Pashtriku, 29 Maj 2020: Pas rënies së dëshmorëve të demonstratave më 1981, Naser Hajrizi e Asllan Pireva, organizatorë dhe militantë të Lëvizjes Kombëtare, Xhelal Maliqi e Salih Abazi (në Prishtinë, më 2 prill 1981), Salih Mulaku (Zeka) e Ruzhdi Hyseni (Vushtrri, më 3 prill 1981), Rizah Matoshi e Sherif Frangu (Ferizaj, më 3 prill 1981), qëndresës epike të Tahir e Nebih Mehës në Prekaz, më 13 maj 1981, vrasjes së të riut, Nesimi Dervishdana nga ushtarakët jugosllavë, në Gjakovë më 26 korrik 1981, mbytjes në burg të të rinjve Ibrahim Krasniqi e Afrim Abazi etj., në vitet vijuese shembullin e tyre të sakrificës e ndoqën udhëheqës të shquar të Lëvizjes, si Kadri Zeka dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri e Zija Shemsiu, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu dhe shumë të tjerë deri te mijëra dëshmorët e UÇK-së.
***
Ishim përgatitur për kryengritje gjithë popullore
E dinim se pa bashkim, unitet politik, nuk ka fitore
Pashtriku: Meqë e përmendët Bakallin, na lejoni ta veçojmë konstatimin se, ideologët, prijësit e Lëvizjes së re Kombëtare, ndër të cilët jeni edhe Ju, nga viti 1990, kur filloi pluralizmi politik edhe në Kosovë, ishin shumë liberalë, ndaj, në të mirë të Kosovës, të çlirimit, ua shtrinë dorën e bashkëpunimit politik edhe atyre përfaqësuesve të nomenklaturave të ish sistemit jugosllav. Historia kombëtare këtë kulturë politike të prijësve, akterëve të Lëvizjes të re Kombëtare do ta vlerësojë lart, si shembull të tolerancës, vullnetit dhe fisnikërisë shqiptare, pra, mbi të gjitha, çështja kombëtare, çlirimi i Kosovës…?
Hajrizi: Në thirrjen “Përpara drejt fitores”, cituar më parë, vlerësohej lart fillimi i një procesi të faljes së gjaqeve më 1981, si një traditë shqiptare për t’u bashkuar kundër armikut të përbashkët. Falje masive të gjaqeve ndodhën edhe dhjetë vjet më vonë me të njëjtin motiv dhe qëllim. Në fillimin e dekadës së fundit të shekullit XX Kosova ndodhej para sfidash serioze dhe historike, prandaj më shumë se kurrë i duhej bashkimi i gjerë dhe uniteti kundër armikut. Ish të përndjekur politikë, të ndërgjegjshëm për nevojën e një bashkimi sa më të gjerë dhe të fuqishëm ishin gati të radhiteshin me ish-persekutorët e tyre shqiptarë në një front. Kompatibilë me parimësinë e tyre, s’kishte si të silleshin ndryshe.
Pashtriku: Historia kombëtare ende është në gjurmim të rrethanave, shkaqeve, ideologëve të organizimit të demonstratave të vitit 1981, të cilat u bënë paralajmërim i shkatërrimit të ish-Jugosllavisë, kapitull i ri në historinë e Lëvizjes sonë Kombëtare për çlirimin e Kosovës. Kishte ose jo, veç organizimit të jashtëzakonshëm edhe spontanitet në fillimin e atyre demonstratave?
Hajrizi: Lëvizja Kombëtare e Kosovës për dhjetë vjet rresht kishte vepruar për përgatitjen e faktorëve subjektivë të një kryengritjeje popullore kundër regjimit pushtues. Vetëkuptohet që një ndërmarrje e tillë historike nuk mund të organizohej shpejt dhe aq më pak të drejtohej nga një organizatë e vetme. Ngjarjet filluan spontanisht, por Lëvizja Kombëtare me të gjitha subjektet e saj, u vu shpejt në ballë të tyre, duke i organizuar, orientuar e mbajtur rendin dhe ruajtur karakterin e tyre, aq sa ishte e mundur në një shpërthim të vrullshëm popullor. Përveç militantëve të organizatave, në organizimin dhe orientimin e demonstratave kontribuuan edhe shumë veprimtarë e qytetarë të paorganizuar në Lëvizjen Kombëtare. Në përgjithësi, Lëvizja Kombëtare e kishte nën kontroll situatën, prandaj nuk u arrit të instrumentalizohej dhe të devijohej karakteri i demonstratave, siç pretendohej. Një fakt i pamohueshëm duhet të thuhet qartë, se pa Lëvizjen e organizuar Kombëtare nuk do të kishte kryengritje të vitit 1981, sikur që pa Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës nuk do të kishte as çlirim as pavarësi. Këto dy organizime historike kanë lidhje dialektike njëra me tjetrën në sendërtimin e aspiratave të shumë brezave të Kosovës. Në themel të fitoreve të tyre qëndron si kurban legjendash, gjaku i bijave dhe bijve më të mirë të këtij vendi, të cilët u flijuan vullnetarisht në altarin e lirisë.
Kryengritja e vitit 1981 me qindra mijë pjesëmarrës aktivë, ndonëse u shua në gjakun e dëshmorëve të saj dhe të njëmijë të plagosurve me armë zjarri, ndonëse e pati edhe çmimin e dhjetëra mijë të dënuarve e rreth 700.000 të trajtuarve në polici, shënoi rezultate dhe fitore historike, mbi bazën e të cilave vazhdoi rezistenca e Lëvizjes Kombëtare gjithnjë në rritje, deri te Ushtria e lavdishme Çlirimtare e Kosovës.
Lëvizja Kombëtare e Kosovës u godit rëndë, por si feniksi u ripërtëri, duke u fuqizuar më shumë se kurrë më parë, duke u zgjeruar në të gjitha viset e pushtuara shqiptare nën Jugosllavi, por edhe në mërgatë, duke sintetizuar gjithë përvojën e brezave paraprak të saj. Çështja e Kosovës, jo vetëm u bë e njohur gjithandej në botë, duke siguruar solidaritet të gjerë, por mund të thuhet se edhe u shtrua si një problem që do zgjidhje. Mediat botërore dhe diplomacia e politika ndërkombëtare, duke përfshirë Kongresin Amerikan dhe Parlamentin e Bashkimit Evropian, filluan ta trajtojnë Kosovën dhe çështjen e saj të pazgjidhur. Në një botim të veçantë, propaganda e Beogradit, me të drejtë konstatonte se ngjarjet e muajve të fundit në Kosovë, hyjnë në zhvillimet më dramatike në historinë më të re të Jugosllavisë.
Kryengritja e vitit 1981 ndikoi vrullshëm për zgjimin shqiptar, shënoi fillimin e fundit të sundimit serb në Kosovë, hapi një horizont të ri të zhvillimit të Lëvizjes Kombëtare, që çoi në luftën e armatosur çlirimtare, e bëri të njohur në botë çështjen e pazgjidhur shqiptare në Jugosllavi, duke siguruar solidaritet të gjerë ndërkombëtar me të. Ajo e lëvizi dhe e ndryshoi historinë, shkroi me gjakun e dëshmorëve vullnetin politik në mënyrë plebishitare të popullit të robëruar shqiptar, duke vrarë frikën dhe shpërfaqi virtytet e larta të sistemit të vlerave tradicionale luftarake, guximin e trimërinë, atdhedashurinë e frymën e sakrificës, vullnetin e hekurt dhe vendosmërinë e patundur për liri dhe pavarësi.
Plani i Qosiqit për ndarjen e Kosovës
Pas rënies së dëshmorëve të demonstratave më 1981, Naser Hajrizi e Asllan Pireva, organizatorë dhe militantë të Lëvizjes Kombëtare, Xhelal Maliqi e Salih Abazi (në Prishtinë, më 2 prill 1981), Salih Mulaku (Zeka) e Ruzhdi Hyseni (Vushtrri, më 3 prill 1981), Rizah Matoshi e Sherif Frangu (Ferizaj, më 3 prill 1981), qëndresës epike të Tahir e Nebih Mehës në Prekaz, më 13 maj 1981, vrasjes së të riut, Nesimi Dervishdana nga ushtarakët jugosllavë, në Gjakovë më 26 korrik 1981, mbytjes në burg të të rinjve Ibrahim Krasniqi e Afrim Abazi etj., në vitet vijuese shembullin e tyre të sakrificës e ndoqën udhëheqës të shquar të Lëvizjes, si Kadri Zeka dhe Jusuf e Bardhosh Gërvalla, Rexhep Malaj e Nuhi Berisha, Bajram Bahtiri e Zija Shemsiu, Afrim Zhitia e Fahri Fazliu dhe shumë të tjerë deri te mijëra dëshmorët e UÇK-së.
Shovinisti serb, akademiku Dobrica Qosiq, që më 26 prill të vitit 1981, fill pas demonstratave, shkruante: “Në qoftë se nuk jemi të gatshëm që sërish ta çlirojmë Kosovën, e nuk jemi, duhet ta ndajmë me Shqipërinë. Të merren pjesët serbe dhe manastiret, kurse shqiptarëve t’u lihet ajo që është shqiptare”. Ky konstatim, me tingëllim aktual në politikën e sotme serbe është botuar në librin Dobrica Qosiq: Kosovo, “Novosti”, Beograd 2004, f. 30. Meqë përmenda politikën aktuale serbe karshi Kosovës, e cila i referohet qartë “babait të kombit”, Qosiq, do cituar edhe ndonjë thënie tjetër nga ky libër. Më 21 maj 1991 ai shkruante: “Serbët duhet sa më parë të vejnë kufijtë me shqiptarët.(f.70.) Më 1 janar 1996: “Kosova është në rendin e ditës të historisë. Po e humbim Kosovën. Por kjo nuk do të jetë fatkeqësi kombëtare. Do të çlirohet Serbia nga ky kancer. Sa më parë aq më mirë. (F. 83.)
Më 15 maj 1999: “Në Kosovë e Metohi, rreth manastireve të mëdha dhe enklavave etnike serbe, duhet formuar shtete të vogla të pavarura, si San Marino, Andora, Vatikani, Lihtenshtajni dhe ngjashëm me bashkësitë e pavarura shtetërore-juridike në Evropë, çfarë është Alanda në Finlandë.
Pjesët serbe në veri të Kosovës, duhet bashkuar Serbisë, të cilat i përkisnin asaj që nga çlirimi nga Turqia deri më 1878, kurse viset jugore të Kosovës dhe një pjesë e Metohisë, ku jetojnë shumicë shqiptare, t’i bashkëngjitet Shqipërisë ose shtetit të pavarur shqiptar, nëse kështu duan shqiptarët kosovarë.
Prishtina, në të cilën jetojnë të përzier shqiptarët dhe serbët, mund të rregullohet si distrikt, ose me një modalitet të ngjashëm. Duhet drejt të ndahet edhe potenciali industrial dhe energjetik, pa marrë parasysh përbërjen etnike të rrethinës… (f.133.)
Por, shovinizmi dhe ekspansionizmi i harlisur serb ndoqi rrugën e pakompromis të luftës me të gjitha mjetet për të shuar përfundimisht çdo vatër të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe për të përjetësuar sundimin e plotë serb në Kosovë.
Vetëm katër vitet e para pas demonstratave, sipas shënimeve zyrtare, u dënuan penalisht katër mijë veta, kurse brenda viteve 1981-1990 në Kosovë policia dhe ushtria jugosllave kanë vrarë 183 shqiptarë (prej tyre 16 fëmijë). Për demonstratat e vitit 1981 janë shqiptuar më shumë se 50 shekuj burg për qytetarët e Kosovës.
Një fushatë sulmesh të egra, të denja për Mesjetën, u organizua kundër kulturës, historisë, arsimit, inteligjencies dhe kundër çdo vlere shqiptare.
Që më 1986 dy kryesitë jugosllave, e partisë dhe e shtetit ndërmorën masa për tkurrjen e autonomisë së Kosovës, ndërkaq revista e afërme me pushtetin, NIN e Beogradit shpalli qindra mijë shqiptarë, armiq të shtetit. Organet e larta të shtetit nuk diskutonin kohë të gjatë asnjë temë tjetër, pos asaj të Kosovës, kurse komentatorët e huaj parashihnin shpërbërjen e Jugosllavisë për shkak të Kosovës. Më shumë se 800 profesorë shqiptarë si dhe pjesëtarë të arsimit të lartë janë larguar nga procesi arsimor prej vitit 1981, qindra nxënësve iu mohua e drejta e shkollimit etj. Politika serbomadhe e inkurajuar me këtë ofensivë disavjeçare, mbërriti në datën 23 mars 1989, kur u suprimua autonomia e Kosovës, me ç’rast u vranë 100 shqiptarë demonstrues.
Mund të thuhet se Kosovës iu përcaktua dënim me vdekje, por historia u zhvillua sipas ligjeve të dialektikës dhe jo sipas atyre të Serbisë. Se kush do të vdiste, populli shqiptar apo shteti jugosllav, do ta përcaktonin shpejt vitet në vijim.
– VIJON –
_________________
PROF.AGIM ZOGAJ: DËSHMI PËR HISTORINË E LIRISË – MEHMET HAJRIZI, VEPRIMTAR I êËSHTJES KOMBËTARE (VI)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=10089