Durrës, 18 tetor 2020: “Sa mirë ndjehesh kur gjen, dhe kur ka, por që lexon e studion libra të autorëve shqiptarë dhe të atyre të huaj, studime dhe vepra me vlera të mëdha artistike, estetike, historike, njohëse, edukative, morale, shkencore e kombëtare; sa mirë dhe sa kënaqësi është edhe t’u jesh mirënjohës dhe falenderues të gjithë atyre të cilët na kanë lënë si trashëgimi vepra të mëdha, si dhe ata që sot studiojnë, shkruajnë dhe akumulojnë dituri me libra e shkrime, me artin e të shkruarit.
Sa mirë është që njerëzit të lexojnë e të studiojnë sepse pena e libri të japin dituri, kënaqësi dhe lumturi duke të tërhequr në të duhurën dhe në të dobishmen që të mos e harxhosh as kohën e lirë kot dhe me gjëra boshe.
Studimi është argëtimi më i mirë, si për ata të cilët shkruajne vepra letrare ashtu edhe për ata që i lexojnë dhe mësojnë prej tyre, edhe pse studimi ta lodh mëndjen por ama ai ta nxit e gdhënd logjikën e arsyen dhe ta qetëson shpirtin, sepse dija të jep lumturi.
Njerëzit kanë gjithmonë nevojë të dinë e të mësojnë të panjohurat dhe të vërtetën, të dinë origjinën dhe historinë e popullit të vet, lavdinë dhe krenarinë e kombit të cilit i përkasin”.(“Lexoni e studioni për të mësuar”, nga Skënder Sadri KAPITI,)
Këtë shkrim të shkurtër timin mendova dhe e vendosa si hyrje të këtij opinioni mbi studimin e Znj. Vilhelme Vranari HAXHIRAJ “Autoktonia e Shqipërisë Jugore , enigma e shekujve”, studim të cilin meriton që ta kenë dhe ta studiojnë lexuesit shqiptar , sepse ia vlen shumë, pasi kanë se cfarë të marrin e mësojnë lexuesit prej këtij studimi shkencor të shkëlqyeshëm të saj.
Shkurtimish po jap një opinion dhe përshtypjet e mia për Libër-studimin e shkrimtares së madhe Vilhelme Vranari HAXHIRAJ me titull Autoktonia e Shqipërisë Jugore , enigma e shekujve” në vazhdën e veprave të saj me vlera të mëdha letraro-artistike dhe historike .Ky studim i Vilhelmes si qëllim ka atë se nga enigmë, studimi i saj na sjellë të vërtetën historike dhe kombëtare iliro-shqiptare të shqiptarëve me një studim përkushtimor dhe të thellë analitik me fakte e argumente të pakundërshtueshme.
Ky studim është një “enciklopedi”në të cilën znj. Vilhelme ka hulumtuar, studiuar, grumbulluar dhe analizuar shkencërisht dhe me një punë jashtëzakonisht të thellë intelektuale, dhe shumë e më tepër ky studim është edhe një enciklopedi, pasi autorja në të ka grumbulluar për të mësuar brezi i sotëm si dhe është një konservim e ruajtje studimore për t’ua transmetuar brezave të ardhshëm, pasardhësve të shqiptarëve origjinën, historinë, gjuhësinë, të vërtetat dhe krenarinë kombëtare pellazgo-iliro-shqiptare.
Kështu Znj. V,V. Haxhiraj me këtë studim të saj ajo i ka bërë një shërbim të jashtëzakonshëm akademise dhe kombit shqiptar.
Kjo është merita e madhe e studiueses Haxhiraj që na e solli në këto kohë atë që është aq shumë e nevojshme edhe për të sotmen dhe për të ardhmen.
Dhe nuk është rastësi që vjen edhe ky studim shkencor nga Vilhelmja.
Çdo shkrimtar ka qëllimin dhe tematikën e vet të preferuar.
Kështu edhe Vilhelmja ka të vecantën e saj. E gjithë krijimtaria e saj pasqyron formësimin si dhe trashëgiminë e saj nga një dere fisnikërie, thellësisht intelektuale dhe me shpirt e me ndjenja të jashtëzakonshme kombëtare e patriotike shqiptare.
Qëllimi i krijimtarisë së kësaj shkrimtareje të madhe vjen, buron ashtu sikurse e tregon edhe studimi dhe hulumtimi që ajo u bën në veprat e saj rrethanave, ngjarjeve, heronjve dhe elitave patriotike, intelektuale, kombëtare me rendësi e kontribute kombëtare si rrallë ndokush tjetër si ajo.
Studimi akademik e shkencor i paraqituar në librin e saj më të fundit është një depërtim i saj thellë në kohë e lashtësi për të na sjellë në kohët moderne origjinën dhe njëkohësisht edhe krenarinë e trashëgiminë tonë kombëtare si dhe kontributin e madh të të parëve të shqiptarëve edhe në civilizimin dhe në historinë botërore.
Lexuesi duke studiur këtë studim akademik e shkencor të Znj. Vilhelme ashtu si edhe te veprat e tjera të saj, lexuesi njeh dhe mëson origjinën, vlerat, mendësinë, doket, zakonet, historinë, kulturën, traditën,gjuhën, trashëgiminë dhe qëndresën mbinjerzore të popullit heroik shqiptar.
Vepra e saj ka vlera letrare, artistike, akademike e shkencore dhe sidomos patriotike, kombëtare,historike dhe njëkohësisht jashtëzakonisht të mëdha edhe sot aktualisht kur armiqtë historikë të shqiptarëve, serbët dhe grekët bëjnë maksimumin për të mohuar të kaluarën dhe autoktoninë shqiptare në Ballkan me gënjeshtra e manipulime e deri në synimet e tyre shoviniste për të marrë e grabitur troje shqiptare duke mos u mjaftuar me ato mbi të cilat janë ngritur shtetet sllave të ardhacakëve nga Karpatet Serbia, Maqedonia e Mali i Zi si dhe Greqia, e që dikur edhe ato troje flisnin e frymonin ilirisht e shqip.
Pra,znj. Haxhiraj ka specifikën e saj të vecantë që ngjall te lexuesi edhe mirënjohje dhe respekt karshi asaj se cfarë ajo ofron dhe u jep si mësim dhe edukim atyre.
Vepra në fjalë, ashtu si dhe të tjerat të shkrimtares Haxhiraj kanë larminë e madhe tematiko-letrare e historike dhe shtrirjen gjithkohore e gjithëdimensionale, kanë thjeshtësinë e modestinë, kanë të kuptuarit lehtë nga të gjitha kategoritë e lexuesve.
Ajo na sjell të kaluarën në të tashmen , pozitivizmat dhe vlerat të cilat janë oksigjen dhe frymëzim krenarie e mburrje, por janë sidomos porosi e detyra për bashkëkombasit e saj, dhe si nje sfidë intelektuasle e shkencore, faktike dhe analitike kundër të gjitha manipulimeve , mashtrimeve, hipokrizive dhe djallëzive të armiqve të shqiptarëve të cilët edhe na kanë vjedhur gjuhën, zakonet, kulturën, trojet dhe deri edhe historinë
Vlerat artistike të krjimtarisë të saj, të veprave të saj, si dhe veprat e atyre mendimtarëve e shkencëtarëve të mëdhenj shqiptarë por edhe të shkenctarëve të mëdhenj botëror dashamirës të shqiptarëve që kanë trajtuar dhe shkruar mbi të vërtetën e shqiptarëve , të cilët znj. V.V.Haxhiraj i ka studiuar dhe u është referuar në studimin e saj tregojnë modestinë dhe përkushtimin gjithshpirtëror të saj për të evidentuar dhe përjetsuar të vërtetat historike e kombëtare si dhe krenarinë e vyer e të cmuar të pellzgo-iliro-shqiptarëve.
Kjo shërben edhe si një porosi për brezat e ardhshëm që lë vepra e Vilhelmes.
Unë nuk do zgjatem më tej , por kjo është shkurtimisht ajo të cilën vendosa që të shkruaj, por ftoj lexuesit që ta marrin e ta lexojnë librin “Autoktonia e Shqipërisë Jugore, enigma e shekujve”.
Është për t’u përshendetur puna me vlera të jashtëzakonshme dhe me rëndësi kombëtare intelektuale, akademike dhe shkencore e studiuesve shqiptarë si znj. Vilhelme Vranari Haxhiraj të cilët po sfidojnë akademitë antishqiptare dhe shoviniste të Serbisë dhe të Greqisë, por që këta shqiptarë letrarë e shkencorë të mëdhenj fatkeqësisht dhe mjerisht ata as nuk mbështeten, as nuk vlerësohen dhe as nuk financohen nga shteti shqiptar dhe që as nuk i përmendin madje as emrin Akademia (Injorante) e Shkencave e Shqipërisë. Ky studim i Znj. Vilhelme vjen edhe si antitezë edhe ndaj atyre farë letraxhinjve “të mëdhenj”të cilët nuk e prekin këtë temë që trajton Vilhelmja dhe dikush tjetër si ajo, qoftë nga frika apo servilizmi por që të tillët e “mëdhenj” kërkojnë vetëm që të marrin merita e dekorata presidenciale e honorare materiale edhe ndërkombëtare madje. Bota edhe të jep dekorata,por ajo është shumë e kujdesshme dhe nuk nderon heronjtë si dhe as letrarët e nacionalistwt shqiptar, pra as ata që trajtojnë tematika patriotike e kombëtare shqiptare.
Nga Skënder Sadri KAPITI, shkrimtar, analist dhe studiues i historisë, fesë, moralit, jurisprudencës e politikës.
Durrës, 18 tetor 2020