HAMDI HYSUKA: BJORN RAMBI, NDËR 10 MATURANTËT MË TË MIRË NË SHQIPËRI

Tiranë, 4 gusht 2020: Në ditët verore të muajit korrik 2020 Bjorn Rambi provoi një gëzim të veçantë. Pas përfundimit të mësimeve në Gjimnazin “Sami Frashëri” Tiranë u shpall njëri ndër 10 maturantët më ekselentë të Maturës Shtetërore 2020. Fituesit janë vajza dhe djem të shkëlqyer nga gjimnaze publike dhe private të shpërndara në të gjitha qytetet e vendit: Ingis Beliu: Gjimnazi “Turgut Ozal” Tiranë, Bjorn Rambi: Gjimnazi “Sami Frashëri” Tiranë, Janer Nikolla: Gjimnazi “Hoxha Tahsin” Sarandë, Ensuina Gjini: Gjimnazi “18 Tetori” Lushnje, Jera Isakaj: Gjimnazi “Turgut Ozal” Tiranë, Kesjana Doko: Gjimnazi “Ali Demi” Vlorë, Lurdes Isufaj: Gjimnazi “Havzi Nelaj” Kukës, Enxhi Këri: Gjimnazi “Qemal Stafa” Tiranë, Anida Mazreku: Gjimnazi “Sami Frashëri” Tiranë dhe Joneda Bajramaj: Gjimnazi “Naim Frashëri” Durrës.
Këtë ditë të shënuar të jetës Bjorni e ndau me ata që kanë qenë mbështetja e pazëvendësueshme, prindërit e tij. Të jesh një prej më të mirëve në mijëra maturantë është ndjesi vërtetë fantastike, sepse gjatë 12 viteve ka mësuar me vullnet e vendosmëri. Jo rastësisht emri i Bjornit u rendit mes 10 maturantëve më të mirë të Shqipërisë. Rezultatet e shkëlqyera i ka arritur me punë sistematike dhe ndihmën e pakursyer të mësuesve e familjes, sipas të cilëve rruga e duhur në jetë, e para, është ajo e dijes, e shkollës. Me rezultatet e larta të arritura në arsimin e mesëm të përgjithshëm, duke u vlerësuar me medaljen e artë të ekselencës, ka bërë krenarë jo vetëm prindërit Blerta dhe Koli, gjyshërit Dori, Vali, Dëshira e Haxhiu, por dhe bashkëmoshatarët, të cilët ndihen krenarë me këtë djalosh të ditur e të edukuar.

Bjorn Rambi

Përgjatë çdo viti shkollor Bjorn Rambi ka studiuar sistematikisht. Ka shkëlqyer jo vetëm në mësime, por dhe në sport. Është fitues i disa olimpiadave e konkurseve në lëndën e matematikës. Vetë Bjorni nuk ka pasur nevojë për asnjë lloj miku, sepse me rezultatet mësimore-edukative është bërë shembull për bashkëmoshatarët në çdo qendër banimi të Shqipërisë. Medalja e Artë për këtë gjimnazist ekselent është një lloj kartëvizite, sepse derën e suksesit tashmë e ka të hapur.
Modestia e tepruar është mburrja më e mirë. Mesazhe dhe urime i erdhën Bjornit nga ana e anës, duke filluar nga SHBA (halla Rika, daja Arbri, Keli dhe Blin Kola), nga Franca (halla Irena), nga Italia (halla Ledi, Ola dhe Gaja), nga Shqipëria (halla Gesi, Spiro dhe Marieli, halla Pashja, Dolora) dhe nga Anglia (Mateo). Mesazhet dhe urimet janë shumë, rreth 200.
* * *
Lidhur me përfshirjen në dhjetë maturantët më të mirë të Shqipërisë, përfaqësues i gjimnazit “Sami Frashëri” Tiranë, me modesti Bjorni përgjigjet:
-Këtë vlerësim e meritonin dhe shokët e mi të gjimnazit. Gara, siç thonë çiklistët, ishte shumë e fortë, “rrotë më rrotë”. Por me fotofinish fitova unë.
Bjorn Rambi rrjedh nga një familje intelektuale. Gjyshërit e tij: Dori, Vali, Dëshira dhe Haxhiu janë njerëz të nderuar.
-Shembull frymëzimi, krahas gjyshërve, – thotë i emocionuar, – janë në rezultatet e mia, prindërit e mi: mami Blerta, babi Koli dhe vëllai Gjordi.
Përveç notave dhjeta, pasioni i Bjornit është matematika dhe sporti. Në matematikë ka marrë pjesë dhe ka fituar disa konkurse e olimpiada. Së fundi ka fituar të drejtën për të sudiuar në Universitetin “Ludvig Masimilian” në Mynih të Gjermanisë për matematikë.
-Zgjodha të studioj jashtë Shqipërisë, në Gjermani, – theksoi më tej, – sepse aty mund të arrij të marr më të mirën nga ana profesionale, për të qenë një kuadër i zoti, pse jo një zë ndërkombëtar në fushën e matematikës.
Në fushën e sportit Bjorni është tifoz futbolli. Pëlqen Liverpulin, por ka simpati dhe për Dinamon e Tiranës e “31 Korrikun” e Burrelit.
-Mirë me Liverpulin, por me Dinamon e “31 Korrikun” pse? – e pyeta në bisedë e sipër.
-Babai im, Sokol Rambi, ka qënë futbollist i Dinamos, mami Blerta tifoze e saj. Ndërsa “31 korrikun” e simpatizoj, se jam nip Mati. Gjyshi im, Teodor Rambi, më thoshte:
-Vazhdo stërvitjen, se një ditë do të bëhesh futbollist i madh, si Johan Kroif, se dhe nga paraqitja i ngjan. Dhashtë Zoti e dëshira e tij bëhet realitet.
Më tutje Bjorni vazhdoi bashkëbisedimin:
-Luhej në stadiumin “Liri Ballabani” të qytetit Burrel, ndeshja e të rinjve “Tirana” – “31 Korriku”. Gjyshi më thotë: “Bjorn, se i bë gol skuadrës të vendlindjes sime, Burrelit…”.
-Gjysh, – iu drejtova, – futbolli është lojë burrërore. Gol mund të shënoj, por nuk festoj.
Dhe ashtu ndodhi. Tribuna brohoriste: Nipi, nipi, nipi… Ndjeva një kënaqësi të veçantë, që kurrë nuk do ta harroj.
– Neve, 10 maturantët më të mirë të Shqipërisë, na thirri në një takim ministrja e Arsimit, Besa Shahini. Ishim gjithë ankth. Krahas fjalëve e falenderimeve, sinqerisht prej saj pritëm stimul material, të paktën ndonjë sponsorizim për të vendosur posterat në rrugët e qytetit, që të jenë shembull frymëzimi për nxënësit e tjerë. Për çudinë e të gjithëve vetëm fjalë, fjalë… llafe, llafe… dmth ujë pa kafe.
Sikur t’u ishte kërkuar ndihma prindërve, nga goja e tyre ata do ta hiqnin dhe do të sponsorizonin, ndoshta posterat tanë në rrugët e Tiranës.
* * *
Pas 10-15 vjetësh e përfytyrojmë Bjorn Rambin të kthyer në Tiranë për t’i shërbyer atdheut, si një shkencëtar i madh, pse jo dhe politikan i kalibrit europian, kandidat për poste drejtuese të shtetit.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura