Pashtriku, 2 prill 2021:
SHPALIME KUJTIMESH PËR HALIL ALIDEMËN
Kujtime për Halil Alidemën, të cilin në shenjë respekti, afrie intime vëllazërore, unë më tepër e quaja Lil, kurse ai mua Bit. Ishin këta emra përkëdhelës, duke i shkurtuar emrat e plotë Halil dhe Sabit, në Lil dhe Bit.
Kjo është dukuri tradicionale shekullore shkurtimi i emrave të plotë dhe përdorimi i emrave përkëdhelës. Nga njëherë emrat përkëdhelës, si emra sekondar, bëhen emra të parmë dhe me emra të tillë pagëzohen, regjistrohen në librin e amzës dhe përdoren tërë jetën si të tillë. Kujt i shkon mendja sot se emrat Ramë, Ramush, Dan e Danush, të gjithë janë të prejardhur nga emri Ramadan apo Metë e Metush nga Mehmet ose Hajr, Hajrush nga Hajrullah e Lah nga Fejzullah. Apo edhe emrat e rinj Gim nga Agim, etj.
Këta emra përkëdhelës tingëllojnë më ëmbël, krijojnë një afërsi shoqërore dhe vëllazërore. Prandaj, në këtë frymë, edhe unë gjithmonë Halil Alidemën e thirrja Lil, ndërsa Teuta Kryeziun-Alidemën- Tina. Këta emra më dukeshin më të ëmbël, krijonin raporte më të ngushta shoqërore e vëllazërore. Dhe në të gjitha kujtimet e mia vijimisht këtë çift bashkëshortorësh, këta dy patriotë të denjë, i kam zënë në gojë me emrat më të dashur Lili e Tina.
KËSHILLAT E NËNAVE TONA
Qenia më e dashur, më e shenjtë dhe më e shtrenjtë në jetë është nëna. Dashuria dhe kujdesi i saj ndaj fëmijës së vet është i pakufishëm. S’ka kandar që e matë dashurinë dhe shqetësimin e nënës për birin e saj. Prandaj, që në fëmijëri çdo nënë përpiqet që fëmijës së vet t’i jap edukatë të shëndoshë, ta drejtojë atë në rrugë të drejtë jetësore. Nënat tona me stoicizëm e heroizëm i përballuan mynxyrat e jetës. Shkolla e tyre e madhe ishte përvoja e hidhur jetësore.
E ëma e Lilit, Nëna Zade ishte jo vetëm një grua e pashme, fisnike e bujare, por edhe e zgjuar e krenare. Ishte një malësore e vërtetë, që e hiqte zanafillën nga një familje e ndershme e me tradita bujarie e fisnikërie nga Malësia e Zhegovcit. Fjala e saj, kishte fuqi bindëse. Ajo kishte ndikim të madh te fëmijët e saj. Fëmijët e donin dhe e respektonin si nënë të shenjtë. I pari intelektual nga fëmijët e saj, ishte Lili. Mirëpo Lilit nuk i interesonte vetëm mësimi. Atë e mundonin më tepër hallet e popullit dhe të atdheut, ndaj shqetësohej tepër për problemet e jetës së përditshme të tij.
Nëna Zade kishte vërejtur këtë shqetësim të madh të birit të saj Lilit të shtrenjtë. Madje, duke njohur temperamentin e tij, ajo shqetësohej për të ardhmen e Lilit. Ndonëse Lili kishte kryer shkollën Normale dhe kishte marrë diplomën e mësuesisë, madje edhe ishte martuar me shoqen më besnike të jetës- Tinën dhe punonin bashkë në Shkollën Fillore të Pozheranit, por të përcjellur vijimisht nga një regjim i rreptë i UDB-ës rankoviqiste, kishin mbjellë frikën te Nëna Zade për një të ardhme të zymtë të birit të saj Lilit, që kishte një shpirt të trazuar revolucionar, ndaj në mënyrë prindore përpiqej ta mësojë e ta këshillojë se si të sillet me njerëz, nga njëra anë dhe se si të ruhet nga kafshimi i nëpërkës helmuese serbosllave dhe të mos bie në grackën e tyre, nga ana tjetër.
Ajo i drejtohej birit të saj me këto fjalë:
– Biri im Lil, të keshë kujdes në sjelljet tua ndaj të tjerëve. Sepse duke i respektuar të tjerët edhe ata të respektojnë ty. Kështu ti e ruan dinjitetin tënd dhe ndërton autoritetin burrëror e patriotik. Kur të vijë momenti dhe të jepet mundësia ndihmoje gjithkë dhe zgjidhja hallin jetësor. Ndoshta, shpeshherë do të ballafaqohesh edhe me të keqen. Sepse rruga jetësore është plot me gjemba e të papritura. Nëna jote do të jem e brengosur dhe tepër e shqetësuar për çdo vepër të panjerëzishme tënden. Për nënën nuk ka lumturi e kënaqësi më të madhe sesa kur i biri bën vepra të mira. U ndihmon hallexhinjëve për të gjetur rrugën e mbarë në jetë, ashtu siç vepronte gjyshja jote, ndjesë pastë vjehrra ime, e cila tërë jetën e vet ka bërë vepra të mira. Ajo u ka ndihmuar jo vetëm të varfërve, por edhe shumëkujt tjetër aq sa i ka kushtuar zemra dhe i ka mbërri dora, kurrë nuk e ka ndalë. Sepse pleqnarët tanë kanë thënë: – pushka e trimit, dora e xhymertit dhe fjala e pleqnarit nuk ndalen kurrë. Dora e gjyshes tënde, vjehrrës sime nuk është ndalë kurrë për të bërë vepra të mira njerëzore. Prandaj, në varrimin e saj kishte shumë pjesëmarrës. Nuk mbahet mend në Pozheran e në Anamoravë të ketë pasur ndonjëherë ndonjë varrim aq madhështorë e aq masiv. Pjesëmarrësit në varrim nuk mund t’i sjell askush as me para as me dhunë, por ata vinë vullnetarisht, për t’ia bërë të vdekurit nderimet e fundit, ata nderojnë edhe veten.
Meqenëse je djalë pa baba, unë e kam për detyrë që të interesohem për ty e për orientimin tënd jetësor- kështu e përfundoi orën e saj edukative Nëna Zade. Fjalët e nënës kanë fuqi të madhe, ndaj Lili gjatë tërë kohës sa po fliste nëna Zade, ishte bërë sy e vesh dhe po dëgjonte me vëmendje të madhe fjalët e saja. Me të përfunduar fjalën e vet këshilluese, nëna Zade, Lili me përvujtni e modesti, me dashuri e respekt të madh u çua nga vendi dhe e puthi nënën Zade në ballë.
Ky gjest i Lilit tregonte për një madhështi të këtij burri dhe për qëndrimin njerëzor e prindor që kishte djali ndaj së amës së vet.
– Qofsh i uruar o biri im, e ty nëna të pastë, por lermë tani rehat se unë jam mësuar më me ty, por çohuni dhe hani me Sabitin nga ndonjë kafshatë bukë, sepse buka ëshë shpirti i shpirtit e pa të s’jetohet as nuk mund të punohet. Hani këtë kollpite sa është e nxehtë, sepse kollpitja e fothtë nuk është e shijshme siç është ajo e nxehta. Babai yt nuk i hante trajtet e ftohta. Edhe të ftohtën e nxente një herë, pastaj i hante. Derisa unë e Lili me shije të veçantë po hanim kollpitën e nxehtë të nënës Zade, në kuzhinë hyri nëna ime, Nëna Nifë.
– Ju bëftë mirë o bijt e mi!
Unë ju solla edhe pak fli. Urdhëroni e hani, sepse edhe kjo është e nxehtë.
Lili shpejt e rrëmbeu, por kur e pa se ishte tepër e nxehtë, sapo kishte dalë nga zjarri, e lëshoi. Lilit i pëlqente më tepër flia, ndaj u përqëndrua në të, kurse mua më vinte më shijshëm kollpitja edhe pse m’u kishte shtuar apetiti duke ngrënë, nga njëra anë, por edhe pse e kishte gatuar Nëna Zade, të cilën e doja dhe e respektoja shumë si një grua malësore dhe finoke nga ana tjetër.
Në momentin kur po drekonim unë e Lili, në prani të nënave tona, Nënes Zade dhe Nënës Nifë, në kuzhinë hynë zonjat tona. Zonja Tinë4 dhe Zonja Fatë5, që të dyja mësuese në shkollën fillore të Pozheranit.
Ato kishin kryer mësimin e paraditës me nxënës. Ishin të lodhura dhe të uritura, por ishin të përmbajtura me ne, ia filluam shakasë, veçanërisht Tina, e cila kishte një natyrë të çelur, plot sharm e mahi:
– Hani, hani ju kollpite e fli, e ju bëftë mirë! Mirëpo, mos mendoni se vetëm nënat tuaja dinë të gatuajnë kaq mirë. Sa të vijë nëna ime nga Peja e të më sjell burek Peje, e të shihni se çfarë shije ka, që s’e keni ngrënë kurrë. Është rrezik që t’i hani edhe gishtat tuaj pas byrekut të Pejës – foli Tina me një zë të lehtë mahiçar. Ajo ishte mahiçare e madhe.
– Lëri moj kunatë ato mahitë tua, por hajde të hamë edhe ne se më ka marrë uria, është rrezik se do të mbetemi pa drekë, sepse burrat tanë nuk kanë menduar se do të vimë edhe ne – shtoi Fata.
Meqë na ndihmuan edhe Linda e Valdetja, i mbaruam së ngrëni edhe kollpiten edhe flinë. Sa shijshëm hëngrëm atë drekë në një ambient të ngrohtë familjar. U krijua një atëmosferë festive në gjirin e vatrës sonë familjare, sa që kurrë nuk do ta harroj at drekë, por gjithmonë do ta kujtoj. Kujtimet më të mira lindin në ambientin familjar. Pikërisht tani kur më mungojnë Lili e Tina, më kaplon një mall e nostalgji për ta, dhe ajo drekë e ai ushqim më duken edhe më të shijshëm. Gjumi më i mirë, pushimi më komod e ushqimi më i shijshëm më vinin në vatrën stërgjyshore.
– Përse ndodh kështu oj Nëna Nifë? E pata pyetur njëherë nënën time.
– E more bir, secili njeri është mësuar të pushojë nën strehën e vet dhe të hajë çullin e vet , i cili i duket më i ëmbël se mjalta- m’u përgjigj nëna Nifë.
M’u kujtua edhe rasti i mixhës Llutë nga Zhegovci, i cili kur kishte shkuar për të bujtur në odë të Mulla Halim Cernicës, kur e pyeti:
– A fjete o Llutë hiq?
– Jo hiq nuk fjeta Mulla Halim.
– E pse o Llutë? – e pyeti Mulla Halimi
– Nuk më njofti gjumi. U soll e u soll gjithë natën e lume e shkoi, duke thënë: – Jo ky nuk është Lluta.1
* * *
Ishte preriudha e rrëzimit të shovinistit e diktarorit Rankoviq. Ai kishte marrë tatpjetën sikur ndonjë gurë që me zhurmë të madhe rrokulliset nga shkrepat e malit teposht dhe s’kishte të ndalur. Mbledhjet e PKJ-ës u intensifikuan. Në këto mbledhje sulmohej sjellja e Rankoviqit dhe vepra e tij gjenocidale. Ai ishte një kriminel i vërtetë, por e keqja më e madhe ishte se nuk ishe vetë. Kishte edhe rankoviqistë të tjerë të mëdhenj e të vegjël, platforma ideore e të cilëve përputhej plotësisht me platformën dhe veprimet gjenocidale të kriminelit Rankoviq për krimet që kishe bërë kryesisht ndaj popullit shqiptar dhe intelegjencies së tij.
Shumë komunistë jugosllavë, madje edhe vetë Tito – shtiheshin kinse nuk kishin ditur asgjë për veprimet e Rankoviqit, ndaj duke e kritikuar rreptë atë synonin të fitonin poena politik, nga njëra anë, por edhe të fitonin besimin e popullatës shqiptare, duke mashtruar atë gjëja se po e ankonin e mëshironin atë dhe po luftonin për të drejtat e tij, nga ana tjetër.
Duke na dëgjuar nënat tona se ç‘po flisnim, sepse ne vërtetë kishim rënë në hall e nuk dinim se si të silleshim, kujt t’i besonim; kujt t’ia miratonim dëshirën e kë ta refuzonim. Në këtë moment nëna Nifë tha: – Mos fyeni njeri! Nuk është mirë të zini armiq me gojë. Sepse fjala të afron e fjala të largon.
– Fjala nga njëherë është më e rëndë se plumbi. Ajo vret më shumë se pushka. A ju kujtohet puna e arushës. Kur njeriu u zu dost me arushën, e shkoi një natë të bujë tek ajo. Kur e pyeti arusha: – si kalove këtë natë? – Mirë, mirë, por shpellës sate i vinte një erë e rëndë frymëzënieje, ndaj nuk munda të fle – i tha njeriu.
Ajo e detyroi dostin e vet t’ia prejë këmbën me sopatë. Njeriu ia shkalloi këmbën dhe u nda prej arushës. Por një vit kur u takua me arushën, e pyeti se a iu kishte shëruar këmba. Arusha tregoi këmbën plotësisht të shëruar, ku nuk hetohej kurrfarë gjurmë e plagës së madhe. Por ajo, nuk e kishte harruar fjalën e rëndë. Fjala e keqe nuk harrohet kurrë, prandaj keni kujdes o bij se ç‘po flitni për njerëz. – Ndërhyri me këshillat e saja nëna Zade, duke iu drejtuar Halilit dhe mua. Pastaj ato, të dy nënat, nëna Zade dhe nëna Nifë shikuan njëra tjetrën dhe heshtën. Ato dyshonin diç. Kishin një frikë, ndaj heshtja e tyre fshihte diç të pashpjegueshme.
– Mori vjehrra – ndërhyri Tina – djemt tuaj nuk e kanë larg edhe këta dy, sepse po përzihen si shumë në politikë, e politika është e rrezikshme, politika nuk ha kashtë, po ha njerëz.
– Mos ia vënë veshin nënave tona. Ato janë nëna, ndaj brengosen për çdo imtësinë, prandaj shkojmë se nuk kemi kohë. Takohemi atje dhe shumë gjëra i diskutojmë vetëm ne dy, pa praninë e tjetërkujt – u ngut ta shpreh
mendimin e vet në formë të prerë Lili.
– Jo Lil, nuk pajtohem me ty. Duhet t’i dëgjojmë edhe këshillat e nënave tona. Ato, nuk mendojnë keq për ne. Mandej, me njerëz të qeverisë është rrezik të hysh në lojë. Nuk duhet shprush zjarrin, sepse të luajsh me hyqmet është sikur të luajsh me zjarr. Nëse, nuk ke mundësi ta shuajsh zjarrin, së paku mos e ndez më tepër. Hë për hë mos merr kurrfarë iniciative, sepse bisha e plagosur është më agresive dhe më e rrezikshme, ndaj mos më shiko ashtu vrëngër, e sa për pitet e shijshme që na i sollët ju nënat tona të shtrenjta, ju lumshin duart! – shtova unë.
– Të lumtur qofshi o bijt tanë! – na uruan nënat tona. Kështu përfundoi një bisedë e gjatë në drekën në gjirin e ngrohtë familjar, ku njeriu e ndjen veten më të sigurt e më të qetë pranë njerëzve më të dashur e më të shtrenjtë. Me të drejtë e ka thënë
Mjeda mendimin e vet poetik:
Na dha ne t’shkretve vetë perëndia
Mallin m’u pamun me ndej me një votër
Gruaja me t’shoqin, e vëllai me motër.
DEFORMIMET PARA PLENUMIT TË BRIONEVE
Ne të dy, unë e Lili, dolëm nga banesa ime, që gjendej afër shkollës. Rrugës duke shkuar në mbledhje e këshillova Lilin.
– Ti Lil, ndonëse je në moshë të burrërisë, je trim dhe i aftë, por duhet pasur kujdes, të jesh vigjilent e të mos biem në grackë, sepse koha po shkon, këto vite do t’i lypim, por s’do t’i gjejmë më, sepse kjo është periudha më e mirë e jetës së njeriut. Guximi dhe vendosmëria jote Lil, po më pëlqen, por megjithatë duhet të kesh kujdes se Pozherani e Anamorava, ku ka shumë serbë, madje edhe kolonistë, shovenizmi dhe hegjemonizmi serbomadh është i shprehur në mënyrën më të theksuar e më të vrazhdë. Këtu nuk është si në komunën e Malishevës, ku popullata etnike është e pastër shqiptare. Tufa e deleve siç thoshte Hamdi Kurteshi është e përbërë vetëm me bardhoka, por këtu te ne, në Anamoravë, në Viti e Pozheran, në bylyk ka shumë gala të zeza, që ia prishin harmoninë dhe bukurinë tufës. Prandaj, Lil po të them se këtu puna qëndron krejt ndryshe. Lufta këtu duhet të zhvillohet në dy fronte: edhe kundër diktaturës komuniste, nga njëra anë, por edhe kundër diktaturës shoveniste e hegjemoniste të kulshedrës serbosllave ortodokse, që kultivon një urrejtje shekullore ndaj popullatës shqiptare në përgjithësi, në veçanti, nga ana tjetër. Për gjëra të tjera që nuk të takojnë ty, mos pyet, sepse unë e dij se goditje më të rënda e sulmi më i ashpër mund të vijë pas shpine, andej kah ti nuk e pret fare. Prandaj, kujdes e maturi të keshë me djajt e demonët e këtushëm, se mund të kafshojë tinëzisht shlliga e ortodoksizmit serbosllav.
O Lil, të keshë kujdes se qëndron para një rreziku të ri. A dëgjove këshillat e nënës Zade se ç‘tha para nënës sime, para nesh e para grave tona. Prandaj, është koha të mendosh edhe për vetvetën. Të veprosh me maturi. Shtat herë mat, e njëherë prej. Pa të djeg fjala tri herë në fyt, mos e thuaj. Por kur ta thuash, thuaje me fakte dhe argumente që edhe kundërshtarin e armikun më të madh e më të egër ta bindësh e ta gjunjëzosh. Sepse faktet dhe argumentet janë kokëforta. Ato nuk dorëzohen dot, por i gjunjëzojnë kundërshtarët. Ndoshta, pak ca e teprova me këto këshilla të mia, por më fal, sepse unë nuk jam në gjendje të mësoj ty, – i kërkova falje unë Lilit.
Ndonëse, Lili heshti dhe nuk m’u kndërvu, sadopak pas këtyre fjalëve tek ai vërejta një shkallë shqetësimi shpirtëror.
– Qerrata, përse më flet me këtë ton, ne nuk duhet të ndahemi në këtë mënyrë, unë kam nevojë të flas me ty, por jo tash, por kur të jesh më i qetë – më qortoi Lili.
– O Lil, përse po flet kështu? Unë edhe tani jam i qetë, por nuk kalohet kufiri në këtë mënyrë siç mendon ti, sepse ende nuk je në gjendje të mirë shëndetësore. Dora ende nuk t’u ka shëruar, ndaj mund ta infektosh e të komplikohet gjendja juaj shëndetësore – iu përgjigja unë me zë lutës. Kisha frikë për plagën e dorës së tij, të cilën e kishte lënduar e shkalluar në përleshje të ashpër me disa huliganë.
– çdo gjë që kërkon prej meje, çdo ndihmë të çfarëdo lloji jam në gjendje të ta ofroj, por nuk lejoj askë të shkelë mbi mua. Nuk bëhem urë e askujt, e më së paku e kundërshtarëve dhe armiqve të popullit tim.
– Pas këtij dialogu ndërvëllazëror, unë e Lili shkuam në mbledhje të PKJ-ës ku menjëherë filloi diskutimi. Gjoka ishte bërë çetnik. Babën ia kishin vrarë bullgarët për kontrabandë. Në të vërtetë Lili e kishte me vend, por kishte diskutues të tjerë që e përkrahnin Gjokën, ndërsa disa të tjerë miratonin diskutimin e Lilit. Mirëpo, njëri nga diskutuesit u çua dhe tha:
– Edhe babai yt, e axhallarët tu kanë qenë ballistë!
– Po, pikërisht ju ma keni vrarë babain tim dhe axhallarët e mi në aradhën serboçetnike partizane. Është çudi se si ky pushtet e Partia Komuniste Jugosllave ju ka duruar deri më tani, duke qenë tepër tolerantë ndaj jush. Kundër jush duhet të merren masa të rrepta. Gjenocidin dhe masakrën në “mejtep” kundër fshatarëve të pafajshëm të Pozheranit kush e bëri? Askush tjetër, përveç juve rankoviqistëve të përbetuar. Prandaj, ngrihuni dhe kërkoni falje, sepse keni qenë të verbuar, të mashtruar dhe të manipuluar, duke shikuar interesat e ngushta personale, jeni bërë viktimë e interesit material. Sepse “kajtja e korit burrin” ka thënë pleqnari i Drenicës – Xhemajl Obria. Ka në mesin tonë njerëz, që iu ka hyrë në gjak hafilleku (spiunimi). Sepse nëse nuk e bëni këtë punë ose atë punë do të ju shpallim tradhtarë të popullit dhe të Qeverisë. Kështu u thuhej njerëzve të tokës e të bukës, që shikonin problemet e veta dhe idaren e familjes së vet. Kështu foli Lili para treqind vetëve, ku ishte i pranishëm edhe Dushko Ristiqi e disa funksionarë të mëdhenj te PKJ-ës.
– VIJON –
______________
SABIT ALIDEMA: HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (5)
https://pashtriku.org/?kat=64&shkrimi=11090