Berlin, 10 qershor 2020: (Një gjetje e gjatëpritur shpëtimtare)
1.
Tash gjashtë vjet një miqësi e rrallë hynte e thekur në kronikat e kohës. Qysh atëherë opinioni dhe mediat gjermane kjenë mbushur pezm për afrimitetin e çuditshëm, dendësia e të cilit vente përtej privatsisë njerëzore dhe mirësjelljes politike.
Shkas i saj rrjedhoi të ishte një moment jokomod, por do të vijonte sfidante përballë mënirjesh rreth e rrotull. Mbahej takimi i G8-ës në verën e largët që ndante mijëvjeçarët dhe, meqë anglishtja e ish-kancelarit Schröder, çalonte, ai ndihej pak i vetmuar. Por shpejt, thuase pikaste orën e tij, do t’i gjendej pranë Shefi i Kremlinit i cili, si ish-spiun i Luftës së Ftohtë, fliste rrjedhshëm gjuhën e tij. E bashkëndjesia do t‘hidhte, ashtu, fillesën njohjes së gjatë.
Mandej, ndër vite, ajo, e shndërruar në patneritet utilitar, do të përshkohej njëj filli të errtë përfitimesh të dyanshme: monetare për të parin dhe politike për të dytin. Për Gerdin (si e quan me politesë miku i tij) ajo do t‘bëhej vjegë e kamjes së dyshimtë, kurse për Wladimirin, ose ”demokratin e kulluar” (si e cilësonte kameradi besnik), ishte një pëlhurë mashtrimi për të përligjur despotinë dhe njëherësh mbështetje e fortë në kulme krizash përulëse të perandorisë së posarënë. Të tilla ishin ato të vitit dymijë, kur arka shtetërore ruse, e zbrazur krejtësisht, injektohej me dhjetra miliardë DM nga tagërdhënësit gjermanë. Apo më pas, kur shtjella ukrajinase i sillte leçitje kompromituese dhe, kur, gati si tek baladat e moçme, ç’ndërtonte ditën kryediplomati i ahershëm Fischer, e rrëmonte natën dora e pamirë, me ndryshimin se tani kjo dorë nuk është as mistike dhe as e huaj…
2.
Urtia e njohur se çdo e keqe sjell një të mirë, provonte sërish praninë e saj. Përveç dalëzotëse interesash jetike, kjo miqësi e rrallë elitare shohim t’a ketë ndikuar dhe begatimin elokuent të leksikut politik. Në Rusi ishte farkuar, tashmë, një term i ri interesant.
Kështu, për të shitblerë një politikan që do t’kryente punë pas perdes në hemisferën perëndimore, sugjerohet prerë e shkurt: ”Shrëderisazja” (“Focus”), që i bie një si „shrëderim“ apo ta “shredërosh” dikënd, që s’është pos një ekuivalent për korruptimin e tij. Në fakt, rusët kanë prorë për të bërë në oborrin e vet të kënetëzuar. Rendi i oligarkëve, përndjekja e opozitarëve, përsekutimi i mendimit të lirë – janë tipare zymtore të tij. Sidoqoftë, gjetja ingjenioze rrëzon kufijtë vendorë dhe i referohet relatave globale. E tillë, frymëzuese dhe e kursyer, ajo mund të ketë përhapje të gjerë drejt kulturash të tjera gjithandej botës.
Por, ah kjo e bekuara gjuhë shqipe! Me elegancë dhe lehtësisht si asnjë tjetër, identifikon mesazhin e saj. Fjalërënda „me shrëderue” (ta shredërosh ose shrëderoje), përkon asociativisht me fjalën e kategorisë morale, “me shnderue”, (pra, shnderim, t’a shnderosh) një fatkeq. Po a s’është kjo e njëjta gjë? Nëse, ndaj, t’ia trafikosh dikujt shpirtin, ta çmoralizosh atë, qenkësh „shrëderim“, aherë a nuk është bëma e barasvlershme me „shnderimin“, madje më keq ende, me „shnjerëzimin“ e tij? Aq më tepër kur ai, paraprakisht, është pajtuar me groposjen e vet…
3.
A do të aplikohej dhe si do të fjalëformohej, ndaj, ky përskajim i bekuar në Kosovë? Sigurisht, porse ka një pengore. Për dallim nga mjedisi europian, aty zvarranikët e shumtë si krimbat pas shiut, vriten e priten për vendzënje në tempullin e lavdisë korruptive. Dhe është, që këtej, vështirë të gjendet se kush do të bënte masën apo emri i cilit hierark politik do të krijonte nocionin e njësojtë, aq të nëvojshëm për të definuar dukurinë dhe, poashtu, për të racionalizuar debatet e lodhshëm!
Rrjedhimisht, në vend të dhjetëra fjalëve të mërzitshme për të përshkruar nyjëtimin e fenomenit me bartësin e tij, mbase lirisht do t’mund të thoshim, „me hashimue (ta hashimosh) dikënd, a, më drejtë akoma, “mustafim”, t’a „mustafosh“, ose sa paq e saktë o Zot „veselizoje“ atë mjeran, që nënkupton t’a prishësh, çorodisësh, shnderosh e shnjerëzosh atë. Por, sidomos kur vepërliga është totale, e kur përveç vesit të pështirë të mitosjes, ngërthen dhe përbetimin e dhimbshëm kundër votrës, aherë përcaktuesi “pacollizim” ose “pacollizoje” shfytyranin, do të jepte saktësisht këtë farkim shpëtimtar. Në praktikën rutinore, njëj koloriti gjithaq të fortë, do të thuhej dhe „hysenizim“ i ndokujt, mandej, poaq njësoj “grabovcoje” të shkretin, e, pse jo, ta “halitosh”, madje dhe, ah, “fatmiroje” derëziun… Kjo e fundmja e sprovës, ndërkaq, më ngjan njëkohësisht e bukur, sepse sikur e bën fatmirë, e pra të lumtur atë që i dorëzohet gazplotë darëve të ëmbla të shpërdorimit.
Natyrisht, renditja nuk mbaron kurrësesi se, thjeshtë, Galeri e tyre është e paskaj. Duke qenë i gjatë vargoi edhe konkurrenca, si pasojë, është tepër e ashpër. Mirëpo, si ndodh shpesh, pikërisht kur oferta është bujare, përzgjedhja bëhet e vështirë. Kjo punë kërkon konsultim të gjerë me njohës të tregtizës politike, me linguistë, pastaj me mjeshtër të kumbimit artistik dhe, padyshim, me stilistë të dëshmuar e analistë të rryer të sedërhollës shqiptare.
Formulimi i përshtatshëm, mbase, do vonojë pak, por do të kumtohet gjithësesi. Është një përfundim që vlen pritjen, po fundja, a nuk është pritja heroike e të mirës (që si thotë Poeti, i kemi lënë takim në varrezë) virtyt dhe fat i yni i rezervuar përjetshëm?!