PROF.AGIM ZOGAJ: PAMFLETI RUSO – SERB KUNDËR KOSOVËS!

Prishtinë, 22 qershor 2020: Diplomacia serbe, në vazhdimësi është vënë në luftë speciale, të hapur kundër shtetit të pavarur dhe sovran të Kosovës. Një fushatë e tillë, krejtësisht denigurse dhe deri në përmasat e agresionit diplomatik ndaj vendit tonë, shtetit tonë, qytetarëve të Kosovës është intensifikuar në prag të takimit të delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë, më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë. Agresioni diplomatik i Serbisë, ndaj Kosovës është shtrirë në të gjitha frontet, e që, realisht sipas standardeve të njohura të së drejtës ndërkombëtare, lirisht mund të thuhet se, tani e sa vite po ndodh ndërhyrje flagrante e Serbisë në çështjet, zhvillimet e brendshme të Kosovës. Në këtë kuptim, Serbia, e trimëruar nga heshtja, oportunizmi diplomatik i Brukselit zyrtar, duke mos u mjaftuar që, Kosovën ta godas me forcat e saja diplomatike, po e thirr, tradicionalisht, në ndihmë edhe aleatin e saj, Rusinë! Derisa, një kryetar i partisë opozitare serbe, ka deklaruar se, Serbia duhet t’ia jap mandatin, Rusisë, për ta administruar Kosovën, Komisioni Republikan i Zgjedhjeve,ka aprovuar vendimin që, Partia Ruse në Serbi e ka fituar statusin e partisë së pakicës kombëtare!
Kurthet sllave
Kjo luftë diplomatike e Serbisë kundër Kosovës bëhet edhe më e hapur, edhe më e rrezikshme, nga se, Serbia, e ndihmuar jo vetëm nga aleati i saj Rusia, ka arritur që, në arenën ndërkombëtare ta promovojë qëndrimin e saj, sipas të cilit, çështja e Kosovës nuk është zgjidhur, çështja e Kosovës kërkon zgjidhje, në veçanti sipas Rezolutës 1244. Serbia dhe aleati i saj Rusia, në lidhje me Kosovën, gjithçka, çdo detaj e kanë të harmonizuar, precizuar, sipas interesit ruso – serb, dhe, kuptohet, kundër Kosovës, kundër interesave gjeopolitike, gjeostrategjike të aleatit tonë historik, më të sigurtit, më besnikut, SHBA-ve!

Qëndrimi i përbashkët, ruso – serb në raport me Kosovën, objektivat e tyre të përbashkëta, që me çdo kusht t’i realizojnë synimet, pretendimet e gjeopolitikës sllave në rajon dhe veçmas në këtë pjesë të Ballkanit Perëndimor, u ri dëshmua, u ri definua, u ri përcaktua edhe gjatë vizitës zyrtare të ministrit të jashtëm rus, Sergej Lavrov, zhvilluar më 18 qershor 2020 në Beograd. Pavarësisht nga ajo se, Lavrov, erdhi në Beograd për të rikonfirmuar pozicionin e gjeopolitikës ruse në rajon, pastaj për t’i thënë Vuçiçit se, Rusia nuk e aprovon Planin amerikan për takimin e 27 qershorit në Shtëpinë e Bardhë, në fakt, për arritjen e një marrëveshje midis Kosovës dhe Serbisë, duhet kuptuar se, Rusia është në ofensivë dhe në përkrahje të madhe diplomatike të Serbisë. Rusia, si kurrë njëherë më hapur dhe më fuqishëm nuk ka qenë me ndikim në politikat rajonale, në gjeopolitikën e Ballkanit Perëndimor dhe të Evropës Juglindore. Forcimi i ndikimit rus në Evropën Juglindore, në Ballkanin Perëndimor, do të thotë forcim i Serbisë, përgjithësisht, forcim i gjeopolitikës sllave, gjë e cila, nuk ishte realitet në Konferencën e Rambujesë dhe në Bisedimet e Vjenës!
Madje, duke mos u mjaftuar, me konferencat për medie, para dhe pas takimeve zyrtare, Lavrov – Daçiç, kësaj radhe, diplomati rus dhe ai serb, e shkruan një opinion të tyre të përbashkët, që, në fokus e ka çështjen e Kosovës, sipas tyre “të pa zgjidhur”!? E para, në traditën diplomatike, të marrëdhënieve ndërkombëtare, të së drejtës ndërkombëtare është e pa precedent forma, mënyra, e hartimit të një deklarate, opinioni, analize, vështrimi të përbashkët të dy diplomatëve të dy shteteve të ndryshme. E themi se, përdorimi i kësaj mënyre të hartimit dhe nënshkrimit të përbashkët të një artikulli për publik, dëshmon se, aleanca ruso- serbe, veçmas, në rastin e çështjes së Kosovës është shumë e fuqishme, e menduar mirë dhe me objektiv shumë të sofistikuar. Së fundi, kjo formë e komunikimit diplomatik, synon t’i qartësojë opinionit publik, pse jo edhe Brukselit dhe Washingtonit se, politika shtetërore serbe, në lidhje me çështjen e Kosovës e ka në mbështetje të fuqishme Rusinë! E dyta, ky opinion i përbashkët i shkruar dhe i nënshkruar nga diplomati Lavrov dhe diplomati Daçiç, u publikut, pikërisht në prag të takimit, të bisedimeve midis udhëheqësve të Kosovës dhe atyre të Serbisë, planifikuar të mbahet më 27 qershor në Shtëpinë e Bardhë. Është pra, jo vetëm rikonfirmim dhe përkrahje e fuqishme e Rusisë për zyrtarët më të lartë serbë, që do ta përfaqësojnë shtetin e tyre në ato bisedime, por, edhe sinjal për Washingtonin zyrtar se, lidhur me çështjen e Kosovës, Beogradi zyrtar fuqishëm e ka në mbështetje, në presion dhe nën kontroll, Rusinë. Kjo porosi ruse,pra, për Shtëpinë e Bardhë duket se, i shkon përshtati Brukselit zyrtar, i cili, i shqetësuar me ndikimin dhe rolin e diplomacisë amerikane për çështjen e marrëveshjes Kosovë – Serbi, po deklaron se,megjithatë, nuk mund të ketë marrëveshje të plotë dhe të qëndrueshme pa BE-në. Mjafton të analizohet polemika midis z.Grenell dhe raportueses për Kosovën në Parlamenin Evropian, Viola Von Cramon, sidomos, përgjigja që i jep z. Behxhet Pacolli, për të kuptuar arrogancën e diplomates së BE-së, dhe pozicionin inferior të Brukselit zyrtar ndaj Rusisë, Serbisë dhe shteteve sllave!E treta, vizita e diplomatit rus, Lavrov në Beograd, është mbështetje e hapur për presidentin Vuçiç dhe aleatin e tij, Daçiç, që sërish, më 21 qershor 2020, t’i fitojnë zgjedhjet dhe të vazhdojnë ta drejtojnë Serbinë. Njohësit e mirë të zhvillimeve politike në Serbi, veçmas të politikës së saj të jashtme, gjithnjë e dinë, se, kursi i politikës serbe me në krye Vuçiçin dhe Daçiçin, është politikë pro ruse, pro sllave dhe në mbrojtje të interesave gjeopolitike, të Rusisë në Ballkanin Perëndimor dhe më gjerë. Çfarë mund të pritet, ndryshe, nga Vuçiçi, ish ministër i propagandës në Qeverinë fashiste të Sllobodan Millosheviçit dhe nga Ivica Daçiçi,njëri ndër bashkëpunëtorët më të afërt të Millosheviçit? Është për tu shtruar pyetja: Nëse, Brukseli zyrat do të bashkëpunonte aq ngushtësisht, me persona të këtillë, të ndonjë shteti tjetër të rajonit?
Trillime dhe kërcënime
Në paragrafin e parë, të shkrimit të nënshkruar nga Lavrovi dhe Daçiçi, shprehin keqardhje për, siç shkruajnë, “…ndërhyrjes së të huajve në punët e rajonit…”? Lavrov, dhe Daçiç, paskan menduar se, ndërhyrja e diplomacisë ruse, na qenka “legjitime”, kurse e shteteve tjera, e pa arsyeshme. Më tej, konstatojnë se, “Problemi i pazgjidhur i Kosovës ka qenë mbi 20 vjet, një pengesë për një stabilizim të plotë në rajonin e Ballkanit Perëndimor”! Vërtetë, vetëm politika sllave, di të ndërtojë, këso konstruksione jo logjike politike. Diplomatët rusë dhe serbë, sipas traditës së tyre, me kokëfortësi dhe injorancë të pashembullt, edhe në këtë artikull të tyre, ngritin teza shoviniste, shtrembërim të fakteve, të realiteteve. Pra, me dioptrinë politike, të aleancës ruso-serbe, del se, çështja e Kosovës është “e pa zgjidhur”!? Dhe, sikur ky fabrikim ruso-sllav, fabrikim i hijeve sllave, nuk ju mjafton ata, shkruajnë se, gjoja, Kosova, qe 20 vjet na qenka “pengesë” për stabilizimin e rajonit! Madje, shpalljen e pavarësisë e konsiderojnë si “Koncept të vetë shpallur të sovranitetit”! Diplomatët e përmendur rus- serb, analizojnë, japin vlerësime, konstatime për shtetin e Kosovës, për historinë e çlirimit dhe të lirisë sonë, për shtet ndërtimin e Republikës së Kosovës, duke shpërfaqur ideologjinë tradicionale serbo-ruse, sllave kundër Kosovës. Kualifikimet e tyre, janë, ndërhyrje e drejtpërdrejt në punët e brendshme të shtetit tonë, janë ndërhyrje, për normat e së drejtës ndërkombëtare, e pa lejuar, gjë që, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës i jep të drejtë të reagojë përmes rrugës zyrtare.
Vetëm, diplomatët ruso-serb, sllav, në këtë rast, Lavrovi dhe Daçiçi, i japin vetes të drejtë të akuzojnë shtetin e Kosovës, shtetin e njohur ndërkombëtarisht, nga më shumë se 100 shtete të botës, se, gjoja Kosova, sipas tyre “…është në greminë të krizës politike… se, ndërtimi i shtetit… është kthyer në një mashtrim”! Gjithë këto akuza, shtrembërime, falsifikime të realitetit në shtetin e Kosovës, që vijnë nga autorësia e Lavrovit dhe Daçiçit, konfirmojnë, se, Serbia dhe aleati i tyre, po e shfrytëzojnë shprehjen e lirë, për të anatemuar, diskualifikuar, përbaltur, shtetin tonë, para opinionit ndërkombëtar. Kualifikimet, vlerësimet, me këtë gjuhë primitive të diplomatit rus dhe atij serb, ri dëshmojnë se, Serbia dhe Rusia janë “trimëruar” tej mase, që, nga bashkautorësia e dy ministrave të tyre të jashtëm, ta përdorin gjuhën e urrejtjes ndaj shtetit dhe popullit tonë.
Më pastaj, në pamfletin e turpit, jo vetëm diplomatik, Lavrovi dhe Daçiçi, spekulojnë, bëjnë intriga sllave, për gjoja, lidhjen e grupeve shqiptare me, siç shkruajnë,”… grupe terroriste të Lindjes së Mesme, kryesisht të Sirisë, si dhe bandave kriminale në Ballkan dhe pjesë të tjera të Evropës…”!? Është, akuzë, e dëgjuar, e fabrikuar, vetëm nga propaganda serbo-ruse, sllave, e cila propagandë, historikisht është e njohur, e ditur. E tërë kjo, për ta paraqitur, shtetin tonë, qytetërimin tonë shqiptar, në konfrontim me qytetërimin evro-perëndimor. Ndaj, Lavrovi dhe Daçiçi, me këto kualifikime, insinuata, gënjeshtra, mashtrime, trillime, duan që,të fitojnë përkrahje tek opinioni publik evropian, ndërsa, faktorin shqiptar, ta paraqesin në mënyrën më të errët, barbare, siç, historikisht shkruante, vepronte, propagandonte diplomacia ruso-serbe, përgjithësisht sllave kundër kulturës, identitetit, qytetërimit tonë shqiptar! Me këtë rast pikërisht, në kontekstin e qytetërimeve, ne u shtrojmë pyetje, diplomatit Lavrov dhe Daçiç, kush vrau, theri, vetëm në luftën e fundit në Kosovë, mbi 1000 fëmijë shqiptarë, kush, përgjatë historisë masakroi gra, pleq, të rinj shqiptarë, pos, që këtë gjenocid e bën hordhitë serbe, të cilëve, në ndihmë u erdhën edhe falangat ruse?! Nuk ka shembull, përgjatë historisë që, shqiptarët kanë ngritur dorë, plumb a bajonetë, mbi fëmijët serbë, mbi civilët serbë? Në këtë kontekst,e ulët, tepër e mjerë dhe primitive është gjuha politike e diplomatëve Lavrov dhe Daçiç!
Shkrimi, opinioni më i ri, i përbashkët i rusit Lavrov dhe i serbit Daçiç, është pamflet i ndytë politik, shpreh primitivizmin e botës politike, diplomatike, akademike sllave, urrejtjen patologjike ndaj racës shqiptare. Është urrejtje e shfrenuar, si reflektim i pa mundësisë që, ta mbajnë të pushtuar Kosovën, që, së paku, ta shkëpusin një pjesë të Veriut të shtetit, vendit tonë, për më tepër, që, t’i cenojnë interesat gjeostrategjike, gjeopolitike të SHBA-ve në hapësirat etnike shqiptare, që, Serbia dhe, përmes saj, Rusia të sigurojnë dalje në detin shqiptar! Prandaj, gjithë kjo, arrogancë ruso-serbe, gjithë ky mos durim, deri në urrejtje ndaj lirisë së popullit të Kosovës, ndaj shtetit tonë, Kosovës shqiptare, shtet, në themelet e të cilit, është gjaku i dëshmorëve, martirëve, heronjve të gjitha epokave, deri në luftën çlirimtare, luftën e ndritur, të shenjtë, të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura