PROF.DR.MUHAMET PIRRAKU: DEMONSTRATAT E VITIT 1981 – KTHESË VENDIMTARE E KOSOVËS DREJT LIRISË ( 1 )

Pashtriku, 21 mrtas 2021: Kryereferat i Prof.Dr.Muhamet Pirrakut lexuar në Simpoziumin: „Demonstratat e vitit 1981- kthesë vendimtare e Kosovës drejt lirisë“, Instituti Albanologjik, Prishtinë, më 24, 25 dhe 26 nëntor 2001.
Nga periudha e integrimit të kombit shqiptar si kategori shoqërore, sociologjike, civilizuese dhe historike, nga mesi i shekullit XVIII, shqiptarësisë së Dardanisë ilire, përkatësisht të Kosovës historike, ia zuri frymën kisha ortodokse dhe uria për ekspansion shtetëror serb e mbështetur në patronatin e Rusisë dhe të Evropës. Qartë, Kosova, si edhe të gjitha viset e tjera të njësisë etnokulturore të Shqipërisë, gjallëroi e qëndroi për gjatë një rrugëtimi mbi dy shekullor me thikën në qafë, fenomen ky i rezistencës shqiptare kundër robërisë. Realisht, përpjekjet për çlirimin kombëtar dhe për pavarësinë e njësisë etnokulturore e gjeopolitike të Shqipërisë së Begollajve, të Bushatasve e të Tepelenasit, të Dah Pallashkës, Tafil Buzit e të Hamëz Kazazit, të Ba­ba Bekë Vrajës e të Dërvish Carës, të Zenel Gjolekës e Rrapo Hekalit, të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit e të “Besa-Besës” së Pejës, të Kryengritjes së Përgjithshme për Pavarësinë e Shqipërisë e të Lëvizjes Kombëtare Kaçake të Kosovës, të Mbrojtjes Kombëtare të Kosovës e të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, të Organizatës Nacionale Demokratike Shqiptare e të Lëvizjes për Lirimin e Tokave Shqiptare, përfundimisht me fillimvitet ‘50-ta të shekullit XX, nuk u plotësuan për faktin se faktori i jashtëm, evropian i vendosjes, mbajti qëndrim qartë antishqiptar në përgjithësi, në dobi të kërkesave ekspansioniste serbe, malaziase, greke e bullgaro-maqedone për balancim të interesave gjeopolitike të pansllavizmit rus.

Prof.Dr.Muhamet Pirraku

Gjatë të pesëdhjetave të shekullit XX, në arealin e shtetit Shqipëri të përkufizuar ndërkombëtarisht në Londër, më 1913, vetëm në rreth një të tretën pjesë të njësisë etnokulturore e gjeopolitike të Shqipërisë, iu vunë themelet Lëvizjes Irredentiste Shqiptare Antijugosllave të kosovarëve të instaluar përkohësisht atje. Kjo lëvizje pati mbështetjen e fshehtë kurajuese të Shqipërisë zyrtare që shënoi fillin e korrigjimit të politikës së Republikës Popullore të Shqipërisë nga linja ideologjike kominterniste në atë kombëtare shqiptare të maskuar me koncepte marksiste-leniniste për kategorinë socio-kulturore historike të kombit dhe të drejtën në vetëvendosje të popujve. Edhe më qartë: Ishte ky shënimi i fillit i hakmarrjes së madhe të Enver Hoxhës kundër Josip Broz Titos për zhagitjen dhe mohimin me dinakëri dhe me tradhti që ky i bëri ndaj të drejtës së Kosovës në vetëvedosje për statusin shoqëror, politik dhe shtetëror të fituar me Luftën Antifashiste Nacionalçlirimtare si aleate me Jugosllavinë dhe me Shqipërinë në kuadër të Bllokut antifashist sovjeto-anglo-amerikan. Realisht, veprimtarët e Lëvizjes Irredentiste Shqiptare të fillimviteve të ‘50-ta, si Qerim Ukë Ozdrimi, Hysen Thaçi, Skënder Kosova, Aziz Zhilivoda, Ajet Haxhiu, Bajram Rexha, Shaban Braha, Dervish Shaqa, Salih Shatri e të tjerë, me sukses e shtrinë Lëvizjen në Dukagjin, në Drenicë, në Anamoravë dhe gjetkë në arealet shqiptare që gjendeshin nën Jugosllavinë dhe me këtë lëvizje, të themi kushtimisht, lidhën penjtë midis Shqipërisë “enveriste” dhe Tokave shqiptare nën okupimin jugosllav, të cilat i kishte shkëputur dhe i kishte copëtuar përgjakshëm fitorja e Luftës Antifashiste kominterniste në Shqipëri dhe në Jugosllavi, në nëntor të vitit 1944. Në fund të viteve 50-ta, më 1957, zuri themel organizimi politik ilegal shqiptar i Kosovës pikërisht me formimin e “Lëvizjes Revolucionare për Çlirimin dhe Bashkimin e Shqiptarëve” në krye me profesor Kadri Halimin, ndërkaq në vitin 1959, në Pejë, u themelua “Organizata për Bashkimin e Trojeve Shqiptare”, në krye me rrobaqepësin Remzi Baloku. Në shtator të vitit 1963, shkrimtari Adem Demaçi, ish-i burgosur politik, ia vuri themelet Organizatës “Komiteti Revolucionar”, të riemëruar në fillim të vitit 1964 me emrin: “Lëvizja Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve”. Në nenin Një të Statutit, të hartuar në mars të vitit 1964, midis të tjerash, saktësohej: “Qëllimi i parë dhe i fundit i Lëvizjes sonë asht – çlirimi i krahinave shqiptare, t’aneksueme prej Jugosllavisë dhe bashkimi i këtyne krahinave me nanën e vet – Shqipninë”.
Programi i “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” u mbështet mbi platformën e Lëvizjes Irredentiste të fillimvitit 1951. Kjo tërthorazi del edhe nga Takimi Qerim Uka – Enver Hoxha, më 2 janar 1960. Hoxha, i cili për kohën ishte shteti vet, Çështjen e Kosovës e quajti plagë të dhembshme për çdo shqiptar, ”e cila do të shërohet vetëm kur kjo çështje të zgjidhet drejt, në bazë të aspiratave të kosovarëve”. Shqipëria zyrtare këso kohe nuk mund ta përkrahte hapur një kërkesë kosovare kaq radikale, aq më parë kur dihej se “Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve” synonte bashkimin e shqiptarëve pa dallime ideologjike. Mesi i vitit 1966, pikërisht me demaskimin jugosllav zyrtar të Rankoviqit, shënoi fillin e gjysmëlegalizimit të kërkesës shqiptare për të drejta të barabarta me popujt e tjerë të Jugosllavisë, mbështetur në të drejtën për vetëvendosje të fituar me Luftën Antifashiste Nacional­çlirimtare. Kjo do të arrihej me ngritjen e statusit autonomi në statusin republikë të Kosovës. Megjithatë, Tirana zyrtare ende nuk ndihej e sigurt për të mbështetur hapur këtë kërkesë, pikërisht nga frika se mund të bashkohej “reaksioni” shqiptar antikomunist i trupëzuar në kujtesën “balliste” me linjën jugosllave komuniste të trupëzuar në “titizëm” kundër “rrugës revolucionare” shqiptare të linjës marksiste-leniniste të trupëzuar në “enverizëm”, përkatësisht kundër sigurisë së Republikës Popullore të Shqipërisë. Pozita e Shqipërisë në konstelacionin ballkanik, evropian e botëror ishte e keqe, ndaj Tirana zyrtare do të përkrah me dorëza edhe kërkesat legale të organeve politike e qeveritare të Krahinës Autonome të Kosovës për statusin republikë në kuadër të Jugosllavisë. Mbështetja e vakët e kërkesës legale “Kosova republikë”, të legalizuar me Konsultën e fillimshtatorit 1968, në Prishtinë, ishte rezultat i faktit se Tirana zyrtare nuk kishte besim me mbulesë në qëndrueshmërinë në ato kërkesa të forcave politike “titiste” të Kosovës. Kjo del edhe nga direktiva e më hershme e Enver Hoxhës, të 19 shtatorit 1966: “Kosova është shqiptare, mbetet shqiptare dhe i përket Shqipërisë”, por “fitorja e popullit të Kosovës deri në vetëvendosje duhet të vijë dhe të organizohet, në një rrugë të gjatë, plot vuajtje, mundime dhe sakrifica nga vetë populli dhe jo nga këta krerë të shitur shqiptarë. Populli i Kosovës mund të udhëhiqet drejt në këtë rrugë e të fitojë të drejtat e tij të plota, vetëm nga revolucionarë të vërtetë shqiptarë kosovarë. Kjo është konditë absolutisht e domosdoshme për sukses”. Këto kërkesa do të shërbejnë për bazë të platformës të programeve të të gjitha grupeve dhe organizatave ilegale dhe gjysmëlegale që përgatitën Nëntorin e përflakur 1968, të ngritjes arsimore, kulturore dhe të homogjenizimit ideologjik kombëtar madhështor të viteve ‘70-ta, dhe të dy organizatave ilegale të fundviteve të ‘70-ta dhe të fillimviteve të ‘80-ta: Partia Komuniste Marksiste Leniniste e Shqiptarëve të Jugosllavisë dhe Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës. Këto organizata depërtuan masivisht në radhët e intelektualëve, të rinisë studentore dhe të rinisë punëtore dhe do të bartin barrën e organizimit dhe të drejtimit të drejtpërdrejtë e të tërthortë të Demonstratave të vitit 1981, të cilat bënë kthesën vendimtare të Kosovës drejt lirisë.

Koncepti i referatit nuk më lejon të ndjekë faktet dhe ngjarjet një për një të Pranverës Shqiptare ’81. Kjo është detyrë e kumtesave të veçanta për fakte e ngjarje të veçanta. Ndaj, mund të përmbledh: Këto organizata, Partia Komuniste Marksiste Leniniste e Shqiptarëve të Jugosllavisë dhe Organizata Marksiste Leniniste e Kosovës, gjithnjë të orientuara në mbështetjen e Shqipërisë zyrtare, qysh në dhjetor të vitit 1979, paralajmëruan edhe nevojën për organizimin e demonstratave gjithëpopullore shqiptare antijugosllave në mbështetje të kërkesës për vetëvendosje për statusin politik, administrativ, juridik e shtetëror të Kosovës. Demonstrata do të shpallej në një moment kur ideja për Republikën e Kosovës do të bëhej pronë e mendimit politik shqiptar gjithëpopullor, kur rrethanat e brendshme, jugosllave, dhe ato të jashtme, ndërkombëtare, të tregoheshin të favorshme në dobi të çështjes shqiptare në përgjithësi dhe të çështjes së shqiptarëve nën robërinë jugosllave në veçanti.
Sipas Tiranës zyrtare, kthesa vendimtare në favor të zgjidhjes së çështjes së Kosovës do të fillojë pas vdekjes së Titos, kur do të fillojë shthurja e Jugosllavisë. Dhe, duhet të theksohet se tashti koncepti gjeografik dhe etnik Kosovë dhe kosovarë i Tiranës zyrtare, realisht i Enver Hoxhës, mbulonte tokat shqiptare nën administrimin pushtues të Jugosllavisë. Këto koncepte u trupëzuan në programin e ilegales: Republika e Kosovës, që duhej realizuar “ja me hatër ja me luftë!” Kështu, me kohë, ideja për ngritjen në demonstratë gjithëpopullore shqiptare në mbështetje të kësaj kërkese u bë frymë shqiptare e akumuluar në pritje për realizim. Së këndejmi, shpërthimi i programuar i Revoltës së studentëve në mensën e Qendrës Studentore, më 11 mars 1981, do të shërbejë si detonator faktik për t’i dhënë flakë asaj energjie revolucionare nacionalçlirimtare të akumuluar në vijimësi, nga vitet e ‘60-ta dhe veçanërisht në vitet ‘70-ta, në ndërgjegjen patriotike dhe revolucionare të rinisë shkollore, studentore, punëtore, qytetare e fshatare dhe të masave shqiptare nën robërinë jugosllave. Këtë fenomen shoqëror shqiptar pushtuesi jugosllav do ta kuptojë qartë më 26 mars 1981, sapo studentët vërshuan rrugët e sheshet e Prishtinës, të përshëndetur e të përkrahur fuqimisht nga të gjitha strukturat e shoqërisë në mbarë arealin shqiptar. Sakaq, një grusht të papritur titizmi, vëllazërim-bashkimi dhe vetadministrimi jugosllav e mori nga përpjekja e studentëve për të penguar hyrjen e Stafetës së Titos në Prishtinë, dhe për rrëmbimin e saj nga bina, nga një grup intelektualësh, të bashkuar në grupin politik legalo-ilegal “Bajo e Çerçiz Topulli” qysh nga koha e studimeve, më 1964[2]. Dhuna e policisë speciale jugosllave mbi studentë e studente në rrugët e Prishtinës dhe në konvikte për ta fikur prushin liridashës shqiptar patriotik me dhunën shoviniste serbe pushtuese, solli në shpërthimin gjithëpopullor shqiptar të fillimprillit 1981, me të gjitha karakteristikat e një revolucioni kombëtar çlirimtar, i cili nga të burgosurit politikë në seancat e përgjakshme të hetuesisë, para Udbashëve, do të quhet “Pranvera Shqiptare ‘81”.
Tashti kuadri politik e historik ndërkombëtar e kombëtar i “Pranverës Shqiptare ‘81” ishte mjaft premtues. Në shtetet soc-komuniste të Evropës Qendrore dolën në shesh kundërthëniet e shoqërisë së re, demokratike katolike që po lindej nga gjiri i shoqërisë komuniste kominterniste. Kërkesat e kësaj lëvizjeje i sublimonte Solidarnost e Polonisë e mbështetur në fuqinë antikomuniste të Papatit. Ajo nuk mund të kalonte pa ndikim në brezat liridashëse shqiptare, ndonëse vinte në një kohë kur në Kosovë ishte konsoliduar papushtueshëm aktiviteti ilegal i dy organizatave shqiptare marksiste-leniniste, të përmendura më sipër, faktikisht kombëtare shqiptare të konceptit enverist. Dielli nuk mund të mbulohet me shoshë. Të themi edhe më shkoqur: zjarri liridashës i rinisë shqiptare të viteve ‘70-ta dhe të fillimviteve ‘80-ta, ishte shqiptarizma që rrezatonte qenia politike e shoqërore e mëmës Shqipëri të idealizuar, pikërisht në rrethana kur paprekshmërinë e ngrehinës Jugosllavi të Titos ende e mbështeste Lindja dhe Perëndimi, bota e krishterë dhe bota islame, Papa dhe Turqia. Në anën tjetër, këso kohe, Enver Hoxha, i cili mishëronte trininë: Komiteti Qendror i Partisë së Punës të Shqipërisë, pushteti shqiptar dhe vendi Shqipëri, zbatonte një politikë agresive kundër titizmit, kundër revizionizmit të teorisë marksiste-leniniste dhe kundër Jugosllavisë avnojiste, më 1979, i urdhëroi Ministrisë së Mbrojtjes, përkatësisht personalisht Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Shqiptare, ushtarakut Veli Llakaj, të përgatiste planet strategjike dhe logjistike për ndërhyrje eventuale në mbrojtje “të vëllezërve shqiptarë në trojet e veta në Jugosllavi”. Kjo do të rezultonte me ndërkombëtarizimin e plotë të çështjes së Kosovës, në veçanti dhe të çështjes shqiptare të pazgjidhur, në përgjithësi – çlirimin dhe bashkimin e tokave shqiptare, të Shqipërisë as të madhe as të vogël, natyrore, të copëtuar me dhunë ndërkombëtare më 1913, më 1919 dhe më 1945. Të rikonstatojmë së bashku të vërtetën madhore: Faktet janë kokëforta dhe nuk mund të abortohen nga historia. Në vitet ‘70-ta dhe fillimvitet ‘80-ta, në kushte të pamundësisë faktike për të përfituar përkrahjen e akëcilës fuqi botërore kundër robërisë jugosllave, për gjeneratat shqiptare të moshuara Tirana përjetohej si Meka e shqiptarizmës, kurse të jesh revolucionar marksist-leninistë, të jesh enveristë, për shqiptarin e ri, do të thoshte: të jesh patriot i betuar, të jesh antititist, të jesh antijugosllav, të jesh antipansllav rus, do të thoshte të jesh shqiptar, të jesh biri i mëmës Shqipëri, të jesh stërnip i Skënderbeut, të jesh Oso Kukë, Mic Sokol, Hasan Prishtinë, Azem e Shotë Galicë, të jesh Adem Demaç, i gatshëm për sakrificë sublime për lirinë e Kosovës, për lirinë e tokave shqiptare, për ribashkimin e Shqipërisë Etnike mbi platformën politike dhe ideologjike të shqiptarizmës si fe gjithëshqiptare.
Ky mendim politik shqiptar sublimonte kërkesat kombëtare të të gjitha kthesave gjatë historisë, dhe ishte platformë e programit politik e luftarak të demonstaratave gjithëpopullore shqiptare të 1, 2 e 3 prillit 1981. Së këndejmi, akëcili pjesëmarrës në këto demonstrata kryengritjeje, i gatshëm për t’ia falë jetën Lirisë së Kosovës, mund të rrëmbente Flamurin kombëtar në duart e veta, mund të dilte komandant dhe të printe me flamurin në dorë, armë të vetme për të çarë me gjoksin hapur barrikadat dhe kordonët e ushtrisë dhe të policisë speciale të Jugosllavisë. Shembujt markant janë konkret dhe shumë të njohur. Komandantë e flamurtarë të tillë, të vetëpërcaktuar për kurban të lirisë dhe të ardhmërisë shqiptare të Kosovës ishin edhe fatosat e kombit që ranë, që u plagosën dhe që u burgosën në themele të Epokës: “Pranvera Shqiptare ‘81”, e kurorëzuar me sakrificat e rinisë ademjashariane të Kosovës. Vërtet, historia ofron dëshmi se kjo tokë, në të gjitha kohët, ka lindur e ka rritur Burra të Dheut për t’u përbe mbi kokën e tyre si në perëndi. Dëshmorëve të Prillit ‘81 gjakun ua mori drenicasi Tahir Meha i Prekazit, ndera e kombit i vetëpërcaktuar për fatin e Oso Kukës së Shkodrës në Vraninë. Pikërisht në festën e policisë jugosllave, më 13 maj 1981, Tahiri, i ndjekur nga i ati, Nebih Lati i tregoi rinisë shqiptare se Lufta e armatosur, jo demonstrata me duarthatë, është rruga e Lirisë. Se barbari albanofob sllav, si dhe të gjithë okupatorët në çdo vend të botës, e kupton vetëm gjuhën e grykës së pushkës. Realisht, mbi gjakun e freskët të dëshmorëve të “Pranverës Shqiptare ‘81” (Naser Hajrizi, Asllan Pireva, Xhelal Maliqi – Prishtinë, Rizah Matoshi, Sherif Frangu – Ferizaj, Salih Zeka, Ruzhdi Hyseni, Salih Abazi – Vushtrri, Malush Abrashi, Nesim Dana – Gjakovë), Shqipëria zyrtare iu kthye plotësisht çështjes së Kosovës, përkatësisht iu kushtua mbështetjes së kërkesës së “shqiptarëve në trojet e veta në Jugosllavi” për lirinë e vetëvendosjes edhe si e drejtë legjitime e kombit shqiptar për bashkim. Në themele të Pranverës Shqiptare ’81 u ngritën organizatat dhe lëvizja ilegale për Republikën e Kosovës, gjithnjë në mbështetje të Mëmës Shqipëri për të bashkuar vendet shqiptare nën robërinë jugosllave, si hap më të sigurt drejt bashkimit të njësisë etnokulturore historike të Shqipërisë. Krejt në fund të Pranverës Shqiptare ’81, si rrjedhim i ndryshimeve të mëdha ideologjike në arealin etnik të Jugosllavisë, rezultoi ngritja e Rezistencës shqiptare legale paqësore institucionale jugosllave e njohur si LDK. Në fillim të viteve ‘90-a u ngrit Lëvizja Gjithëpopullore Shqiptare e Pajtimit Kombëtar përmes faljeve të hasmërive, nga 2 shkurti 1990 deri më 17 maj 1992. Këtë Lëvizje e menduan dhe e drejtuan studentë e intelektualë ish të burgosur për Pranverën Shqiptare ’81. Mbi tabanin e pajtimit të arritur, Lëvizja Popullore e Kosovës e ngriti Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, e cila me pushkë, me penë dhe me aktivitet politik-diplomatik për pesë vjet të luftës guerile, deri më 26 nëntor 1997, dhe për një vit, gjashtë muaj e pesëmbëdhjetë ditë të luftës ballore me ushtrinë e pushtuesit, deri më 12 qershor 1999, e solli Kosovën në cepin e lirisë për të kapur penjtë që çojnë në vetëvendosje të Kosovës dhe në zgjidhjen e çështjes shqiptare aktualisht të mbajtur peng nga konstelacioni i papajtueshëm i Lindjes ortodokse me Perëndimin katolik. Simpoziumi shkencor: Demonstratat e vitit 1981 – kthesë vendimtare e Kosovës drejt lirisë, i cili sapo fillon nga puna, shpresojmë se do të kurorëzohet me rezultate të rëndësishme për shkencën. Distanca kohore prej më se njëzet vjetësh ofron mundësi reale për qasje pa anësi, pa hezitim për ta thënë të vërtetën, aq më parë kur të kihet parasysh se me fitoren e Luftës së UÇK-së është rrumbullakësuar një epokë e historisë shqiptare. Duke përfunduar të më lejohet të konstatoj faktin se disa theksime të mia, më lartë, duhet të kuptohen si kërkesa të shkencës historiografike për të nxjerrë të vërtetën historike për ideologjinë mobilizuese, për karakterin dhe për përmasat e Lëvizjes Gjithëpopullore Shqiptare Antijugosllave të fundviteve ‘70-ta dhe të viteve të ‘80-ta.
Studiues të nderuar ju dëshirojmë suksese të kënaqshme në ndriçimin e problemeve historiografike që shtrojnë titujt e kumtesave të Programit të Simpoziumit: “Demonstratat e vitit 1981 – Kthesë vendimtare e Kosovës drejt lirisë”.
Ju faleminderit për vëmendje![3] ______________
[1] Kryereferat në Simpoziumin: Demonstratat e vitit 1981- kthesë vendimtare e Kosovës drejt lirisë, Instituti Albanologjik, Prishtinë, më 24, 25 dhe 26 nëntor 2001.
[2] Në këtë grup gravitonin: Ismail Dumoshi, Tahir Abdyli, Halil Alidemaj, Demë Fetaj, Fehmi Pushkolli, Hasan Salaj, Gani Bobi, Gjakush Qapari, Atdhe Gashi, Murat Blaku (Bojo) dhe Muhamet Pirraku (Çerçizi). Për rrëmbimin e stafetës u përpoqën: H. Alidemaj (i burgosur më 15 nëntor 1981), D. Fetaj dhe M. Pirraku (i burgosur më 4 gusht 1981).
[3] Simpoziumi u organizua në mënyrën më shembullore dhe doli shumë i suksesshëm. Mirëpo, materialet e tij nuk u botuan për tri shkaqe: E para, personalitetet që konsideroheshin organizues të këtyre demonstratave dolën, ngapak, kundërthënës midis tyre dhe nuk i dorëzuan kumtesat për botim. E dyta, Këshilli Organizues fare nuk pati përkrahjen financiare të shtetit, kurse me përkrahjen e biznesmenëve kosovarë mëmzi do të mbulohen rreth 50% të shpenzimeve për mbajtjen e Simpoziumit. E treta, Këshilli Organizues nuk arriti të pajtonte mbi 4000 DM për abonimin e autorëve të kumtesave (nga Shqipëria, Ilirida dhe Mali i Zi) në “Grand Hotel” dhe në “Iliria”, kurse Instituti Albanologjik, Dega e Historisë e të cilit ishte bashkëorganizuese e Simpoziumit me Shoqatën e të Burgosurve Politikë të Kosovës, borxhin e la barrë individuale të Kryetarit të Këshillit Organizativ, Prof. Dr. Muhamet Pirrakut. Ky, mëse njëherë do të kërcënohet edhe me gjyq për borxhin nga drejtoria e hoteleve në fjalë.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura