Durrës, 7 shkurt 2021: Ky është artikulli i tretë që po e shkruaj me këtë temë dhe në vazhdim do të ketë edhe të tjerë, sepse po e shoh tepër të rëndësishme të bisedohet për këso punësh në shkallë kombëtare.
Të pasurit shqiptarë duhet të bashkohen dhe të organizohen, në mënyrë që kombi shqiptar ta ndjejë veten të siguruar në rrugën e vet të përparimit.
Pesë apo pesëmbëdhjetë shqiptarë të pasur, të cilët ndjenjat kombëtare i kanë pjesë të jetës së vet, duhet të mblidhen dhe të bisedojnë. Nuk janë as të pakëta, as të parëndësishme çeshtjet që sot, në ditët e sotme, e shqetësojnë, madje e alarmojnë kombin shqiptar.
Në fund të asaj bisede, ata të pasur të parë që do të kenë mundur të mblidhen, të formulojnë një program pune me kërkesën themelore që të bëhen pjesë e atij programi, mundësisht të gjithë të pasurit shqiptarë. Të zgjedhin një kryesi të përhershme dhe të ripërtëritshme, e cila të ketë një seli të vetën, për mendimin tim, në Prizren, aty ku e patën selinë e vet para 150 vjetësh, Ymer Prizreni dhe Abdyl Frashëri…
Një të tillë organizatë shqiptarësh të pasur, unë e quajta Koalicioni “Shtylla e Kombit”. Duke e emërtuar kështu, po kam parasysh konstruktin beton-arme të një ndëtese disakatëshe. Pa hekur, të veshur me beton, një ndërtesë disakatëshe nuk mund të qëndrojë më këmbë.
Koalicioni “Shtylla e Kombit” do të pranonte në përbërjen e vet të gjithë ata shqiptarë të pasur, të cilët do të kishin në firmat apo kompanitë e veta e pakta dhjetë të punësuar. Kuptohet, nëse do të dëshironin të bëheshin pjesë e atij Koalicioni. Detyra e parë e atij Koalicioni, me emërtimin “Shtylla e Kombit”, do të ishte krijimi i një fondi monetar, i cili do të përdorej, në mënyrë të kthjellët, në shërbim të kombit shqiptar. Kuota e secilit anëtar të Koalicionit “Shtylla e Kombit” do të vendosej sipas fuqisë ekonomike që ka secili dhe do të rritej apo ulej në varësi të fuqizimit apo dobësimit të tyre. Po jap një shembull, të cilin të zotët e punës, natyrisht, do të mund edhe ta ndryshonin: Kush ka 10-20 të punësuar, kontributin do ta kishte 10 mijë euro në vit. Kush ka 20-30 të punësuar, do t’i detyrohej Koalicionit 20 mijë euro në vit e kështu me radhë. Ai biznesmen shqiptar që i ka të punësuar mbi 100 njerëz, do t’i derdhte në arkën e Koalicionit 100 mijë euro në vit.
Fushat ku do të përdorej ai fond patriotik i shqiptarëvet të pasur do të ishin rigorozisht të përcaktuara. Nuk do të shpenzohej ai fond për të përmirësuar jetën e lypësavet që dalin nëpër rrugë. Me lypësat le të merren shtetet edhe filantropët! As me të sëmurët, shërimi i të cilëvet kërkon ndërhyrje të shtrenjta. As me tërmetet, as me përmbytjet dhe as me ndihmat për familjet e varfëra. Koalicioni “Shtylla e Kombit” nuk është shoqatë bamirësie!
Por as për armatimin e ushtrisë nuk do të përdoreshin ata fonde! Mbrojtja e atdheut është detyrë shtetërore.
Fondet e Koalicionit “Shtylla e Kombit” duhet të shpenzohen atje ku kombi ka vërtet nevoja të ngutshme, por edhe afatgjata, dhe ku asnjëri prej shtetevet tanë nuk do të mund të ndërhynte vetëm. Unë po rendit këtu disa nga fushat apo kërkesat, ku “Shtylla e Kombit” do të duhej t’i shpenzonte fondet që i përmenda.
1. Për të organizuar mitingje në rastet kur merren nëpër këmbë prej të huajvet të drejtat dhe liritë e shqiptarëvet. Për shembull, për moscënimin e kufijvet ekzistues të shtetevet të sotëm shqiptarë apo ku shqiptarët janë faktor shtetformues… Kur Sërbia kërkon të zhvatë edhe copa të tjera të tokavet të Shqipërisë, siç është rasti i Mirtrovicës Veriore, Zubin Potokut, Leposaviqit dhe Ujmanit, në protesta duhet të dalin të gjithë shqiptarët, në numër të madh dhe njëkohësisht, në Prishtinë, në Prizren, në Tiranë, në Tetovë, në Korçë, Në Elbasan, në Gjirokastër, në Shkup, në Ulqin, në Shkodër, në Gjenevë, në Njujork, në Stamboll, në Ankara, në Selanik, në Athinë, në Londër, në Melburn. Tubime të tillë asnjë shtet i yni nuk mund t’i organizojë, por edhe nuk ka të drejtë t’i organizojë… Kur Greqia kërkon të zhvatë edhe toka të tjera të Shqipërisë apo të bëhet zot aty, me qëllim për t’i aneksuar më vonë, duhet të dalin në tubime njëkohësisht në të gjithë qytetet që i rendita më lart. Të dalin shqiptarët, jo për të thyer e shkatërruar, por për t’ia bërë të qartë botës që ky vend ka zot. Të dalin, jo për të kërcënuar as Sërbinë, as Greqinë, por për t’u thënë atyre: Ne duam miqësi me ju, ju po kërkoni armiqësi… E gjithë kjo punë kërkon pará dhe pikërisht për të këtilla punë “Shtylla e Kombit” duhet t’i ketë fondet e vet.
2. Në përgatitjen e një inteligjence solide kombëtare, në ato fusha të dijes që kanë të bëjnë drejtpërsëdrejti me qenien tonë si shqiptarë: gjuhë shqipe, histori të shqiptarëvet, gjeografi të Shqipërisë (të Shqipërisë së mirëfilltë), etnokulturë, arkeologji. Në bashkëpunim me qeveritë dhe duke i nxitur qeveritë, të stimulohen studente e studentë për të vazhduar studimet në profilet që i përmenda. Mjekësinë, drejtësinë, inxhinieritë, le t’i studiojnë shqiptarët simbas dëshirës, por fushat e filologjisë, gjegjësisht albanologjisë, kanë nevojë për një organizim më cilësor dhe për stimuj më të veçantë… Në qoftë se do të kish ekzistuar “Shtylla e Kombit” tonë këtu e 100 vjet më parë dhe në qoftë se kjo “Shtylla e Kombit” tonë do të ish marrë me fuqizimin e studimevet në fushë të albanistikës, siç vapron sllavistika apo helenistika, sot shqiptarët do të kishin institutet e albanologjisë: Në Janinë, në Stamboll, në Izmir, në Selanik e madje edhe në Romë e Londër, pa i cënuar aspak as kulturën greke, as kulturën sllave, as turke dhe asnjë kulturë tjetër. Por kjo, në atë kohë, objektivisht nuk ishte e mundur. Nëse sot kjo nuk do të ndodhë, arsyet do të jenë tragjikisht subjektive!
3. Në stimulimin e letërsisë sonë kombëtare, publicistikës jo parciale, por kombëtare, si dhe artit tonë kombëtar në përgjithësi. Natyrisht edhe këtu në bashkëpunim me organet shtetërorë kudo ku është e mundur. U duhen shqiptarëvet një, dy apo tri gazeta, jo lokale, siç janë gazetat tona të sotme, por gjithkombëtare. Këto gazeta do t’i financonte, pjesërisht, “Shtylla e Kombit”. U duhen shqiptarëvet filma me tematikë kombëtare, festivale të folklorit tonë (sado që ata janë deri diku të vetëfinancuar), libra sa më cilësorë me tema nga jeta jonë e sotme dhe e kohëvet më të hershme. Të gjitha këto nuk mund të lihen as në duart e burokratëvet, as në angazhimin spontan të njërit apo tjetrit shqiptar, qoftë ai i pasur, qoftë varfanjak, siç po ndodh të shumtën e herëvet.
4. Në një projekt timin me titull “Përkujdesja Gjithshqiptare” unë e kam skicuar konstrukcionin e një veprimtarie me afat mijëravjeçar të krejt kombit tonë. Nuk kam arsye të mburrem, por dua të them që ky është projekti më i mirë që ka pasur kombi ynë ndonjëherë. Është botuar dhe duhet të ribotohet, por edhe të propagandohet, në mënyrë që shqiptarët të mund të njihen me ‘të dhe t’i hyjnë punës për ta zbatuar. Aty është paracaktuar që Kryesia e “Përkujdesjes Gjithshqiptare” të vendoset në Prizren dhe unë nuk e thashë kot që edhe udhëheqja e Koalicionit “Shtylla e Kombit” do të duhej ta kishte selinë pikërisht aty. Veç Kryesisë, “Përkujdesjes Gjithshqiptare” duhet të ketë detyrë të vetën të përhershme, ndërtimin e Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe kudo ku jetojnë shqiptarët, brenda apo jashtë Shqipërisë. Dua të them: brenda territorit që quhet Shqipëri, nga Nishi në Artë e Pargë, si dhe jashtë këtij territori, nga Alaska deri në Zelandë të Re. Vetë emërtimi “Fjalëmira të Gjuhës Shqipe” dëshmon që ne s’kemi për qëllim t’i biem në qafë askujt… Themelimi praktik i këtij institucioni, ngritja më këmbë e këtij institucioni, do të ishte një nga detyrat e këtij Koalicioni që unë e quajta, shpresoj me të drejtë, “Shtylla e Kombit” . Paratë që do të mblidhte kjo “Shtyllë” e jona kombëtare, do të shpenzoheshin, midis të ntjerash, sidomos për ndërtimin dhe vënien në punë të Fjalëmiravet të Gjuhës Shqipe. Nëse do ta kryenin këtë punë milionerët tanë të sotëm, askush nuk do të mund t’i akuzonte ata për asnjë punë të keqe. Emrat e tyre do të përjetësoheshin në historinë e këtij kombi.
31 janar-4 shkurt 2021 Gjokë Dabaj, cel: +355692567880
Postime të Lidhura
A DUHET TË TESTOHEN EDHE TË VAKSINUARIT?!
Fillimisht u publikua në facebook, më 17 Nëntor 2021 A DUHET TË TESTOHEN EDHE TË VAKSINUARIT?! Nga Sheradin…
DR.PËRPARIM DEMI: LETËR E HAPUR BARONESHËS ASHTON
Pashtriku.org, 13. 07. 2013 – Cabinet of High Representative of the Union for Foreign Affairs and Security Policy…
SI U KRIJUA BASHKIMI EVROPIAN
SI U KRIJUA BASHKIMI EVROPIAN Nga Xhelal Zejneli, Shkup 27. 06. 2022 Llogaritur me datën 31 janar 2020,…
DR.JAKUP KRASNIQI: PROBLEMI NUK ËSHTË TE REKTORI I UP’së, PROBLEMI ËSHTË TE QEVERIA E KOSOVËS!
Prishtinë, 04. 12. 2014 – Nuk ka asnjë dyshim, çdo grupim shoqëror e ka të drejtën për të…