SADRI RAMABAJA: LEGJITIMIMI I INJORANCËS

(Prishtinë, 03. 12. 2012) – Politika gjithnjë e më shumë bëhet profesion i vështirë, për të mos thënë i pamundur. Kjo fushëveprimtari, sidomos në shtetet në tranzicion, siç është Republika jonë, është vështirë të përkufizohet se ku fillon dhe ku mbaron. Pjesëmarrja në politikë, respektivisht në hartimin e politikave, po merrë konotacionet e të panjohurës, meqë bashkëautorë ka ose tepër pak ose janë të tepërt. Rast për një debat të ri.
Kriza politike që bazamantin e ka tek kriza morale që po kalon Kosova në shikim të parë na duket si diçka e re, aq sa do të mund të thuhej se nuk ka ndonjë libër shkencor ku do të duhej të mbështeteshim për tejkalimin e saj. Thuase ndodhemi edhe në mes të krizës që burim ka mosdijen, injorancën, respektivisht mosnjohjen e vetvetes! Në këtë kuadër nuk mund të flitet as për kulturë politike të etabluar. Madje ajo që mund të potencojmë në këtë rast, është fakti trishtues: kultura politike tek një pjesë e mirë e elitës në gjithë hapësirën shqiptare lë shumë për të dëshiruar. Në këtë rrafsh madje duket se Kosova prin.
Ta pranosh këtë fakt, d.t.th. të fillosh të shestosh rreth rrugëve që duhet të ndjekim për ta kultivuar atë. E keqja më e vogël do të ishte nëse kjo do të venerohej vetëm tek masat, por kur kultura politike si shpërfaqja më e dukshme e vetëdijes politike, i mungon edhe elitës intelektuale, respektivvisht kur ajo lë shumë për të dëshiruar, atëherë çështja është më serioze.
Në etapën e gjatë të zhvillimit të mendimit politik evropian, që ndërlidhet me sistemin politik dhe demokracinë si produkte të këtij mendimi, homosapiensi politik evropian zhvilloi kulturën e tij politike idenditare. Kjo kulturë politike në etapa të ndryshme të zhvillimit të saj, jo vetëm u identifikua me institucionet e kohës, (Kishën, Shtetin), por edhe ishte produkt i tyre.

Në Mesjetë (500-1500) kishim një homo religiozus në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Klasa kleriko-feudale ishte produkt i kësaj epoke. Kjo klasë zotronte shkrimin dhe leximin, dijen dhe kulturën, ndërkaq pjesa tjetër ishte analfabete, masë gjysmë e verbër, lehtë e manipulueshme. Kultura politike ishte gjithashtu produkt i mendimit politik skajshmërisht i dogmatizuar. Dhe pikërisht ky dogmatizim i kulturës politike i shkoi për shtati klasës politike që mbretërit t` i veshë me petkun e idhujve dhe natyrisht t` ia zgjasë shekujt e jetës despotizmit.
Qyteti dhe roli i tij në ngritjen e kultures identitare

Në Novobërdë gjatë epokës së dobësimit bizantin, elita politike e kohës, që ndryshe njihen si klasa e bujarisë, po krijonte një bërthamë të një principate me elemente të theksuara shtetërore, ashtu siç vepruan elitat politke shqiptare edhe në principatat tjera me qendrat urbane që po ngriheshin (Principatën e Shkodrës, nën dinastinë e Balshëve, Principatën e Durrësit, nën dinastinë e Topiajve, dhe Principatën e Artës, nën udhëheqjen e Gjin Bua Shpatës… ) Ndërkaq Gjergji i II Balsha shkoi më tej, ai synoi të krijoi Mbretrinë Shqiptare. Historia e Shtetit Shqiptar na dëshmon se krahas këtyre principatave të mëdha qenë krijuar edhe një varg principatash më të vogla, në mesin e të cilave rol të ndjeshëm do të kenë Principata e Kastriotëve dhe ajo e Dukagjinëve.
Burimet historike, ndonëse japin të dhëna fragmentare, tregojnë se gjatë mesjetës Dukagjinët kanë qenë familje fisnike e rëndësishme. Vet emri i kësaj principate ndërlidhet me titullin e lartë fisnik dukë dhe me emrin vetjak Gjin. Mbiemri Dukagjin lidhet me një personazh historik, me “dukën arbër Gjin Tanushin” (dux Ginius Tanushius Albanensis), i cili në një dokument të vitit 1281 përmendet si kundërshtar dhe i burgosur politik i pushtetit anzhuan në Shqipëri. Ndërkaq vetëm pas një shekulli shfaqet për herë të parë emri familjar Dukagjini.[1] Principata e Dukagjinëve kryeqendër të saj fillimisht kishte Ulpianën (në lindje të Prishtinës), ndërkaq pas pushtimit të saj nga Perandoria Osmane kryeqendra e saj u transferua në zonat e thella malore të Dukagjinit për t` u etabluar më pas në Lezhë. Ajo përfshinte brenda juridiksionit të saj Zadrimën, zonat në veri dhe në verilindje të Shkodrës dhe shtrihej deri thellë në Rrafshin e Kosovës.
Gjatë kësaj kohe sa selia e principatës së Dukagjinëve ishte Ulpiana, roli i Novobërdës , si qendër strategjike ushtarake, qoftë për faktin se ishte fare afër Ulpianës, qoftë ngase korrespondonte me një varg kështjellash që shtriheshin në pika poshtu strategjike të Gollakut (Busavatë, Kremenatë, Prapashticë, Grashticë…) ishte tejet i madhë. Ndërkaq roli i Katedrales së Novobërdës në krijimin e një elite kulturore identitare të lidhur me fatin e grigjës së saj, ishte evident. Qyteti i Novobërdës, krahas qyteteve-shtete të kohës, falë kësaj elite ishte ndër qytetet-shtete të rralla që kishte arritur të nxirrte Statutin e vet, një lloj kushtetute e kohës. Shih për këtë sigurimi qoftë edhe vetëm i kopjes së këtij statuti nga Biblioteka e Kopenhagenit, ku potencohet nga studjuesit se është vendndodhja e tij, pastaj botimi me studimin kritik që do ta shoqëronte, do të ishte një eveniment për historinë tonë, por edhe për vet kulturën e mendimit politiko-juridik të asaj epoke.
Selitja e kulturës politike identitare bashkë me përpjekjet për krijimin e bërthamave të shtetit Shqiptar do të marrë goditjen e rëndë nga pushtimi osman. Ajo që do të mund të konludohej në këso rastesh njohjeje me të kaluarën tonë, mendimin politiko-juridik, kulturën politike të kohës…është se bujaria shqiptare e këtij krahu të Shqipërisë, po t` i shpëtonte plojës osmane, fare lehtë do të ishte në ballë të një principate që do të mund të shnd[rrohej në bërthamë gravituese të Shtetit modern Shqiptar.
Por, siç dëshmon historia, në vitin 1454 sulltan Mehmeti i II rrethoi qytetin më të rëndësishëm e më të fortifikuar të Kosovës pas Shkupit, Novobërdën, emri i së cilës njihej mirë në vendet e tjera për prodhimin e arit dhe të argjendit. Pas një bombardimi 40-ditor me topa të mëdhenj dhe premtimit se mbrojtësve e banorëve të saj u garantohej jeta, Novobërda u dorëzua më 1 qershor 1455 dhe me këtë mori fund periudha e lulëzimit të saj si qytet[2]. Por sulltan Mehmeti i II, që ishte në krye të ekspeditës, me të marr qytetin, e shkeli fjalën e dhënë: 74 gra (sipas fjalëve të një dëshmitari) `iu dhanë të pafeve`, ndërsa 320 fëmijë u morën për t`u bërë jeniçerë në Anadolli[3].
Lajmi për rënien e Novobërdës, tronditi jo vetëm qytetet tjera shqiptare, por ai shqetësoi edhe Hungarinë, Italinë etj. [4] Pas marrjes së Novobërrdës, osmanët pushtiuan edhe qytetet tjera të Fushë-Dardanisë, ndërkaq perimetri i hapësirave të lira shqiptare ngushtohej çdo vit.
Mendësia teokrate dhe mendimi feudal dje dhe sot
Pushtimi i Ballkanit nga Perandoria Osmane, do të sjellë edhe në Kosovë, si në pjesën më të madhe të hapësirës shqiptare, mendësinë teokrate të gërshetuar me mendimin feudal, që në kulturën politike nuk kalon sinorët e krahinës. Kjo etapë në sferën shpirtërore e kulturore, do të thellojë çarjen e unitetit shpirtëror përmes konvertimit masiv të popullsisë në fenë islame.
Tashmë qendër e formimit kulturor nuk ishte as katedralja e Novobërdës dhe qyteteve tjera si Trepça, Ulpiane, Prizreni, Peja…e as kishat, por xhamitë.
Kështu obskurantizmi orjental dhe kultura anadollake e të menduarit po ulej këmbëkryq edhe në këtë pjesë të Shqiprisë, ndërkaq në rrafshin social e politik, rendi feudal që karakterizonte fshatarsinë e lirë, do të bëjë jetë deri në fund të viteve `70-të të shek. XX!
Kjo mendësi feudale teokrate, e gërshetuar me mungesë të theksuar të kulturës politike identitare, do të thellohet në epokën e pushtimit të sërishëm nga sllavët (1912) dhe për fat të keq, do të përcillet edhe në epokën tonë.
* * *
Forca politike që dominoi mendimin politik të viteve `90-ta të shek. XX, kur koha shtronte nevojën e ngritjes së strukturave çlirimtare në nivel nacional, këtë mendësi feudale e karikoi në mendim kuazimodern që gërshetohej me kulturën politike pacifiste, e që përkufizonte Atdheun brenda “mureve të avllisë”, ndërkaq obligimin kushtetues për mbrojtjen e tërsisë toksore e rrudhte në slloganin “ mbrojtje e pragut të shtëpisë”! Dhe pavarësisht karikimit të këtillë të obligimeve kushtetuese, si forcë politike ajo, falë mungesës së kultures politike, kryeqendrën e Republikës, edhe sot e kësaj dite e mban si bastion të vetin!!!
Historiografia jonë, pavarësisht se nën zë, ka shënuar tri prej betejave më të mëdha që janë zhvilluar në mbrojtje të tërësisë tokësore të Shqipërisë pikërisht në Gollak. Fjalën e kam për betejën që për vijë zjarri kishte hapësirën nga Prapashtica e deri në Shahiq, me përqëndrim të theksuar në Sfircë (1912), pastaj për betejën e Kikës dhe atë të Ushit (1944), që të trija si përpjekje titanike kundër depërtimit serb në hapësirën shqiptare.
Në ballë të këtyre betejave ishin politikanë që kishin kaluar pragun e mendësisë feudale dhe me kohë i kishin kuptuar mesazhet e epokës së revolucionit Francez (1789), që i kishte hapur rrugë krijimit të shtetit-komb në Evropë. Kështu ishte edhe në betejat për mbrojtjen e tërsësisë tokësore gjithandej nga jugu në veri të Shqipërisë s (Komiteti i Fshehtë në Manastir, Çeta e Themistokli dhe Mihahjl Gramenos, kryengritësit malësor në Deçiqin e Dedë Gjo Lulit…).
Pra kishim një ecje deri diku në hap me kohën…një progres politik, një përpjekje për ta lexuar rrjedhën pozitive të historisë. Ndërkaq me pushtimin dhe aneksionimin e kësaj pjese të Shqipërisë (tetor 1912-qershor 1999) për më se tetë dekada, do t`i hapet rruga akulturimit dhe asimilimit, injorancës politike, ndëshkimit politik dhe ekonomik, por edhe eksperimentimeve ekstreme me Kosovën, që do ta ushtroj pushteti i Beogradit duke shfrytëzuar aq sa kishte nevojë edhe shtresën e kolaboratorëve që nuk i mungoi.
Degradimi i mendimit politik që Atdheun e sheh në përputhje me mendësinë feudale të Mesjetës, kishte reflektuar në degjenerim të kultures politike deri në atë shkallë, sa krijimin e formacioneve të UÇK-së gjithandej në Drenicë, Dukagjin, Llap e Gollak…, kjo shtresë relativisht e „majme“ tashmë, e propagonte si rrezikun real jo vetëm për përmbysjen e idhujtarisë politike moderne, por edhe për egzistencën biologjike të shqiptarëve! Kjo idhujtari politike, tipike për popujt me kulturë të brishtë politike, ose të manipuluar tej mase për shumë vite, burimin e ka në mendësinë mesjetare të ‘homo religiosus’-it , ndërkaq do të përpunohet mirë nga qendra të mendimit politiko-ushtarak serb, në funksion të shpërlarjes së trurit sidomos gjatë dekadës së fundit të shek. XX.
Për fat të keq, partitë politike shqiotare kuazi legale, që vegjetonin në këtë epokë, kanë një rol tejet negativ në këtë rrafsh. Sa më heret që ky rol negativ i partive politike shqiptare mirret nën thjerrëzën e studjuesve të fushave të ndryshme shoqërore (sociologë, politikologë, filozof, historianë, por pse jo edhe antropolog, psikolog etj), duke pas për objektiv nxjerrjen e përfundimeve empirike sa më shterruese lidhur me atë se si ndodhi që e ashtuquajtura elitë politike dhe kulturore jona të dështoi aq keq, duke u shkëputur pothuajse fare nga blloku i rezistencës, aq më shpejt do të gjenim rrugët që do t` na shpjenin drejt daljes nga rrethi vicioz ku ndodhemi dhe rreziku që të mbesim peng i ndërgjegjes së vrarë të një brezi.
Në historinë e Kosovës të shek. XX-të, do të jetë pikërisht kjo mendësi, që do të ndikoj keq në strukturimin dhe vet rezistencën e organizuar nga UÇK-ja gjithandej në zonat ku ajo veproi. Ndërkaq pas luftës çlirimtare të UÇK-së, me ndihmën edhe të segmenteve të jashtme, në pushtet na rikthehet injoranca, haxhiqamilët tanë!
Sot, duke shfrytëzuar mungesën e kulturës politike, shkallën e ultë të dijes deri në trishtim të një shtrese të sundimtarëve tanë, një pjesë e mirë e shtresës rurale, bartëse e luftës për çlirim, tashti e vetëmashtruar dhe injektuese e klasës sunduese, por edhe një pjesë e mirë e shtresës urbane e zënë dhe mbetur peng në rrjetin e merimangës së nostalgjikëve titistë, së bashku, vazhdojnë të jenë kontribuesit më të mëdhenjë të riinstalimit dhe mbajtjes në jetë të mendësisë politike të ngritur në pushtet me gjithë injorancën politike, që u shpërfaq sy e faqe botës edhe në regjistrimet e publikuara nga EULEX-i.
A mund të themi prandaj, se duke lejuar që Republikën ta udhëheqin një grusht injorantësh, nuk disponojmë as vullnet politik e as dije p[r të marrë vendime politike të duhura? Distancimi nga kjo kategori injorantësh, që e kanë zënë peng Republikën, shih për këtë, është më se urgjent. Çfardo koketimi me këtë kategori, paraqet vazhdimin jo vetëm mungesë të dijes politike, por edhe regres politik, ndërkaq e mbledhur tok, kjo paraqet vet legjitimimin e injorancës!
A disponojmë farë strategjie për dalje nga ky rreth vicioz ku e ka futur injoranca Repubikën? Nëse jo, a jemi të gatshëm ta hartojmë atë dhe ta implementojmë në afate sa më të shkurtëra të mundshme? A do të duhej që vendimet për një veprim të tillë të mirreshin nën presionin e kohës dhe opinionit të trazuar në morinë e skandaleve që po prodhon kjo klasë sunduesish injorantë…
A janë faktorët që do të duhej të kiheshin në konsideratë gjatë hartimit dhe implementimit të kësaj strategjie, aq kompleks, sa na e bëjnë të pamundur veprimin tashti, sot, e menjëherë? Dhe jo krejt në fund, nëse nuk veprojmë në përputhje me këto kërkesa, mos vallë po lejojmë legjitimimin e injorancës madje edhe brenda Parlamentit?
Atëherë si mund të riformulohet definicioni mbi politikën sot, vendimmarrjen dhe legjitimimin e saj? Mos vallë, ajo, pra politika, gjithnjë e më shumë po na shndërrohet në profesion të vështirë, për të mos thënë të pamundur për ta nxënë?! Kjo fushëveprimtari, sidomos në shtetet në tranzicion, siç është Republika jonë, po rezulton se është vështirë të përkufizohet se ku fillon dhe ku mbaron. Pjesëmarrja në politikë, respektivisht në hartimin e politikave, po merrë konotacionet e të panjohurës, meqë bashkëatorë ka ose tepër pak ose janë të tepërt. Përgjimi i pushtetarëve nga EULEX-i dhe shpërfaqja publike e injorancës politike që ka marrë fatet e vendit në duart e saj, gjithësesi është rast për një debat të ri.
Gjendja e zymtë e krijuar në jetën e përditshme të qytetarit tonë, flet shumë për nevojën e një katarsisi politik. Këtij katarsisi mund t` i ndihmojnë vetëm brezi i ri pa ngarkesa nga e kaluara. Shih për këtë, Kosova ka nevojë imediate për një elitë politike dhe kulturore të denjë ët bëjë kthesën historike që e pret. Kjo elitë nuk është se mungon, pavarësisht se është e hollë… Por ajo duhet të ketë hapësirë veprimi, respektivisht duhet t`i pushtojë këto hapësira.
Duke i zgjeruar terrenin kulturës dhe mendimit politik, i hapet rrugë ardhjes në skenë të elitës së re politike dhe me këtë edhe perspektivës së Republikës së dytë shqiptare në Ballkan dhe bashkimit të tyre në një Federatë Shqiptare. Zgjerimi i hapësirës së lirisë nënkupton vetvetiu krijim të parakushteve për modernizimin e shoqërisë dhe funksionalizimin e shtetit. Ndërkaq vetëm një shtet funksional do të ishte në gjendje të mbrojë me sukses kauzën kombëtare. Gjatë historisë, në rrafshin gjithëkombëtarë Kosova ka dhënë kontribut të ndjeshëm. Përmes kontributit të drejtpërdrejt në skenën politike sot, duke u shkëputur nga vargonjtë e mendësisë feudale dhe kulturës politike të robit, duke u angazhuar pro forcave demokratike progresive, ne mund të kontribuojmë në ndryshimin e gjendjes aktuale. Pa ndryshim të këtij trendi, nuk mund të pritet zhvillimi ekonomik, ngritja e mirëqenies së qytetarëve, po as sigurimi i lirisë dhe dinjitetit të qytetarëve.
Formimi i kulturës politike është proces historik dhe çështje institucionesh. Nëse në Mesjetë këtë detyrë e kishte Kisha, sot atë do të duhej ta kishte në dorë Shteti dhe përmes institucioneve arsimore dhe kulturore t` i jipte gjak të ri mendimit politik, duke kontribuar në funksionalizimin e Republikës së dytë shqiptare që do të duhej të ishte kontribut në rrugën e integrimit kombëtar.
Përmes kësaj eseje dua ta shtroj për debat tezën mbi delegjitimimin e domosdoshëm të injorancës politike si imperativ i daljes nga rrethi vicioz ku e ka sjellë politikën, duke i dhënë përparësi absolute hartimit dhe legjitimimit të politikës që për bazë ka ekspertizën e duhur. Në këtë mënyrë, të gjithë ata që do të merrnin pjesë në kët debat të ri, do të kontribuonin që Republika të dalë nga kthetrat e injorancës, të fillojë ecjen vertikale e të dinjitetshme krahas demokracive tjera evropiane.
___________________
Bibliografia:
[1] Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Instituti i Historisë, Historia e popullit shqiptar I, Botimet Toena, Tiranë, 2002, f. 307/308
[2] Historia e Popullit Shqiptar I, Tiranë, 2002, f. 418
[3] Nolel Malcom, Kosova – a short history, (Kosova – një histori e shkurtër), Prishtinë, 2001, f. 95
[4] Po aty, f.128

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura