Pashtriku, 2 tetor 2020: Mësimdhënësit e historisë nëpër shkolla fillore e të mesme të vendeve të Ballkanit mund të vendosin që një orë mësimi t’ua kushtojnë grave në rajon, duke u shërbyer me tekstet mësimore alternative, të hartuara prej historianësh nga mbarë Ballkani, e të publikuara nga CDRSEE e Selanikut me mbështetje financiare edhe nga BE-ja. (Tekstet, përveç në anglisht, qarkullojnë të përkthyera tashmë në dhjetë gjuhë rajonale, e madje edhe në japonisht).
Ja se ç’do të gjejnë nxënësit në këta libra për gratë shqiptare e ato sërbe:
GRATE SHQIPTARE (RRETH VITIT 1810)
Unë nuk kam ndonjë dëshirë të madhe të flas për moralin e shqiptarëve. Gratë e tyre, të cilat janë pothuajse të paarsimuara dhe nuk flasin asnjë gjuhë tjetër përveç të tyres, konsiderohen si bagëtia e tyre dhe përdoren si të tilla (por të llojit më të mirë), të detyruara të punojnë dhe ndëshkohen shpesh nga goditjet. Në të vërtetë, ata kanë përbuzje dhe madje neveri për femrat e tyre, dhe nuk ka asgjë në prirjet e tyre rastësore që mund të quhet ajo çka ne e thërrasim pasion të ëmbël. Megjithatë, të gjithë ata që munden, martohen, sepse kjo është shenjë mirëqenieje, martohen, meqë kanë dëshirë të kenë në shtëpi një skllave. Megjithatë, si në shumicën e vendit, femrat nuk janë aq të shumta në numër sa seksi tjetër; zakonisht nusja nuk sjell prikë tek burri i saj, por burri tek ajo; ai është i detyruar të grumbullojë rreth 1000 gurush [piastra], para se të kërkojë të martohet.
GRUAJA SERBE
Ajo ua kalon të gjitha grave më të shquara të të gjitha kombeve në botë. Ajo përcolli për në luftë babanë e saj, burrin e saj, vëllanë e saj, djalin e saj, me lule dhe e gëzuar. Ajo u tha të gjithëve se Atdheu është më i shtrenjtë sesa jeta. Ajo ia fali dashurinë prej nëne, dashurisë për Atdheun. Ajo e kuptoi se vetëm nje grua e lumtur serbe, mund të jetë një nënë e lumtur. Ajo është e bindur se atdheu është më i rëndësishëm se çdo gjë. Ajo punoi në ara dhe e mblodhi prodhimin vetë. Ajo lëroi, mbolli, korri dhe shiu, ajo i bëri vetë të gjitha punët në arë, që të ushqente fëmijët, që t’u çonte diçka edhe luftëtarëve, që të bënte bukën tradicionale për të festuar ditën e shenjtit mbrojtës të familjes dhe të ishte në gjendje të paguante taksat e qeverisë. Ajo i bëri të gjitha këto, duke treguar një qëndresë të pashoqe. Me zemër të pastër, qepi çorape e ndërresa dhe ua dërgoi ushtarëve që ishin larg. Ajo mjekoi me shumë përkushtim të plagosurit, bij të vendit të saj, por edhe të ushtrisë armike. Ajo ruajti ndershmërinë e gruas dhe të gjitha virtytet e saj. Ata që mund të luftonin, por që nuk shkuan në luftë, ajo i quajti të pamoralshëm dhe i përbuzi me gjithë forcën e saj. Urime për ty, grua serbe! Ti je e lavdishme! Ti ua ke kaluar të gjitha grave më të shquara të të gjithë popujve në botë. Burra serbë, gratë tuaja janë forca juaj. Ato janë shtylla e shtëpisë suaj dhe shtylla e vendit tuaj. Vajza të dashura e të shtrenjta! Ligjet e kësaj bote janë të padrejta me ju. Në këto luftëra, në këto ditë të mëdha historike, me qëndrimin tuaj shembullor ju keni treguar që ligjvënësit dhe pushtetarët tanë nuk e njihnin shpirtin tuaj te madh… Bashkëshortet dhe shteti duhet të tregojnë dhe ta provojnë tani, që ju meritojnë, që janë të denjë për ju. Këtu qëndron interesi i tyre i madh moral dhe material. / ADMOVERE
_________________
Pjesë e shkëputur nga “PROJEKTI I HISTORISË SË PËRBASHKËT”, publikuar nga OJQ-ja “Center for Democracy and Reconciliation in Southeast Europe” (CDRSEE) me seli në Selanik. Për këtë projekt kanë punuar edhe dy studiues nga Kosova: Frashër Demaj dhe Jusuf Bajraktari!