Tiranë, 7 tetor 2020:
SHAHIN KOLONJA I RIU: KUVENDIM ME BIRIN
1.
Unë Shqiptaria , o Enver, për jetë do të thërres si Nëna jote: BIR!
Sepse u thinje që mua t’më jepje rininë…
Të dhashë gjithçka që kisha të mirë,
Ti më dhe Dritë…
Dritë që të shoh moshën time të pamatë
Nga lashtesia gjer në shekujt që po trokasin..
Nëse jam unë jetëgjatë ,
Dhe Ty, o Bir, shekujt do të të masin…
Se Ti me jetën time jetove,
Me luftrat, fitoret, brengat, këngët.
Më shumë se unë për mua gëzove,
Më shumë se Nënave të dhëmbën të rënët…
Në kthjelltësinë e fjalës Tënde, Unë pashë vetveten,
Dhe blerova si frytet e shëndetshme të një peme…
Biseda me Ty, o Bir, më pranveron jetën,
Biseda me Ty më bëhet këngë poeme…
2.
Ti më erdhe si të verbrit drita e syve,
Kur jetën ma kishte zënë bryma…
Nën qiellin-helmettë të pushtimit ne të dyve,
Sa nuk na zihej fryma…
Ti hyre në zemren time si në shtëpinë Tënde
Dhe me durim e dhimbje
Shpirtin e akullt ma ngrohe…
Të njoha dhe më njohe..
Ç’kërkoja unë, doje dhe Ti.
Ç’urreje Ti, urreja dhe une…
Ne qenkeshim një brumë…
M’u gjete , o Bir, në ditë të zeza, kur dhe vetë duhej të ruheshe.
Por Ti s’pyete, erdhe kur më duheshe !
Erdhe kur mua, POPULLIN, më quanin turmë me përbuzje e tallje.
Erdhe kur bejlurçinat u tundnin vithet fashistëve
Qenit i hidhnin mish e mua kokalle…
Erdhe dhe u ule në sofrën time me halle…
Nën dritën e llampës së vajgurit
Ma mbështete dorën e ngrohtë pranë gjurit…
Nën atë dritë llampe Ti u kërkove besa-besë
Teutës, Batos, Skënderbeut pallëzhveshur,
Gjithë kryengritësve të Malit e të Fushës,
Gjithë burrave të Kuvendit të Lezhës e Prizrenit armengjeshur,
Gjithe Rilindasve të penës e të pushkës,
Gjithe trimave të Kuvendit dhe Epopesë së Vlorës.
E delegateve të Kongresit të Lushnjës…
I solle të gjithë pranë sofrës time , o Bir, e i mblodhe tok…
Bashkove gjithë kohët në një çast dhe bëre E P O K Ë…
3.
Ti , o Bir, ma përtërive gjakun tim në damarë,
Vajzat më të mira, djemtë më të mbarë…
Por s’e fsheh.. në fillim bluaja hollë:
“A do më nxjerrin, vërtetë, këta të rinj nga halli?,
Se më kanë prirë të tjerë më të kamur e më me shkollë,
E më kanë lënë të përpëlitem si peshk zalli..”
. . . Po, kur i pashë djemtë e vajzat si nure,
Që këmishat sterrë të zeza i qëndsinin me kobure…
Ateherë me krahë u ndjeva !…
Nën rrogoz e nën gjuhë i fsheha…
Dhe i kërreja nga deriçkat pas shtëpive.
Ata rendnin rrugicave , avllive…
Rendnin me shportat mbushur me trakte ,
Traktet me gjethe mbeshtjellë..
Traktet me firmën Tende si Diell…
Rendnin djemtë e vajzat nëpër mbledhjet ilegale,
Rendnin si zogjtë drejt Teje…
Dhe Ti i përgatitje për ndeshjen e madhe.
Iu ndizje prush beteje…
Nga ai prush unë POPULLI u ngrita në këmbë,
Më i rëndë se toka e rëndë,
Më i lartë se malet vigane,
I ngjesha këngët e përgjakura në gjoks si gjerdanë…
Për herë të parë pushka e drejtësisë m’u shpraz me gjithë dufin e urrejtjes!
Për herë të parë pushtuesve e padroneve u erdhi Dita e vedkjes !
Për herë të parë me Ty, Pishtar ,
mposhta stuhira e furtuna,
Edhe fitova më të lavdishmen EPOPE.
Dhe Ti, o Bir, më përshendete nga tribuna: “
“Eheeej! o i çliruari Promete. vargonjtë e t’u i shpura në muze !”…
4.
Ka popuj që motin e ri e gëzojnë në pranverë.
Të tjerë, në ditët e fundit të Dhjetorit.
Ndërsa për mua, o biri im Enver,
Moti i Ri është 29 Nentori…
Atë mëngjes u gdhiva unë i lirë
Dhe nisa jetën me tjetër kalendar.
Lumturinë time e ndjeva, o Bir,
Në buzëqeshjen Tënde si behar…
Ajo ditë githcka të kalbur e përpiu..
Atë ditë, Ti, o bir, u bëre hark ylberi..
Pushtuesit , puthadorasit e tyre i ndave nga ana e shiut,
Mua, POPULLIT FUKARA, më dhe anën e Diellit..
U bëra i gjithëpushteshëm atë Dite unë
Koha më dha nder e emer… :
Ata qe dikur me quanin turmë,
Unë i quajta qenër…
E dija ç’urrejtje fshihnin ata në bebza,
E dija ç’ndjenin, kur unë shpërndaja tymrat e luftës,
Kur injorancën dhe malarjen i vervisja në ujrat e zeza,
Kur hapja shkolla, mbyllja mejhane dhe i shtroja udhe bukës…
Kur lidhja qytetet e rinj me udhën e re të hekurt,
Kur bëra atë që s’kisha bërë në shekuj…
Ndodhi kështu, o Bir, se drita jote m’u bë gjak në deje…
Ti Yll i Karvanit, Unë – karvan pas Teje !…
5.
Nga dashuri e thellë shpesh pyes veten time,
“Qysh rilinda prej Teje, kur Ti je pjella ime ?”…
Dhe Ti më gjegjeshe:
“Unë s’rashë nga qielli që t’u fshihesha acareve e të beja hije nëpër zhegje,
U linda nga dhimbja e vuatjeve të tua Dhe Ti, më ngjite në Tëndin zenith të ndërgjegjes..
Jam biri yt , O POPULL, Ti je prindi im.
Gjenia jote më lindi…”.
Tek dëgjoja Ty, o Bir, zemra më bëhej mal.
“Dita njëmije, o djalë !”
..Në më të voglën fatkeqësi,
Më parë se unë Ti brofje në këmbë…
Dhe flisje ashtu si dije Ti,
Sa dhe brenga na kthehej në këngë…
Dhe kur këndoja unë, Ti ma ktheje,
Siç kthejnë jehonën malet e larta…
Iso na mbanin pushkët me tytat në qiej
Dhe flladi i arave të begata…
Ky ishte pulsi i jetës sime të bardhë.
Pa të unë ende me arna në rroba do isha.
Ashtu dhe toka, do më mbetej a arnuar me sinore e gjerdhe,
Ashtu si zemra e arnuar me xhami e kisha…
Nuk e fsheh. . . jam falur në krishtër e pejgamerë,
Por thellë në shpirt s’e kam besuar ndonjëherë…
U jam lutur t’më bënin pak dritë ne errësirë gjithë shenjtoreve në kornizë ,
Por kërthinjve nuk u erdhi asnjë kafshate buke, asnjë thërrmijë gjize…
Andaj, për mua në ka Perendi,
Ishe Ti, o bir, ishe Ti !…
Por Ti ma preve keq, o dritë, o Yll:
“Para askujt, o popull, syrin mos e mbyll !
As para atij që ka merita.
Në do që shpatën mos e futësh në myll
Në do që jetës tënde mos i shkurtohet dita!..
Shpatën të mprehte për sot e për nesër,
Gjersa të gjithë të bëhemi vëllezër.
Gjersa të zhduket “imja” e gjithçka të jetë “jona”,
Gjersa mos dëgjohet më servili, prepotenti, egoisti,
Gjersa ministri të dijë të mbjellë grurë e të shtyjë vagona,
Gjersa çdo qytetar të dijë të qeverisë si ministër !”
Këto thesare më mësove mua, o Biri im, o gur i çmuar !
Në shpirtin Tënd, Unë pashë vetveten.
Unë, rrënjeza Jote, Ti fryt i asaj Peme..
Biseda me Ty, o Bir, ma pranveronte jetën
Biseda me Ty m’u bë kengë poeme…
Tetor 2020