DR.JAKUP KRASNIQI: RAMIZ CERNICA, NJË PERSONALITET ME INTEGRITET TË MADH PËR KOMBIN

(Prishtinë, 26. 11. 2012) – Ky vit i rrallë jubilar, ky njëqindvjetësh i madh i pavarësisë shqiptare na obligon jo vetëm t’i bëjmë një paraqitje përmbledhëse rrugës nëpër të cilën ecëm si popull si në ditët e lavdisë, po ashtu edhe në ditët e tragjedive të mëdha që nuk munguan në shekullin e pavarësisë, por edhe për t’ju bërë nderimin e duhur deri në përulje atyre personaliteteve që në përballjet e mëdha për jetë a vdekje treguan integritet të lartë për komb e atdhe, për liri, drejtësi e mirëqenie shoqërore. “Një popull, që nderon burrat e vet, thoshte Luigj Gurakuqi, një popull që pavdekëson kujtimin e tyre, jo vetëm ndër faqet e historisë, por edhe mbi rrasa e në monumente, ai popull tregon se ka ndërgjegje, se ka ndjesi të holla, se njeh miradijen e ka dëshirë me u sjellë e me u drejtuem mbas shembullit të të Mëdhajvet të vet”. Ramiz Cernica për gjithë brezin tonë e në mënyrë të veçantë për përfaqësuesit e popullit dhe politikbërësit tanë përgjithësisht, duhet t’u shërbejë si busollë orientimi për udhëtim të sigurt e të pagabueshëm.

Ramiz Cernica është prej atyre të Mëdhenjve të kombit që i meriton të gjitha format e përkujtimit e të nderimit në këtë njëqindvjetesh të veçantë të shqiptarëve. Ky burrë që dha një shembull të jashtëzakonshëm në një Kuvend të paragjykuar e të rrethuar me forca të mëdha policore, kërkonte dinjitet të lartë e guxim të madh njerëzor, që haset rrallë edhe në faqet e historisë së përbotshme, në përfaqësim të popullit e vendit të vet.

Ramiz Cernica në ditë tepër të veçanta me rrezik për jetën, iu përgjigj thirrjes së Shqipërisë e të shqiptarëve, pikërisht ashtu siç e kërkonte dhe i përgjigjej Fan Noli në një kohë e rrethanë tjetër: “Shqipëria na kërkon ndihma. Le t’i apim pa numëruar. Shqipëria kërkon luftëtarë. Le të rendim të thirrja e saj. Le të sulemi nën flamurin e kuq në flagë të luftës, që të na drithësohet trupi nga dehja e barutit, që të na dridhësohet trupi i shenjtë i Lirisë dhe të vdesim duke thirrur: Rroftë Shqipëria”! Nuk është e rëndësishme nëse e ka njohur apo jo Ramiz Cernica këtë kushtrim të Nolit. E rëndësishme është që ai njëzëri këtij kushtrimi i dha përgjigje të përpiktë e autonom, madje do të thosha edhe e tejkaloi kur tha: “ Partia paska vendosur që Krahinën tonë t’ia bashkojë Serbisë pa e pytur fare popullin e saj. Unë shpreh mospajtimin tim me këtë synim e paragjykim. Populli i Krahinës sonë është kundër bashkimit me Serbinë. Ai është për bashkim me Shqipërinë. … Kjo dëshirë e popullit për bashkim me Shqipërinë është shprehur edhe në Rezolutën e Konferencës së Bujanit… Domethanë fjalët i kemi pasur ndryshe, e sot na doli krejt e kundërta. Nuk dua që brezat e rinj të më mallkojnë përjetë, prandaj po them, me Serbinë, Jo!, me Shqipërinë, Po!” Për të kuptuar tërë madhështinë e kësaj fjale me të gjitha përmasat e saj, të bëjmë përpjekje të kujtojmë për disa çaste atmosferën e zymtë e kërcënuese të atyre ditëve të nxehta të korrikut të vitit 1945 të Prizrenit. Kjo e ka edhe një të veçantë tjetër për Ramiz Cernicën prind. Ai po i thoshte këto fjalë monumentale e profetike: “me Serbinë, Jo!, më Shqipërinë, PO!”, në kohën kur i biri, Raifi ishte i dënuar me vdekje nga gjykata komuniste e kohës dhe ndodhej i shtrirë në spitalin e Pejës. Ky është një fakt e një dëshmi tjetër se atdhedashuria po përcillej nga babai te i biri krejt natyrshëm. Kjo gjendje familjare, aspak e lehtë për t’u përballuar nga prindi ose e përballueshme vetëm nga njerëz të veçantë dhe një i tillë i veçantë, tepër i veçantë, pa dyshim që ishte Ramiz Cernica. Ky veprim me kaq integritet është konfirmim dhe dëshmi kulmore se ai para interesit të Atdheut e të Kombit nuk vendoste asnjë interes tjetër.
E vura në qendër të vëmendjes qëndrimin monumental të atdhetarit me integritet të veçantë, Ramiz Cernica për të mësuar secili nga ne, që përfaqësojmë popullin se çka do të thotë të jesh përfaqësues i popullit, se çfarë konsekuenca të mëdha e sfida të mëdha duhet të përballojnë ata. Gjithashtu, as mundësia për të shfaqur me fuqinë emicionale integritetin njerëzor, nuk vjen shpesh apo edhe kur vjen, emocioni shpërthen natyrshëm, mu ashtu siç i erdhi Ramiz Cernicës në Kuvendin e Prizrenit. Edhe Heroit tonë kjo mundësi iu dha vetëm një herë dhe ai e shfrytëzoi mrekullisht në kohën e duhur dhe në vendin e duhur.
Ramiz Cernica njeriun nuk mund ta mendonte as ta konceptonte kurrë “të pavendosur, të padinjitetshëm e të paideal”. “Pa këto virtyte, thoshte shpesh Ramizi ynë, njeriut nuk i vyen jeta”. Ramiz Cernica ishte nga ai brum njeriu që mund të kishte vetëm një lindje e një vdekje. Në Botën që jetojmë e në rrethin tonë, ka shumë njerëz që vdesim përditë. Fjalët monumentale që tha Ramiz Cernica më 10 korrik 1945 në Prizren jo vetëm që nuk ishin të lehta, por ajo që tha, bartte më vete rreziqe të mëdha dhe jo vetëm për jetën e tij, për jetën e djemëve të tij e për bashkëkombësit e tij. Në këtë rast ia vlen të thuhet edhe kjo, aty ku nuk ka shkallë të lartë të rrezikshmërisë edhe integriteti është i pavërejtshëm. Ai as është, as mund të shfaqet. Koha e lirisë që po e gëzojmë, për seciln nga ne kërkon ndershmëri, besnikëri e sinqeritet, pra nuk e kërkon integritetin e Ramiz Cernicës, të Adem Demaçit apo atë më sublimin – të Adem Jasharit. Për veprimin e tij të guximshëm, Ramizi thoshte: “Kjo për mua dhe djemtë e mi do të ketë pasoja. Isha dhe jam i vetëdijshëm për këtë, por pasojat e politikat janë të përkohëshme, burrëria dhe atdhetaria janë të përhershme, të pavdekshme”. Ai zgjodhi pavdekësinë, në mënyrë tepër të natyrshme. Vërtet pasojat qenë të përkohshme, ndërsa lavdia dhe integriteti i Ramiz Cernicës mbeten të përjetshme. Kjo shëmbëlltyrë e veprimit me dinjitet e integritet për brezin tonë mbetet fanar i çmuar orientimi sa herë që atdheut i duhet dhe e kërkon.
Brezave të tërë të pas Luftës së Dytë Botërore, pra, pas Kuvendit të Prizrenit, këto virtyte që i shohim të kristalizuara si në dritë dielli në personalitetin atdhetar të Ramiz Cernicës kanë qenë udhëheqje për veprim deri në ditët tona. Sot nuk kërkohet nga ne shkalla e rrezikshmërisë që prej Ramiz Cernicës kërkonte koha e tij. Sot nga ne kërkohet dashuria e përkushtimi për të qenë pranë popullit në të mira e në vështirësi. Ashtu si punoi e veproi heroi ynë, Ramiz Cernica.
Pas Luftës së Dytë Botërore PO-ja e madhe e Ramiz Cernicës për bashkim me Shqipërinë e ka hapur një faqe të re në historinë e rezistencës sonë për çlirim e bashkim kombëtar. Jehona e saj u përcoll breznive si jehu i çetave të lirisë me të famshmen “O prite, prite Azem Galicën, o hej!” Kjo jehonë u përcoll pandalshëm nëpër brezat e Lëvizjes Kombëtare për Çlirim. Ajo u përcoll nga ’45-ta te ’64-ta, nga ’64-ta te ’68-ta, nga ’68-ta te ’81-shi dhe nga ’81-shi tek ’98-ta kur edhe kulmoi me luftën e lavdishme të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, të udhëhequr nga Komandanti i saj Legjendar – Adem Jashari. Përmbyllja e këtyre përpjekjeve u formalizua më 17 shkurt 2008. Kështu u finalizuan dhe u formalizuan në Kushtetutë e ligje idealët e brezave atdhetarë. U jetësuan idealet e Shaban Polluzhës, të Ramiz Cernicës e të mijëra veprimtarëve e dëshmorëve tjerë të lirisë. Këto veprime të guximshme të Ramiz Cernicës, të Adem Demaçit, të Metush Krasniqit, të Kadri Zekës e brezave të tërë atdhetarësh deri te ai i Legjendarit Adem Jashari e flijimet e shumta të këtij 100-vjetëshi, sot po i dhënë gjallëri e kuptim jetës sonë të lirë e të pavarur. Këto personalitete ishin të bindura se: “Politika e dorëzimit, e pritjes apo kundërshtimit të aksionit kurrë nuk çon në fitore. Kush ka frikë ka me vete humbjen, thoshte Hasan Prishtina, dhe vazhdonte, kush qëndron i patundur ka me vete fitoren. Liri pa gjak nuk ka” . Kështu, ne shqiptaret ecem nëpër shkallët e historisë deri në ditët tona. Dhe fituam. Fituam atë që na takonte: 10.878 km2, hapësirë kjo jetike e me flijime të shumta. Por, sot, shtrohet pyetja: si po e shfrytëzojmë këtë dhunti të madhe kombëtare?
Unë ndjehëm krenar dhe kam besim të plotë se kështu ndjehemi të gjithë ne që patëm fatin të mësojmë nga jeta dhe vepra e korifenjve të Lëvizjes Kombëtare. Një i tillë korife që rrezatoi shumë në rrugëtimin tonë pa mëdyshje është edhe Ramiz Cernica. Integriteti i këtij personaliteti duhet t’iu shërbejë shumë, sot e gjithë ditën, të gjithë përfaqësuesve të politikës shqiptare, kudo ku ata përfaqësojnë popullin shqiptar në trojet e veta. Kosovës, në përvjetorin e pestë dhe Shqipërisë e shqiptarëve, në përvjetorin e 100-të, vazhdon t’iu duhen njerëz të farkës së Ramiz Cernicës, të Adem Demaçit e të Legjendarit Adem Jashari. Këto personalitete në kohë të ndryshme, në rrethana të ndryshme, në forma të ndryshme, secili në formë e vet, me një emërues të përbashkët – Atdheun – kanë treguar integritet të lartë përfaqësues.
Nga këta shembuj udhërrëfyes ne, përfaqësuesve të zgjedhur me votën e popullit, duhet të udhëhiqemi si sot ashtu edhe nesër. Sot kemi shumë përfaqësues të zgjedhur të cilët xhepat i kanë të mbushur me kalkulatorë për të bërë hesape për vete a klanin e tyre, pa dashur të rrezikojnë asgjë, në ndonjë rast as edhe një vend pune?! Populli ynë gjatë historisë ka pasur edhe përfaqësues “hesapxhinj”, por historia atyre nuk ua la asnjë qoshk të ngrohtë. Diku në errësirë të acartë edhe mund të jenë strukur. Të tillët edhe nëse janë diku, të harruar janë gjithësesi. Historia ua shtron sofrën bujarisht, ua hap zemrën me ngrohtësi, i ngrit në piedestalin e lavdisë vetëm ata që zemrat e mendjet i patën apo i kanë vetëm me drejtësi e dashuri për komb e atdhe. Njëri nga Ata që meriton e pret nga koha e jonë t’i jepen dimenzionet e duhura për kontributin atdhetar, pa dyshim që është Tribuni popullor – Ramiz Cernica.
Së fundmi dua që me këto fjalë miradije të shpreh mirënjohjen time në këtë jubile aq të madh për veprimin më të fisëm që mund të bëjë një njeri për vendin e kombin e tij siç veproi Heroi i Kombit Ramiz Cernica.
Për personalitete të tilla që shënuan historinë, siç është Ramiz Cernica, nderimi, përkulja dhe kujtimi janë më shumë se kujdes, më shumë se traditë – është respekti qytetërues i ndërgjegjshëm për vlerat e paçmuara që ka!
Lavdi jetës e veprës së Heroit të Kombit Ramiz Cernica!
– Autori është Kryetar i Kuvendit të Republikës së Kosovës.
– Kumtesa u lexua në Akademinë Kombëtare, kushtuar atdhetarit Ramiz Cernica, mbajtur më 17 nëntor 2012, në Tetarin e qytetit të Gjilanit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura