DR.HALIM PURELLKU: VËSHTRIM I SHKURTËR MBI VEPRËN E PROF. DR. MASAR KODRËS ME TITULL ‘SHQIPTARËT E MAQEDONISË GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE (1939-1944)’

Tetovë, 26 janar 2018: Prof. Dr. Masar Kodra (1932-2003) i takon plejadës së parë të historiografëve që me përkushtimin dhe rezultatet shkencore të arrira, hodhën themelet e historiografisë moderne shkencore shqiptare të këtij krahu, me qendër në Prishtinë. Të theksojmë se kjo plejadë e historiografëve, vepronte në dy fronte, dhe atë: Në përgatitjen profesionale të kuadrove të reja për nevojat e institucioneve arsimore të të gjitha niveleve të arsimit shqip, atë: të mesëm, të lartë dhe sipërorë në ish RSFJ, si dhe në ngritjen e kuadrove/forcave shkencore të reja në studimet e shkallës së tretë/magjistraturës dhe doktoranturës pranë Universitetit të Prishtinës, që gjithsesi ato këtë mision e realizuan me shumë sukses.
Për gjithë këto të arritura, qoftë në arsimin sipëror apo në fushën e kërkimeve shkencore, edhe Prof. Dr Masar Kodra ka dhënë kontribut shumë të çmueshëm si profesor në Universitetin në Prishtinës dhe pastaj në Universitetin në Tetovë. Gjithashtu, Prof. Dr Masar Kodra me rezultatet e arritura në veprimtarinë e tij kërkimore shkencore zë vend meritorë në historiografinë shqiptare e më gjerë. Ai është autor i shumë punimeve studimore dhe i disa monografive, me objekt trajtimi aspekte të ndryshme të jetës shoqërore politike e kulturore të popullit tonë nga epoka e Skënderbeut e deri në Lutën e Dytë Botërore, që për nga tematika dhe niveli shkencor i shtjellimit të tyre, paraqesin kontribut të çmueshëm në avancimin e mendimit shkencor për çështje konkrete të zhvillimit historik të popullit tonë, në veçanti të shqiptarëve në Trevat Lindore shqiptare.

Prof. Dr. Masar Kodra (1932-2003)

Një nga veprat e Prof. Masarit është edhe monografia me titull “Shqiptarët e Maqedonisë gjatë Luftës së Dytë Botërore (1939-1944)”, Kumanovë, 1996, 276 faqe. Objekt studimi i autorit në këtë vepër është historia e shqiptarëve të këtij krahu në periudhën midis dy luftërave botërore (1918-1941) dhe në veçanti koha e Luftës së Dytë Botërore (1941-1944) që përbën dhe temën bosht të këtij studimi monografik. Monografia në fjalë është hartuar mbi bazë të të dhënave relevante arkivore të publikuara dhe të pa publikuara të vjela në arkivat e ndryshme në ish Jugosllavi dhe në Shtetin shqiptar, si dhe duke iu referuar literaturës relevante historiografike dhe materialit memorial të proveniencave jugosllave, shqiptare etj. Autori pohon se me qëllim të vlerësimit kritik të zhvillimit të ngjarjeve dhe të proceseve ka bërë sintetizimin e fakteve duke praktikuar metodën përshkruese dhe analitike. Me këtë monografi besoj se rrumbullakohet puna dhe angazhimi shumëvjeçarë hulumtues dhe studimor i autorit që paraqiste studimin e parë shkencor rreth kësaj problematike nga historia jonë. Në këtë vepër, janë ngritur dhe shtruar konstatime me vlerë, që kontribuoan në avancimin e mendimit shkencorë për çështje nga historia shqiptare në periudhën midis viteve 1918-1944, dhe në veçanti për kohën e Luftës së Dytë Botërore që është dhe objekt kryesor i këtij studimi monografik. Në këtë kuadër, do veçuar disa nga ato konstatime: Pas pushtimit italian të një pjese të Trevave Lindore shqiptare, që në këtë monografi emërtohen si “Maqedonia Perëndimore”, politika demagogjike italiane këtu nuk u favorizua nga shqiptarët e kësaj ane. Kjo dëshmohet dhe me faktin se iniciativa italiane për formimin e Partisë Fashiste nuk qe mbështetur nga shqiptarët e këtyre trevave. Por, as edhe Partia e Ballit Kombëtar nuk ia doli të organizon këtu struktura (degë e nëndegë) të veta partiake, për dallim prej Organizatës “Lidhja e Dytë e Prizrenit” e cila arriti të shtri aktivitetin e vet politik në këto treva dhe ngriti komitetet/degët e veta në Tetovë dhe në Gostivar, gjë që, sipas autorit, edhe fuqitë (forcat) vullnetare (kreshnike, kufitare) të Xhemë Simnicës (Gostivarit) dhe të Mefail Zajazit (Kërçovës) nuk ishin fuqi (forca) të armatosura të Ballit Kombëtar, por ato ishin të “Lidhjes së Dytë të Prizrenit”.
Mirëpo, dhe sipas vetë autorit, temë bosht e kësaj monografie është veprimtaria politike dhe ajo kryengritëse e të quajturës “Lëvizja Nacional Çlirimtare” e organizuar dhe e drejtuar nga Partia Komuniste e Jugosllavisë dhe vasales së saj Partisë Komuniste të Shqipërisë. Ne mendojmë, thotë autori, se formimi i organizatave partiake komuniste, si dhe i njësive të armatosura partizane dhe organeve të pushtetit kryengritës komunist në kuadër të luftës antifashiste (LAF) në vitet 1941-1944, të formuara nga shqiptarë të Trevave Lindore shqiptare, ishte hapi i parë në federalizmin e Maqedonisë. Në mbështetje të kësaj hipoteze, prof. Masari iu referohet fjalëve të Kërste Cërvenkovskit në letrën të cilën ia dërgon Komitetit Qendror të “Partisë Komuniste të Maqedonisë”, datë 7 korrik të vitit 1943, në të cilën Cërvenkovski thotë se “Maqedonia Perëndimore” “mund të jetë vetëm autonomi, sikur Kosova, tek e fundit këtë çështje duhet lënë hapur”.
Mirëpo, si që vlerëson dhe autori, Partia Komuniste e Shqipërisë (PKSH) gjatë dhe pas luftës kishte qëndrim nihilist lidhur me statusin autonom politik kushtetues të ardhshëm të “Maqedonisë Perëndimore”. Lidhur me këtë, autori i referohet deklaratës së PKSH se: “nuk i pranojmë kufijtë të cilët i ka vendosur fashizmi”. Në këtë kuadër, ishte edhe instruksioni i PKSH-së drejtuar celulave/grupeve komuniste shqiptare në “Maqedoninë Perëndimore”, që ata të vepronin “nën ombrellën jugosllave”. Andaj dhe profesori Masar përfundon: “Duket se organet më të larta partiake të Shqipërisë e mbyllën diku në ndërgjegjen e tyre pa përgjegjësi këtë çështje (të kufirit-H.P.) të paktën as që e përmendën më vonë. Politika pansllaviste e kombinuar me komunizmin jugosllav triumfoi edhe një herë rreth Çështjes shqiptare gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Në mbështetje të këtij përfundimi është dhe e dhëna tjetër faktografike të cilën e hasim në këtë monografi, dhe atë: Në tetor të vitit 1944, një delegacion nga Shteti shqiptar në takimin që pati në Orman të Velesit me përfaqësuesit e “Shtabit të Zonës së Dytë operative të Maqedonisë”, ofroi një marrëveshje apsurde prej gjashtë (6) pikash, me të cilën pranohej një reciprocitet mbi pozitën/statusin politik të shqiptarëve të “Maqedonisë” dhe të sllavëve në zonën e Liqenasit (Pustecit) në Shqipëri, dhe se praktikisht njihej pa asnjëfarë kushtesh kufiri ndërshtetëror i vitit 1913, përkundër dhe një realiteti tjetër momental.
Pra, politika e “vëllazërim bashkimit dhe e barazisë”, zgjati për aq kohë sa zgjati Lufta e Dytë Botërore në “Maqedoni”, kurse në Mbledhjen e parë të “Këshillit Antifashist të Çlirimit Popullor të Maqedonisë” qe përcaktuar statusi ekskluziv shtet formues i “popullit maqedonas” , kurse populli shqiptar në “Maqedoni” u cilësua si “pakicë kombëtare”, vlerëson autori.
Për fund, do theksuar se krahas vlerave pa dyshim të mëdha, është e natyrshme që edhe këtë vepër/monografi ta përcjellin edhe lëshime dhe mangësi të aspektit material dhe atij metodologjik, por këto nuk ia ulin vlerën e asaj. Për këtë ishte i vetëdijshëm edhe vet autori i cili në parathënien e veprës pohon se për shkak të mungesës së të dhënave faktografike të nevojshme nuk ka mundur të zbardh deri në fund shumë çështje, andaj ai mbetej me shpresë se në të ardhmen do të hidhet dritë e re mbi çështjet e shqyrtuara në këtë monografi, me qëllim të avancimit të gjithaneshm të mendimit shkencor mbi to.
Megjithatë, kujtojmë se kjo monografi e autorit prof. dr. Masar Kodra si e para në historiografinë tonë që drejtpërdrejti pati për objekt studimi një episodë historike mjaftë komplekse në Trevat Lindore shqiptare, por dhe me vleratë e saj që ka, mbetet një referencë e rëndësishme për opinionin tonë shkencorë e kulturor.

Tetovë, 13.09.2017

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura