Ulqin, 5 mars 2021: Trashëgimia shqiptare
Malësorët e Hotit, Grudës, Trieshit e Kojës janë të njohur për artin e veglave muzikore tradicionale. Ata, përveç çiftelisë, fyellit, zymareve, defit dhe tupanit preferonin edhe lahutën. Dikur në shumicën e rasteve pothuaj çdo familje kishte nga një lahutë të varur në mur. Shtëpia pa lahutë quhej “shtëpi e lanun”. Ishte turp për malësorin të mos e kishte në shtëpi një lahutë dhe një pushkë. Lahuta dhe pushka ishin dy koncepte a dy dukuri, që kanë ndërmjet tyre lidhje të dyanshme për çdo familje malësore. Lahuta u shërbente malësorëve për t’u kënduar kreshnikëve shqiptarë, nga epika jonë historike ose baladat dhe rapsoditë e epikës sonë legjendare, kurse pushka për t’u mbrojtur nga armiku.
Lahutën e kanë përdorë burrat-lahutarët, të cilët kur i binin këtij instrumenti qëndronin këmbëkryq dhe e mbanin atë në mënyrë të pjerrët në drejtim të këngës së djathtë, së bashku me harkun. Lahutarët i binin dhe i këndonin lahutës në raste të ndryshme gëzimi, në ndeja pas darke , pranë oxhakut, në manifestime të rastit dhe në gara e festivale folklorike vendore, kombëtare e ndërkombëtare.
Burrat e Malësisë e përdornin me ëndje të madhe dhe e dëgjonin me vëmendje të posaçme këtë vegël ilire – arbërore shqiptare, e cila sipas specialistëve shqiptarë përfaqëson arketipin më të lashtë të veglave kordofone me hark (së paku 9.000 vjeçare) të kontinentit evropian. Kjo vegël muzikore me shekuj ka argëtuar, motivuar, inspiruar, promovuar, shoqëruar e ngazëlluar shpirtin krijues të kësaj pjesë të popullatës shqiptare në trojet e tyre etnike, e cila që nga Kongresi i Berlinit padrejtësisht u shkëputë nga shteti amë – Shqipëria. Kënga e lahutarit frymëzonte malet dhe malësinë e trimërinë , i nxiste në luftë patriotët për të luftuar për atdheun e trojet e tyre. Në çdo luftë, në çdo kuvend burrash, në çdo betejë, lahuta i frymëzonte malësorët kundër sllavëve dhe osmanëve.
Me lahutë është kënduar Teuta e Genti, Gjergj Kastrioti -Skënderbeu e Lekë Dukagjini, Nora e Kelmendit, Oso Kuka, Ali Pashë Gucia, Jakup Ferri, Mic Sokoli, Ded Gjo ‘ Luli, Çun Mula, Bajram Curri, Isa Boletini, Hasan Prishtina, Azem Galica, Prekë Cali dhe luanët e maleve që ranë gjatë shekujve në betejat për liri.
Secila lahutë ka nga një histori. Shumë janë të gdhendura bukur. Në kokat e tyre sheh të gdhendura simbole të njohura që hasen në mitologjinë gojore shqiptare e sidomos në Eposin e Kreshnikëve, të tilla janë Orët e malit, Zanat, gjarpri shërues, kreshniku, dielli, hëna me yjet, por edhe koka e dhisë, e cila ndeshet rëndom te ky instrument. Zbukurimi i saj bëhet edhe me portretin e gdhendur të Gjergj Kastriotit dhe e shton krenarinë e dëgjuesve të këngëve epike me historinë e fam-sh¬me të fitoreve të popullit shqiptar para rreth gjashtë she¬kujsh. Ajo zbukurohet edhe me portrete të figurave të tjera të shquara të dy shekujve të fundit, nga Rilindja e deri te UÇK-ja dhe Adem Jashari.
Malësia në periudha të ndryshme historike ka pasur shumë lahutarë e rapsodë popullorë. Është gati e pamundur që të evidentojmë të gjithë emrat e tyre, sepse mungojnë të dhëna të shkruara. Por, po përmend disa prej tyre, duke kërkuar ndjesë, respekt e mirëkuptim për të gjithë të tjerët.
Lahutarë nga krahina e Hotit janë: Gjokë Prëlota Gjelaj (1903-1976), Gjeto Mirashi Gjonaj (1909-1972), Llesh Prëla Camaj (1920-2020), Zef Prëtashi Dushaj (1933-1999), Zef Gjoka Gjelaj (1935), Martin Dushaj (1937), Pjetër Zefi Gojçaj (1937-2008)), Luigj Gjeka Dushaj, Nrekë Marku Dushaj (1939), Nosh Gjoni Lajçaj (1941), Gjelosh Nika Junçaj (1941), Kolë Toma Dedvukaj (1948), Nikollë Ujka Junçaj (1950), Marash Ujka Junçaj (1950), Gjergj Kola Gjelaj (1951), Gjokë Luca Gojçaj (1955), Gjon Dedvukaj (1955), Lucë Pjetri Gojçaj (1965), Agron Pllumaj (1986), Fran Marku dhe Aleks Gjergji Dushaj (2001).
Lahutarët më në zë nga Gruda janë: Gjokë Kalaj Marash Deda Lulgjuraj, Halil Rrusta Kajoshaj, Gjergj Uci Vulaj, Dodë Lulgjuraj dhe Hilë Lulgjuraj.
Nga mali i Kojës me lahutë kanë interpretuar, Kolë Uci Ulaj, Prelë Kola Ulaj,Pjetër Pretashi Ulaj, Kolë Bardhi Krcaj, Prelë Kola Krcaj, Nosh Kola Krcaj, Dok Marashi Ivanaj dhe Gjergj Mirashi Marashaj,
Edhe Trieshi dikur ka qenë çerdhe e lahutarëve e instrumentistëve të tjerë shumë të njohur, si: Nikollë Gali Lekoçaj, Tomë Nikolla Lekoçaj, Nikollë Sokoli Lekoçaj, Nikollë Gjoni Lekoçaj, Gjokë Nikolla Lekoçaj, Zef Gjoni Micakaj, Gjokë Prëla Dedivanaj, Nikollë Lucaj, Fran Lleshi Lucaj, Dodë Prëka Micakaj, Mark Zefi Micakaj Gjelosh (Losh) Nou Memçaj, Nikollë Nikprelaj, Rrok Zefi Prenkoçaj, Zef Pjetri Lucaj, Pjetër Gjergji Lucaj, Gjergj Pjetri Lucaj, Tomë Leka Lucaj dhe Mark Pjetri Lucaj.
Lahuta është një instrument, i cili lidhet ngushtësisht me Eposin Shqiptar dhe, bashkë me mospërdorimin e Eposit, po zhduket edhe vegla muzikore. Specialistët shprehen se faktorët kryesor që po çojnë në zhdukjen e këtij instrumenti muzikor, i cili është unik dhe më i vjetri në llojin e vet në Evropë, jo vetëm nga Malësia, por edhe nga të gjitha trevat mbarëshqiptare janë se po tregohet pak vlerësim nga ata që e kanë trashëguar këtë instrument dhe se blerësit e huaj po tregohen të uritur për ta pasur, për ta blerë këtë instrument muzikor.
Njohësit e mirë të lahutës shprehen të shqetësuar se në rastet e riprodhimit të këtij instrumenti vihen re elemente të reja, jo sipas traditës sonë kombëtare, por të kopjuara nga kultura e huaj. Ky është një rrezik evident që kërcënon realisht të ardhmen e jetës artistike në këtë trashëgimi që flet shumë.
Tashmë është faza kohore e fundit e njerëzve përgjegjës të cilët merren me kulturën muzikore dhe artistike të shqiptarëve që institucionet shtetërore të arsimit dhe kulturës në Mal të Zi ta njohin këtë instrument shqiptar. Ta përfshijnë atë në institucionet shtetërore të specializuara për studimin dhe promovimin e saj. Ta fusin në koleksionet tona muzeore. Ta popullarizojnë këtë vlerë trashëgimie kulturore tek opinioni publik dhe në mënyrë të veçantë te rinia dhe nxënësit. Sepse lahuta për shqiptarët-malësorë nuk është vetëm argëtim. Është histori, qytetërim, traditë, shije estetike, shpresë.
Në Foto: Lahutari Gjokë Kalaj nga Gruda-Malësi