KADRI REXHA: DEMONSTRATAT E VITIT 1968

Pashtriku, 21 mars 2021: Vitet e qëndresës së popullit shqiptar
Qëndresa e popullit shqiptar ndaj dhunës kolonialiste të Beogradit, ndaj shfrytëzimit ekonomik, shtypjes politike dhe diskriminimit kombëtar në vitet e gjashtëdhjeta gjithnjë e më shumë po hynte në një etapë tjetër te stoicizmit dhe po e hapte në perspektivë një luftë të re në pajtim me kushtet dhe rrethanat e kohës. Politikës serbomadhe të gjenocidit, të persekutimeve e të asgjësimit masiv, politikës së shkombëtarizimit, të dëbimit me dhunë nga trojet e veta e të padrejtësive të pashembullta, e cila iu kishte bërë në të kaluarën dhe po i bëhej për çdo ditë popullit shqiptar të Kosovës dhe viseve të tjera shqiptare brenda kufirit të Jugosllavisë, i duhej dalë përpara për t’ia ndalur vrapin e saj të shfrenuar. Ndonëse politika shoviniste e Beogradit jetësohej nëpërmjet metodave perfide e brutale që nga propaganda për liritë e pakufizuara e deri tek masat represive, ndonëse në të rrallë kjo politikë përpiqej të maskohej me premtime e lajka demagogjike dhe me keqardhje të ndonjë udhëheqësi të lartë për ndonjë gabim të aplikuar ndaj Kosovës, vala e zemërimit të popullit shqiptar rritej vazhdimisht. Zemërimi dhe urrejtja e popullit ndaj pushtuesit, e grumbulluar gjatë viteve të robërisë, po i jepte shenjat e sigurta se Kosova dhe viset e tjera shqiptare nuk do të mbaheshin më ashtu të shtypura e të ndrydhura, por për së shpejti do të shpërthenin para opinionit për të shpallur botërisht të drejtat dhe aspiratat që u takonin si dhe të kundërshtonin shtypjen, terrorin fizik e shpirtëror dhe gjenocidin që po zbatoheshin kundër një populli.

Këto vite të zemërimit dhe të urrejtjes së popullit ndaj okupatorit e burrëruan dhe e poqën edhe gjeneratën e re, e cila për asnjë çast nuk u gjend jashtë rrjedhave të vogla e të mëdha të kohës. Rinia shqiptare, si forcë përtëritëse e shoqërisë, mori frymë me këto rrjedha, jetoi aktivisht me popullin, me baticat dhe me zbaticat e tij, me vitalitetin e saj, me interesimin jetik që të gjendet sa më afër vlimeve, rezistencës spontane të masave të gjëra si dhe asaj të organizuar, ajo këtyre u dha gjak te ri dhe energji të re. Rinia, inteligjencia si dhe pjesa më e madhe e popullit shqiptar tashmë ishin bindur se tradhtia e idealeve të Luftës Nacionalçlirimtare, masakrat shfarosëse në masë gjatë vitit 1945 në Rrafshin e Dukagjinit, në Drenicë, në Llap e në Gollak, në Ferizaj e në Gjilan, në Bujanovc e në Preshevë, në Tetovë e në Shkup, në Dibër e në Gostivar, në Plavë e në Guci, në Tivar e në Ulqin; vrasja e mijëra rekrutëve shqiptarë në rrugën Prizren-Ulqin, vrasja e mijëra shqiptarëve në kampet e përqendrimit në Shkup, Prishtinë, Mitrovicë, Tetovë, etj.; heqja e Flamurit Kombëtar Shqiptar dhe ndalimi i tij në vitin 1946, kishin mbetur prolog i një vargu aktesh të tjera të dhunës dhe të terrorit që do të viheshin në zbatim nga regjimi çetnik serbomadh i Beogradit gjatë viteve që do të pasonin. Doktrinat, teoritë dhe platformat e mëparshme për shkombëtarizimin, shpërnguljen me dhunë dhe për zhdukjen definitive të popullit shqiptar, të përgatitura nga institucionet borgjeze të shovinizmit serb në krye me ideologët e tyre Vasa Çubrilloviq, Ivo Andriq, Vukotiq, etj., në shtetin e ri të pasluftës ato ishin plotësuar me elemente akoma më të tmerrshme të institucioneve të reja për shfarosjen e shqiptarëve dhe për serbizimin e Kosovës me çdo kusht.
Në këtë rrjedhë, terrorin dhe masakrat e vitit 1945, aksionin e përgjithshëm për ndërtimin e Beogradit të ri një vit më vonë, i pasoi akti tjetër tragjik për shqiptarët: vrasja e tyre me anë të urisë dhe me anë të sëmundjeve të ndryshme që shkaktoheshin nga mungesa e bukës. Në emër të „otkupit“ famëkeq (tepricave) popullit shqiptar iu hoq nga goja edhe kafshata e fundit e bukës, iu fshi me fshesë edhe kokrra e fundit e drithit në hambar. Po për këtë qëllim iu mor edhe tëlyeni, djathi, mishi, mjalti, lopa e kosit, iu bastisen edhe arkat e nuseve dhe ato të plakave… Te gjitha këto pastaj u nisën në rrugët e largëta në thellësi të Jugosllavisë, ku përfunduan si ushqim i njerëzve dhe i derrave. Dhe, për ironinë e kohës, të gjitha këto u bënë në emër të solidaritetit vëllazëror, në emër të ndihmave që Jugosllavia ia bënte gjoja „popullit vëlla në Shqipëri“, i cili, sipas tellallëve jugosllavë, me të dalë nga lufta e fundit, po hiqte të zitë e ullirit dhe po vdiste urie. Kjo propagandë, në njërën anë, synonte të vriste popullin tonë me uri e, në anën tjetër, synonte ta ftohte popullin Kosovës nga shteti i ri shqiptar, i cili gjoja nuk ishte në gjendje t’i sigurojë popullit as bukën e gojës e as rrobën trupit e të mos flitej pastaj për gjërat e tjera të nevojshme për jetë. Në emër të miqësisë me Shqipërinë, pas dështimit të planit të turpshëm që Shqipëria të bëhet republikë e shtatë e Jugosllavisë, ky shtet do të bëhet dorëlirë dhe në territorin e Kosovës, në rrethin e Gjakovës, mu në zonën kufitare me Shqipërinë, duke lejuar dhe organizuar formimin e qeverisë shqiptare në emigracion. Me një bujari dhe zemërgjerësi të pashembullt, Jugosllavia me të gjithë mekanizmat e saj shtetërore këtë qeveri e përkrahu dhe i ndihmoi politikisht dhe materialisht. E përkrahur moralisht dhe materialisht nga Jugosllavia, kjo qeveri në aktivitetin e saj politik e nxirrte edhe organin e saj me titull „Flamuri i lirisë“, që botohej dy herë në muaj në Prishtinë. Përkundër ëndrrave me sy hapur të Jugosllavisë, populli i varfër dhe i plaçkitur i Kosovës jetonte me realitetin e rëndë e të hidhur. Shumë artikuj që i kërkoheshin nuk i kishte as për vete e lëre me t’i kishte tepricë. Në rrethana të këtilla, për t’i shpëtuar ndëshkimit të rëndë që shkonte deri në dënim me vdekje, popullit iu desh të hyjë në borxhe të përhershme te kulakët dhe te popullsia vendëse serbe e malazeze, në mënyrë qe t’u përgjigjej pozitivisht detyrimeve të pushtetit. Në vend të tlynit lejohej të dorëzohej edhe dhjami i derrit, të cilin populli shqiptar e blinte me çmime të larta nga fqinjët serbë e malazez. Në këtë mënyrë shqiptari i skamur u varfërua deri në pikë të fundit. Atij, në mungesë të bukës, për të mbajtur shpirtin gjallë, iu desh të përdorte për ushqim barishte, hithra, rrënjë dhe lëvore të bimëve, duke e përballuar kështu bllokadën e urisë si fisi i Kelmendit dikur në një rrethim të V. Pashës. Bllokada e urisë popullit të Kosovës i kushtoi disa mijëra të vdekur, sidomos fëmijë, por edhe mijëra të tjerë te sëmurë nga organet e tretjes dhe shkuarja e barkut.
Në vazhdimësinë e planeve të tyre të errëta në fillim të viteve të pesëdhjeta, dhunën dhe presionin mbi popullin shqiptar pushteti e orientoi dhe e shtriu edhe ne planin social dhe etnopsikologjik. Duke e njohur mirë mentalitetin, psikologjinë dhe traditat patriarkale të popullit tonë, institucionet antishqiptare të ngritura në nivel shteti, pa kurrfarë përgatitjesh parapake, pa kurrfarë kushtesh reale, me vrazhdësinë më të madhe që i karakterizonte ato vite nga plagët që ende kullonin nga Lufta e fundit, ia filluan kolektivizimit të Kosovës. Me aplikimin e kolektivizimit në Kosovë, në regjionin e vetëm në Jugosllavi, dhuna mbi popullin shqiptar u shkallëzua edhe më shumë. Natyrisht, për kushtet e kohës, sidomos pas propagandës shtetërore, të lëshuar përmes njerëzve të vet lidhur me humbjen e tokës, bagëtisë, bjerrjen e adeteve dhe zakoneve të lashta shqiptare, me kazanin e përbashkët dhe me mënyrën e jetës „a la ruse“, hyrja në kolektiv për kosovarin ishte një provë e rëndë dhe e pamundshme. Personi i cili nuk pranonte që së bashku me familjen të hyjë në kolektiv, akuzohej si reaksionar, kulak, armik i shtetit, i popullit dhe i socializmit. Ndaj personave të tillë merreshin masat më të ashpra politike dhe administrative, duke i dënuar me izolim, me burgim e deri me asgjësim me anë torturash të egra. Mbi të gjitha, masa e izolimit ishte më e rënda. Me anën e saj familja shqiptare izolohej nga çdo aktivitet njerëzor dhe shoqëror. Nuk lejohej t’i hynte kush në shtëpi e as ajo t’i shkonte ndokujt, qoftë në gëzim e qoftë edhe në hidhërim. Familja e izoluar e kishte të ndaluar të shiste dhe te blinte në treg. Asaj nuk guxonte askush t’ia kërkonte vajzën e as t’i jepte nuse për djalë. Në këtë mënyrë familja e izoluar detyrohej të jetonte vazhdimisht nën tehun e shpatës së ndalesave të përgjithshme që jetës dhe punës ia humbnin kuptimin e tyre të mirëfilltë. Në anën tjetër, kolektivizimi nxiti ngatërresa me përmasa të mëdha ndërmjet fshatarëve. Ato ngatërresa në të shumtën e rasteve përfundonin me vrasje. Ne kuadër të masave të dhunës pushteti nëpërmjet organeve të UDB-ës organizonte edhe provokacione te ndryshme që të kishte të drejtë ta arrestonte dhe ta burgoste këdo që të dëshironte gjoja me dyshim të bazuar se ka kryer vepër penale kundër popullit dhe kundër shtetit.
Duke e parë se masat e aplikuara deri në atë kohë mbi popullin shqiptar të Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare nuk po jepnin rezultatin e pritur në mënyrë të shpejtë, pushteti, i nervozuar deri në kulm, vendosi të ndërmarrë dhe të zbatojë një provë tjetër të rëndë, me të cilën synonte ta ulte dinjitetin e popullit deri në baltë. Në dimrin e vitit 1955/56 Ministria e Punëve të Brendshme organizoi Aksionin për mbledhjen e armëve, të cilat popullit shqiptar i kishin mbetur gjoja nga Lufta e fundit dhe paraqitnin rrezik për sigurinë e rendit shtetëror dhe se UDB-a gjoja kishte njoftime të hollësishme për përgatitjen dhe shpërthimin e një kryengritjeje të shqiptarëve të Kosovës kundër Jugosllavisë. Mbledhjen e armëve apo thënë më mirë blerjen e tyre me çmime të larta nga organet e UDB-së i shoqëroi një terror i papresedencë dhe i padëgjuar ndonjëherë. Në fakt, sikurse të gjitha masat e deriatëhershme të dhunës, edhe “Aksioni i armëve – siç pohon J. Gërvalla – ishte një nga mënyrat për presion mbi popullin shqiptar, me qëllim kryesor e të fundit – shpërnguljen e shqiptarëve në Turqi e gjetkë”. Prandaj, në valën e gjithë kësaj dhune dhe këtij terrori të egër, qeveria jugosllave pa fije turpi predikonte dhe propagandonte si të vetmen rrugë të shpëtimit të popullit shqiptar përqafimin dhe pranimin e kombësisë turke, e pastaj më një shpirtgjerësi të pashembullt, në përkim me planet e Çubrilloviqit dhe të kontratës së qeverisë së Stojadinoviqit për shpërnguljen e më se 500.000 shqiptarëve për në Turqi, ajo shprehte gatishmërinë që për këtë element të trilluar ta angazhojë vetë administratën e saj lidhur me kushtet e kënaqshme të shitjes së pasurisë në Kosovë dhe të shpërnguljes sa më të lehtë për në shkretëtirat e Anadollit. Natyrisht që propagandën, presionin, dhunën dhe terrorin e organeve të UDB-ës i pasoi një shpërngulje masive e shqiptarëve për në Turqi, Evropë dhe Amerikë. Në vitet e pasluftës, deri nga gjysma e parë e viteve të gjashtëdhjeta, Kosovën nga dhuna e braktisën mbi gjysmë milioni shqiptarë, ndërsa sipas shënimeve zyrtare të publikuara pas Plenumit të Brioneve në revistën e Zagrebit “VUS” theksohet se vetëm gjatë periudhës së aksionit të armëve për në Turqi janë shpërngulur rreth 300.000 shqiptarë. Gjatë aksionit të mbledhjes së armëve populli u torturua dhe u masakrua ne mënyrat më barbare me ç’rast 100 persona humben jetën nga duart e kasapëve të Rankoviqit, ndërsa 30.000 të tjerë mbetën me pasoja të rënda e të përjetshme fizike dhe shpirtërore. Masat represive të dhunës dhe të terrorit në masat e gjëra popullore shënuan ngritjeje të re nga ana e UDB-ës sidomos gjatë vitit 1958 e më vonë. Populli shqiptar, tashmë i vendosur deri në fund të qëndrojë në trojet e të parëve, kishte ngulur këmbë që nga rezistenca spontane individuale në shtëpi, në rrugë, në treg, në vendin e punës, në zyrë e në qeveri të kalojë në rezistencë të organizuar masive duke shpërndarë afishe, trakte dhe flamuj kombëtarë.
Populli shikonte me optimizëm ardhmërinë
Zemërimin e popullit shqiptar në këtë kohë e ngriti peshë sidomos burgosja e një numri të madh të anëtarëve të organizatave të ndryshme patriotike ilegale, të cilat i kishin shpallur luftë të pakompromis pushtuesit dhe shërbëtorëve të tij. Burgosjet masive të bijve të popullit në Prishtinë, në Mitrovicë, në Gjilan dhe në të gjitha viset e tjera shqiptare në Jugosllavi u bënë objekt i bisedave dhe i komentimeve të gjalla në popull. Populli shqiptar i Kosovës, i përtëritur tashmë me fuqi të reja, i trimëruar nga fakti se tashme qenka me zot, me pararojën e tij, filloi të merrte frymë më lirshëm dhe nisi të shikonte më me guxim e optimizëm edhe ardhmërinë. Në rrethana të reja, kur populli më shumë mundime e sakrifica e kishte shkolluar plejadën e re të intelektualëve, edhe pse ende të paktë në numër, rezistenca spontane dhe ajo e organizuar po i kundërvihej shumë më me sukses dhunës dhe terrorit të çmendur shtetëror. Rezistenca e ndërgjegjshme e popullit tonë gradualisht nisi t’ia çjerrë maskën pushtetit jugosllav, duke e bërë atë që të pranonte edhe botërisht se problemi i Kosovës është gjithnjë i gjallë si një vullkan që pret të aktivizohet një ditë. Në mënyrë të veçantë popullin e Kosovës e aktivizoi burgosja e intelektualit të ri popullor, shkrimtarit dhe atdhetarit Adem Demaçi, i cili për veprimtari kundër shtetit jugosllav u dënua me pesë vjet burg të rëndë. Në romanin “Gjarpijt e gjakut” shkrimtari i shpalli luftë të rreptë vëllavrasjes, të cilën e nxiste dhe e mëkonte pushteti me veglat dhe mekanizmin e tij, që populli ynë të përçahej sa më shumë dhe të njollosej para opinionit si popull i egër. Romani hapej me përkushtimin:
Jo – atyne që janë trima
me ngrehë gishtin e krimit,
por – atyne që janë burra
me shtri dorën e pajtimit…

dhe përfundonte duke e ftuar gjeneratën e re: “Qe, qita janë gjarpnojt… Kta lypin veç gjak… – Nalni!.. Shtypjauni kryet!… -Ju muni me i nalë, ju muni me jau shtypë kryet se ju ‘ini t’farës s’re…” Qëndrimi i Adem Demaçit ne burg, para organeve të hetuesisë dhe para trupit gjykues e tmerroi pushtetin. Ai nga pozita e të pandehurit procesin gjyqësor e shndërroi në akuze të ashpër kundër robërisë jugosllave. Dhe nga kjo kohë e këtej gjykatat jugosllave në Kosovë nuk do të pushojnë për asnjë moment së dënuari bijtë dhe bijat më të mirë të popullit shqiptar, të cilët nuk do të kursejnë asgjë për fitoren e lirisë së popullit dhe të atdheut të tyre. Në kundër të zgjimit, vetëdijesimit dhe aktivitetit politik të popullit shqiptar në Kosovë dhe kudo në trojet shqiptare brenda kufirit të ish-Jugosllavisë, si në aspektin cilësor ashtu edhe në atë sasior, viti 1961 shënon edhe një hap përpara. Në këtë vit, ndonëse zbulohet dhe bie në dorë të UDB-ës organizata patriotike e udhëhequr nga patrioti Kadri Halimi, e cila kishte zhvilluar një aktivitet të konsiderueshëm, idealet e larta të popullit për jetë të lirë dhe të drejta njerëzore jo vetëm nuk po shuheshin më, por ato po shpërthenin më fuqishëm duke e marrë edhe formën e tyre më të qartë dhe më të plotë. Po në këtë vit del nga burgu edhe Adem Demaçi. Pas udhëtimeve të tij trup e tërthor trojeve të robëruara shqiptare si edhe pas njohjes se tij në mënyrë më të drejtpërdrejtë me vuajtjet dhe ëndrrat e popullit, Adem Demaçi krijon bindjen e thellë se tashmë ishin pjekur kushtet shoqërore dhe politike për krijimin e një organizate të fortë patriotike, e cila do t’i delte në ballë lëvizjes çlirimtare të masave të gjëra, duke i orientuar ato në një luftë të drejtë.
Me përpjekjet e tij të urta, së bashku me shumë patriotë të tjerë, Adem Demaçi ia vuri themelet organizatës patriotike Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve. Kjo organizatë “në njërën anë bënte presion mbi okupatorët për realizimin e të drejtave që parashikohen me kushtetutën jugosllave, e që nuk janë zbatuar kurrë, e nga ana tjetër duhej të bëheshin përgatitje që, në momentin e duhur, populli shqiptar të ngrihej në mënyrë të organizuar në LNÇ, t’i çlirojë të gjitha trojet e veta nga robëria jugosllave dhe të bënte bashkimin me shtetin kombëtar e kështu të realizoheshin aspiratat shekullore të popullit shqiptar – të krijohej shteti shqiptar brenda kufijve të tij kombëtar”. (“Zëri i Kosovës”, nr.3, 1982). Aktiviteti revolucionar i kësaj organizate ishte i gjithanshëm dhe hasi në mirëkuptim të plotë tek shtresat e gjëra të popullit shqiptar. Lëvizja me aktivitetin e saj të pareshtur ia çori maskën okupatorit dhe veglave të tij; kundërshtoi shtypjen, shfrytëzimin dhe padrejtësitë shoqërore dhe kombëtare që bëheshin në kurriz të popullit shqiptar; ia sqaroi popullit veprimtarinë e errët të diplomacisë së Fuqive të Mëdha dhe të shteteve grabitqare fqinje, të cilat në vitin 1913 e ndanë përgjysmë popullin shqiptar dhe trojet e tij; ia sqaroi popullit edhe faktin e tragjedisë më të re të Kosovës që erdhi si rezultat i tradhtisë së idealeve të LNÇ më 1945 nga ana serbo-jugosllave dhe në fund Lëvizjes i takoi fati dhe nderi që me veprimtarinë e saj të dendur, në të gjitha trojet shqiptare, ta ringjallë kujtimin e Flamurit Kombëtar Shqiptar, të ndaluar menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Dhe kështu, pas një aktiviteti të gjithanshëm trevjeçar, në qershorin e vitit 1964 Lëvizja zbulohet nga organet e UDB-ës dhe në këtë mënyrë një numër i madh i anëtarëve të saj e sidomos udhëheqësit kapen dhe mbyllen në burgjet hetuese. Gjatë këtij procesi nëpër duart e organeve të hetuesisë kaluan disa qindra atdhetarë, bijtë më të mirë të popullit, me përbërje të ndryshme profesionale. Gjyqet jugosllave në Kosovë i dënuan rreth 500 persona me nga disa muaj burg, ndërsa pesëdhjetë e shtatë udhëheqës dhe anëtarë të dalluar të Organizatës i dënuan prej 3-15 vjet me burg të rëndë. Megjithatë, edhe pse e dëmtuar në masë të konsiderueshme, Lëvizja nuk e pushoi veprimtarinë e saj as në të ardhmen. Me shpërndarjen e trakteve, me ngritjen e flamujve kombëtarë në të gjitha viset shqiptare, me përtëritjen e radhëve me anëtarë të rinj, aktiviteti i Lëvizjes u rrit përherë e më shumë, duke depërtuar në shtresat e gjëra të popullit dhe në të gjitha poret e jetës politike e shoqërore të Kosovës dhe më gjerë. Zgjimi i popullit shqiptar, vetëdijesimi i popullit në planin shoqëror, historik dhe politik, mospajtimi i popullit me robërinë dhe padrejtësitë që ushtroheshin në dëm të tij dhe sidomos përkrahja që Lëvizja e hasi në popull, e tmerroi pushtuesin.
Presioni këmbëngulës i popullit shqiptar kundër pushtetit gjakpirës të Beogradit si dhe lufta e vazhdueshme e klanit serb për pozita, dominim dhe hegjemonizëm në tërë shtetin, në verën e nxehtë të vitit 1966, e çoi Federatën jugosllave në Plenumin e Brioneve. Në këtë luftë te ashpër, ndërskëmbcash të fshehta dhe ballafaqimesh të ngërdheshura, J. B. Tito doli fitues mbi shokun e tij të luftës, ministrin e organeve të UDB-ës, kriminelin namkeq Aleksandër Rankoviq, duke e demaskuar pastaj këtë si fajtorin kryesor për të gjitha krimet që ishin hërë pas Luftës e deri atëherë në dëm të popullit shqiptar. Në këtë mënyrë Tito kthehet në Beograd në postin e shefit të shtetit, në atë të forcave të armatës, në atë të partisë, etj., duke bërë përpjekje ta bindë opinionin se më këtë rast i kishte të pastra duart prej kryexhelati. Në të njëjtën kohë, pas kësaj plasaritjeje në mes të klaneve të Federatës, që u hetua tashmë botërisht, edhe renegatët shqiptarë shpejtuan, kush e cili më parë, duke e ngritur zërin deri në qiell, në mënyrë që para popullit shqiptar të liroheshin sado pak nga barra e rëndë e fajit me alibinë se gjoja nuk kishin ditur asgjë mbi vallen makabre të përgjakshme që mbi popullin shqiptar të Kosovës e më gjerë ishte luajtur përmbi njëzet vjet me radhë. Në fakt, me këtë ata tregonin se gjatë atyre viteve të robërisë kishin qëndruar të qetë në kolltukun e butë të udhëheqësve të popullit duke e bërë veshin shurdh e syrin qorr përpara vuajtjeve e krajatave të popullit, përpara klithmës dhe gjëmës së Kosovës së rrahur shumëfish. Në përpjekje për të përfituar simpatinë e popullit, të cilën nuk e kishte pasur kurrë, i vetëdijshëm se populli nuk gënjehet lehtë, sidomos kur është fjala për dhembjen që e ka përjetuar në lëkurën dhe në shpirtin e tij, renegati Ali Shukriu detyrohet të bëjë njëfarë autokritike, si për vetvete ashtu edhe për shokët e tij të sahanit me këto fjalë: “Ne kemi ditur për të gjitha krimet dhe zullumet që janë herë në Kosovë, për këto kemi qenë të njoftuar edhe nga ankimet e popullit; por tek ne ka dominuar ndjenja e karrierizmit, e mirëqenies dhe ajo e frikës…” Prandaj, nga ana e udhëheqësve shqiptarë, për aq sa dihet botërisht deri sot, asnjëherë nuk u ngrit zëri i së drejtës dhe protesta e arsyeshme kundër krimeve, dhunës dhe gjenocidit serb mbi popullin tonë martir. Ne këtë mënyrë, me vetëdije të plotë, ata u inkuadruan kokë e këmbë në rrjedhën e ngjarjeve, duke u bërë ndihmë e madhe e armikut, ashtu siç bëhet pyka për druvarin gjatë çarjes së lisit, sikur të ishte fjala për një rrjedhë normale të ngjarjeve shoqërore-politike në kohë dhe në një midis të caktuar. Megjithëkëtë armiku i kishte shpërblyer ata edhe për këtë ndihmë. Kjo do të shihet pas hapjes së 120.000 dosjeve të përpiluara nga organet e UDB-ës, ku përkrah patrioteve të popullit do të gjenden në thumb të armikut edhe renegatët e tij. Si çdo okupator, edhe okupatori serb qe në fillim i kishte bërë llogaritë: atij që me besnikërinë e qenit i shërben armikut të popullit të vet, nuk duhet t’i falet respekti, por përbuzja…
Vitet e një stine të re
Ndonëse askush nuk ushqente ndonjë iluzion të veçantë lidhur me përmirësimin e gjendjes dhe të pozitës së shqiptarëve që jetonin në trojet e veta brenda kufirit politik jugosllav, prapëseprapë vitet pas Plenumit të Katërt të LKJ-së në Brione, populli shqiptar i Kosovës, i përjetoi si vite të një stine të re, si vite të një përtëritjeje të përgjithshme, si vite të një rilindjeje kombëtare. Qeveria e Beogradit për t’u shfajësuar për krimet e saj të pashëmbullta, si përpara opinionit shqiptar ashtu edhe përpara atij të brendshëm dhe atij ndërkombëtar, së pari e demaskoi dhe e zbriti nga posti i shefit të UDB-ës armikun e shtetit të Jugosllavisë, Aleksandër Rankoviqin, e pastaj filloi një fushatë të fryrë premtimesh demagogjike lidhur me njohjen e të drejtave të gjithanshme, të cilat sikurse të gjithë popujve në Federatë, edhe popullit shqiptar ia garantonte Kushtetuta e RSPJ-së. Në situatën e re të krijuar pas Plenumit, krahu përparimtar i kuadrove dhe i inteligjencies popullore, që tashmë pas një mijë vuajtjesh e sakrificash kishte arritur të dalë nga bankat e shkollave të mesme dhe fakulteteve të ndryshme të Jugosllavisë, tash e ngre zërin edhe legalisht duke kërkuar të drejta politike, demokratike, kulturore dhe arsimore, të sanksionuara në Kushtetutë. Që në fillim u kërkua që në arsimin fillor dhe atë të mesem të përfshiheshin pa kurrfarë përjashtimi të gjithë nxënësit e kombit shqiptar, ashtu siç bëhej që nga vitet e pasluftës për popullatën serbe dhe malazeze. U kërkua hapja e shkollave të reja, ngase vetëm atë vit për shkak të mungesës së lokaleve shkollore jashtë bankave të shkollës kishin mbetur 50.000 fëmijë të moshës shkollore. U kërkua që në shkolla të flitet dhe të shkruhet lirisht në gjuhën amtare jo vetëm në kuadrin e orëve të lëndës së gjuhës shqipe, por edhe gjatë zhvillimit të lëndëve të tjera mësimore. Pastaj u kërkua hapja e shkollave të të gjitha shkallëve dhe profileve, masivizimi i letërsisë dhe nxjerrja e një vargu organesh të shtypit, hapja e rrjetit bibliotekar, themelimi i teatrove, themelimi i institucioneve për studimet dhe përhapjen e kulturës kombëtare, administrata dygjuhësore me kuadrin e përberë sipas përqindjes së numrit të popullsisë që jetonte në Kosovë, kthimi i rreth pesëqind mijë shqiptarëve të shpërngulur nga dhuna e pushtetit dhe riatdhesimi e tyre në vatrat shekullore. Në këtë vazhdë u kërkua të njihet edhe jeta dhe të arriturat e popullit shqiptar në RP të Shqipërisë. U apelua që nga RPSH të kërkoheshin libra letrare e shkencore, filma e muzikë shqiptare. Nga kërkesat këmbëngulëse dhe të drejta të popullit edhe udhëheqësit shqiptarë zunë ta prishnin rehatinë e tyre dhe të zgjoheshin si ariu nga kllapia e një gjumi të gjatë dimëror. Në mënyrën e rrotullimit të gurit të mullirit, që forcën lëvizëse e ka poshtë, ashtu edhe në Kosovë gjithçka që kishte filluar të ecte përpara, burimin e kishte tek shtresat e gjëra popullore.
Sikur zogjtë që marrin krahë e fluturojnë lirshëm në qiellin e paskaj edhe gjeneratat e reja po nxitonin të shkelnin në shtigje të hapura, atje ku i thërriste jeta, në shërbim të atdheut të shumëvuajtur. Kosova zhytur dhe e mbytur nga terri i obskurantizmit dhe i injorancës, që vinte si rezultat i dhunës së pushtuesit, po zgjohej me ëndrrat shekullore të lirisë. Ajo digjej flakë nga etja e pashuar për gurrën e bardhë e te pashtershme të diturisë dhe të së vërtetës. Në këtë stinë të zgjimit, prandaj, dikujt i ra hise të merrte ditarin e nxënësve në dorë dhe të punonte si mësues edhe në fshatrat më të humbura të Kosovës, e dikujt tjetër të ulej në bankat e tempullit të diturisë dhe të dritës në Fakultetin e ri e të vetëm në Prishtinë, që ishte degë e Universitetit të Beogradit. Populli po kërkonte zgjerimin horizonteve të njohurive dhe krijimin e mundësive për thellimin e diturisë… Në mënyrë të veçantë gjenerata e re u bë edhe mbështetja më e sigurt e inteligjencies shqiptare pikërisht në kohën më të thirrshme, atëherë kur në pozitën e Kosovës, si njësi krahine e thjeshtë e Serbisë (obllast), me amandamentet kushtetuese te vitit 1967 dhe 1968, kishin filluar te bëhen ndryshime.
Nga rrethanat e krijuara asokohe,shenjë se anija ka zënë të lundrojë me erë të mbarë, rezultatet e para u dukën në arsim dhe në kulturë. Ndonëse ende mungonte rrjeti shkollor i nevojshëm, nxënësit shqiptarë regjistroheshin më me lehtësi në shkollë. Kuadri arsimor që zhvillonte mësimin në gjuhën serbe nisi të zëvendësohet me kuadrin shqiptar. Natyrisht, në atë kohë, Kosova ende nuk kishte kuadër të mjaftueshëm për t’i mbuluar të gjitha nevojat që i kërkonte arsimimi në gjuhën shqipe. Vetëm në fillim të vitit shkollor 1967/68 në Kosovë mungonin rreth tre mijë arsimtarë, ndërsa nga ata që punonin rreth 70 për qind ishin të pakualifikuar. Prandaj edhe për një kohë lëndët kryesore të shkencave të natyrës dhe të shoqërisë nxënësit shqiptarë i zhvillonin në gjuhën serbokroate. Nxënësit shqiptarë, bij dhe bija të një populli të stërvuajtur, iu përveshën mësimit me zell dhe me entuziazëm të pakufishëm. Të lodhur me terrin dhe prapambeturinë shekullore, ata i udhëhiqte etja e pashuar për dituritë dhe për zgjerimin e njohurive të veçanta dhe të përgjithshme. Orientimi kryesor i tyre u drejtua së pari në njohjen e vetvetes, në zbulimin e rrënjëve të lashtësisë, në njohjen e së kaluarës së largët dhe të afërt të popullit të tyre, e cila deri në atë kohë kishte qenë e gjykuar të qëndronte në terr, ndërsa zbulimi i saj sado i përciptë dënohej me ligjet inkuizicionale të ngritura në sistem shtetëror. Pos librave shkollore të autorëve jugosllavë, në mesin e nxënësve filluan të qarkullojnë me të madhe edhe ata pak libra në gjuhën shqipe, të cilët deri atëherë gjendeshin në indeksin e librave të ndaluar. Librat lexoheshin me një frymë, me lot në sy, duke e përtëritur qenien e secilit lexues sikurse shiu i butë i verës bimën pas një thatësie të gjatë. Ndër librat që asokohe lexoheshin dhe analizoheshin në mesin e nxënësve ishin veprat jo të plota të Naimit, Çajupit, Shirokës, Gurakuqit, Mjedës, Migjenit, Nolit, Asllanit, e pak më vonë edhe “Lulja e kujtimit” e F. Postolit, “Sikur t’isha djalë” e H. Stërmillit e ndonjë tjetër.
Duke e shfrytëzuar situatën konfuze të pas Plenumit, duke i shfrytëzuar kritikat dhe autokritikat e udhëheqësve të lartë të shtetit, “keqardhjet” e tyre të pakufishme, si dhe “gatishmërinë” e tyre të shprehur për t’i korrigjuar gabimet që ishin bërë ndaj shqiptarëve për njëzet vjet rresht, duke ua mohuar shqiptarëve edhe të drejtat më elementare, kuadri përparimtar shqiptar arriti të shpallë edhe në Kosovë vitin 1968 vit jubilar me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Gjergj Kastriotit Skënderbeut. Në shenjë të këtij jubileu revistat e pakta të asaj kohe “Jeta e re” dhe “Zëri i rinisë” duke filluar që nga viti 1967 dhe gjatë gjithë vitit vijues jubilar botuan materiale të ndryshme historike dhe letrare si dhe riprodhime pikturale dhe skulpturale të autorëve nga RP e Shqipërisë e që lidheshin me epokën e lavdishme të Skënderbeut. Në këto rrethana një punë të mbarë e filloi edhe Redaksia e Botimeve “Rilindja” me publikimin e veprave që inkuadroheshin në shënimin e atij jubileu, si “Historia e jetës dhe e bëmave të Skënderbeut» e M. Barletit, “Bashkëluftëtarët e Skënderbeut” e A. Harshovës, apo “Historia e Skënderbeut» e F. Nolit, “Histori e Skënderbeut” e N. Frashërit në botim të Entit të teksteve të Prishtinës, etj. Po ashtu edhe Edicioni i „Flakës së vëllazërimit” në Shkup, në kuadër të këtij jubileu boton apologjinë “Gjergj Kastrioti, princi i shqiptarëve” të F. Bardhit si dhe disa përmbledhje këngësh dhe tregimesh popullore për Skënderbeun. Pesëqindvjetori i vdekjes së Skënderbeut më këngë dhe me recitime do të shënohet në çdo komunë të Kosovës, bile edhe nëpër shumë fshatra. Por manifestimi kryesor mbahet në Prishtinë më 17 janar 1968, ku edhe do t’i fillojë punimet me sukses Simpoziumi për Skënderbeun. Pjesëmarrës në këtë Simpozium do të jenë personat më të privilegjuar, të cilët pos përcjelljes së ligjëratave shkencore, gjatë atyre ditëve do të shohin lirisht edhe Emblemën e Kastriotëve, Flamurin e kuq me shkabën e zezë dykrerëshe, e cila qëndronte hijerëndë në platformën e sallës së punimeve. Kjo emblemë nëpërmjet gojës së pjesëmarrësve do të marrë fuqinë e diellit duke e shndritur dhe duke e ngrohur në shpirt mbarë Kosovën. Nga punimet e Simpoziumit si dhe nga publikimet e tjera të kësaj natyre gjatë atij viti populli shqiptar do të njihet me periudhën e Motit të Madh, me njërën nga periudhat më të lavdishme në historinë e kombit tonë. Në këtë kohë mbarë opinioni do të njihet edhe me të vërtetën e Luftës së Kosovës të vitit 1389, në të cilën nuk paskëshin luftuar vetëm serbët me në krye Llazarin kundër Perandorisë Osmane, siç thuhej në tekstet e historisë të hartuara nga autorët serbë, por në atë luftë kishin marrë pjesë edhe shqiptarët si dhe të gjithë popujt e tjerë të Ballkanit dhe më gjerë. Atmosfera e krijuar kudo në Kosovë popullit shqiptar po ia shtonte krenarinë kombëtare dhe po ia forconte bindjen për të ardhmen e ndritur dhe të sigurt. Nga ligjëratat plot frymëzim të arsimtarëve si dhe nga përgjigjet e zëshme të nxënësve të palodhshëm shqiptarë, edhe shkollat e Kosovës e thyen heshtjen e tyre monotone. Sidomos orët e gjuhës dhe të letërsisë shqipe nga nxënësit priteshin me padurim. Me të njëjtën dëshirë pritej edhe ora e historisë aty ku arsimtari i kësaj lënde ishte shqiptar, meqë një përqindje e kësaj lënde i kushtohej edhe historisë së popullit shqiptar, që zhvillohej nga një tekst i historisë hartuar nga Ali Hadri dhe Milan Perkaj. Shkollat, rrugët e sheshet në këto rrethana buçitnin nga entuziazmi dhe zgjimi. I madh e i vogël u bënë poetë dhe këngëtarë. Secili dëshironte të shkruante një vjershë apo një tregim për Skënderbeun, secili përpiqej të flakte ndjenjën e ndrydhur ndër shekuj përmes këngëve për Skënderbeun dhe për figurat e tjera të historisë sonë:
Frynë murlani me stuhi / Qielli bumbullonte / Nën Flamurin kuq e zi / Skënderbeu luftonte / Hej, trim, o Skënderbe / O krenari shqiptar / Me çliru Atdheun / N’luftë je nisë ma i pari / T’japim besën t’gjithë sa jemi / Trim, o Skënderbe / Për Atdhe jetën shqiptari / E jap si me le…
Janë këto vargje të një kënge të krijuar asokohe në Kosovë, e cila i jepte vulën gjithë asaj atmosfere dhe atij entuziazmi masiv. Gjithçka që evokonte të kaluarën tonë të lavdishme përjetohej kolektivisht, me çka merrte pesëshe vlera e tyre njohëse dhe edukuese. Atmosferës së përgjithshme popullore i bashkohet edhe e përditshmja „Rilindja“, Radio Prishtina, Teatri Popullor Krahinor etj.
Pas pyetjeve të shumta se pse në emisionet muzikore Radio Prishtina emeton këngë të kënduara nga solistet e Radio-Ankarasë, ndërsa nga ata të Radio Tiranës jo, Radio Prishtina filloi të bëjë edhe këtë punë. Zëri buçitës i mbretëreshës së këngës popullore shqiptare, Fitnete Rexha, është zëri i parë përshëndetës i këngëtarëve të RP të Shqipërisë në valët e Radio Prishtinës. Tashti edhe Radio Tirana filloi të dëgjohej më lirisht se përpara. Gjithashtu në mesin e nxënësve u duk edhe ndonjë ekzemplar i rrallë i revistave të ilustruara „Ylli“ dhe „Shqipëria e Re“, të cilat në Kosovë arrinin nga Evropa Perëndimore nëpërmjet emigracionit ekonomik kosovar. Në këtë mënyrë u krijuan disa kushte që sado në mënyrë të tërthortë dhe sipërfaqësore populli shqiptar i Kosovës të njihet me gjysmën tjetër të kombit të tij.
Kosova përgatitet të shpërthejë si vullkan
E ndodhur përpara një vullkani që po priste të shpërthente në Kosovë nga dita në ditë, e gjendur përballë kërkesave të drejta e këmbëngulëse të popullit shqiptar, Qeveria e Beogradit nuk gjeti shteg tjetër pos atij që hëpërhë para kësaj stuhie të lëshonte pe. Në këtë kohë edhe Lëvizja e kishte vlerësuar situatën si të favorshme që të kalojë në aktivitet legal që nga bashkësitë lokale e shkollat e deri në organizatat legale të shtetit. Prandaj, nga presioni i furishëm i rinisë shkollore, i kuadrit përparimtar, i inteligjencies popullore, nga presioni i përgjithshëm i masave qysh në fillim të vitit 1968 e më vonë nisën të realizohen edhe disa nga kërkesat e shtruara nga populli. Së pari emërtimi fyes „shiptar“, „shiftar“ ose thjesht „shok“ për kombin tonë u zëvendësua me emërtimin e vërtetë „albanac“, ashtu siç njihej në mbarë botën. Emërtimi Metohi i krijuar në vitin 1922 nga Monarkia Serbe u zëvendësua sërish me emërtimin shumëshekullor Rrafshi i Dukagjinit. Të gjitha trevat e emërtuara qëllimisht me toponime lokale u rrumbullakësuan sërish me emërtimin e përhershëm të popullit: Kosova. Plan-programet e gjuhës dhe të letërsisë shqipe si dhe ato të historisë po plotësoheshin në të mirë të njohjes të së kaluarës sonë historike dhe kulturore. Flamuri Kombëtar Shqiptar ende i palejuar me akt zyrtar filloi të valonte i lirë në të gjitha viset e Kosovës dhe më gjerë. Atmosfera e elektrizuar e Kosovës, situata e gjallë politike, zgjimi i furishëm kombëtar, u shfrytëzua për të mirë ashtu sie ka ditur ta shfrytëzojë përherë çdo situatë populli ynë. Ngjashëm me kohën e Hyrietit, në vitin 1908, kur Turqia e zënë me probleme të brendshme dhe e detyruar nga gryka e pushkës shqiptare do të detyrohet që për pak kohë t’ia njohë disa liri dhe të drejta popullit tonë, edhe në Kosovë u hapën disa shkolla të larta, u nxorën një varg gazetash, u hapën disa klube dhe u themeluan disa shoqëri amatore kulturore-artistike. Në këtë drejtim edhe Redaksia e Botimeve “Rilindja” e filloi punën e saj intensive me ribotimin e veprave letrare të autorëve që krijojnë në RP të Shqipërisë. Një punë me vlerë e filloi edhe Enti i Teksteve dhe i Mjeteve Mësimore, sidomos me botimin e monumenteve me vlera kapitale shkencore siç ishin: „Historia e letërsisë shqipe, I, II“ dhe „Historia e popullit shqiptar, I-II“, të hartuara nga një grup punonjësish shkencorë të Universitetit Shtetëror të Tiranës. Një punë e madhe u bë edhe me botimin e Projektit të drejtshkrimit të gjuhës letrare shqipe që shpiente drejt unifikimit të gjuhës shqipe në nivel kombëtar me moton: një popull një gjuhë. Gjuhën letrare shqipe, me vetëdije të lartë e përqafën dhe e përdorën në shkrimet e tyre të gjithë gazetarët, shkrimtaret dhe punonjësit shkencorë të Kosovës. Gjuhën letrare e përqafën edhe shtypi i ditës dhe ai periodik si „Rilindja“, „Flaka e vëllazërimit“, „Jeta e re“, „Zëri i rinisë“, „Fjala“, „Pionieri“ dhe „Bota e re“. Gjuha letrare nisi të përdoret edhe në të gjitha shkollat dhe institucionet e tjera të Kosovës. Gjatë vjeshtës së vitit 1968 nëpër kino-sallat e Kosovës u shfaq edhe filmi shqiptaro-sovjetik „Skënderbeu“ dhe u prit me interesim të jashtëzakonshëm nga mbarë populli, i cili ngarendte edhe nga fshatrat më të largëta për t’u gjetur për herë të parë në jetën e tij në sallën e kinemasë. Gjithashtu një punë të madhe për zgjerimin e njohurive lidhur me rrugën e vështirë dhe plot sakrifica drejt diturisë dhe dritës e bëri edhe ekspozita e organizuar me rastin e 60-vjetorit të Kongresit të Manastirit, e cila u hap në foajeun e Teatrit Popullor Krahinor në nëntor të vitit 1968.
Në rrjedhën e diskutimeve lidhur me ndryshimet e amandamenteve kushtetutare gjatë vitit 1968, kërkesat e popullit të Kosovës nuk u kënaqën vetëm me realizimin e disa çështjeve nga sfera e kulturës dhe e arsimit. Përkundrazi, kërkesat e popullit shqiptar vazhdonin me këmbëngulje duke prekur edhe në sfera të tjera të të drejtave politike dhe ekonomike, të cilat me decenie ishin mohuar me dhunë. Në radhë të parë, duke u mbështetur në të gjitha tiparet dhe karakteristikat e kombit, siç janë: gjuha amtare, kultura dhe konstitucioni shpirtëror i përbashkët, kompaktësia territoriale, jeta e përbashkët ekonomike si dhe aftësia për t’u vetëqeverisur, njëzërit u kërkua që trajtimi i popullit shqiptar si „pakicë kombëtare“ të korrigjohet duke e ngritur këtë në nivelin adekuat me njohje të statusit të kombit, ndërsa Krahinës së Kosovës, e cila deri në atë vit trajtohej vetëm si njësi territoriale autonome (obllast) në kuadër të Serbisë Federale, u kërkua t’i njihet statusi i Republikës brenda Federatës Jugosllave. Kjo kërkesë u paraqit publikisht dhe u përkrah masovikisht nga shtresat e gjëra të popullit. Në vargun e kërkesave të kësaj natyre ishte edhe kërkesa për përdorimin e lirë te Flamurit kombëtar shqiptar, të simboleve të tjera kombëtare dhe te datave dhe festave kombëtare. Po ashtu u shtrua edhe kërkesa lidhur me zhvillimin e ekonomisë kosovare në nivelin e mesatares së asaj jugosllave. Kjo kërkesë arsyetohej me faktet bindëse se Kosova e ka nëntokën, mbitokën dhe fuqinë punëtore me të pasur se çdo republikë e Federatës dhe me të drejtë kërkohej që të ndërpritej praktika e deriatëhershme që Kosova të trajtohej vetëm si burim lëndësh të para, apo thjesht si zonë koloniale jugosllave, gjë që e kishte katandisur popullin në një varfëri të tmerrshme dhe në një diferencë kriminale në krahasim me zonat e tjera të Jugosllavisë. Në këtë kuadër populli shqiptar i Kosovës, në krahasim me të drejtën, vullnetin dhe aspiratat e tij shekullore, kësaj radhe shfaqte vetëm një kërkesë të domosdoshme, të mundshme dhe të realizueshme.
E tërë Kosova në këmbë
Duke e parë se punët rreth kërkesave të popullit shqiptar të Kosovës po zvarriteshin qëllimisht, duke e parë se qeveria e Beogradit po e bënte veshin te shurdhër dhe syrin qorr ndaj kërkesave të këtij populli, ndërsa vetë Tito në mënyrë përbuzëse po i mohonte këto kërkesa edhe kësaj radhe me fjalët: „Republika nuk është shkop magjik e as i vetmi faktor që i zgjidh të gjitha problemet“, popullit nuk i mbeti rrugë tjetër pos që këto kërkesa t’i shprehë dhe t’i manifestojë botërisht nëpër rrugët dhe sheshet e Kosovës. Në rrugën e tij të ndritur populli po ngrihej si baticë deti. Punën vendimtare për organizimin dhe shpërthimin e demonstratave të masave të gjëra popullore, së pari në muajin tetor në Pejë, Prizren, Therandë dhe Mitrovicë, e pastaj më 27 nëntor 1968 në Prishtinë, Besianë, Ferizaj, Gjilan, Drenas, e pas disa javësh edhe në Tetovë e Ulqin, e bëri Rina e Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, e cila, duke e shfrytëzuar situatën ne të cilën ndodhej populli, e gjeti të udhës dhe e vlerësoi si akt të dorës së parë se kishte ardhur koha që kërkesat e drejta të popullit shqiptar të jehonin fuqishëm edhe përpara opinionit jugosllav dhe atij ndërkombëtar dhe se kishte ardhur momenti i fundit që çështja e Kosovës të ndërkombëtarizohej njëherë e përgjithmonë. Nëpërmjet demonstratave masive që shpërthyen në të gjitha trevat e Kosovës dhe më gjerë, punëtorët, fshatarët, nxënësit, studentët dhe intelektualët kërkonin botërisht njohjen e statusit të Republikës për Kosovën, të drejtën e Kushtetutës, të drejtën e statusit të kombit, të drejtën e përdorimit të lirë të Flamurit Kombëtar, të drejtën e themelimit të Universitetit në Kosovë, të drejtën e dygjuhësisë, të drejtën e inkuadrimit në punë sipas strukturës kombëtare të popullsisë së Kosovës, të drejtën e zhvillimit të industrisë, u kundërshtua rreptë grabitja dhe shfrytëzimi i pashembullt që po u bëhej pasurive mbitokësore dhe nëntokësore të trevave të banuara nga shqiptarët…
Shuarja me gjak e demonstratave, lëndimi i truallit të Kosovës nga zinxhirët e tankeve dhe nga çizmja e policisë dhe ushtrisë së ardhur nga Nishi e nga Shkupi, vrasja e Murat Mehmetit, plagosja e dhjetëra djemve dhe vajzave kosovare, burgosja e një numri të madh të organizatorëve të demonstratave, largimi i një numri të konsiderueshëm të intelektualëve nga puna, hapja e dosjeve të reja për personat me përcaktim armiqësor antijugosllav nga ana e UDB-ës, etj., popullin shqiptar nuk e demoralizuan dhe as nuk e larguan nga rruga e vështirë e luftës së paepur për liri kombëtare dhe për të drejta njerëzore.
Qeveria jugosllave, e shtrënguar nga situata e ndere e brendshme politike, që vinte si rrjedhim i pabarazisë kombëtare, si dhe nga frika e shpërthimit të një zemërimi hala më të madh të popullit të gjakosur shqiptar, i qëndroi si beden i pathyeshëm dhe nuk i dënoi demonstratat, u detyrua të ulet, t’i rishikojë gabimet e veta dhe të vendosë pozitivisht lidhur me disa kërkesa të popullit tonë, të cilat tashmë kishin marrë dheun. Në radhë të parë, që në muajin shkurt të vitit 1969, me anë të Ligjit Kushtetues, bëhet njëfarë rishikimi formal i statusit të Kosovës, e cila nga krahinë e thjeshtë e Serbisë, emërtohet Krahina Socialiste Autonome e Kosovës, por që vazhdon të mbetet gjithnjë nën tutelën e Serbisë. Po ashtu pas disa muajsh, në nëntor të vitit 1969 u shpall ligji për hapjen e Universitetit të Kosovës që do të jetësohet më 15 shkurt 1970. Gjatë këtij viti me ligj u aprovua që dygjuhësia (gjuha serbokroate dhe gjuha shqipe) të ngrihet në normë zyrtare. Pas diskutimeve dhe aprovimit të amandamenteve të vitit 1971, në vitin 1974 Kosova e fitoi edhe Kushtetutën e saj.
Por, kërkesa e parë, qenësorja, lidhur me statusin e Republikës brenda Federatës Jugosllave, u kalua në heshtje, duke shkelur kështu me të dy këmbët mbi të drejtat dhe vullnetin e një populli, si dhe duke e lënë prapa një zjarr të ndezur furishëm nga flakët e të cilit vite me vonë do të digjet idili i rrejshëm i bashkim vëllazërimit dhe politika demagogjike e mbarë Federatës. Kështu, ndonëse u fituan disa të drejta për zhvillimin e arsimit dhe të kulturës, Kosova sërish mbeti nën sqetullat e Serbisë, e cila përveç që vazhdoi eksploatimin e Kosovës me qëndrimet e saj të mëparshme dhe me synimet për asimilimin e popullit shqiptar, dëbimin e tij nga trojet e veta, si dhe serbizimin e Kosovës, këto jo vetëm qe nuk i ndërroi, por i intensifikoi edhe më shumë. Në këtë rrjedhë, gjendja e Kosovës mbeti ajo e para: pa rrugë, pa objekte shkollore, pa spitale, pa shtëpi të kulturës, pa elektrifikimin e krahinave të tëra, pa rrjetin e ujësjellësit dhe të kanalizimit edhe nëpër qendra të mëdha komunale, pa fabrika, pa banesa, pa bujqësi të kultivuar, pa treg të organizuar etj. etj. Me papunësi Kosova zinte vendin e parë jo vetëm brenda kufijve shtetërorë të Jugosllavisë, por edhe në mbarë Evropën. Nga kjo plagë e rendë shoqërore rinia e papunë e Kosovës detyrohej të merrte rrugën e kurbetit në viset veriore të Jugosllavisë dhe të përfundonte më në fund në emigrantë të përhershëm ekonomikë në Evropën Perëndimore, në Amerikë, në Australi e gjetiu.
* ) Pjesë nga libri FATI I LULEVE, “Buzuku”, Prishtinë, 1993

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura