Prishtinë, 25 dhjetor 2020: Autostradat e gjeopolitikës moderne, UÇK-ja dhe fundi tragjik i Thaçit me shokë
Hyrje
Në vitin 1998, ndërsa ndiqja një kurs të veçantë në Institutin për Studime Europiane në Universitetit e Bazelit, në pauzën e gjatë, që e shfrytëzonim edhe për zëmër, njëra nga koleget e kursit, që vinte nga mileu trockist, një formacion politik i alternativës së majtë, më dha një ftesë për pjesëmarrje në një tribunë politike në cilësinë e ligjëruesit. Tema ishte: “Jugosllavia në epokën tranzicionale – pozita e shqiptarëve”. Ligjërata nuk duhej të ishte më e gjatë se 30 min, meqë ata i lënë hapësirë më shumë debatit interaktiv.
Paraprakisht kisha informacion që këto fragmente politike të së Majtës Europiane që konsideroheshin “si trockiste” në fillim të ekzistencës së tyre, deri kur Trocki do të vritej në një atentat nga KGB-ja në Meksikë, ku ishte në ekzil politik, ishin financuar kryesisht nga fondacione që ishin krijuar nga shërbimet inteligjente perëndimore. Pas Luftës së Dytë Botërore, këto “partiza”, të ashtuquajtura të majta, do të kalojnë nën kontrollin e rreptë të Moskës.
Vetëm pak javë para kësaj tribune, në Bazel ishte organizuar një tribunë e ngjashme nga një OJQ e afërt me këto “partiza”, ku temë qendrore ishte oponenca politike e së Majtës Europiane ndaj çfarëdo ndërhyrjeje të mundshme të NATO-s në Kosovë, ndërkaq në panel ishte Shkëlzen Maliqi. Në atë tribunë, edhe pse isha i njoftuar me shumë vonesë, vajta me të vetmin qëllim: të demantoja prapavijën politike të këtyre grupimeve politike të ashtuquajtura të majta të alternativës zvicerane, që ishin pro Millosheviqit dhe atë duke u thirrur në normat e së drejtës ndërkombëtare për pacenueshmërinë e integritetit dhe sovranitetit të shteteve si subjekte të kësaj të drejte!
Sindroma e batalionit “Skanderbeg” dhe e djathta shqiptare
Çuditërisht, gjatë historisë politike moderne shqiptare, me këtë lagje politike të trockistëve të shpërndarë gjithandej në Europë, në thelb ngjante edhe e ashtuquajtura e djathtë shqiptare, që kryesisht mbështetej nga liderët më reaksionarë të së djathtës europiane e princër oborresh mbretërorë. Madje, ndonjëri prej këtyre të fundit do të bëhej edhe “kumbara” i LDK-së. Jo rrallë ato krijoheshin e mbështeteshin edhe nga inteligjenca e fshehtë e ndonjërit prej shteteve me pretendime të hapura politike për ndikim në rajon. Është për të ardhur keq, se si ato shërbime lejoheshin e lejohen të tallen edhe me dinjitetin nacional, duke pagëzuar këto struktura me nocione e emra që ishin shndërruar në emblemë të kujtesës e krenarisë kombëtare. Le të kujtojmë me këtë rast “Lidhjen e Dytë të Prizrenit” dhe formacionin ushtarak SS — Batalionin “Skanderbeg” (mars-prill 1944), që u krijuan me mbështetje të drejtpërdrejtë të Rajhut. Emri i plotë zyrtar: Waffen-Gebirgs Division der SS Skanderbeg (Albanische Nr. 1). [1]
Ky divizion komandohej nga SS-Brigadeführer Josef Fitzhum (prill 1944); e më vonë prej SS-Brigadeführer August Schmidthuber (maj-nëntor 1944), i cili plotësohej nga ndihmësi i vet SS-Obersturmbannführer Alfred Graf1.
Për fat të keq, ky krah i politikës shqiptare nuk arriti dot që të shndërrohet në model për atë pjesë të popullit, që natyrshëm do të aderonte në skenën politike në garë për pushtet, por duke pasur shtetin dhe interesat nacionalë si ideal. Nuk është e rastësishme që kolaborimi i këtyre forcave me pushtues dhe manipulimi me histori vazhdon edhe më tej.
Ato ditë, doja të besoja ende se e majta shqiptare, ndërkohë, pavarësisht ndeshtrashave që po kalonte, do të arrijë të ruajë kontinuitetin e saj dhe do t’ia dilte të drejtonte transformimin e saj në masë të ndjeshme në UÇK, në embrion të së cilës janë strukturat bazë të tyre në Kosovë, duke tejkaluar frymën fraksioniste që kishte krijuar fraksionin e LPK-së, që do të njihet me akronimin LKÇK.
Në atë tryezë, që organizatori e organizonte në kuadër të planit për thellimin e dijeve politike, formimit politik të anëtarësisë dhe qytetarëve aktivë, vura re se si fraksionet e kësaj lagjeje politike të së majtës zvicerane na e kalonin për fragmentarizmin e skajshëm që e karakterizonte në vitet ‘90-të të majtën shqiptare.
Ashtu si brezit të Ernesto Sabatos, që i ishte neveritur “Universi borgjez”, duke qenë anëtarë aktivë që nga faza embrionale në proces të themelimit të LPK-së, madje pjesëmarrës në Mbledhjen Themeluese (1987), vura re se edhe e ashtuquajtura e Majta Revolucionare, si rezultat i arrivizmit dhe sëmundjeve të tjera të riciklueshme të politikës foshnjore, por, mbi të gjitha, për shkak të mungesës së formimit të mangët ideopolitik të drejtuesve, po na shkërmoqej para syve, duke i lëshuar terren një shtrese tjetër injorantësh politikë që vinin nga “milieu letrar i Prishtinës” dhe po e çonin popullin drejt kaosit dhe mjerimit politik, që në vitet pasuese (1998-’99) do t’i kushtojnë popullit me eksod masiv dhe dehumanizim të paparë.
Këtë gjendje të thyer shpirtërore do ta kaloja disi në javën e parë të majit, kur pata organizuar, në bashkëpunim me Institutin për Studime Europiane të Universitetit të Bazelit, tribunën për UÇK-në dhe perspektivën e Kosovës, në njërën nga sallat qendrore të Universitetit të Bazelit, ku ligjërues ishim: kolegu im dhe bashkëveprimtari Sabri Kiçmari, atëbotë përfaqësues politik i UÇK-së në Austri dhe Gjermani, dhe unë. Ndërkaq, në cilësinë e panelistit aktiv ishte edhe profesori im në Institutin për Studime Europiane të Universitetit të Bazelit, dr. Stephan Kux.
Që nga komunikimet e para përmes telefonit me prof. Ukshin Hotin (sa ishte ai në Lubjanë), unë isha i përqendruar, konform këshillave të tij, te studimet në lëmin e politikave integruese europiane me pikërëndesë gjeopolitikën, si maja e ajsbergut e shkencave politike, duke e pajisur veten me dijet që do të duhej t’i kishte një intelektual në shërbim të kauzës për lirisë.
Më irritonin dijet e cekëta të krerëve të asaj kuazilëvizjeje, siç cilësohej LDK-ja, kur më binte rasti t’i takoja në qendrat europiane, në marshutat e tyre në mërgatë, e sidomos kur u përktheja në ndonjë institucion të shtetit a të kulturës në Zvicër.
Dialogët mbi shtetin, mbi shtetin paralel dhe demokracinë ishin tërësisht bosh dhe irracionalë, sidomos kur ata vërshoheshin me fraza sa banale, aq edhe irracionale, mbi legjitimitetin e “pushtetit fiktiv”, që bazohej në “vullnetin politik” të shprehur në “zgjedhjet e lira”!
Fetishizimi i demokracisë si rend juridiko-kushtetues, në kohën kur po afrohej lufta dhe dialogët e munguar për diplomacinë e luftës, për të cilën këmbëngulja që ta organizonim, pa folur për strukturat e ushtrisë që po lindte, ishin dëshmia më e mirë, se i ashtuquajturi “sistem paralel” a “shtet paralel” në Kosovë shumë shpejt do të shkërmoqej dhe do të shndërrohej në dëshmitar okular a instrument i eksodit masiv.
Kapitalizmi financiar i perfeksionuar nga sistemi bankar zviceran, njohja e tij, qoftë edhe në premisat sipërfaqësore, por sidomos komunikimi me diplomatët dhe ekspertët zviceranë të politikës, me theks ata të marrëdhënieve ndërkombëtare, më kishin mundësuar t’i kuptoja ingranazhet e sistemit si tërësi, ndërkaq, kullat tona prej letre që kishim ngritur bazuar në idealizmin tonë, por që nuk ditëm të komunikonim me gjuhën e kohës, që nënkuptonte pajtueshmëri të plotë me rendin liberal dhe vlerat që po promovoheshin nga BE-ja, ato ingranazhe mund të na zinin dhe të na ngufasnin ne si shoqëri, pa e gëzuar sa e si duhet lirinë.
Sidoqoftë, nga pjesëmarrja në tryezat e debatit që organizonte Partia Socialdemokrate e Zvicrës (SP, 1888), por edhe në ato të alternativës së majtë të fragmentarizuar dhe te Partia e Gjelbër, si dhe kontaktet me diplomate, mësova, përveç të tjerash, drejtpeshimin politik që bënte ky krah i politikës zvicerane në balancimin e interesave nacionalë dhe ruajtjen e selitjen e këtyre interesave bazuar në filozofinë humane, që në vetvete mbrun demokracia, më jepnin shpresë se shek. XXI duhet të jetë më human.
Stema e UÇK-së si gjethe fiku
Më 24 qershor 2020, Prokuroria e Dhomave të Specializuara (kësaj gjykate sui generis të Kosovës me seli në Hagë), që prodhoi sistemi ynë politik i kastruar nga olhokratët, bëri publik lajmin bombë, duke bërë të njohur kështu disa nga bëmat çnjerëzore të krerëve të olhokratëve tanë, të cilët kishin ushtruar puçin brenda LPK/UÇK-së në maj 1998. Ky lajm do të pasohej me “kundërlajmin” pa fjalë – postimin e stemës së UÇK-së, keqpërdorimin e saj si strehë.
Këmbëngulja për fshehje prapa emblemës së UÇK-së është edhe një përpjekje shtesë për dehumanizimin e lirisë dhe dalëzotëses së saj: UÇK-në e vegjëlisë.
Ky përfundim logjik i olhokratëve tanë ishte rezultat i dy forcave dinamike, në thelb amorale: i makutërisë dhe i injorancës.
Kapitalizmi i egër i SHIK/PDK-së militante, në dukje çlirimtare, ndërkaq në thelb ingranazh i krimit dhe i dehumanizimit të ilegales, nuk mund të prodhonte diç më ogurzezë për historinë tonë, se atë që bëri me Gjykatën Speciale, që tashmë po shndërrohet në kurth për UÇK-në.
Ai grusht individësh, që kishin kapur fillimisht UÇK-në dhe më pas Republikën, duke eliminuar kriptoelitën brenda saj (atë shtresë që në kushtet e represionit e ndjekjes së pashembullt, ia kishin dalë të ruanin kohezionin e ilegales dhe, në dekadën e fundit të shek. XX, të krijonin bërthamën e UÇK-së), për t’iu kthyer pas luftës oponentëve politikë (të jashtëm), do ta shndërrojë Republikën si ideal në shtet të dështuar!
Në këtë epokë shndërrimesh të mëdha, te ky grusht arrivistësh me mendësi mesjetare, paraja dhe pushteti do të shndërroheshin në ideal. Ata do t’i nënshtroheshin me kohë plotësisht tundimit “të shpirtit mondan”, që reflektohej me mungesë fatale të arsyes. Në vitet e sundimit të tyre, ata ia arritën të rikthenin epokën e Shën Pedro Damianit, duke shprehur mosbesimin e thellë që ushqenin ndaj inteligjencës, madje edhe asaj që kishte kontribuar në rritjen e tyre!
24 qershori i vitit 2020 do të hyjë në histori si prologu i shembjes së asaj “kulle gjigante” prej letre që pati ngritur ky grusht olhokratësh, të cilët po mbanin peng Republikën.
Le të kujtojmë edhe një fakt: produkt i këtij grushti olhokratësh që bëri puçin brenda UÇK-së, ishte edhe mocioni-mynxyrë i moralit të tyre të munguar, që më 25 mars 2020 do ta ushtrojnë në Parlamentin e Kosovës, që shëmbëlleu si një tip “i kryqëzatës së fundit” prej aventurierësh kalorësiakë e prej princërish të vonuar! 24 qershorin duhet parë edhe si fillimi i fundit i kësaj klase prej fisnikësh të shpifur dhe si dritë në fund të tunelit, që jep shpresë për rilindjen e Republikës. Prandaj Gjykata Speciale na rezulton edhe si një lloj Vis Majoris, respektivisht një e keqe e domosdoshme. Në thelb, ajo, më 24 qershor, i shëmbëllente vetë uraganit, njëfarë tërmeti apo ndonjë tornadoje që vinte nga përtej Atlantikut, për të na kujtuar burimin e vetë nocionit të fjalës.
Olhokracia jonë është produkt i autokracisë, me doke e përmbajtje feudale. Olhokratët i përjetuam si pengmbajtës të Republikës; ata ishin surrogatë i lirisë, bashkudhëtarë të dhunshëm të demokracisë. 24 qershori i 2020-ës ia ndau rrugët përfundimisht kësaj bashkëjetese të dhunshme.
Interesat gjeopolitike të BE-së, të Gjermanisë, para së gjithash, në raport me Europën Juglindore në tërësi dhe me dy republikat shqiptare në veçanti, janë të ndërvarura dhe të ndërlidhura me ngritjen e shtetit të së drejtës. Shtet-kombet e Europës Juglindore, të ndërlidhura me EURO-n dhe hapësirën e lirë tregtare të BE-së, vetvetiu përbëjnë atë gjedhin historik e të natyrshëm përballë gjakimit për depërtimin e Rusisë dhe Turqisë në rajon.
Mbajtja e Kosovës si entitet politik, ku politikën e ushtron një “trup paralel”, siç ishte SHIK-u, alias PDK-ja, që e bazon aktivitetin e tij në parimet e shoqërive simotra të Mesjetës, duke aplikuar “bastisjen e ndërthurur me një lloj zhvatjeje në këmbim të ndarjes [2] përgjatë dy dekadave (2000-2020), sidomos në Veriun e Republikës, ishte dhe mbetet në shpërputhje të plotë me interesat e shumicës, që ka orientim të theksuar perëndimor. Ngritja e aktakuzës ndaj themeluesve të SHIK-ut (jo të UÇK-së, siç trumbeton aparati propagandistik i SHIK-ut, alias PDK-së), në popull, qoftë edhe në heshtje, është mirëpritur.
Nëse në fillet e UÇK-së ishte gjeopolitika, ajo që i dha mbështetjen e duhur për të kryer misionin e saj: çlirimin e Kosovës, duke e futur atë si guerilen më të suksesshme të shek. XX, do të jetë sërish gjeopolitika, ajo që do ta dërgojë në histori strukturën e olhokratëve të ngritur në organizatë kriminale, SHIK-un, duke na krijuar mundësi që ta shpëtojmë, aq sa mundemi, UÇK-në e vegjëlisë. Identifikimi më tej i SHIK/PDK-së me UÇK-në jo vetëm që nuk ka bazë reale, por kjo përpjekje duhet trajtuar si antihistorike dhe antishqiptare.
Le të kujtojmë një fakt, mbi të cilin Serbia ka ngritur dhe po ngre argumentet që arsyetojnë kërkesën e saj për ndarjen e Veriut dhe futjen në dorë të thesarit të Kombit tonë : Trepçës. Pa përfunduar mirë lufta (1999), Serbia pati startuar betejën diplomatike, tok me përpjekjet e brendshme për retushimin e realitetit, përmbysjen e fakteve historike. Beogradi, duke i heshtur masakrat që bëri gjithandej Kosovës, duke i bartur madje kufomat edhe në cepat e skajshëm të Serbisë, deri te kufiri me Rumaninë, pasi improvizoi kaosin e vitit 2004 dhe futi në kurth një pjesë të të rinjve, që u vunë zjarrin disa shtëpive të banorëve serbë dhe ndonjë kishe pa peshë historike, si dhe duke shfrytëzuar ndryshimet e kursit gjeopolitik, teksa këmbëngul në pamundësinë e bashkëjetesës së serbëve me shqiptarët, po pretendon të shkojë në tavolinën e dialogut me intencën për ta korrigjuar historinë në dobi të saj, duke krijuar rrethana që “arsyetojnë” e legjitimojnë kërkesat e saj për ndarjen e Kosovës, aneksimin e Veriut e, me këtë, nulifikimin e Republikës.
Mbetja në pushtet e olhokratëve dhe patericës së tyre , LDK-së, çon ujë pikërisht në mullirin e politikës serbe, që përforcojnë legjitimitetin e kërkesave të Beogradit për ndarjen e Kosovës. Gjykata Speciale, megjithëse e iniciuar si rezultat i raportit të senatorit zviceran me ndjesi të theksuara antiamerikane e proserbe, Dick Marty, por e mbështetur nga shumica e delegatëve të shteteve (47 sosh) që përbëjnë Këshillin e Europës (në mesin e tyre edhe Rusia, Serbia…) e fare pak nga diplomacia serbe (!), do të kthehet në bumerang si për Beogradin, ashtu edhe për marionetat e saj që i penetroi brenda UÇK-së dhe partive politike, që mëkoi ajo në dekadën e apartheidit, në vitet ‘90-të të shek. XX.
– Cili ishte synimi kryesor i antiamerikanëve realë të mbledhur në Këshillin e Europës, kur po votohej pro raportit të Dick Marty-it?
Ata që kanë ndjekur me vëmendje reagimet e qarqeve politike e mediatike të një pjese të mirë të Europës në prag të përfundimit të luftës në Kosovë (1999), e kanë të qartë se fryma anti-NATO dhe antiamerikane në këto qarqe ishte në rritje. Ata nuk e kapërdinin dot imponimin e SHBA-së për bombardimin e aleates së tyre, Serbisë, për plot 78 ditë. Vazhdimisht punohej hapur e nën rrogoz, për komprometimin e UÇK-së si forcë terroriste, por edhe të NATO-s, që po shndërrohej de fakto në aleate të UÇK-së. I ashtuquajturi “raport” i Dick Marty-it do të arrinte të kalonte, meqë ai me kohë ishte shndërruar si mjet kundër UÇK-së, por edhe kundër SHBA-së dhe kundër NATO-s. Një gjykatë e mirëfilltë, parë nga ky prizëm, që do ta diskreditonte atë “raport” sa i përket akuzës bazë, që kishte të bënte me “trafikimin e organeve të robërve serbë”, do t’i shërbente UÇK-së dhe lavdisë së saj. Çështje tjetër është se përse ajo u lejua, që ta shtrinte sferën e hetimeve mbi krimet politike e ato ordinere.
Përpunimi ndërkohë i strategjisë që ndërlidhet me mbrojtjen e UÇK-së së vegjëlisë, e jo të të ashtuquajturve komandantë debilë e marioneta të shërbimeve të huaja, do të shkonte në favor të mbrojtjes së dinjitetit të dyfishtë: atë të UÇK-së, por edhe të aleates së saj, NATO-s. Për aq kohë sa ka tendenca për ta identifikuar UÇK-në me Hashim Thaçin me shokë, gjykata do të pengohet në misionin e saj, por edhe dëmtimi i imazhit të UÇK-së do të jetë tepër i madh.
Distanca mes një demokrati thellësisht progresist, siç është Albin Kurti, e një makiavelisti që mbetet përjetësisht i lidhur me vargonjtë e Mesjetës, qe manifestuar që në orët e para pas “shpërthimit të bombës” nga ana e Prokurorisë që vepron pranë Dhomave të Specializuara. Stema e UÇK-së, e publikuar në vend të statusit në llogarinë e Hashim Thaçit, në rrjetin social “Facebook”, zbulon jo vetëm Makiavelin nudo, por edhe faktin se H. Th., tashmë shpirtërisht, është kthyer në botën e teleologjisë.
“Themeli i botës feudale ishte TOKA; si pasojë, kjo shoqëri është statike, konservatore dhe hapësinore”, – do të thoshte E. Sabato i madh. [3] Të tillë ishin olhokratët tanë dhe kryeolhokrati Thaçi, që për pasojë pushtuan hapësira dhe pretenduan të riciklojnë vetveten.
E kundërta e kësaj bote mesjetare është jeta urbane moderne, e cila ndërlidhet me qytetarin dinamik, me rininë. Ata që përfaqësojnë këtë botë, botën e re, janë forcë lëvizëse, jetë në rrjedhë. Shteti është superstrukturë e komplikuar. Drejtimi i tij nuk mund e nuk duhet t’i besohet një olhokrati të veshur me kollare. Ai, pra shteti modern, ka nevojë për politikanë të denjë e për drejtësi, të ndërgjegjshëm si bashkëpunëtorë që zotërojnë dije.
24 qershori i 2020-ës është paralajmërimi për kapitullimin e botës së indulgjencave, siç qe bërë shteti i kapur nga olhokratët, që lëshonte lejet edhe për burgosjet dhe përndjekjet, madje edhe për vrasjet e oponentëve politikë. Në këtë periudhë zezonë ndodhi fenomeni i zhvleftësimit të idealistëve dhe i njerëzve të dijes në raporte disproporcionale me rritjen e ushtrisë së mercenarëve. Pushteti qe shndërruar në idhull maksimal. Për mbajtjen e tij, olhokratët qenë gati të sakrifikonin edhe Veriun e Republikës, atë thesar të pasurive të Kombit! Prandaj bërjen publike të aktakuzës për krerët e SHIK-ut jam i prirë ta shoh më shumë si shpërfaqje e të famshmes “dyndje gotike”, që na vjen në epokën e Rilindjes si amalgamë e forcës së modernizmit, ndërkaq sot e përjetoj si një lloj fillimi i “kohëve moderne”.
“Përgjatë Luftës së Njëqind Vjetëve (në Europë – S. R.), kështjellat feudale ishin shndërruar në fole hajdutësh dhe aventurierësh”, – shkruan E.Sabato. Olhokratëve tanë nuk iu deshën 100 vjet, por u mjaftuan 20 vjet, që kasollet e tyre t’i shndërronin në kështjella, ndërkaq institucionet e Republikës t’i degradonin në ingranazhe funksionale të pushtetit autoritar. Zotërinjtë e rinj kanë nevojë për shumë para! Si garanci u ofrojnë “kreditorëve” të huaj pasuritë e Shtetit, vetë Shtetin! Në mbështetje u vijnë jakobofukasët e kohës (Jacobo Fukas). Ata tallen me demokracinë, prandaj blejnë votën me një dhi a mbushje telefoni, me një thes miell a një vijë kokainë. Këtë këmbim me kohë do ta shndërrojnë në art të abstragimit – një lloj ekuacioni matematikor mes mbijetesës së dyfishtë: të nënshtruarve dhe olhokratëve.
“Gjeneralët” tanë, gjashtë nga shtatë ish-komandantët e zonave operative të UÇK-së, jo rastësisht, do të kalojnë në politikë pothuajse fill pas luftës, duke iu imponuar asaj përplot 20 vjet! Ata, sikur kishin ruajtur diçka nga mendësia e mareshalëve pas Luftës së Parë Botërore, sidomos atë “zakonin feudal të plaçkitjes, që u lejonte oficerëve të bëheshin zot të plaçkës së luftës, për t’u paguar pastaj një lloj atributi superiorëve të vet. [4] Një pjesë e “gjeneralëve” tanë, madje, kishin insistuar ta imitonin veprimin e mareshalit të aeronautikës ruse, Golovanov, që ishte një nga favoritët e Stalinit. Golovanov pati çmontuar shtëpinë e Gebelsit, që e kishte në fshatin e tij dhe e solli në Moskë. [5]
“Gjeneralët” tanë natyrisht nuk vajtën dot të çmontonin shtëpinë e “Gebelsit” serb (A.V). Përkundrazi, me të do të ulen në dialog dhe para botës do të pohojnë se tok “janë çuna të mirë” dhe paqësorë! Por ata nuk do të ngurrojnë dhe do ta plaçkitin shtëpinë e vet!
VIJON…
________________
DR.SADRI RAMABAJA: GJYKATA SPECIALE SI VIS MAJORIS (I)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10721
DR.SADRI RAMABAJA: GJYKATA SPECIALE SI VIS MAJORIS (II)
https://pashtriku.org/?kat=43&shkrimi=10722