BEQIR ELSHANI: BANDEROLA “KOSOVA REPUBLIKË” NË QENDËR TË THERANDËS (1982)

Pashtriku, 21 mars 2021: Në verë të vitit 1984, motra ime, Shemsije Elshani, u lirua nga burgu fashist, e cila së bashku me Teuta Bekteshin nga Kumanova ka qenë e dënuar me burg të rëndë. Teuta rridhte nga një familje atdhetare, është motra e shkrimtarit të ndjerë Fadil Bekteshit. Motra ime u lirua ndërkohë që vëllai ynë, Bislimi, për shkak të organizimit të Demonstratës së Madhe më 26 maj 1981 së bashku me grupin e Reshtanit: Afrim Morinën, Sejdi Gegën, Hazir Morinën dhe Halil Morinën, ende ishte në kampet e përqendrimit jugosllav.
Këto dy studente trimëresha ishin dënuar për shkak se më 19 nëntor 1982 në ndërtesën e lartë në qendër të qytetit, pikërisht “ditën e çlirimit” të Therandës nga fashizmi gjerman dhe italian, që u çlirua me gjakun e partizanëve shqiptarë, kishin ngritur banderolën me shkronja të zjarrta “KOSOVA REPUBLIKË”. Banderola kishte qenë një rrip i gjerë dhe i gjatë pëlhure, që si meridian mbulonte pothuaj të gjitha dritaret e banesave të ndërtesës pesëkatëshe. Vlen të theksohet se derisa qiraxhinjtë pushtetarë u tmerruan për errësimin e papritur të dritareve të tyre, përjashta shkreptiu banderola duke tërhequr vështrimin e popullit shqiptar të etur për liri dhe pavarësi kombëtare.
Nuk vonoi dy-tri orë, organet policore në krye me udbashët Ukë Gashi dhe Sahit Zogaj i arrestuan flakadanet e lirisë kombëtare – Shemsije Elshanin dhe Teuta Bekteshin. Këto studente, Shema dhe Teuta, ishin motra luftëtare për çështjen kombëtare shqiptare, ishte zëri i mëmëdheut që këto bija trimëresha i thërriste për Kosovën Republikë. Dy motrat nuk ishin të vetme, ishin pjesë e revolucionit për çlirim dhe bashkim kombëtar të popullit shqiptar; për thyerjen e prangave të robërisë shekullore nën çizmen e kolonizatorit serbosllav. Populli shqiptar kishte kaluar 500 vjet robëri nën perandorinë turke dhe 100 vjet nën perandorinë sllave, tani kishte ardhur koha që sundimit gjashtë shekullor t’i jepet fund.
Më vonë, këto dy motra të idealit kombëtar, me një aktgjykim të sajuar në kabinetin e Beogradit, u dënuan në Gjykatën e Qarkut të Prizrenit të kryesuar nga gjykatës Orhan Rekathati. Kësaj radhe nuk sollën spiunë të paguar me para të pista, siç kishin vepruar një vit më parë në gjykimin e organizatorëve të demonstratës së Therandës në vitin 1981 nga i njëjti gjyqtar, Orhan Rekathati. Oh, sa keq, edhe spiunët flisnin shqip, ashtu siç flisnin gjyqtarët shqiptarë të Kosovës. I vetmi dallim ishte se në kohën kur u dënua udhëheqësi i grupit revolucionar, Adem Demaçi, në gjykatore flitej serbokroatisht, tani në gjykatore flitet shqip, mirëpo qëllimi i dënimit të kryengritësve shqiptarë kishte mbetur i njëjtë. Duke sikur gjuha shqipe ishte mësuar sa për të kryer shërbimet e fashizmit serb.
Banderola revolucionare e shkruar me duart e sokoleshave shqiptare po fliste vetë për Kosovën Republikë; po fliste për të drejta të barabarta të popullit shqiptar; po fliste për bashkimin e shumëpritur kombëtar. Për nga numri i banorëve populli shqiptar zinte vendin e tretë në federatën e madhe jugosllave, fill pas serbëve dhe kroatëve, por nuk kishin të drejtë të bëhen zot shtëpie, që të vetëvendosin për fatin e atdheut të shkëputur nga trungu i moçëm shqiptar. Kjo e drejtë ishte mohuar në Kuvendin e dhunshëm të Prizrenit në vitin 1945, duke pushkatuar Vendimin Historik të Konferencës së Bunjajit të themeluar një vit më parë për Bashkimin e Kosovës me shtetin amë – Shqiperinë.

Vlorë, 28 Nëntor 2012: Shemsije Elshani dhe Teuta Bekteshi, në festën e Madhe të 100 vjetorit të Pavarësisë!
Titistët ishin tronditur kur kishin parë banderolën “Kosova Republikë”, kishin thënë se këtë banderolë kaq të madhe vetëm fabrika e trikotazhit mund ta punojë. Gjatë seancës së gjykimit të Shemsijes dhe Teutës banderola për çlirimin e Kosovës nga kolonizimi serb qëndronte në tryezën e gjyqtarit, Orhan Rekathatit. Vështrimi i qytetarëve të pranishëm në sallën e gjykimit më shumë përqendrohej në vajzat sypatrembur dhe në banderolën e palosur mbi tryezë, se në trupin monstrum të gjykatësit që ishte rritur me bukën e Kosovës, por që pa vetëdije vazhdonte t’i shërbente pushtuesit gjakatar serb. Dukej sikur Serbia Fashiste ishte e varfër me gjyqtarë, prandaj juristët shqiptarë ia ngjitnin dorën. Gjyqtarët e tillë kishin dalë nga Universiteti heroik i Kosovës, i cili nuk u hap me vullnetin e komunistëve jugosllavë, as me lutjet e fetarëve, as me qortimin e Europës plakë, por me anën e demonstratave të përgjakshme të studentëve shqiptarë në nëntor të vitit 1968, siç thotë populli jo me lutje, por me grykën e pushkës.
Me mijëra demonstrues shqiptarë janë torturuar dhe dënuar në shërbim të fashizmit serbosllav nga kokat robotike të gjyqtarëve shqipfolës, vetëm pse kishin kërkuar liri kombëtare, siç thotë vargu atdhetar i Asdrenit “Nuk duam asgjë, nuk, vetëm armë dhe ca bukë”. Edhe pse pushteti i atëhershëm jugosllav i torturoi dhe i dënoi me burg të rëndë Shemsijen dhe Teutën, megjithatë këto dy vasha atdhetare, njëra nga Theranda – tjetra nga Kumanova, mbetën të pathyeshme për çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare, përkundër torturave të rënda nga shkopinjtë e udbashit Daut Morina, ani me mbiemër shqiptar “Morina”. Prandaj sapo u shpallë aktgjykimi serbofashist nga trupi gjykues, trimëreshat shqiptare ngritën grushtet e besës kombëtare, shenjë për vazhdimin e revolucionit drejt fitores përfundimtare. Qëndrimi i tyre i palëkundshëm të përkujtonte dy heroinat e popullit, anëtare të Rinisë Komuniste, Persefoni Kokëdhima dhe Bule Naipi, kur në verë të vitit 1944 në sheshin “Çerçiz Topulli” në Gjirokastër u varën në litar nga forcat e nazizmit gjerman.
Shkrimtari i mirënjohur, Rushit Ramabaja, shkruante se këto dy vasha shqiptare (lexo: Teuta dhe Shemsije) kishin dalë prej mitit. Ishin vajza të malit që e urrenin pushtuesin, prandaj luftonin. Pushtetarët titistë kishin menduar se pas përgjakjes dhe dënimit makabre të demonstruesve të vitit kreshnik 1981, shqiptarët do të gjunjëzohen. Përkundrazi kërkesa e ligjshme për Kosovën Republikë u bë më e fuqishme, më e zëshme dhe më e flaktë, që nga gjumi zgjoi mbarë diplomacinë europiane dhe ndërkombëtare.
Shema, kështu e thërrasim shkurt ne të shtëpisë, ishte anëtare e Shoqërisë kulturore artistike “Jehona” të Therandës, këndonte dhe i binte bukur çiftelisë së bashku me shoqen nga Drenica kreshnike, Bege Gashi, e cila ishte një këngëtare e mirënjohur me këngët e saj për trimat e Kosovës. Begeja, si me trup ashtu edhe me zërin e saj të bukur i ngjante artistes tropojane, Fatime Sokoli, me zërin kumbues. Po ku i gjente ime motër ato shoqe të dashura, të vyeshme dhe trime: në Karadak, në Pollog, në Drenicë, në Llap. Ajo kishte bërë më shumë se Bislimi dhe se unë, kishte vizituar veteranen e popullit shqiptar, Hyrije Hanën, përndryshe motra e dëshmorit – Xheladin Hana. E kishte vizituar trimëreshën e gjallë shqiptare, në kohën kur emri dhe vepra e saj luftarake i tmerronte armiqtë e kombit shqiptar.
©Pashtriku.org, 26. 05. 2011

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura