi thënë, nuk diskutohet, që Epirotët, Ilirët, Maqedonasit dhe Dardanët, janë të një race, të prejardhur nga pellazgët; si dhe kanë folur një gjuhë, fillimisht gjuhën Trako-Iliro-Epirote, si trashëgimtare e pellazgjishtes, dhe me emërtimin e ri të përbashkët si popull shqiptar, në gjuhën shqipe.
Historianët, gjuhëtarët, arkeologët, akademikët shqiptarë zyrtarisht, siç e kemi thënë edhe më parë, origjinën e shqiptarëve e nxjerrin vetëm nga ilirët dhe gjuhën shqipe nga ilirishtja. Kur flasin për Dardanët, ata, jo vetëm u mohojnë origjinën pellazgjike, por i quajnë ilirë. Por ka mjaft autorë, të cilëve unë u referohem, që nuk e pranojnë këtë. Nga autorët shqiptarë, midis të tjerëve, për ilirët kanë botuar vepra të veçanta: Aleksandër Stipçeviç, Selim Islami, Shaban Demiraj, Myzafer Korkuti, Neritan Ceka, Nelson Çabej etj., të cilët, në vija të përgjithshme, mbrojnë origjinën ilire të shqiptarëve. Por në aspekte të veçanta, disa prej tyre, kundërshtojnë vetveten, ose më saktë, me pohimet e tyre, indirekt pranojnë origjinën pellazgjike të shqiptarëve. Kjo vihet re tek Aleksandër Stipçeviç, Selim Islami, Neritan Ceka etj.
Meqënëse arkeologu i shquar Neritan Ceka tek vepra e vet “Ilirët” u kushton një kapitull të rëndësishëm dardanëve, “Dardanët- Ilirët e parë dhe të fundit”, po i drejtohemi atij. Duke ju referuar Herodotit ai na thotë: “…Nga tokat e ilirëve, duke rrjedhur në drejtim të veriut, lumi Angri mbasi futet në tokat e tribalëve derdhet në lumin Brong, kurse Brongu në Istër”. Në vazhdim autori shpjegon, se lugina e lumit Angri, Morava jugore e sotme, përbën pjesën më verilindore të Dardanisë antike. Si rrjedhim, mbetet jashtë çdo dyshimi se dardanët e shekullit të V p.e.s konsideroheshin si një popullsi ilire. 1 Nuk diskutohet, dhe është jashtë çdo dyshimi, se vepra e Herodotit, është një nga veprat më të mëdha historike të antikitetit, por edhe me një vlerë të jashtëzakonshme deri në ditët e sotme. Por nuk përjashtohet mundësia që Herodoti, në ndonjë rast, nuk është dhe aq i saktë.
Më tej duke ju referuar Strabonit thotë: “….nga ana e Adriatikut janë fiset ilire, nga ana e Pontit fiset thrake; në kufi me Thesalinë është Rodopi, mal shumë i lartë pas Hemit, dhe nga ana tjetër, në veri viset ilire, d.m.th. vendi i autariatëve dhe dardanëve…” 2
Dakort. Por Historia Dardanët i ka njohur shumë më herët se Herodoti dhe Straboni. Për të flet e ashtuquajtura mitologji greke, që nuk është gjë tjetër veçse mitologjia pellazge. Terakota e gjetur në Kosovë me jashtëtokësorin, ose qënien e gjallë të ardhur nga yjet, flet për një kohë shumë më të lashtë, i japim pak nëqoftëse themi 10.000 vjet p.e.s. Kështu që shekulli i V dhe ai i II, apo i I p.e.s, duken sikur kanë ndodhur “sot”.
Dardanët përmënden si aleatë të trojanëve në Luftën e Trojës, me mbret, legjendarin Ene dardanidi, i cili para se të ndeshej me Akilin i thotë:
“…E n’daç të dish për fisin tim të ndritur çfarë nami ka, këtë e di mirë gjithë bota. Zeusi që vrejt e kthiell, së pari lindi prijsin Dardan, që themeloi dardanien, pse Ilioni i shenjtë, qytet i vdekëtarëve, në fushë të Trojës ngritur ende s’ishte, dhe njerzit rronin ndër lugina t’Idës me tokë të ujitur prej burimesh të shumta. Pastaj Dardani bëri Eriktonin… E shkroi edhe fati t’i shpëtojë vdekjes (Enea), mos t’i shuhet fara e i zhduket emri fisit të Dardanit, që Zeusi me shpirt e deshi mbi të gjithë djemtë, që me të pollën gratë e vdekëtarëve, dhe urren prej kohësh farën e Priamit. Fuqia e Eneut do të sundojë mbi Teukrët, e djalë pas djali do të mbretërojë në të ardhmen… Por Leka, burri i Elena flokbukurës, kundër Tididit vuri n’hark shigjetën, fshehur pas shtyllës s’varrit që trojanët ia ndreqën atit të lashtë Il Dardanit…”3
Pra Dardani, i biri i Zeusit, para se të ndërtohej Troja, ka ngritur kalanë e Iljonit, Akropoli i Trojës, ose të ill-jon-it, të yllit tonë. Është pikërisht ai Il ose Ill, apo Yll, që trojanët, në fushë të Trojës, i kanë ndërtuar varrin, si më të lashtit prej tyre.
Aleksandër Stipçeviç në veprën e vet “Ilirët” tregon shtrirjen e dardanëve: “…Në veri të fisit të Peonëve shtrihej fisi i madh i Dardanëve, të cilët në shek.V p.e.s. Për hapësirën në të cilën janë shtrirë, në bazë të asaj që kanë shkruar autorët antikë, kanë banuar gati në tërë Sërbinë e sotme jugore, në perëndim të Moravës, si dhe në një pjesë në në lindje të Moravës deri tek rrjedha e sipërme e lumit Pek (Pingus) dhe Timok (Timachus), në Maqedoninë veriore dhe ne Kosovë dhe Metohi…”4
Por paraprakisht do të merremi me dy çështje të ngjashme, atë të dardanëve dhe maqedonasve. Nëqoftëse maqedonasit e lashtë janë dalluar qartë nga ilirët, dardanët, madje dhe nga epirotët, dhe këtë nuk e diskuton askush; megjithëse ishte i njëjti popull me ta dhe fare mirë mund të quheshin edhe ilirë, ashtu si Straboni që i njëjtëson me epirotët. Kur vjen puna tek dardanët, shpesh herë këta ngatërohen me ilirët dhe quhen ilirë, dallimi është kaq i padukshëm, sa ata pothuajse nga historianët gjithmonë janë quajtur thjesht një popull ilir.
Louis Beonleu – 1877: “…Thesprotët e Epirit me kryeqytetin e tyre Dodonën, kanë qënë Pellazgë, ashtu si dhe banorët e Atikës dhe Argosit… Këta Pellazgë, të cilëve mund t’u bashkangjiteshin Tirrenët, Likianët, Kaukonët, Dardanianët etj…”5 Pra Luis Benlou dardanët ua bashkangjit popujve të tjerë pellazgë të Ballkanit, Azisë së Vogël dhe të gadishullit Apenin, pra nuk i quan ilirë, por pellazgë.
Historiani francez Zaharia Majani tek vepra e vet “Fundi i “misterit” Etrusk”, Maluan-1970, bën një dallim të qartë midis ilirëve, epirotëve, dardanëve dhe maqedonasve, duke mos i përfshirë dardanët tek Ilirët, por përbri tyre. Madje edhe Liburnët i vendos përballë ilirëve, pra nuk i quan ilirë.
“Ilirët ishin një popull proto-danubian… Në këtë familje ishin të integruar, në shkallë të ndryshme, përbri ilirëve, në kuptimin më të saktë, epirotët, maqedonët, thrakët, frigjianët, etruskët, venetët, liburnët, japigët, pisenianët, dardanët, trojanët, lidianët, kretasit pjesërisht, teukrët, filistinët, jebuzianët dhe të tjerë.”6
Një koncept të qartë lidhur me ndarjen midis Ilirisë dhe Dardanisë, apo Maqedonisë, nga ana tjetër, ka Zhan Klod Faveirial:
“Në shekullin e IV para Krishtit, historianët grekë quanin Iliri bregun lindor të Adriatikut… Në brendësi të tokës Iliria shtrihej deri te Sava në verilindje, dhe në lindje deri në degën e Drinas midis Bosnjes dhe Sërbisë. Mali Skardusi ndante më tej Ilirinë nga Maqedonia dhe Traka.”7
Pra, sipas Faveirialit kufijtë e Ilirisë janë deti Adriatik, Sava, Drinasi dhe mali i Sharrit. Përtej tyre nuk ka më Iliri. Ma do mendja se matanë Drinasit dhe malit të Sharrit është Dardania, e cila i bie që të mos jetë Iliri. Më qartë nuk ka. Me të drejtë mund të mendohet, se Faveiriali nuk ka informacionin e saktë, pasi nuk e njeh botën shqiptare ku shtrihet dhe luzmon kjo popullatë, rrjedhimisht, edhe përfundimi që shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë, nuk i përfshin në Iliri, ose më saktë nuk i quan ilirë vjen për shkak të mungesës së informacionit. Në të vërtetë, Faveiriali, si klerik katolik, ka jetuar për një periudhë të gjatë midis shqiptarëve të Maqedonisë; rrjedhimisht, përfundimet e tij nuk mund të jenë të gabuara. Ndërsa si studius, ai njeh shumë mirë historinë e lashtë dhe të re të popujve të Ballkanit dhe Apenineve, pa diskutim edhe të Francës, prej nga është vet.
Për t’i bindur për sa thamë lart shikojmë edhe një referencë tjetër të Faveirialit: “Nën Maurikun dhe Fokasin, avarët e gjetën më të leverdisëshme të dërgonin sllavët për të shkatërrur Ilirinë për llogari të tyre… Dhe atëhere e gjithë Iliria, Dardania, Myzia dhe Thraka, u përmbyt pëllëmbë për pëllëmbë dhe u mbulua nga një popullsi e re (bëhet fjalë për vitin 639)”.8 Qartazi, edhe një herë, Faveiriali e ndan Dardaninë dhe Myzinë nga Iliria.
Sami Frashëri, ashtu si Faveiriali, është i mendimit se matanë malit të Sharit nuk ka Iliri. Pra Dardania nuk është Iliri; madje Dardania dhe Misia, sipas Samiut, nuk përfshihen në Iliri: “Edhe viset e Manastirit hynin në Maqedoni, kurse trevat e Kosovës e të Shkupit njiheshin me emrat e veçantë Misia e Dardania dhe nuk përfshiheshin në Iliri, d.m.th si kufiri lindor i Ilirisë ishte Mali i Sharrit…”9 Pra edhe Sami Frashëri në mënyrë të prerë shqiptarët e Kosovës dhe ata të Maqedonisë (Misia) nuk i quan ilirë, përderisa edhe territorin që ata zenë me banim nuk e fut në Iliri.
Ndërsa tek vepra tjetër “Etruskët fillojnë të flasin”, Zaharia Majani i dallon qartë ‘ilirët e vërtetë’ nga epirotët dhe dardanët.
Ja se çfarë na thotë këtu:
“…ne kemi parasysh një embrion të kombit ilir. Ai ishte pjesë e një familje të madhe popujsh, të lidhur më tepër me njeri tjetrin më tepër nga një gjuhë me bazë të përbashkët, se sa prej ndonjë gjëje tjetër. Kësaj familje i bashkangjiteshin veç ilirëve të vërtetë, edhe epirotët, maqedonasit, thrakët, frigjët, etruskët… dardanët, lidianët, ndoshta edhe një pjesë e kretasve, teukrëve, filistinëve, jebusianëve dhe shumë të tjerë.
Kjo është arësyeja se përse do të ishte e parapëlqyeshme që kjo familje popujsh, historikisht aq e përzier, të emërtohej përmes një termi të përgjithshëm: Proto-Danubiane…”.10
E jashtëzakonshme, ky autor që në të gjithë veprën e vet prej rreth 550 faqesh flet vetëm për ilirët, duke i shtrirë ata në gadishullin Apenin, në Egje, në gadishullin e Azisë së Vogël, në bregdetin lindor të Mesdheut etj; këtu detyrohet të pohojë se përveç ilirëve të tij të dashur, paska edhe shumë popuj të tjerë me një gjuhë të përbashkët me ta, duke përmendur edhe Epirotët dhe Dardanët, veç Ilirëve. Pra është futur padashje brenda “gardhit” të temës tonë. Por ne nuk e lëshojmë më. Ai propozon edhe një emërtim të përgjithshëm për këtë familje të madhe popujsh, të cilët të quhen Proto-Danubianë. Por që të quhen pellazgë, nuk ja “nxe goja”. Në të vërtetë kjo familje e madhe popujsh, nuk është gjë tjetër veçse një familje pellazgjike, ose siç e quan Spiro Konda – Perandori Pellazgjike.
Në kontekstin e këtyre që u përmëndën më lart është e nevojshme të bëjmë një sqarim, i cili është shumë i rëndësishëm për çështjen në fjalë. Këtu nuk duhet të ngatërojmë faktin që shkenca jonë zyrtare njeh në mënyrë të prerë dhe kategorike origjinën e shqiptarëve dhe gjuhës shqipe vetëm nga ilirët dhe ilirishtja; me faktin, që mjaft autorë, kur i trajtojnë ilirët, i shikojnë si një popull me një shpërndarje të madhe në Azi dhe Europë, si një popull parahistorik që ka luzmuar në territore të gjëra, të cilët kanë një emër të përgjithshëm: Ilirë. Këtu emri është formal, pasi ata mund t’i quash ilirë, po aq sa mund t’i quash edhe pellazg.
Në këtë “kurth” ka rënë Zaharia Majani, për të cilin folëm më lart. Por edhe autorë të tjerë, të cilët, dashje pa dashje, ilirët i njëjtësojnë me pellazgët. Të tillë janë edhe Fon Hahni, Xhuzepe Katapano, Aleksandër Stipçeviq etj.
Po dardanët, a janë ilirë, apo nuk janë? Për mendimin tim, dardanët, ashtu si epirotët dhe paionët, nuk janë ilirë të mirëfilltë, ndonëse janë të barazvlefshëm dhe ndoshta vëllezër te ilirëve (për nga gjuha, kultura, traditat, zakonet), nuk janë ata vetë; por dallohen qartë prej tyre si një popull i madh pellazg, po aq sa ilirët. Ndërkohë, që ata vetë veten e tyre asnjëherë nuk e kanë quajtur ilirë, por dardanë dhe Shqiptarë. Madje deri në prag të shekullit të XIX ata e quanin veten dardanë dhe vendin e tyre Dardani. Ishin mëtuesit e këtyre trojeve, sërbët, që i quajtën kosovarë dhe vendin e tyre Kosovë, duke ju ndryshuar emrin e tyre mijëravjeçar. Sot sërbët në mëtimet e tyre në Perëndim për aneksimin e Kosovës, formalisht e nxjerrin si argument këtë emër me origjinë sllave. Dhe, kuptohet, në perëndim, jo të gjithë e njohin historinë tonë të lashtë dhe të re, madje nuk u intereson shumë që ta dinë (kur ka edhe shqiptarë që nuk e dinë dhe nuk ju intereson ta dinë, madje edhe akademikë), ata shikojnë “damkën” që na kanë vendosur në shpinë me hekurin e skuqur të pushtimit që nga koha e Stefan Dushanit: Kosova-Polje.
Studiusja serioze Fatbardha Demi me të drejtë ngul këmbë që emri Dardani ka ekzistuar për Shqipërinë verilindore deri në prag të shekullit të XIX. Dhe për këtë ajo mbështet në ato dokumente; të cilat, jo vetëm që janë autentikë, jo vetëm që janë tepër seriozë dhe mjaftueshëm të besueshëm, por janë edhe të pakundërshtueshëm; dokumentet kishtare.
“…ky objekt fetar (Manastiri i Deçanit) ndodhej në trevën e Dardanisë, emërtim i përdorur deri në shekullin e 19-të. Ky fakt bazohet mbi dokumentet shkrimore. Në regjistrin e vëndeve ku dërgoheshin për të kryer detyrën besimtare priftërinjtë e Dioqezës së Varshavës (Poloni), përmëndet se në vitin 1814, Francis Zambrzycki, që deri në atë kohë kishte shërbyer në Dardani, do të zëvëndësonte një prelat që kishte ndruar jetë…” 11
Pra kisha katolike, vetëkuptohet edhe Perëndimi, ruanin në kujtesën e tyre dhe vazhdonin të njihnin zyrtarisht ato emërtime që nga antikiteti që shprehnin plotësisht kombësinë e banorëve që gjallonin në atë krahinë. Kuptohet që emërtimet e pushtuesve sllavë, ose osmanë, nuk i njihnin.
***
Vazhdojmë më tej. Këtu, lidhur me atë që dardanët nuk mund të quhen ilirë, nxjerr një argument që besoj se nuk mund të kundërshtohet. Nëqoftëse Dardanët e Ballkanit janë ilirë, po Dardanët e Azisë së Vogël çfarë janë? Ose e shtruar ndryshe pyetja: Ilirët shtrihen vetëm ne Ballkan dhe Europë, apo edhe në Azi? Dhe, nëqoftëse ata shtrihen në dy kontintete, a nuk i japin ata emërtimit ilirë një kuptim shumë të gjerë dhe të përgjithshëm, baras me pellazgët. Më tej akoma, a mund t’i quajmë Dardanët legjendare të Luftës së Trojës-Ilirë?!
Kjo mund të bëhet vetëm në një rast, në rastin kur pellazgët i njëjtësojmë me ilirët, ashtu siç bën akademiku Xhuzepe Katapano në veprën e vet “Thot-i fliste shqip”:
“Kjo e dityra hyjneshë (MAT)
Është po e farës sonë arbëreshë
Çë me Thotin shkoi Misir
Ka Kaukazi, kur Ilir
Ynë llauzi po i nxir gjithë,
ka stera e bardhë e dëlirë
…………………………………..
Kështu llauzit tonë arbëror
I dhanë ëmërin parë hyjnor
Ari: “I Lir”, se për lirinë
sterës bardhë epër shpërblim
“Luftoi shumë e shumë bashkoi
Popuj të bardhë:me këta shpërbloi
Tërë Evropën;….”12
Pra, Xhuzepe Katapano i quan pellazgët-Ilirë, si përfaqësues të racës së bardhë dhe si origjinë të tyre nxjerr Kaukazin, pra ilirët i njëjtëson me pellazgët.
Aleksandër Stipçeviq në veprën e vet “Ilirët” na thotë:
“…objekti prej argjili të pjekur ku paraqitet gjarpëri i mbështjellë kutullaç i gjetur në Tjerrtoren e Prishtinës që i përket neolitit të vonë… Një figurinë shumë të rëndësishme analoge me këtë (të Prishtinës) e gjejmë në Mikenë… figura gjarpërinjsh prej dheu të pjekur të mbështjellë lëmsh… që i takojnë mbarimit të shekullit të XIII p.e.s, shumë më i vonshëm se ai i gjetur në Tjerrtoren e Prishtinës. Nuk mund të ketë kurrfarë dyshimi që domethënia e kultit është identike, d.m.th, se paraqet mbrojtësin e vatrës familjare… dhe se është personifikimi i shpirtit të të ndjerit, kryetarit të fisit…”13.
Mjaft interesant ky kult pellazgjik në Prishtinë është shumë më i hershëm se i njëjti kult në Mikenë. Pra më parë se në shekullin e XIII p.e.s, si rrjedhojë mund të ketë qënë shekulli i XV, ndoshta i XVII, apo edhe i XX p.e.s. Kur mikenasit shkenca e saktë e historisë i njeh për pellazgë; po Dardanët atëhëhere çfarë janë?! Nuk janë pellazgë!!
Meqënëse jemi tek këto gjetje arkeologjike më lejoni të përmend figurinat antropomorfe me veshje austronatësh, apo alienësh, që janë gjetur në Kosovë. Po u bëj një pyetje të thjeshtë arkeologëve: Kujt periudhe historike i përkasin dhe çfarë moshe kanë? Ose ndryshe, mesazhi që duan të na japin, kujt periudhe historike i takon? Po flas me hamendje, dhjetë, apo dymbëdhjetëmijë vjeçare. Pra janë të stërlashta dhe i takojnë periudhës kur toka e jonë ishte në komunikim me jashtëtokësorët, apo hyjnitë, të cilët siç thuhet krijuan jetën në tokë, atë që feja e krishterë e quan zoti, por që nuk është zoti, por që janë zotat prej mishi dhe gjaku si ne. Jo më kot feja thotë, se zoti e krijoi njeriun si shëmbëlltyrën e vet. Pra këta të ardhur nga yjet (i ashtuquajturi zot i fesë së krishterë) krijuan njeriun në tokë si shëmbëlltyrën e tyre. Dhe këta zota janë ata që janë gjetur në terakotat në Kosovë.
Sjellim në vëmëndje ato fakte, që studiusja serioze e çështjeve pellazgjike Fatbardha Demi, na i parashtron me thjeshtësi dhe vërtetësi: Figurat “Aliene” në afreskun e altarit të Manastiri të Deçanit; simbolikat e diellit dhe të hënës në “mjetet fluturuese kozmike”, si dhe “fluturimet kozmike” të këtyre mjeteve drejt qiellit dhe yllësive, kryqi i dyfishtë, trinia e shenjtë, etj.
“…Tek porta e Manastirit të Deçanit shikojmë dy simbole të kryqit brënda rrethit. Origjina e tyre është gjithashtu nga besimi hënor pellazg. Në tumulën e Rogovës në Kosovë, që sipas studiuesve i përket periudhës së bronzit të mesëm (1800-1500 p.e.s.) dallohet i njejti simbol… Madje i njëjti simbol dallohet edhe në mozaikun e Mesaplikut (fshat në Vlorë)…” 14
***
Vazhdojmë me temën. Ka edhe shumë shenja, simbolika të gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike në Kosovë, që gabimisht quhen ilirë, ndërkohë që janë pellazge. Studiusi i shquar Aleksandër Stipçeviq në veprën e vet “Ilirët” trajton simbolika të shumta të gjetura në mbarë trevat që përfshihen në emërtimin gjenerik ilir. Mendoj, që këto simbolika, në pjesën më të madhe të tyre, janë simbolika pellazge, por që Stipçeviq gabimisht i quan ilire të lashta, ose të stërlashta.
Një nga këto simbolika që trajton Stipçeviq janë rrathët koncetrik, të cilët i përmëndëm më lart. Ja se çfarë na thotë ai: “Nga simbolet e vjetra, mund të përmendim-rrathët koncetrikë-motiv i stërlashtë dhe ndoshta simboli më i shpeshtë në sistemin parahistorik te të gjithë ilirët… Ky simbol do ta ruajë gjallërinë dhe domethënien e vet deri në antikitetin e vonë. Kronologjikisht mesjetës së hershme, i takon edhe përmendorja prej guri nga Gala në Sinji, në të cilin është gravuar kryqi, kurse anash dhe nën të gjënden shtatë rrathë koncetrike në qëndër të të cilit paraqitet përsëri motivi i kryqit. Kjo përmendore, në mënyrë të pakontestueshme, flet për vitalitetin me të cilin popullsia autoktone e ka ruajtur këtë simbol të lashtë gjatë tërë sundimit romak”. 15
VIJON …
__________________
BESNIK Z.IMERI: DARDANIA PELLAZGE (1)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=9992
***
BESNIK Z.IMERI: DARDANIA PELLAZGE (2)
https://pashtriku.org/?kat=45&shkrimi=9993