SABIT ALIDEMA: HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (2)

Pashtriku, 28 mars 2021:
HYRJE
JETA DHE VEPRIMTARIA EDUKATIVO-ARSIMORE E PATRIOTIKE E HALIL ALIDEMËS
1. POZHERANI VENDLINDJA E HALIL ALIDEMËS
Pozherani, vendlindja e Halil Alidemës ishte një fshat, që zinte një pozitë gjeografike në qendër të fushë-gropës apo të Rrafshit të Moravës së Epërme. Si i këtillë ishte njëri ndër fshatrat më të pasura të Anamoravës. Banorët e këtij fshati merreshin me bujqësi dhe blegtori. Toka e Pozheranit e furnizonte me bukë jo vetëm (veçanërisht me bukë misri) popullatën e vet, por edhe popullatën e Malësisë për rreth, si: të Karadakut, Zhegovcit e Gollakut, e madje drithërat e veta i shitte deri në Bujanoc, Vranjë, Kaçanik e Shkup. Prandaj, Pozherani quhej “Hambari i Anamoravës”.

Kur vrahej, murmuronte e vetonte në Karadak, popullata e Karadakut thonin: “Ishalla bje shi në Pozheran, e bahet bereqeti atje, se n’Karadak veç n’i lagët shkrepat e Karadakut. Hambari ynë është Pozherani”.
Përveç, drithërave të bukës, popullata e Pozheranit kultivonte edhe blegtorinë: lopët, bullicat, kuajt (llaçmi pelash që shërbenin edhe për shirjen e lëmës, në kohët më të hershme), veçanërisht kultivonin delet në tufa të mëdha të njohura për racë të mirë. 
2. ODAT E POZHERANIT DHE ROLI I TYRE
Duke qenë në gjendje të mirë ekonomike, pozheranasit mbanin hapur odat e tyre. Ato ishin si bujtina të vërteta. Qëndronin çelë, jo vetëm për mikun e dashamirin, do të thotë për mysafirë të njohur, por edhe për shtegtarin, nevojarin e udhëtarin e panjohur që rastiste ta shpiente rruga nëpër Pozheran. Pothuaj çdo shtëpi, apo çdo e dyta shtëpi kishte odën e vet.
Meqenëse “jorgani i sofrës ishte buka” e pozheranasit kishin mjaft bukë edhe për vete, edhe për të tjerët, për mikun, mysafirin, shtegtarin e nevojarin e rastit.
Odat e Pozheranit ishin të njohura për mikpritje e bujari, jo vetëm në Anamoravë, por edhe më gjerë në Kosovë.

Mr.Halil Alidema në Fakultetin Filozofik të UP-së

Kur nuk kishte mysafirë, në odë rrinin burrat (mashkujt) e shtëpisë së madhe patriarkale mbi 15 vjeç e përpjetë. Aty bëheshin ndeja, veçanërisht netëve të gjata të dimrit. Kryet e oxhakut, vendin më të merituar, në anën e djathtë të odës, e zinte plaku i shtëpisë.
Në odë, e cila i takon Zotit dhe mysafirit, kishte rend dhe rregull. Fliste një e dëgjonin të gjithë. Oda ishte një parlament i vërtetë, ishte një vend nderi. Nuk ishte i denjë çdokush të fliste në odë, sepse oda ishte edhe një shkollë e vërtetë, ishte një universitet, ku mësohej për edukatën e shëndoshë të zakoneve e të traditës shqiptare. Aty mësohej për kanunin e Lekë Dukagjinit1, për trimëritë e kaçakëve e të personaliteteve tona të shquara historike. Në këto oda vinin edhe personalitete të shquara të Rilindjes sonë Kombëtare, si: Idriz Seferi, Bajram Curri, Hasan Prishtina e shumë të tjerë, që i nderonin popullatën e Pozheranit dhe odat e tij.
Në këto oda zhvilloheshin orë të vërteta të mësimit të historisë sonë kombëtare.
Odat më të njohura të Pozheranit ishin: Oda e Islam Pirës, që deri vonë quhej “Kulla e Islam Pirës”, Oda e Haxhi Nuhës, traditë që e vazhduan bijtë e tij Tahiri e Ahmeti. Oda e Feriz Zukës, Oda e Ramë Halabakut, e Rrustë Halabakut e Ramë Pozheranit, Oda e Kurtesh Kurteshit, që traditën e saj e vazhdoi Hamdi Kurteshi, Oda e Ymer Alidemës, e Mustafë Beçollit, e Hazir Alidemës, e Hasim Ostrogllavës e shumë oda të tjera, që shërbejn jo vetëm si bujtina e hane për udhëtarë, por edhe si log burrash e kuvendesh historike.
Si u edukua Halil Alidema?
Kujt i shkoi ndërmend se një ditë Halili i vogël do të bëhet një patriot, që do ta nderojë familjen, popullatën e Pozheranit, odat e Pozheranit, popullatën e tërë Kosovës dhe popullatën e mbarë trojeve shqiptare? Ai do të bëhej krenaria jonë. Pra, në këto oda të burrave, oda të mikpritjes e bujarisë shqiptare, u lind, u rrit, u edukua dhe u brumos me virtytet e burrërisë e të trimërisë të besës e të vendosmërisë, u njoftua me të kaluarën dhe të tashmen e popullit të vet, Halili në këto oda mësoi fillet e historisë së vet kombëtare, të cilat pastaj do t’i zgjerojë, do t’i thellojë e pasurojë, duke filluar që nga klasa e parë e shkollës fillore, të mesme e deri në universitet, ku do të punojë e veprojë edhe vetë në këtë universitet.
Halil Alidema, vocrraku kureshtar i odave, filloristi i shkollës shqipe të Pozheranit, sportisti i njohur i Normales së Prishtinës, poeti i rinisë, frymëzuesi i demonstratave të vitit 1968 e 1981, kundërshtari i rreptë dhe i patrembur i komunizmit serboçetnik, strategu luftarak dhe organizuesi i guerilës shqiptare dhe i UÇK-ës, udhëheqësi i UNIKOMB-it, propaganduesi më i flaktë i Shqipërisë Etnike, ishte njeriu që me bëmat dhe veprimtarinë e vet patriotike “shkruante historinë dhe bënte histori”, siç thekson Hydajet Hyseni.
3. FËMIJËRIA E HALIL ALIDEMËS
Halil Alidema, u lind më 15 maj 1936 në një familje të madhe patriarkale e patriotike të Bexhet Alidemajt, nga e ëma Mirzade dhe babai Bexheti. Babai i Halilit-Bexheti kishte edhe tre vëllezër të tjerë: Jonuzin, Bejtën e Izetin.
Halili, si bir i një familjeje me tradita patriotike, që nuk ishte pajtuar kurrë me robërinë e okupatorëve të huaj, që në fëmijërinë e hershme, ende pa filluar shkollimin, shijoi gotën e hidhur të helmit të jetës, masakrën e gjenocidin serboçetnik ndaj burrave të Pozheranit dhe tragjendinë familjare, kur nëna Hanë, gjyshja e Halilit mbeti pa katër djemtë e saj, të jetojë me nipa e mbesa. Sepse serboçetnikët, ia vranë dy djemtë: Bexhetin dhe Jonuzin, kurse Bejta e Izeti, nën udhëheqjen e prijësit të ballistëve, Hysen Tërpezës, emigruan në Greqi, Turqi e pastaj me qëndrim edhe në Gjermani.
Bexheti la prapa pesë djemë: Sokolin, Sadullahun, Halilin, Zejnën e Zeqirin dhe tri vajza: Merrushen, Nazlien e Bylën.
Për ta u kujdes e ëma, Mirzadja gjyshja Hana, por si kryefamiljar familjen e udhëhoqi vëllai i madh i Halilit, Sokoli; i cili kishte vetëm 13 vjeç, kur serboçetnikët ia vranë babain- Bexhetin.
Sokoli, si kujdestar i familjes luajti rolin e babait të vet Bexhetit. Ai do t’i shkollojë të gjithë vëllezërit, djemtë e nipat.

Shkolla fillore në Pozheran, ku i kreu katër klasë Halil Alidema

Sokoli, pas Luftës së Dytë Botërore e regjistroi vëllain e vet – Halilin në shkollën fillore të fshatit Pozheran. Halili shkonte me vullnet të madh në shkollë. Ishte i zgjuar dhe kureshtar, ndaj me interesim të madh ndiqte mësimet e para nga mësuesit e parë shqiptarë, në gjuhën amtare shqipe. Ishte nxënës i shoqëruar me të gjithë. Që në vegjëli manifestonte virtyte të larta njerëzore. I donte dhe i përkrahte nxënësit e varfër, u ndihmonte dhe i mbronte të dobëtit, e urrente padrejtësinë. Nga këto sjellje jepte shenja se tërë jetën do të vihet në shërbim të mbrojtjes së drejtësisë, të popullit e të atdheut të vet. Si i këtillë, Halili me sukses do ta kryej jo vetëm shkollën fillore katër klasëshe, por me hapjen e ciklit të lartë të shkollës tetëvjeçare, ai kreu me sukses të shkëlqyeshëm edhe gjysmëmaturën apo gjimnazin e ulët, siç i thonin atëbotë shkollës tetëvjeçare.
Qysh në shkollimin e ulët, te Halili, përveç zotërimit të lëndëve mësimore, u manifestuan talenti dhe prirja për aktivitete të lira këngëtim, art e gjimnastikë. Ai dallohej për lojëra sportive futboll, e pastaj hendboll, i cili më vonë, në shkollën e mesme do të bëhej sinonim e simbol i hendbollit kombëtar në tërë Kosovën.
4. RINIA E HALIL ALIDEMËS (shkollimi i mesëm)
Me kalimin e kohës në periudhën e rinisë, Halili lëshoi shtat, u burrërua dhe filloi të hyjë në fazën e pjekurisë. Horizonti i tij dituror gjithnjë zgjerohej. Atij tani nuk do t’i interesojë vetëm mësimi si shumë shokëve të tjerë. Ai do të interesohej për “punë më të mëdha”, sepse atë e brente brenga dhe shqetësimi i çështjes së pazgjidhur kombëtare. Prandaj, në këtë periudhë tek Halili bie në sy një pakënaqësi, një revoltë dhe një rebelim kundër sistemit të atëhershëm monist të partizanëve serboçetnik. Frymëzimin do ta trashëgojë nga Odat e Pozheranit në veçanti e të Anamoravës në përgjithësi, e ky prush patriotik do të marrë flakë nga masakra e gjenocidi serbomadh në Pozheran, ku Halili humb babain dhe xhaxhain, ndaj për shkak të tyre dhe dy axhallarët në ekzil, familja e Halil Alidemës do të etiketohet si familje e anatemuar “armiqësore”. Ky fat atë do ta përcjell gjatë tërë shkollimit dhe shërbimit të tij si mësues e nëpunës në universitet.
Halil Alidema, “djaloshi i dëshirit”- siç e quan Rrustem Berisha, i etshëm për dije edukim dhe arsimim, ia mësyni shkollës së mesme. Më 1954 ai regjistrohet në Shkollën Normale të Prishtinës. Gjatë shkollimit në Normalen e Prishtinës, ai shpejt u afirmua si nxënës i dashur, i afërt, shok i sinqert dhe besnik, të cilin e donin dhe e simpatizonin edhe profesorët e Normales- edukatorët e tij, si: Jusuf Shushka, Abdullah Zajmi, Salih Nushi, Hasan Mekuli, Ali Hadri, e shumë të tjerë.
Ndonëse, Halili nuk dallohej ndër shokë në mësime, ai dallohej me diç tjetër. Dallohej me qëndrimin e tij burrëror, me pjekurinë e tij për “punë të mëdha”, për patriotizëm, për trimëri e guxim, për këmbëngulje e vendosmëri t’i kundërvihej e t’i kundërshtonte haptas padrejtësitë e sistemit monist dhe shovinizmit serbomadh. Shi, për këtë arsye mësimdhënësit shqiptarë të Shkollës Normale, shihnin te Halili një mbështetje dhe një shtyllë të fortë në mbrojtjen e shkollës shqipe. Ai ndjenjën dhe emocionet e atdhedashurisë i shprehte edhe nëpërmjet sportit, kur luante hendboll me kundërshtarët e nacionalitetit tjetër. E gjithë Shkolla Normale me nxënës dhe me kuadrin arsimor solidarizoheshin me Halilin. Atë e njihte tërë Prishtina, madje edhe Kosova. Halili u bë simbol i sportit kombëtar, e veçanërisht i hendbollit kosovar.

– Pozherani –

Sepse hendbolli kosovar me Halilin përjetoi një ngjitje cilësore në Kosovë.
Edhe gjatë shkollimit të mesëm Halili shpreh pakënaqësinë kundër sistemit monist, ndaj bashkë me shokët e shkollës Bardhyl Nushin, Xhemajl Lalën e Nakije Nushin tenton të kalojnë kufirin për Shqipëri. Mirëpo, ata nuk arrijnë sukses, sepse kapen nga udbashët serbë dhe arrestohen. Halili gjashtë muaj burg i vuajti në Burgun e Gjilanit. Kështu, Halili si djalosh “i rebeluar” dhe “i padëgjueshëm” përjetoi në kurriz kamxhikun e pamëshirshëm të serboçetnikëve, armiqve të babait e të popullit shqiptar.
Burgjet, torturat e ndjekjet serbosllave nuk i ndahen tërë jetën. Mirëpo, Halili edhe nëpër këto vuajtje piqet e burrërohet, bëhet gjithnjë më i fortë e më i rrezikshëm për armikun shekullor serbosllav. Shi për këtë pjekuri dhe rezistencë të vazhdueshme stoike Halili u bë dhe mbeti nxënësi më i dashur i gjeneratës së vet në Normalen e Prishtinës. Ai edhe sot kujtohet me admirim e pietet të lartë si mburrja e krenaria e nxënësve (shokëve) dhe mësimdhënësve të kësaj shkolle. Me këdo që do të flasësh, do të dëgjosh vetëm fjalë miradie e falënderimi, fjalë mirënjohjeje për mirësjelljen e Halil Alidemës. Halili në këtë periudhë si karakter i pathyeshëm i vendosur e këmbëngulës në realizimin e idealeve të veta, merr forcë e krah, ndërplotësohet e bëhet më i fuqishëm edhe nga përkrahja morale e shoqës së shkollës, Teuta Kryeziut, dashnores së tij besnike, me të cilën më vonë do të lidhin kurorë të dyfishtë: kurorë jetësore dhe kurorë të idealit të lirisë e të pavarësisë.
– VIJON –

______________________

SABIT ALIDEMA: HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (1)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=11068

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura