MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XXI)

Pashtriku, 15 mars 2021: Kujtim për nxënësin dëshmor, Naser Hajrizi
Ishte një djalosh biond dhe kurdoherë i rregullt. Vinte në mesin e atyre krijesave enigmatike, te shpirti i të cilëve nuk do të mund të depërtoje me lehtësi. Kishte vështrim përfillës, tejet gjurmues. Dukej sikur hulumtonte me vëmendje çdokënd, çdo lëvizje, qoftë edhe e rastësishme. Shquhej në mesin e shokëve për solidarësi e shkathtësi. Më bëhej sikur ishte nga ata nxënës që kishte shumëçka për të shprehur, por sikur nguronte. Bëhej disi i pakapshëm për ta definuar qartë. Më duket sikur edhe tani e shoh tek kaptonte korridoreve me hap të lehtë dhe me vështrim kuptimplotë. Naseri ishte fjalëpakë, por të linte përshtypje sikur me qëndrimin e tij mjaft të pjekur për moshën, donte të shprehte brendinë e shpirtit kryengritës, forcën e vullnetit të pathyeshëm. Ishte në mesin e atyre që dëgjojnë me shumë kujdes dhe i përpinte fjalët para se t’i përfundoje.

I tillë ka mbetur në kujtesën time nxënësi dëshmor, Naser Hajrizi. Dhe rrodhi pastaj jeta. Fati e solli që ai sot të mos shkruante për mësuesin dëshmor, po mësuesi i tij të shkruajë për të. Jeta, nuk do të mund të lejonte diçka të tillë, por dhuna irracionale, siç është kurdoherë, i prishi edhe radhën edhe baraspeshën. Ajo zgjodhi në mesin e më të zgjedhurve. Ndoshta kishte lindur për të rënë në radhët e para, për t’u vënë në themelet e forta të një rirreshtimi të ri të luftës për liri, drejtësi e barazi. Naseri u lind më 7 korrik të vitit 1962 në shtëpinë e Beqir Hajrizit. E lindi Nënë Fatimja, me gëzim të papërshkrueshëm, sepse ai erdhi në jetë pas njëmbëdhjetë vjet martese, e pas tij u lindën edhe motra e vëllezër…

Pamje e vendit ku u plagos Naseri 

Në vitin 1970, familja vendoset në Prishtinë, ku Naseri do të ndjekë mësimet. Ai rritej në një familje të njohur për traditë atdhetare. Dëgjonte rrëfimet e xhaxhallarëve, përjetimet e tyre dhe përpjekjet e vazhdueshme për të gjurmuar forma dhe metoda që do të shpinin drejt një emancipimi të ri të luftës për liri dhe bashkim.
Kah fundi i vitit 1980, ai pranohet në radhët e organizuara ilegale, që asokohe vepronin anekënd Kosovës. Viti 1981 e gjeti maturant në Qendrën Shkollore “Miladin Popoviq”, e cila ishte bërë një vatër me rëndësi për kalitjen dhe përhapjen e ideve revolucionare. Në mëngjesin e purpurt të dy prillit në ballë të demonstruesve plagoset në dorë dhe pasi e lidh plagën në një shtëpi afër, aty te qendra e qytetit, sërish sulet në ballë. Në kohën kur demonstruesit tentonin të shpërthenin drejt qendrës, atje ku ishin vendosur eskadronët e vdekjes dhe ku kishin zënë pusi në lokalet e Postës Qendrore, si dhe nëpër katet e epërme të shtëpive të kolonëve, Naseri qëllohet me plumbin vdekjeprurës. Më pas bie edhe Asllani, e po në atë breshëri plagosen edhe dhjetëra të tjerë, por flamuri kombëtar përcillej nga dora në dorë dhe valëvitej në atë përleshje të ashpër të revoltës gjithëpopullore, kundër forcave ogurzeza të errësirës. Kalonin atëbotë, orët e para të paradites. Në Prishtinën heroike ku ziente kryengritja, ku kacafytjet vdekje-jetë u kobëzuan shesheve, rrugëve e deri në periferitë. Atë ditë policia serbe dhe ajo që ishte vënë në shërbim të saj, e po ashtu edhe ushtria jugosllave demonstruan dhunë, terror dhe represion të paparë e të padëgjuar që nga mbarimi i Luftës së Dytë Botërore. Po atë ditë të shënuar të historisë sonë më të re ranë edhe viktima të tjera, ranë heroikisht bijtë besnik të popullit liridashës. Gjaku i tyre ishte edhe amaneti që nuk u harrua më pas as edhe për një çast. Ata i shkruan faqet më të ndritshme të rezistencës sonë, që po vazhdon edhe sot me dinjitet dhe shumë maturi.
Marrë nga gazeta “Bashkimi”, Prishtinë, 1990.
***
1. Zenun GJOCAJ (mësimdhënës i Naserit)
Vëllezër dhe motra
Këtu jemi tubuar të përkujtojmë dy dëshmorë, dy trima të cilët u përkushtuan dhe ranë për Atdheun.
Kam nderin, si mësimdhënës i tyre, të them pak fjalë
.
Pranvera e vitit 1981, këta dy dëshmorë i gjeti maturantë në Shkollën e Mesme Teknike. Shumëkush edhe prej profesorëve s’kanë mundur t’i njohin mirë Naserin dhe Asllanin. Po them nuk kanë mundur t’i njohin, sepse ata kanë qenë anëtarë të organizatave (atëherë i thoshin ilegale) për çlirim dhe pavarësi.
Në atë kohë ata ishin mjaft të pjekur dhe kujdeseshin të mos dukeshin, sepse kushtet dhe rrethanat e ilegalitetit diktonin që të ishin vigjilentë e konspirativë.
Vetë dalja në ballë të demonstratave, siç e dimë të gjithë, dëshmon vullnetin dhe vendosmërinë e tyre.
Unë për vete mbaj mend kur u kam dhënë tema të hartimit dhe njëra prej temave ka qenë “Atdhe, veç për ty marr frymë, jetoj dhe vdes”. Dhe kur i kam korrigjuar ato hartime, nuk e kam ditur se disa nga ata nxënës do i qëndrojnë besnikë edhe me jetë asaj teme, jo veç me shkrim për një notë.
***
Nga fjala e rastit në përvjetorin e pesëmbëdhjetë të rënies së dëshmorëve, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva.
Lulëkuqet e para të Pranverës së Madhe 1981

Jehona e Kryengritjes së vitit 1981 e pushtoi botën informative dhe tryezat diplomatike, duke trokitur thekshëm në ndërgjegjen progresive ndërkombëtare. Në anën tjetër, ajo shkaktoi tërbim te pushtuesi sllav. Kryengritja i detyroi qendrat e vendosjes t’ i shfletojnë padrejtësitë historike ndaj shqiptarëve në përgjithësi.
Pishtarët e parë të Pranverës së Madhe të vitit 1981, që ranë dëshmorë në radhët e para të demonstruesve të 2 prillit, ishin Asllan Pireva dhe Naser Hajrizi, dy shokë të pandarë në fëmijëri, në shkollë, në lëvizje, në demonstrata dhe në pavdekësi.
Naseri dhe Asllani punuan pareshtur për përgatitjen e demonstratave. Ato ditë të vala revolucionare, Naseri dhe Asllani me shumë shokë, nuk mundi t’i ndalte rrethimi i hekurt policor që i ishte bërë ish – Normales së Prishtinës, as gazi lotsjellës, madje as plagosja e Naserit.
Pa vonuar ata dolën në ballë të demonstratave me flamur në dorë dhe ranë heroikisht. Pak më larg u plagos edhe shoku i tyre, Sylë Loshi…
Gjaku i tyre, i derdhur në zemër të Prishtinës, u bë burim frymëzimi i luftës së mëtejshme për pavarësi.
Naseri dhe Asllani na mësuan si të vdiset për liri.
Këtyre dëshmorëve ua kemi borxh realizimin e idealit dhe porosive të tyre, për një jetë të lirë të vendit tonë.
Nga dorëshkrimi i Zenun Gjocajt për dëshmorët

Vendi i rënies së Naserit 

***
2. Gani DELIU (mësimdhënës i Naserit)

Naserin e pata nxënës në klasat III dhe IV të shkollës së mesme, deri në ditën e rënies. Si nxënës ishte i qetë, jo i ekspozuar për asgjë, apo të them se ishte disi i tërhequr në vetvete. Fytyra e tij shprehte brengë të madhe dhe sikur në shpirt kishte një vullkan, i cili pret momentin që të shpërthejë. Dhe erdhi momenti kur ai vullkan shpërtheu. Kur fliste Naseri linte përshtypjen e një djali, jo që sapo kishte dalë nga adoleshenca, por të një burri të pjekur, një tamam burri.
Në ditën e vrasjes, para orës tetë u nisa për të shkuar në shkollë. Sa zbrita nga banesa, atje te rruga “Bledi”, pashë në të dy anët e rrugës për Gërmi, kordon të forcave speciale jugosllave, të cilat jo vetëm që nuk lejonin kurrfarë qarkullimi të njerëzve, por edhe i rrihnin dhe i maltretonin, gjë që e përjetova edhe vetë.
Duke u kthyer përpjetë për në banesë, pashë tek vinte nga lart me vrap një djalë i ri. Ishte Naseri. I dola përpara dhe i thashë; “Ndal pak Naser!” „Profesor s’ka më ndalje“. Megjithatë u ndal pak. I thashë të mos zbriste poshtë, sepse kishte forca të mëdha ushtarako-policore. Më tha, “pikërisht për këtë kemi dalë, duhet përzënë okupatorin”. Vazhdoi së vrapuari. Pashë që nuk arriti ta shpërthente kordonin. Pas pak u kthye duke vrapuar përpjetë. Përsëri i dola përpara. E luta që të pushonte pak. Piu një gotë ujë dhe më tha: “Mjaft kemi pushuar”. „Naser ke kujdes se sot nuk është sikur dje.“ „Profesor, për ne si e djeshmja, si e sotmja, janë një, e kemi dhënë besën e madhe që këtë okupator ta largojmë njëherë e përgjithmonë nga trojet tona”, tha i vendosur. Vazhdoi rrugën atyre kodrave të “Taslixhes”, në atë mëngjes pranveror. Një diell i hajthëm ka qenë.
Pas dy-tri orësh mora lajmin më të dhimbshëm në jetën time: „Është vrarë Naseri!“… Lavdi!
Për një kohë u ndërpre mësimi në shkollë. Ditën që u kthyem, qëlloi të isha kujdestar i ditës. Në sallë erdhi drejtori dhe na e lexoi urdhrin e Sekretariatit Krahinor të Arsimit, sipas të cilit të gjitha shkollat, orën e parë do t’ia kushtonin dënimit të demonstratave, siç i quanin ata, “kundërrevolucionare”. Profesorët i morën ditarët dhe u nisën për në klasë. Mbetën dy profesorë të fundit, Veli Fazliu dhe Fatmir Sopi. M’u drejtua Fatmir Sopi, „O profesori Gani, po dua me të thënë diçka (ishim vetëm ne). I rrodhën lotët para se të ma thotë fjalën: „Nuk mundem të shkoj në klasën time pa nxënësin që s’është më në jetë, pa Asllan Pirevën. Të njëjtën fjalë ma tha edhe kujdestari i Naserit, Veli Fazliu. Në klasat e dëshmorëve, shkuam Skënder Sejdiu dhe unë. Pas meje erdhi edhe drejtori i shkollës. E hapa derën e klasës, duke i thënë drejtorit të hynte përpara, por nuk pati kurajë. Hyra përpara, nxënësit u ngritën në këmbë, pastaj u ulën. Sytë më shkuan te lulet mbi bankë. Heshtje. Në atë atmosferë të rëndë, të zymtë, pa asnjë pëshpëritjen më të vogël, dëgjohet britma e drejtorit, (i cili tërë kohën shëtiste nëpër klasë), me një zë të rëndë: “Çka keni shkruar këtu?” M’u afrua e më kapi për krahu dhe tha: „Kthehu mbrapa!“. U ktheva. Nga njëri skaj i murit, përballë nxënësve, duke kaluar nëpër tabelë, deri në skajin tjetër, kishte qenë e shkruar parulla „Kosova-Republikë“, me shkronja të gjata, sigurisht më shumë se një metër. Drejtori tentoi që nxënësi kujdestar t’i fshinte ato, e thirri emrin e nxënësit kujdestar, nuk pranoi nxënësi t’i fshijë. E thirri kryetarin e klasës, as ai nuk pranoi. Për ta qetësuar situatën, i thashë se unë do të merrem me këtë.
Pas 2 prillit në shkollën tonë ka qenë periudha më e vështirë deri në përfundim të vitit shkollor. Gjatë kësaj kohe nuk është zhvilluar fare procesi mësimor. Shumë vështirë ishte t’i shihje profesorët e zymtë dhe të revoltuar kur merrnin ditarin dhe shkonin në klasë.
Në bankat në të cilat kishin qenë për dy vite të ulur nxënësit, Naser Hajrizi dhe Asllan Pireva, deri në përfundim të vitit shkollor nuk janë larguar buqetat e luleve.
Nga intervista dhënë autorit, janar 2017, Skenderaj
– VIJON –
________________________
MEHMET HAJRIZI: BIR I ATDHEUT – DËSHMOR I KOMBIT, NASER HAJRIZI (XX)
https://pashtriku.org/?kat=46&shkrimi=11003

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura