BEHXHET SHALA BAJGORA: KRIMINELËT E APOKALIPSIT DHE PAQËSORËT E FERRIT!

Prishtinë, 07. 04. 2016. (Lama e thive ku lëvrojnë lugetët) – Kosova është forcuar si shtet sepse asnjë udhëheqës i Serbisë nuk ka guxim, as në ëndërr , t’ia mësyjë tokës së bekuar pa lejen e udhëheqësve madhështorë kosovarë! Madje, edhe nëse EULESH apo Zyra e BE –së i furnizon me leje për vizita në “krahinën jugore të Serbisë“ (të tillë e konsideron Serbia por edhe një pjesë e mirë e “ miqve “ ndërkombëtarë të Ademit dhe Ismetit ) përsëri politikanët tanë madhështorë duhet t’u japin leje ndryshe liderët çetnikë të Serbisë , jo që do ta shkilnin tokën e Kosovës por as si sorra , duke fluturuar , nuk do ta shihnin Kosovën. Të tillë i kemi politikanët ; të mençur , patriotë , trima , të vendosur dhe jashtëzakonisht sakrifikues për popull dhe shtet !!! Serbia po i organizon zgjedhjet në Kosovë ku votohet për Skupshtinën serbe dhe qeverinë e Beogradit , jo pse ne jemi të ligj apo nuk kemi guxim t’i pengojmë por se ne jemi të fortë dhe vetëm me lejen tonë mund të mbahen ato zgjedhje. Për këtë arsye, si pjesë e shpurës së fushatës parazgjedhore të çunit politik të Sheshelit, Aleksandar Vuçiqit , ishte një pjesë e kabinetit qeveritar të Isa Mustafës me zëvendëskryeministrin e Graçanicës, ministrin nga Srpska Kraina e Kroacisë dhe ministrat tjerë që duan të bisedojnë për Trepçën në Bruksel . Le të kuptohet se kush është shefi këtu !! Ishin aty edhe komisarët politikë të Kishës Ortodokse serbe në Kosovë , sa për t’ua përkujtuar se :” Kosova është zemra e Serbisë..”. Mekanizmat ndërkombëtarë , si shumë armiqësorë ndaj Serbisë dhe shumë miqësorë ndaj Kosovës , u rreshtuan pas politikanëve tanë gjenialë duke u solidarizuar me zgjedhjet e Serbisë në Kosovë . Në fund të fundit edhe Meksiko, Kuba , Kolumbia po organizojnë zgjedhje në SHBA e pse mos ta bëjë Serbia në Kosovë ?! Pastaj , Algjeria , Maroko dhe Tunisi organizojnë zgjedhje të rregullta në Francë !! Apo Turqia dhe Rusia që organizojnë zgjedhje të rregullta në Gjermani sikur që edhe India , Pakistani dhe Nepali që organizojnë zgjedhje të rregullta në Angli !! Nuk është me rëndësi çka flet Vuçiqi por është me rëndësi që klasa e dytë e shkollës fillore të politikës kosovare mbanë qëndrim të paluhatshëm. Kur gjithë kësaj i shtohet vendosmëria antologjike e Agim Bahtirit për ta mbrojtur Mitrovicën e Jugut sepse ate të Veriut e mbrojnë Rakiqi me paramilitarët e Serbisë atëherë duhet të bëjmë gjumë të qetë sepse Kosova ka një siguri dhe perspektivë… të Sudanit ! Tash , disa politikanë dhe qytetarë të pakënaqur mendojnë se organizimi i zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë paraqet sulm dhe agresion mbi integritetin territorial dhe sovranitetin e Kosovës dhe unë aspak nuk pajtohem me ta për arsye se Serbia nuk ka nevojë ta sulmojë Kosovën për shkakun se është e pranishme këtu si partnere politike e miqve të Ismetit dhe Ademit dhe si partnere biznesi me vendorët. Në fund të fundit , mos u ngutni sepse , lehtë mund të ndodhë që Barjam Gecaj , Ademi , Ismeti , Zafa , heroina e Shekspirit nga Otello , pianisti i Aleancës do të jenë bartës të zgjedhjeve parlamentare të Kosovës në Serbi, në vitin 2018. Viti po dihet tashmë ( 2018 ) , kurse është caktuar edhe muaji ( Prilli ) sikur edhe data ( 1 Prilli ) ! Ashtu do të ndodhë !

Tradhëtarët dhe kombëtarët
Nuk besoj se mund të ketë ndonjë vend në botë ku me lehtësi bëhesh patriot edhe në rast se ke qenë krejtësisht e kundërta dhe ku mund të shpalleni tradhëtar ndonëse nuk keni të bëni asgjë me këtë. Kam lexuar dikund se në Izrael mund të bleni tituj të trafikuar të fisnikëve me pak para dhe kjo është parajsë për injorantët që kanë para por u mungojnë parashtesat e fisnikëve , familjeve mbretërore , lordëve dhe broçkulla të tjera. Në Kosovë mund ta gëzoni statusin e veteranit të luftës , invalidit të luftës , invalidit civil ndonëse në atë kohë keni qenë duke punuar në Afganistan , Brazil apo Holandë ! Apo nëse keni miqësi me politikanë trutharë sikur edhe me komandantë të kontrabanduar. Mund të jeni veteran i luftës edhe nëse keni qenë paramilitar i Bujarit apo edhe i Serbisë. Apo edhe nëse keni qenë oficer i KOS-it , UDB-së apo BIA –së serbe. Kemi një degradim të skajshëm moral të atyre që e fitojnë këtë status dhe atyre që e vendosin për këtë status. Duket se për vendet ballkanike kjo dukuri është shndërruar në diçka normale , që nga viti 1945 e deri më sot . Më bëri përshtypje lufta virtuale midis VV dhe LDK-së. Vetëvendosje e akuzonin kryeministrin Mustafa se djemtë e tij paskan bërë biznes me Delta Motors të Mishkoviqit në vlerë prej 70.000 eurove në kohën kur nga Serbia importohen mallra prej së paku 400 milionë euro dhe këto janë para të pozitës dhe opozitës. Iraku dhe Irani kanë bërë luftë mbi 10 vjet dhe në ndërkohë kanë bërë tregti sikur që edhe gjatë luftës në Bosnje serbët ua kanë dhënë me qera boshnjakëve dhe kroatëve armatimin e rëndë . Nuk jam idhtar i të bërit tregti me Serbinë në kohën kur ky shtet po përpiqet të na fshijë nga faqja e dheut mirëpo , gjithashtu jam kundër standardeve të dyfishta ku djemtë e Isa Mustafës nuk po dashka të bëjnë tregti kurse të tjerët paskan të drejtë të blejnë mallra me dhjetra milionë euro! Realisht , në këtë rast tregtia e ( pa ) lejueshme po përdoret si pretekst për luftë politike kundër Isa Mustafës. LDK, përkatësisht disa eksponentë të saj me kurriz më shumë se fleksibil , duke bërë përpjekje ta mbrojnë liderin e tyre sikur në Korenë e Veriut shkojnë aq larg sa që e shpallin Albin Kurtin tradhëtar dhe bashkëpunëtor të Serbisë. Me Albin Kurtin mund të mos pajtoheni me qëndrime politike apo mënyrën e veprimit por , duhet t’i keni disa vërtetime të instancave më të njohura psikiatrike të botës që e dëshmojnë çmendurinë tuaj para se ta shpallni Albinin tradhëtar apo bashkëpunëtor të Serbisë ! Kjo i kalon kufijtë e të gjykuarit normal , ta them më së buti! Prandaj, është shumë e rrezikshme loja me patriotë dhe tradhëtarë , 17 vite pas përfundimit të luftës kur këto gjëra dihen mirëfilli pasi në Kosovën e vogël të gjithë e kemi një letërnjoftim personal dhe familjar ! Lojërat e ndyra i mbani për vete dhe na kurseni pak !
Shesheli , Karaxhiqi dhe Behxheti
Emërues i përbashkët i këtyre tre emrave është se në një kohë këta persona janë takuar në rrethana që kanë qenë krejtësisht të kundërta me realitetin sot. Si dhe se të tre këta persona janë dënuar me burg ; Shesheli për propagandë armiqësore në ish Jugosllavi dhe pastaj , duke e turpëruar skajshmërisht Tribunalin e Hagës me fyerje dhe mospërfillje u lirua nga kjo Gjykatë politike , Karaxhiqi u dënua për gjenocid dhe krime lufte nga Tribunali i Hagës me 40 vite burg kurse Behxheti u dënua nga ish Jugosllavia për faje politike dy here, me 15 vite burg. Po këta tre persona në një kohë të largët janë takuar në Sarajevë , në rrethana krejt ndryshe ; Shesheli si marksist i betuar e mbronte komunizmin dhe Jugosllavinë socialiste, Behxheti kërkonte të drejta që shqiptarët ta kenë shtetin e tyre ndërsa Karaxhiqi , si roker dhe boem shkruante këngë për grupe të ndryshme dhe poezi pa u ngatërruar fare në zhvillime politike ndonëse ishte asistent i neuropsikiatrisë në Spitalin “ Koshevo “ në Sarajevë. Në Sarajevë studionte edhe Shesheli por edhe unë. Shesheli shkencat politike . Shesheli gjithmonë ka qenë kryengritës dhe i vendosur në mbrojtje të qëndrimeve të veta. Si dhe cinik i madh. Tash doli se ndodhi një konvertim i madh, Shesheli nga një marksist kaloi në skajshmëri duke u shndërruar në një nacionalist të egër serb sikur që edhe Karxhiqi që nga një pozitë e një indeferentizmi politik u bë ideator dhe zbatues i një gjenocidi kundër myslimanëve boshnjak dhe kroatëve . Transformim interesant i personaliteteve dhe përmbajtjeve të tyre. Shesheli edhe sot kur e ka prerë biletën për ferr i fyen dhe provokon kroatët dhe shqiptarët . Ashtu do të sillet edhe me Belzebubin , kryedjallin në ferr ku do të shkojë së shpejti.
A e ka mendjen Hashim Thaçi të festojë apo të protestojë
Hashim Thaçi është figurë interesante në skenën parapolitike kosovare. Ai është njeri që i mbijetoi të gjitha krizat por që seriozisht mund të sfidohet prej situatave normale . Hashim Thaçi , pa fije problemi dhe pa përcjellje të sherpasëve të Nepalit, pa pajisje të domosdoshme për alpinistët , mund të pushtojë Himalajet. Sepse është i ndërtuar për shkaktimin dhe menaxhimin e situatave të krizave. Po i njëjti Hashim Thaçi , po të gjendej në një kopsht të rrafshët me lule , mund të merr në thua dhe t’i thyej të dyja këmbët sepse nuk është mësuar dhe nuk është ndërtuar për këso kushte. Hashim Thaçi me 7 prill në Kuvendin e Kosovës do të betohet për president ndërsa me 8 prill në sheshin Skënderbeu do të jetë figura qendrore e inaugurimit për president ku do të bëhet dorëzim – pranimi i detyrës nga zonja Jahjaga , ish presidente te Hashim Thaçi , president i zgjedhur. Është paraparë një ceremoni inaugurimi ku, nëse u besohet medieve janë të ftuar 1200 persona nga Kosova dhe vendet e ndryshme të botës. Në një kohë të një krize të theksuar ekonomike dhe politike e përcjellur me krizë morale , kjo ceremoni skenderbeniane më duket e tepruar dhe e paparanueshme, në çdo aspekt. Do të ishte krejtësisht normale dhe e pranueshme që pas betimit në Kuvendin e Kosovës aty të bëhet edhe dorëzim – pranimi i detyrës pa pasur nevojë t’i trazohet rehatia Skenderbeut. Opozita këtë ceremoni e merr si provokim e që në rrethanat aktuale mund të llogaritet si e tillë. Mund të mendohet se pjesa dërmuese e të ftuarve do të jenë shqiptarë nga të gjitha trojet etnike dhe multietnike , politikanë dhe atdhetarë të dëshmuar sikur edhe politikanë dhe atdhetarë të deklasuar që , me të dëgjuar tupanin e parë shkojnë në dasmë, të ftuar dhe të paftuar. Të huaj nuk do të ketë shumë dhe ata kryesisht mund të jenë të eliminuar nga Champions Ligue politike apo klientë të Panama Pappers. Prania aq e madhe të shqiptarëve etnikë më bën të dyshoj se Hashim Thaçi, përmes këtij inaugurimi , në fakt po e nisë procesin e bashkimit kombëtar sikur Hasan Prishtina e Mit’hat Frashëri. Ose , i pakënaqur me veprimet e opozitës, me këta 1200 të ftuar mund ta organizojë një demonstratë apo protestë kundër opozitës dhe zyrës së BE –së që nuk po na njeh të drejtën për liri të lëvizjes përmes liberalizimit të vizave. Hashim Thaçi është i paparashikueshëm , është cinik si vet Çerçilli , hakmarrës si Agripina , lojtar bixhozi politik si i ndjeri Omar Sharif por se ka harruar se sheshi Skënderbeu është terren i rrafshët dhe shumë i rrëshqitshëm për ndërtimin e tij prej njeriu që vështirë përshtatet në këto terrene ! Duke e falenderuar deri në qiell për nderin që më ka bërë duke më futur në listën prej 1200 të ftuarve , për arsye që i përmenda më lart do të mungoj në sheshin Skënderbe me datën 8 prill kurse do të jem në Kuvendin e Kosovës me 7 prill 2016 gjatë dhënies së betimit. Shpresoj se mungesa ime nuk do të bjer shumë në sy sepse mbesin edhe 119 tjerë të ftuar dhe nja 500 të paftuar! Masë e mjaftueshme për një protestë “ gjithëpopullore “! Për të festuar apo për të protestuar !

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura