Pashtriku, 29 Maj 2020: Rivendosja e kontakteve me shokët e “LNÇKVSHJ-së”
Në fillim të Dhjetorit 1981, Xhafer Durmishi kishte ardhur nga Gjermania dhe ishte takuar me Asllan Muharremin. Ai kishte njoftuar së gjatë kohës së qëndrimit të tij në Gjermani kishte rënë në kontakt me shokët, se kishte biseduar dhe për Asllanin dhe se, para shokëve e kishte prezantuar si shok të krahut të Ramadan Pllanës. Qëllimi i ardhjes së tij në Kosovë ishte rivendosja e kontakteve me shokët e Lëvizjes dhe të bënte punën parapërgatitore për sjelljen dhe shpërndarjen e organit “Zëri i Kosovës” në Kosovë. Me këtë rast i kishte propozuar Asllanit që t’i bashkohej “LNÇKVSHJ-së”.
Lidhur me këtë, mua më ka njoftuar Asllani dy-tre ditë më vonë. Qëndrimi ynë ka qenë që të lidheshim dhe të bashkëpunonim pa asnjë rezervë sepse Xhaferi ishte anëtar i LNÇKVSHJ-së dhe shok i besueshëm i Asllanit dhe i Sheremet e Ismet Saraqit. Aq ma tepër neve na gëzoi fakti se ne sërish e gjetëm lidhjen me organizatën tonë, të cilën po e kërkonim si dritën. Po ashtu ato ditë Asllani me pseudonimin “Aliu” me përpjekje të mëdha e ka marrë lidhjen dhe ka këmbyer disa fjalë me Jusuf Gërvallën për ta njoftuar se “Skënderi” (Xh.Durmishi) ishte mirë, pastaj se duhej të realizohej udhëtimi ynë për në Bled të Sllovenisë për të marrë një sasi të shtypit tonë të fshehtë, që botohej jashtë atdheut; mirëpo kjo detyrë nuk u realizua për shkak të burgosjes së disa shokëve që kishin udhëtuar për në Jugosllavi. Në mbrëmjen e 17 Dhjetorit 1981, RTSH komunikoi lajmin e vetëvrasjes së Mehmet Shehut! Kjo ishte një goditje e rëndë për ne, sepse tani më shumë se kurrë na duhej një Shqipëri e qëndrueshme, prandaj na kaploi një dëshpërim i madh, sepse, si do që të kishte ndodhur, një akt i tillë në momentet që po kalonte Kosova, ishte ma shumë se e dëmshme për të gjithë shqiptarët, kudo që ishin.
Xhafer Durmishi
Ftesa për në të ashtuquajturën Armata Popullore e Jugosllavisë
Më 7 Janar 1982 isha i obliguar që të shkoja në të ashtuquajturën APJ për të kryer shërbimin ushtarak! Më kishin caktuar që të shërbeja në qytetin e Somborit, një qendër e madhe e aviacionit dhe e rekrutimit në Krahinën Autonome të Vojvodinës! Unë po shërbeja në një njësi të këmbësorisë të kësaj zone ushtarake të APJ-së. Nuk ishte e vështirë që të vëreja, se isha nën vëzhgim të rreptë nga shërbimi i sigurimit ushtarak serb (KOS). E gjitha po bëhej duke angazhuar ushtarë të rinj (me ose pa dëshirë) për të më vëzhguar në çdo hap!
Atentati ndaj Kadri Zekës Bardhosh e Jusuf Gërvalla
Gjatë kësaj kohe, sikur nuk mjaftoi lajmi i zi i vetëvrasjes së Mehmet Shehut, me 17 Janar të vitit 1982, morëm dhe një lajm tjetër dhe më të rëndë, për vrasjen e vëllezërve Bardhosh e Jusuf Gërvalla dhe Kadri Zekës, të cilët ishin duke e kurorëzuar bashkimin e organizatave atdhetare, sipas porosisë së udhëheqësit dhe vizionarit të kombit Metush Krasniqi, bashkim i cili po i trembëte më së shumti armiqtë serbë e sllavë të tjerë, bashkim i cili dhe u bë në vitin 1982, kur këto subjekte u shkrinë në LPRK. Shërbimin e detyruar ushtarak e kam kaluar shumë keq dhe në një gjendje tepër të rënduar tepër se sa burgun. Isha i vëzhguar në çdo hap. Angazhonin persona të caktuar, më merrnin në biseda informative në orët e vona të natës, më kërcënonin madje edhe me revole etj etj.
“Vizita” e oficerit të sigurimit në dhomën e njësitit tonë
Në një nga ditët e shërbimit në Batajnicë, pas ceremonisë ushtarake të mëngjesit, në dhomën tonë të fjetjes na shoqëroi edhe një oficer i shërbimit sekret me kompani. Po sa hyri te dera, na vështroi të gjithëve dhe më në fund shikimin e ndali te ushtari V.F. nga komuna e Vushtrrisë, të cilin e kishin transferuar enkas në njësinë tonë dhe të cilin ditë më parë e kishim parë (unë dhe S.K. nga Peja) duke ngrënë mana pikërisht me këtë oficer të sigurimit, diku në oborret e kompleksit ushtarak të Batajnicës. Pa u vonuar shumë oficeri i shërbimit të sigurimit (Major) e urdhëroi mu këtë ushtar që të hapte kasetat për kontroll?!… Bëri sikur kontrollonte ashpër dhe i mori ca libra të “studentit” ushtar, i cili kinse po studionte dhe doli nga dhoma. Ndërsa V.F. u bë sikur u acarua tej mase sepse dikush e paskësh spiunuar dhe se ai do ia tregonte vendin?! Isha shumë i sigurt që kjo ishte inskenuar me qëllim të ngritjes së besimit tim ndaj tij, sepse unë nuk po e honepsja fare. Gjatë pushimit (fshehurazi) jam takuar me shokët dhe kemi diskutuar për gjendjen aktuale politike e organizative, për aktivitetet dhe aksionet që ishin realizuar etj. Me këtë rast e kemi diskutuar dhe e kemi analizuar edhe pozicionin tim mjaft të ndërlikuar në APJ, përcjelljet, provokimet, marrjen në biseda informative etj. Gjithashtu e kemi diskutuar dhe mundësinë e një montimi si alibi për burgosjen time! E mbarova pushimin dhe u ktheva përsëri në Batajnicë për të mbaruar dhe pjesën e mbetur të shërbimit ushtarak. Megjithatë, unë e mbarova shërbimin ushtarak jugosllav dhe u ktheva përsëri në familje dhe te shokët në aktivitete të fshehta kombëtare.
Ne nuk kishim pasaporta për të udhëtuar jashtë vendit
Nga ana tjetër që nga janari i vitit 1982, pas kthimit të Xhafer Durmishit në Gjermani, ishin shkëputur lidhjet tona me Organizatën. Ne kishim nevojë të madhe për kontakte, mirëpo unë dhe Ferkiu nuk kishim, dhe as kishim gjasa që të merrnim dokumente udhëtimi. Ndërsa Asllani kishte provuar që ta merrte, por nuk iu lejua, dukej qartë se tashmë edhe ai kishte hyrë në listat e zeza të shërbimit sekret.
Sigurimi i makinës së shkrimit
Në një takim, Asllani na ka njoftuar, mua dhe Ferkiun, se i ishte ofruar mundësia që të merrte një makinë shkrimi, dhe se ajo makinë paska qenë e shokëve të Gani Sylës, veprimtarit të njohur të OMLK-së, që ishte i dënuar së bashku me Hydajet Hysenin, Berat Luzhën, Mehmet Hajrizin me shokë. Ne u pajtuam që lidhja të na e sillte makinën e shkrimit, këtej Qyqavicës, sa më shpejtë që të jetë e mundur! Pas dy javësh makinën e kishin prurë. Asllani e kishte fshehur diku në një shtëpi të pabanuar në fshatin e tij. Kishte kohë që e kishim një ekzemplar të numrit të parë të “Zërit të Kosovës,” të cilin po e shpërndanim dorë me dorë. Numri i parë i “Zëri i Kosovës”, i nëntorit 1981, përmbante dhe “Tetë kërkesat e parevokueshme të LNÇKVSHJ-së”, të cilat njëherazi ishin dhe kërkesa programore të organizatës tonë. Duke i konsideruar “Tetë kërkesat e parevokueshme…” si busull kah duhej ta zhvillonim veprimtarinë tonë, gjatë një takimi me Asllanin dhe Ferkiun u pajtuam që t’i shumëzojmë dhe shpërndajmë si trakt.
Ne u pajtuam që kjo të ishte përmbajtja e traktit me “Tetë kërkesat e parevokueshme:
Në mbrojtje të vullnetit sa e sa herë ndrydhur e të nëpërkëmbur të popullit shqiptar në Jugosllavi, ne, një pjesë e pararojës patriotike të shqiptarëve të robëruar, që jemi organizuar në gji të Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera Shqiptare në Jugosllavi, dolëm para popullit tonë, para opinionin jugosllav dhe atij botëror me këto kërkesa minimale të parevokueshme:
1) Pa iu njohur Kosovës statusi i Republikës në kuadër të federatës jugosllave;
2) Pa iu njohur shqiptarëve në Jugosllavi statusi i kombit dhe, rrjedhimisht, e drejta demokratike e leniniste deri në shkëputje;
3) Pa u marrë menjëherë masat konkrete të të gjithë bashkësisë jugosllave që ritmi i zhvillimit të Kosovës të shpejtohet së paku në shkallën e parashikuar dhe të premtuar nga Federata, do të thotë 60 për qind mbi mesataren jugosllave;
4) Pa u marrë masa të menjëhershme kundër papunësisë tepër të madhe në viset shqiptare, që në afatin sa më të shpejtë të inkuadrohet krahu i lirë (ekzistues) i punës dhe të tërhiqen punonjësit tanë të shkapërderdhur në Perëndim dhe nëpër republikat e zhvilluara të Jugosllavisë;
5) Pa shpalljen e amnistisë së përgjithshme, me të cilën do të liroheshin menjëherë dhe pa kusht të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë, që vuajnë dënime të rënda nëpër burgjet jugosllave;
6) Pa marrë nga populli dënimin e merituar të gjithë ata udhëheqës politiko-shoqërorë, publicistë e njerëz të tjerë, qofshin nga Kosova ose nga republikat e Jugosllavisë, që janë implikuar në një mënyrë a në një tjetër në tragjedinë më të re të Kosovës, në fushatën e tërbuar antishqiptare të serbomëdhenjve, duke i shkaktuar popullit tonë plagë të reja dhe duke ndërsyer kundër tij popujt jugosllavë, të nxitur nga propaganda;
7) Pa formimin e një komisioni të posaçëm, që do të studiojë me themel dhe në hollësi aksionet shtetërore jugosllave për shpërnguljen e shqiptarëve, para e pas lufte, gjë që kuptohet edhe publikimin e dokumenteve të fshehta shtetërore (të vjetra e të reja), që kanë të bëjnë me aksionin në fjalë; pa marrë dënimet e merituara të gjithë aktorët e gjallë (Çubrilloviçi me shokë) dhe të vdekur (Andriçi, Vukotiçi etj.) të këtij akti barbar të gjenocidit; pa iu marrë e drejta qytetare publike të gjithë atyre letrarëve (Duçiçi, Laliçi, Çosiçi, Bulatoviçi), kuazishkencore (Gjorgjeviçi, Cvijiçi etj.) e publicistike, në të cilat pasqyrohet përçmimi kombëtar e synimet antishqiptare, dhe mbi to të vihet embargo e përhershme jo vetëm në Kosovë po në mbarë Jugosllavinë;
8) Pa u rivendosur e pa u zhvilluar më tej marrëdhëniet e filluara kohë më parë mes popullit shqiptar (dhe popujve të tjerë) në Jugosllavi me shtetin dhe me popullin shqiptar në RPS të Shqipërisë, të ndërprera në mënyrë të njëanshme arbitrare e me qëllime thellësisht antishqiptare.
Vdekje Fashizmit-Liri Popullit!
Komiteti Qendror i lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Viseve tjera në Jugosllavi”
Shtypja dhe shumëzimi i pamfleteve dhe materialeve të ndryshme
Asllani me Ferkiun, gjatë një takimi që kishin pasur së bashku, kishin vendosur dhe kishin blerë letër të makinës së shkrimit, fletët për shumëzim dhe materialin e nevojshëm për makinën e shkrimit. Gjithë punën e kishin kryer në shtëpinë e pa pabanuar të gjyshit të Bedri Selmanit, i cili ua kishte siguruar çelësin e kësaj shtëpie në fshatin Cërnushë të Shalës së Bajgorës. Për shkaqe sigurie i gjithë udhëtimi dhe materiali ishte bartur duke udhëtuar natën dhe në këmbë, në kushte të ftohta dimri dhe pa ngrohje. Aty kanë punuar për tre ditë, sepse këta nuk ishin profesionist, dhe se mundësitë teknike të makinës nuk lejonin që të shtypen më tepër se 4-5 kopje për çdo fletë të shkruar, pastaj dhe pamundësia e korrigjimit të gabimeve teknike pa e prishur letrën. Prandaj me mundim të madh i kanë shumëzuar 80 kopje të këtij teksti. Të nesërmen kanë filluar shpërndarjen e “Tetë kërkesave të parevokueshme të Lëvizjes. Disa kopje janë shpërndarë nëpër shokë. Duke e shfytëzuar kohën e pauzës në Amfiteatrin e Madh të Fakultetit Ekonomik i kanë shpërndarë rreth tridhjetë ekzemplarë duke i futur shpejtë e shpejtë nëpër librat e studentëve që i kishin lënë mbi banka. Disa të tjera i kanë shpërndarë nëpër shtëpi (nën dyer të oborrit) në Vushtrri dhe në disa fshatra përreth.
Disa ditë më vonë jemi takuar për t’u konsultuar dhe kemi vendosur që makinën e shkrimit ta mbështjellim mirë dhe ta fshehim në një vend të sigurt. Makina është vendosur nga Ferkiu e Asllani në një gropë afër një ure, në fushën mes Vushtrrisë, stacionit hekurudhor të Vushtrrisë dhe rrugës për Dubovc dhe Galicë.
Udhëtimi i Sheremet Saraqit për në Turqi
Gjatë një vizite të Asllsanit te Sheremet Saraçi, ai është informuar se Sheremeti do të udhëtonte për në Turqi. Me atë rast ata të dy kanë biseduar dhe janë pajtuar se për cilat çështje duhet të bisedoheshin në takimet me shokët në Turqi. Me këtë rast ne shpresonim se në këtë udhëtim do t’i rivendosnim lidhjet tona me Lëvizjen, sepse Sheremeti e njihte gjendjen e krahut tonë të Lëvizjes atje, prandaj na mbante shpresa se, ai nga takimi me ndonjë nga udhëheqësit tanë jashtë Kosovës do të kthehej me ndonjë direktivë, këshillë a udhëzim lidhur me punën tonë të mëtutjeshme. Pas një jave Asllani është takuar me Sheremetin i cili ishte kthyer nga Turqia. Ai e kishte njoftuar Asllanin se rrugës kishte kaluar mirë, dhe se shokun e Lëvizjes e kishte njoftuar për gjendjen e punëve në rrethin tonë. Mirëpo, gjatë bisedës, Sabri Novosella, ndër të tjera e paskësh provokuar me: “përse Sheremet Saraqi nuk po binte në burg, ndonëse ai ishte anëtar i LNÇKVSHJ-së që nga themelimi i saj”?!, dhe se Sheremeti ishte zemëruar tepër shumë dhe ishte grindur keq me Sabriun për këtë çështje prandaj i paskësh thënë: ”sytë e mi me sytë tuaj mos u pjekshin! ” Prandaj rasti mes Sabriut dhe Sheremet Saraqit na shqetësoi shumë. Në atë rast, Sheremeti e kishte njoftuar Asllanin dhe për përpjekjet që ishin bërë për bashkimin e LNÇKVSHJ-së dhe OMLK-së, e më herët dhe ato në mes LNÇKVSHJ-së, dhe PKMLSHJ-s, më vonë, për problemet që ishin shfaqur gjatë përpjekjeve për bashkimin e të gjitha forcave patriotike e revolucionare, që nga vrasja e Jusuf Gërvallës, Kadri Zekës dhe Bardhosh Gërvallës më 17 Janar 1982 në Untergruppenbach të Gjermanisë.
Sheremet Saraçi ia kishte dhënë Asllanit një pako të zbrazët cigaresh, si dhuratë për “Aliun” nga Sabri Novosella, por ai e paskësh pirë gjatë rrugës për shkak të zemërimit të madh! Çështjen e udhëtimit të Sheremet Saraçit për në Turqi dhe shqetësimet e krijuara pas kthimit të tij e kemi diskutuar së bashku me Asllanin dhe Ferkiun. Lajmin që na dha Asllani, lidhur me këtë rast na shkaktoi shqetësime. Prandaj vendosëm që ta dërgonim një shok tjetër për në Turqi, për të sqaruar deri në fund këtë problem kaq të panevojshëm që na kishte dalë.
Rexhep Ahmeti
Udhëtimi i Rexhep Ahmetit për në Turqi
Në fund të Nëntorit të vitit 1982, me qëllim të sqarimit të problemit në mes Sheremet Saraçit dhe Sabri Novosellës, Rexhep Ahmeti vendosi për të udhëtuar në Turqi. Meqenëse Rexha po udhëtonte për në Turqi, atëherë Asllani do t’ia jap me vete edhe disa materiale për “Zërin e Kosovës”. Këto materiale Rexha do t’i fuste në astarin e palltos së tij që do ta qepte para se të nisej. Problemi në mes Sheremet Saraçit dhe Sabri Novosellës, Rexhës i është prezantuar si një problem në mes dy shokëve, pa cekur emrat e tyre. Ai do ta pyeste Sabri Novosellën për shokun, i cili më herët kishte udhëtuar jashtë vendit dhe problemet që ishin shfaqur gjatë takimit me te. Në fillim të dhjetorit 1982, Asllani takohet me Rexhën që sapo ishte kthyer nga Turqia. Rexha takimin me Sabri Novosellën e ka prezantuar kështu:
“Në Turqi kalova mirë. Lidhur me shokun, Sabri Novosella më tha se: “duhet ta vazhdoni punën, sepse ai ka dhënë kontribut të madh në çështjen tonë kombëtare. Organin e Lëvizjes nuk ua kemi dërguar sepse kemi pasur frikë se po ju rrezikojmë. Gjatë takimit kam krijuar përshtypjen se ne dhe Sabri Novosella kemi botëkuptime të ndryshme për jetën dhe shoqërinë, por tani për tani, kjo çështje, mendoj se nuk ka rëndësi, sepse e kemi të përbashkët luftën për liri. Sabriu më njoftoi se jeni i propozuar anëtar i KQ të LNÇKVSHJ-së. « Urime ! »! Dy-tre ditë më vonë jemi takuar me Asllanin i cili më ka njoftuar lidhur me propozimin e Sabriut për Asllanin. U gëzuam shumë që u sqarua çështja e “grindjes” në mes Sheremetit dhe Sabriut.
VIJON …
________________________
XHEMAJL PLLANA: VEPRIMTARIA IME KOMBËTARE NË KUADËR TË LNÇKBVSHJ-së DHE LPRK & LPK-së (4)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10088
I see You’re truly a good webmaster. This web site loading
velocity is incredible. It sort of feels that you are doing any distinctive trick.
Also, the contents are masterpiece. you’ve done a wonderful activity in this
matter! Similar here: dobry sklep and
also here: Sklep online
Hey! Do you know if they make any plugins to help with Search Engine Optimization? I’m trying to get my blog
to rank for some targeted keywords but I’m not seeing very good results.
If you know of any please share. Thanks! You can read
similar article here: Sklep online
Good day! Do you know if they make any plugins to help with Search Engine Optimization? I’m
trying to get my site to rank for some targeted keywords but I’m not seeing very good gains.
If you know of any please share. Many thanks! I saw similar
text here: Hitman.agency