GJOKË DABAJ: KUR TË MOS MBËSHTETESH TE TË VDEKURIT

(Durrës, 03. 12. 2012) – Në një televizion, një natë, njëri nga të ftuarit tha kështu: “Mos u mbështetni te të vdekunit! Mjerë ai që mbështetet te të vdekunit!” Fillimisht mendova se ishte i nxehur. Edhe unë, kur jam i nxehur, mund të them fjalë që nuk qëndrojnë. Madje, në televizion, kur thua fjalë që nuk qëndrojnë, është shumëfish më vështirë, sepse nuk mund t’i korrigjosh. Kur mendimin e hedh në letër, është ndryshe: E shkruan dhe e ndryshon aq herë, sa të të mbushet mendja se e ke thënë mirë.
Mirëpo ky, duke thënë “Mos u mbështetni te të vdekunit”, donte të krijonte “kombin kosovar”. Për ta krijuar “kombin” e çudishëm “kosovar”, këtij doemos i duhej të kërkonte që njerëzit të mos mbështeteshin te të vdekurit. Thënë ndryshe, këtij i duhej që njerëzit, me të cilët po donte ta krijonte atë “komb” të ri, të harronin traditën.

Halil Matoshi – në debatin “Shqiptarë – Kosovarë apo një.

________________________________

SHIKONI: DEBATI NË TV’KLAN – SHQIPTARË – KOSOVARË APO NJË
http://www.tvklan.al/emisioni.php?id=5406 

============================

Unë, për vete, mbështetem shumë te të vdekurit. Bisedoj thuajse gjithë ditën pikërisht me të vdekurit. (Se kështu ma kërkon profesioni.) Me të gjallët shkëmbej përshëndetje, u them ndonjë fjalë të mirë, u bëj ndonjë urim, bisedoj ndonjë gjë me ta, marr ose jap ndonjë porosi, dhe kaq. Bisedoj, natyrisht, me të gjallët edhe nëpërmjet libravet apo artikujvet që shkruajmë. Por pjesën më të madhe të kohës e kaloj me të vdekurit. Me Mitrush Kutelin, me Fan S.Nolin, me H.Pedersenin, me W.Shekspirin, me Balzakun, me Njutonin, me Hegelin, me Naimin, me Petro Markon, me Martin Segonin, me Sen Simonin, me Ljev Tolstojin, me K.Marksin, me Prokopin e Cezaresë, me R. Kokun, me F. Bopin, me Çesk Zadenë, me Shën Jeronimin, me Muhamedin, me B. Brehtin, me Xh.Xhojsin, me Xh. Londonin, me A.Çehovin, me gjyshin tim dhe me tim atë, të cilët s’lanë gjë të shkruar, por që më lanë trashëgim shumë mendime, që kur isha fëmijë, me S.Cvajgun, me Niçen, me H.Sulejmanin, me Shën Palin, me E.Hoxhën, me Zh.P.Sartrin, me Ali Podrimjen, me Pablo Nerudën, me Julius Fuçikun, me Hitlerin (Main Kampf), me F.Shilerin, me E.M.Remarkun, me Gëten, me Dante Aligierin, me Virgjilin, me Homerin, me Tuqididin… Që të gjithë këta kanë vdekur, por unë një pjesë të madhe të jetës sime e kaloj pikërisht në shoqërinë më të ngushtë me këta. Madje, nuk di se si do të mund ta vazhdonte njerëzimi jetën pa u mbështetur te të vdekurit e vet. 
Në orët, kur nuk bisedoj me të vdekurit, unë ulem në një kolltuk 20-vjeçar, punuar nga një mik i imi i hershëm, dhe flas me njerëzit që ende nuk kanë lindur. Shkruaj dhe mundohem të botoj libra, në mënyrë që ata, ata që ende nuk kanë lindur, të mund të mësojnë diçka prerj meje, kur unë të kem vdekur…
Po e dëgjoja atë të ftuar të veçantë të atij televizioni dhe po më dhimbsej. I ziu ai! Kërkon të krijojë një komb e nuk di ende që brezat janë të detyruar të mbajnë lidhje njëri me tjetrin! Atij po i drejtohej bashkëbiseduesi me shumë njerëzi dhe me edukatë: “Unë nuk mund t’i hedh poshtë, nuk mund t’i harroj, nuk mund t’i mohoj, dëshmorët që kanë dhënë jetën për Flamurin Kuq e Zi dhe që janë varrosur të mbuluar pikërisht me atë Flamur.” Ai, megjithatë, insistonte: “Mos u merr, more, me të vdekunit! Kosova është krijesë e konjuktuarvet dhe ashtu do të mbesë!”
S’po dija a duhej të më dhimbsej më shumë ai apo toka, dyshemeja, që po e mbante.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura