PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË – MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ÇËSHTJES KOMBËTARE (III)

Pashtriku, 19 Maj 2020: Ne zhvilluam luftë për çlirim e bashkim dhe jo për ideologji
Fillimi i shtypit klandestin në Kosovë
Në kontekstin historik të viteve shtatëdhjetë të synoje përveç bashkimit kombëtar edhe përmbysjen e një sistemi të konsoliduar në Shqipëri, do të ishte veprim pretencioz dhe potencialisht i rrezikshëm, sepse mund ta destabilizonte kombin, duke hapur dyert intervenimit të huaj. Le të kujtojmë që pikërisht në këtë kohë kreu i Bashkimit Sovjetik i kishte kërkuar Josip Broz Titos të lejonte marshimin e trupave të tyre ushtarake nëpër Jugosllavi për ta pushtuar Shqipërinë. Sigurisht që përjashtohej edhe mundësia e një Shqipërie të bashkuar, por me dy sisteme të ndryshme ideologjike dhe politike, një të Shqipërisë dhe një tjetër të Kosovës!

Jugosllavia dhe udhëheqja e saj, gjithë sistemi politik e shoqëror hiqeshin si të majtë dhe komunistë, por shqiptarëve ua mohonin të drejtat elementare demokratike, socialiste e kombëtare. Shikoni aktakuzat e veprimtarëve marksistë-leninistë të dënuar, në mënyrë të veçantë të atyre të viteve tetëdhjetë; të gjithë janë shpallur kundërrevolucionarë në shërbim të reaksionit perëndimor! Cili veprimtar shqiptar kokëkrisur do të besonte se duke luftuar për ideologjinë, (cilado qoftë ajo, e majtë apo e djathtë), do të çlirohej Kosova nga pushtimi dhe robëria?

Kadri Osmani me bashkveprimtaren Shukrije Osmani

Materialet e shkruara të GRK-OMLK, në shumicë (ato që kanë shpëtuar) tashmë janë botuar në librin “Nga Grupi Revolucionar te Fronti i Republikës”, por ndodhen edhe në arkiva, prandaj kur të studiohen seriozisht, mund të shihet çartë cili ishte objektivi historik, ylli polar i kësaj organizate. Përpjekjet denigruese që bëhen kundër saj për majtizmin, ani nga do ish-komunistë e kolaboracionistë titist, nuk i lë era të zënë vend.
Të përfundoj në këtë temë: Çlirimi i viseve shqiptare nën okupimin serb e jugosllav ishte qëllimi, motivi, ideali dhe programi i organizimit tonë. Përmbajtja e gjithë veprimtarisë së GRK-OMLK ishte çlirimi dhe bashkimi kombëtar, kurse pikëpamjet ideologjike ishin forma.
Pashtriku: Më 1 shkurt 1974, doli numri i parë i Organit të GRK, ”Zëri i Kosovës”. Cili ishte roli i “Zërit të Kosovës”, ndikimi dhe krijimi i opinionit publik…?
Hajrizi:
Mbase do evidentuar këtu faktin që GRK e filloi praktikën e shtypit klandestin në Lëvizjen e re Kombëtare Shqiptare. Organi i shtypit “Zëri i Kosovës“, doli më 1 shkurt të vitit 1974. Dy numrat e parë dhe i treti gjysmë i djegur u kapën nga policia gjatë arrestimeve të disa veprimtarëve, (përfshirë edhe shumicën e anëtarëve të Komitetit Drejtues), në maj të vitit 1974. Pastaj vazhduan edhe disa numra të tjerë diku deri më 1976, kur organi u riemërtua „Pararoja.“ Ky ndryshim i emrit, jo vetëm i organit të shtypit, por edhe i organizatës, u bë më shumë për të shkëputur lidhjet e para vitit 1974 dhe 1975, kur u burgosën shumë veprimtarë të GRK-së. Qëllimi ishte të pamundësohej shtrirja e hetimeve policore deri në këto vite në rast arrestimesh të mëvonshme.
Organi i mirënjohur i shtypit, “Liria”, i kësaj organizate filloi të botohej në tetor të vitit 1980, për të vazhduar deri në vitin 1982. “Liria” botohej në mijëra ekzemplarë dhe shpërndahej në të gjitha viset shqiptare nën Jugosllavi e në mërgatë.
Pjesë e shtypit klandestin ishin edhe traktet e shumta politike të kësaj organizate, që u përgjigjeshin flakë për flakë zhvillimeve të aktualitetit kosovar dhe të viseve tjera shqiptare nën Jugosllavi, pastaj botimet e veçanta, si „Këngët e lirisë“, programet politike, përmbledhja “Materiale” etj.
Shtypi klandestin ishte në funksion të demaskimit të politikave pushtuese dhe shfrytëzuese, në funksion të përhapjes së idesë së lirisë dhe të ndërgjegjësimit të qytetarëve për të rezistuar kundër atyre politikave. Duke qenë embrioni i shtypit dhe fjalës së lirë të Kosovës së ardhshme, ky shtyp bënte informimin objektiv, profesional dhe të guximshëm për qytetarët tanë, por edhe për qarqet e jashtme politike. Përveç kontakteve të drejtpërdrejta të veprimtarëve me qytetarët, shtypi klandestin përbënte mjetin shumë të rëndësishëm të organizatës sonë për komunikimin me publikun. Nëpërmjet të shtypit tonë përpiqeshim gjithashtu të mbronim edhe vlerat e identitetit shqiptar dhe t’i kultivonim ato në kushtet e sulmeve frontale që bënte armiku kundër tyre. Ai i referohej traditës luftarake e çlirimtare të shqiptarëve dhe edukonte atdhedashurinë, sidomos te brezat e rinj. Rëndësinë e këtij shtypi e dëshmon edhe fakti që regjimi pushtues i ndiqte dhe i dënonte të gjithë ata që e lexonin, apo që u gjendej ndonjë shkrim i tillë. Ka shumë njerëz të dënuar me vite burgim, vetëm pse u është gjetur organi „Liria“.

OMLK, në rrugë drejt lirisë…
Pashtriku: Më 1974-1975, regjimi jugosllav/serb ndërmori aksione kundër Lëvizjes Kombëtare, duke arrestuar dhe burgosur një numër të konsideruar të udhëheqësve të GRK-së. Pastaj Komiteti Drejtues i kësaj organizate, mori vendim që kjo të riemërtohej Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës (OMLK). Cilat ishin arsyet politike të kalimit, shndërrimit të Grupit Revolucionar të Kosovës / Grupit Marksist-Leninist në Organizatë Marksiste-Leniniste të Kosovës? Kush ishin udhëheqësit dhe cila ishte platforma politike, kombëtare?
Hajrizi:
Duke pasur parasysh gjurmimin dhe ndjekjet e vazhdueshme policore, organizata e ndërronte emrin, sepse veprimtaria e saj qe mjaft e gjatë, më e gjata në historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare deri atëherë. Arsyet pra, nuk ishin aq politike, por të sigurisë dhe të mbijetesës, arsye policore. Kjo organizatë e re dhe akoma e pakonsoliduar mirë, u godit në kokë më 1974, por qëndroi në këmbë, pa u rrëzuar, duke dëshmuar, po ashtu për herë të parë se në binarët e konspiracionit dhe disiplinës, ajo mund të mbijetonte dhe të vazhdonte veprimtarinë edhe kur një pjesë e saj përfundon në duar të një sigurimi shtetëror, ndër më të perfeksionuarit në botë, siç ishte UDB. Vetëm një vit më vonë, më 1975, organizata përsëri u dëmtua në numër akoma më të madh të veprimtarëve, por nuk u zbulua e tëra, prandaj ripërtëriu radhët dhe u forcua edhe më shumë organizativisht. Brenda saj tashmë kishte veprimtarë me përvojë të gjatë dhe profesionistë të punës që bënin. Anëtarësia e saj arriti shpejt në disa qindra militantë me vullnet të fortë, me guxim dhe dije, të vendosur dhe gjithnjë më të kujdesshëm t’i shmangeshin ndjekjeve policore.
Që të mos tërhiqte vëmendjen e politikës zyrtare dhe të policisë, organizata kurrë nuk e pagëzonte veten me emra pretenciozë e megalomanë, megjithatë, së fundi nga emërtimi modest “Grup” u quajt “Organizatë”, duke e ruajtur gjithnjë epitetin “Marksiste-Leniniste”, si më parë: Organizata Marksiste-Leniniste e Kosovës (OMLK).
Platforma politike dhe kombëtare e OMLK-së është në Programin e saj, “Në rrugë drejt lirisë”, në të cilin thuhet: “Aspiratat e popullit tonë për liri e bashkim kombëtar, armiqtë revizionistë e tradhtarët nuk kanë mundë t’i mbysin dhe nuk do të mund të bëjnë kurrë një gjë të tillë. Populli ynë ka luftuar, lufton dhe është i vendosur të luftojë gjer në realizimin e plotë të këtyre aspiratave.” Më vonë (1981) kjo organizatë hartoi edhe programin për bashkimin e të gjitha subjekteve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në Frontin Popullor për Republikën e Kosovës (FPRK).
Më 1982 organizata bashkohet me simotra të tjera, duke formuar Lëvizjen për Republikën Shqiptare në Jugosllavi.
– VIJON –
________________________
PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË – MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I ÒªËSHTJES KOMBËTARE (II)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10040

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura