Pashtriku, 5 mars 2021:
1. Sadie HAJRIZI (motër e dëshmorit)
Në mëngjesin e 2 prillit Naseri dhe unë u përgatitëm të nisemi për në shkollë. Ai ishte në ish-Shkollën Normale, kurse unë në Shkollën Teknike, atëherë “19 Nëntori”. Naseri ishte dy vite e gjysmë më i madh nga unë.
Shkova në shkollë, ku nxënësit po merreshim vesh të dalim në demonstratë, por na i mbyllën dyert. E gjetëm një derë pas shkolle, por edhe nëpër dritare dolëm në rrugë. Edhe atje na penguan. Policia na ndoqën në drejtim të rrugës “Proletarët”. Atje banonin dy xhaxhallarët e mi, u afrova, e lashë çantën, e gjetëm një kahe tjetër dhe vazhduam. Secili në rrugë të ndryshme, por vendtakimi ishte para teatrit, ku ka qenë shumica e demonstruesve. Kur arrita atje, pashë të kishin ardhur nxënës nga të gjitha shkollat. Ishte plot protestues. Aty ishin edhe xhaxhallarët e mi, Zeqiri dhe Mehmeti. Kishte edhe plot të tjerë.
Ndërhyri policia dhe e ndau në dysh masën e demonstruesve. Naseri e Asllani me shokë, shkuan në drejtim të Shtëpisë së Mallrave, një pjesë tjetër mbetëm në anën e kundërt.
Demonstrata ka vazhduar nëpër rrugë të ndryshme, ku mbetëm gjithë ditën. Në mbrëmje jemi shpërndarë dhe u kthyem në shtëpi.
Atë natë Naseri nuk ka ardhur në shtëpi. Në mëngjes herët babai ka shkuar në punë, kurse nëna dhe ne, motrat e vëllezërit, ishim në shtëpi. Në mëngjes, rreth orës 9, erdhi një shok i Naserit, Isuf Hajrizi nga Hajvalia. Ai më tha se Naseri i ka dëmtuar pak sytë nga gazi lotsjellës dhe ndodhet në spital, por iku shpejt, pa dhënë më shumë sqarime. Pas një kohe kanë ardhur tre arsimtarë. Zenun Gjocaj, profesori i Naserit, nënës dhe mua na tha gjithashtu se Naseri, i plagosur ndodhej në spital. Nëna ia nisi vajit… Unë u nisa te babai, por nuk e gjeta në punë. Ishte te xhaxhallarët. Ua tregova ato që na tha profesori dhe u ktheva shpejt te nëna e shqetësuar.
Pas pak kohe e kanë sjellë kufomën. Kanë qenë momente të rënda…
Naseri ka qenë shumë i qetë dhe i sjellshëm. Dinte të sillej me vëllezër e motra, me prindër e me secilin. Ai i afronte njerëzit dhe i respektonte; me të gjitha të mirat ka qenë.
Vetëm dy herë e kam parë në ëndërr, në fillim dhe kurrë më. Ishte shumë merak në rroba dhe gjësendet e veta, për të cilat kujdesej ai, por edhe nëna. Dukej se ajo anonte më shumë nga ai. Kur ra dëshmor Naseri, nëna kujdesej veçanërisht për çdo gjë që kishte lënë, duke na porositur të mos i preknim ne të tjerët. Mua më kishte thënë njëherë të mos e merrja rastësisht pomadën e Naserit që e lyente fytyrën pas rrojës. I thosha, si t’i marr gjërat e tij, kur ai ishte djalë e unë vajzë? U bëra gjithë kompleks. Një natë, në ëndërr, Naseri më tha: mos ma prek pomadën!
I kam lexuar me mallin për vëllain, të gjitha fletoret dhe shënimet që ka lënë Naseri. Tepër ka qenë i mirë…
Nga intervista dhënë autorit, dhjetor 2016.
Naser Hajrizi me familjen
2. Bujar HAJRIZI (vëlla i dëshmorit)
Të flasësh për vëllain dëshmor është një ndjenjë krenarie, sepse Naseri me kontributin, sakrificën dhe rënien e tij, po hynte në faqet e lavdishme të historisë. Në vitin 1981, isha pesë vjeç, por i ruaj te freskëta disa kujtime të bukura për Naserin.
Naseri ishte vëlla i dashur, i afërt dhe komunikues me ne, vëllezërit dhe motrat. Sidomos në orët e vona të mbrëmjes merrte literaturë për fëmijë, na lexonte përralla dhe tregime, si dhe na i komentonte ato.
Ruaj një kujtim tjetër me çiftelinë, të cilën ia kishte dhuruar axha Mehmet, kur më mori një mbrëmje në prehër dhe më tha: mëso t’i biesh, Bujar!
Në mëngjesin e hershëm të 2 prillit, ai u zgjua si çdoherë dhe u përgatit, na puthi në faqe, mua dhe motrën e vogël, Shqipen, së cilës ia kishte vënë emrin, u përshëndet me anëtarët tjerë të familjes dhe u nis për në shkollë.
Lart shtëpisë sonë, ishte një fushë në të cilën luanim ne fëmijët e lagjes. Edhe ditën e 2 prillit, ne dolëm të luanim si çdo ditë. Nga aty ku luanim, qyteti dukej si në pëllëmbë të dorës. Nga poshtë qytetit vinte një zë i fuqishëm brohoritjeje. Më vonë kuptova se ishte zëri i rinisë shqiptare, të cilët nëpërmjet të demonstratave kërkonin të drejtën e popullit për liri. Pas disa çastesh, filluan të dëgjoheshin krisma armësh dhe tymi i dendur nga gazi lotsjellës, pothuajse mbuloi qytetin. Si fëmijë të vegjël që ishim, të frikësuar nga kjo gjendje, vrapuam nëpër shtëpitë tona, për t’u treguar familjarëve për atë që po ndodhte në qytet.
Më vonë mësuam se në altarin e lirisë, në ballë të demonstratave, kishte rënë vëllai im, Naseri, bashkë me shokun e tij të idealit, Asllan Pireva, duke hyrë kështu në vargun e dëshmorëve të kombit.
Duke u rritur në moshë, duke dëgjuar rrëfimet e prindërve dhe xhaxhallarëve, unë e kuptova rëndësinë e atyre ngjarjeve të lavdishme të Pranverës Shqiptare 1981, në të cilën ranë Naseri me shokë.
Rënia e Naserit ishte e rëndë për familjen tonë, sepse mbetëm pa djalin, vëllain dhe udhërrëfyesin, mirëpo ishim krenar, sepse Naseri tashti ishte dëshmor.
Dalja në skenë e UÇK-së ishte një vazhdimësi e pandërprerë e luftërave të popullit shqiptar për liri. Brumosja patriotike që më kishte dhënë familja, vazhdimi i rrugës së Naserit dhe obligimi për të çuar në vend amanetin e tij e të shumë dëshmorëve të tjerë, detyra për çlirimin e Atdheut, ishin motivimi që unë të hyja në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, e cila e organizoi dhe e udhëhoqi Luftën ngadhënjimtare të çlirimit përfundimtar.
Nga intervista dhënë autorit, mars 2017.
– VIJOIN –
_________________________
MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XIII)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=10964