DISKUTIMET E IBRAHIM KELMENDIT NË KP të LPK-së, MAJ – DHJETOR 1998

DISKUTIMET E IBRAHIM KELMENDIT NË KP të LPK-së, MAJ – DHJETOR 1998

DISKUTIMI (I SHKURTUAR) I IBRAHIM KELMENDIT NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM (KP) TË LPK-së D.J.V, MË 23 MAJ 1998:

Pashtriku, 18 Korrik 2021

» (…) Mbledhja e 6-të e Përgjithshme e LPK-së, Dega jashtë vendit, miratoi të drejtën e pjesëmarrjes së dy përfaqësuesve, – Hashimit (Thaçi – sh.b) e Kadriut (Veseli – sh.b), – të “Këshillit të Përgjithshëm“ të LPK-së, pa pasur mundësi verifikimi të tyre dhe të KP, pasi Sektorit përkatës, të lidhje-mbajtjeve, i mungonin të dhënat, përjashto njërin anëtar të sektorit, Ademin (Grabovci – sh.b), i cili befasisht informoi ose dizinformoi Mbledhjen e Përgjithshme, se, sipas tij, “Këshilli i Përgjithshëm është formuar në Kosovë dhe se dy shokët ishin përfaqësuesit e tij”. Edhe Komisioni i Verifikimit të Mandateve, ndoshta duke qenë i mashtruar nga Ademi e ndonjë tjetër, ua miratoi atyre mandatin, pa ofruar asnjë dëshmi. E gjitha kjo ndodhi, mendoj unë, edhe si rrjedhojë e parapërgatitjeve që duhet të jenë bërë para Mbledhjes, për të “disiplinuar” Degën sipas dëshirës dhe synimit të disa individëve. Pjesëmarrës të tjerë të Mbledhjes vendosën të heshtnin. Dhe vendosen të heshtin sepse e kishin hetuar se do të bëheshin prapaskena, por nga dëshira e mirë që, çështjet që zienin prej disa kohe të kapërceheshin pa u hapur para delegatëve dhe Mbledhja të përfundonte në harmoni.

Gjatë Mbledhjes, përfaqësuesit e supozuar të KP, Hashimi e Kadriu, e humbën durimin për të dëshmuar qëllimin e tyre të vërtetë të pjesëmarrjes në Mbledhje, dhe, mendoj se me nervozizëm, tentuan të ngrinin “çështje me rëndësi”, po në Mbledhje. Shumica e delegatëve, të hutuar nga kjo, se çfarë “bombe” mund të hidhej aty, e panë të udhës që çështjet t’i kalonin Këshillit të Përgjithshëm. “Përfaqësuesit” dhe bashkë-aktorët e tyre ranë dakord, gjithnjë duke shpresuar se, në zgjedhjet e reja, nuk do të fitonin të padëshiruarit e tyre, për çka ishte bërë edhe fushata paraelektorale. “Bomba” plasi në Mbledhjen e parë të Këshillit të ri të Përgjithshëm, që në fillim, pasi, disave u interesonte jashtëzakonisht shumë, që në Kryesinë e re, të zgjidheshin tashmë vetëm të “merituarit”, vetëm ata që i takonin atij grupimi, por nuk u prishte punë edhe ndonjë tjetër, që ende nuk ishte i informuar… Ca nga ciflat e asaj “bombe” më gjetën edhe mua. Kështu, “daja i vogël”, Azemi (Syla – sh.b), me sinqeritet tepër naiv, me dëshpërim të papërmbajtur, shprehu keqardhjen pse isha zgjedhur edhe unë në Këshillin e Përgjithshëm, pasi, sipas tij, isha një fajtor i madh për shumëçka që kishte ndodhur.

Kurse Hashimi e Kadriu po më fajësonin vetëm për “anarshinë” e krijuar në Shqipëri gjatë muajve të fundit. Mendoj se ata duhet të më kenë kursyer pa më fajësuar më rëndë, kryesisht pse kemi pasur marrëdhënie të mira shoqërore dhe respekt reciprok. Por kjo nuk do të thotë se nuk do të ndodhë në ndonjë Mbledhje tjetër… E kam thënë disa herë para shumë viteve, ndoshta edhe e kam shkruar, se LPK vazhdon të ballafaqohet me vështirësi, pasi asaj i është zënë peta keq, që kur është themeluar. (…)

Ca nga shëmtitë, që “përfaqësuesit” Sabri Novosella, Abdulla Prapashtica dhe Xhafer Shatri ia kanë imponuar Lëvizjes qysh në fillim, kanë qenë imponimi i frymës së grindjeve, grupimeve, individualizimeve, imponimeve, duke u thirrur “në emër” të strukturave fiktive. Këto shëmti, herë pas here, u shndërruan në një vijë të dytë të Lëvizjes. Ajo kurrë nuk ka mundur të lirohet e të shërohet plotësisht nga ato. (…)

Qysh në vitin 1996 pata filluar të dërgoj të holla në Kosovë, në dukje “kokë në vete”, pa i pyetur paraprakisht shefat, duke iu përgjigjur kërkesave që bënin bashkëluftëtarët atje. Ato ndihma ishin simbolike dhe i dërgoja pasi konsultohesha me disa anëtarë të tjerë të kryesisë së Nëndegës së Lëvizjes në Gjermani. Natyrisht edhe “shefat” e Kryesisë së KP të Degës i informoja. Edhe ca “kaçakëve” të Prekazit, siç kam dëgjuar t’u thuhet atyre trimave nga disa “të disiplinuar”, u kemi dërguar ndihma simbolike, pasi qysh atëherë, në vitin 1996, ishim informuar se nga jashtë, këta “kaçakë” nuk ishin përkrahur e as nuk ishin ndihmuar. (…)

Qysh në shkurt të vitit 1997 filluan të na kërkojnë ndihma edhe shokët e Linjës së Llapit. Kjo kërkesë arsyetohej me vrasjen e Zahirit dhe me shkëputjen e lidhjeve me Shtabin, sepse deri atëherë lidhjet ishin mbajtur përmes Tij. Me konsultimin e shokëve, kryesisht Sabri Kiçmarit dhe Fehmi Lladrovcit, por edhe duke informuar “shefat” përkatës të Kryesisë, u kemi dërguar, përmes lidhjes që kishin caktuar ata vetë, ndihmat financiare, po ashtu modeste. Edhe ata të Linjës se Dukagjinit kërkonin ndihma për nevojat e tyre. Aq sa arrinim, u dërgonim, gjithnjë përmes lidhjeve që kishin caktuar ata vetë. Disa shokë drenicas, me të cilët kishim qenë në Grevën e urisë në Bon, në maj të vitit 1996, me vendim të Kryesisë lënë Gjermaninë për t’iu bashkëngjitur radhëve të UÇK-së në Kosovë. Kur arrijnë atje, mes tyre edhe Ilaz Kodra, bashkëluftëtarët e tyre u ankohen se nuk iu ishin dhënë mjete të Fondit në mënyrë të organizuar. Edhe atyre u dërguam ndihma modeste. Vazhdoi shfaqja e pakënaqësisë tek disa rrethe të caktuara të UÇK-së, dhe pëshpëritjet, se nuk po merrnin ndihma nga “kompetentët”.

Prandaj më thirrën në një mbledhje të Kryesisë, sa më kujtohet në mars ose maj të vitit 1997, për të dhënë llogari dhe për të më disiplinuar, që të mos jap më ndihma. Aty Zeka ( Xhavit Haliti – sh.b) e pranoi se ishin shkëputur ca lidhjet pas vrasjeve të Janarit dhe burgosjeve, dhe se kishin ngelur pa u ndihmuar në mënyrë të rregullt disa rrethe. Për këtë dukuri më kishte rastisur të bisedoj edhe me Jashar Salihun, Udhëheqësin e Sektorit të Fondit (Vendlindja Thërret – sh.b), në të cilin edhe unë isha anëtar. Edhe ai nuk ishte i kënaqur për pëshpëritjet që kishin filluar dhe atëherë u vetëkuptua pse rrethet e shkëputura kishin gjetur vetë rrugën e lidhjes me Degën jashtë vendit, më konkretisht Nëndegën në Gjermani. Dhe pse e gjetën tek ne në Gjermani, kjo duhet të analizohet. Zeka na tha se ndërkohë lidhjet ishin vendosur dhe se ne, që administronim Fondin V.Th. në Gjermani, nuk duhej të dërgonim më mjete drejt për drejtë në rrethe, pasi kështu krijohen shkëputjet dhe shpërqendrimet. Ai këmbënguli se më mirë është që mjetet të shkonin në mënyrë të rregullt, të centralizuar dhe të disiplinuar. Natyrisht se isha dakord, por u shpjegova se, nëse rrethet do të vazhdonin të kërkonin mjete, edhe ne do të vazhdonim t’u dërgonim. Por edhe pastaj, luftëtarët e Zonës së Drenicës janë ankuar se nuk po u shkonin ndihma dhe sërish jemi detyruar t’u dërgojmë nga kontoja e Fondit në Gjermani. Për këtë mund të konsultohet edhe Letra e shokëve të Drenicës në fillim të dhjetorit 1997. (…)

Duke qenë në Shqipëri, ndërkohë ndodhi ndeshja e madhe mes forcave të pushtuesit dhe forcave të UÇK-së. Në shënjestër ishte Prekazi. Dëmtimi i radhëve tona, sidomos i luftëtarëve dhe i popullsisë civile të Prekazit heroik, ishte i madh. Por shpresoj, po aq, ose edhe më i madh, është dëmtimi forcave pushtuese. Ndoshta do të ketë ndonjë ushtarak që do të thotë nesër se forcat e UÇK-së nuk manovruan si njësi ushtarake, por më shumë si trima stoikë, të cilët me qëndresë dhe sakrificë të Tyre, vetëdijesuan e politizuan popullin në kulm. Dhe kjo ishte gjithsesi fitorja më e madhe e Tyre. Ademi e Hamzë Jashari u shndërruan në heronj epikë. Familja e tyre e sakrifikuar u shndërrua në dhimbje e krenari gjithëkombëtare. Edhe në këtë luftë të pabarabartë u pa se trimat e Prekazit nuk kishin armë të mjaftueshme, sidomos ato të sofistikuara. Duhet të bëhen hulumtime dhe hetime, përse ka qenë kjo gjendje në Prekaz dhe përgjithësisht në Drenicë, pse u detyruan ata t’i shkruajnë letër Organizatës se janë të diskriminuar në armatim. (…)

Sa i përket logjistikës, ajo ka funksionuar spontanisht, sipas kutit të aftësisë dhe të disponimit të “kompetentëve”, me zhurmë e përplasje, me stihi e me anarki, në dukje edhe me sabotime, por kryesisht si rrjedhojë e paaftësisë dhe individualizimit të problemeve. Më shumë bëhej çka kujt i tekej. Aty vepronin, të them kushtimisht, dy grupime kryesore, për të cilat i thashë disa fjalë më sipër, por po shtoj edhe disa të tjera. Këto dy grupime sikur bënin garë se kush do të bënte më shumë, por pa u koordinuar në mes tyre, e për më tepër, edhe duke qenë një garë e pabarabartë. (…) Kushdo që kishte nevojë për mjete, duhej të priste në hotel “Tirana”, ku e ka Zeka vendtakimin e përhershëm, të shihte një herë disponimin e tij, pastaj t’i drejtohej në mënyrë lutëse, sikur kishte shkuar për hallin e tij personal. Dhe vërtetë kjo formë nuk ishte funksionale. (…)

Me ushtarakët, që kishin marrë pjesë në luftimet në anën e popujve që bënin luftë për t’u çliruar nga pushtuesit serbë, të cilët ndërkohë kishin ardhur në Tiranë, mbaja kontakt të përhershëm. Për të mos thënë se më duhej të interesohesha edhe për ushqimin e strehimin e tyre. Ata u bashkuan në një grupim të fortë e funksional, duke treguar gatishmërinë për t’u inkuadruar në UÇK, sapo Shtabi i Përgjithshëm të miratonte kërkesën e tyre dhe t’i caktonte aty ku e shihte të përshtatshme ai. Kishte ndër ata ushtarakë me gradën e kolonelit, por edhe të gjeneralit të brigadës. Të gjithë ishin emra të njohur në luftimet përkatëse, ishin shquar në luftëra. Nuk kisha ngurruar t’ua shpjegoja UÇK-në, si e njihja unë, të gjithë ndjeheshin krenarë me atë që kishte bërë dhe ishte duke bërë UÇK-ja. Shpjegonin në mënyrë bindëse se, në një fazë të tillë, kroatët dhe boshnjakët kishin qenë më keq, se shumë lehtë mund të strukturohej një ushtri e mirëfilltë, që të fillonte luftën. Më vinte keq t’ju thoja se gatishmëria e tyre varej nga ata, të cilët shumë pak merrnin vesh nga lufta. (…)

Në fillim të prillit 1998 ka ardhur Smajli (Ramush Haredinaj) në Tiranë. Ai çmohej si më trimi dhe më luftaraku në fshatrat e Dukagjinit, ku veç ka shpërthyer ndeshja luftarake me sulmin frontal serb në Glloxhan, me synim që të shpartallojnë një zonë me rëndësi të UÇK-së. Për Smajlin, veç asaj që flitej, për trimërinë dhe bëmat e tij, nuk e di se çfarë pozicioni ka ai në të vërtetë në UÇK. Anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, them, nuk është, por nuk e di nëse është ose jo drejtues i Shtabit të Zonës operative të Dukagjinit. Ai qëndroi, më duket, dy ditë në Tiranë. Duke qenë i dezinformuar, lidhur me qëndrimin e ushtarakëve aty dhe lidhjet e tyre me mua, ai ka kontaktuar si vetëtimë me disa nga ushtarakët, të cilëve u ka thënë në mënyrë të prerë, se nuk kishin pse të vazhdonin të qëndronin në Tiranë dhe aty të shpenzonin të hollat e vëllaznisë. Pra, sipas tij, ata dhe të gjithë ne duhet të futeshim menjëherë në Kosovë dhe të rreshtoheshim krah forcave të armatosura. Ai, si më thanë ushtarakët dhe siç e dëgjova vetë në telefon, nuk kishte pasur kohë të bisedonte dhe të informohej nga ushtarakët, se ata, po prisnin përgjigjen e Shtabit të Përgjithshëm. Ai, gjithashtu, nuk duhet ta ketë ditur se çfarë qëndrimi mospërfillës dhe mohues po mbanin “shefat” karshi tyre.

Si duket, ai ishte keqinformuar, se ushtarakët vetëm po silleshin e po shpenzonin, prandaj, nëse e shikojmë kështu, ai me të drejtë u ishte drejtuar atyre brutalisht. Se ishte i irrituar e nervozuar Smajli nga dezinformatat e shpifjet e dikujt, e mësova po atë natë, vonë, nga biseda telefonike me të, me të cilin ndërrova ca fjalë të rrepta. Disa konkluzione:

– Pas vrasjeve të janarit 1997 dhe burgosjeve të ushtarëve dhe kuadrove të UÇK-së, analizat për to duhej t’i bënte menjëherë Shtabi Qendror dhe ai të merrte qëndrimin e qartë për ngjarjet, shkaqet dhe fajtorët, duke mbajtur qëndrimin ndëshkues, gjithsecilit sipas fajit, dhe jo këto probleme të ngrihen tani. Kjo është një provë që Shtabi, sidomos pas vrasjeve e burgosjeve, nuk ka pasur funksionalitetin e mirëfilltë.

– Sidomos pas arrestimeve Shtabi Qendror dhe gjithë UÇK-ja do të duhej të riorganizoheshin, pasi ka ekzistuar rreziku që ndonjëri nga të burgosurit, duke mos qenë në gjendje të përballoj torturat, të dekonspirojë shumë vetë e shumëçka. Përkundrazi, kam përshtypjen se Shtabi Qendror nuk i ka përfillur kërkesat e shtabeve lokale për riorganizimin e Shtabit Qendror, prandaj janë shkëputur lidhjet dhe është bërë e vështirë gjetja e lidhjeve të reja, për të siguruar ndihmat dhe bashkëpunimin.

– Shtabi Qendror, sidomos pas vrasjeve e arrestimeve, është monopolizuar nga pak veta, në një rreth të caktuar shoqëror e lokal, një pjesë e madhe e të cilëve nuk kanë qenë që gjatë kohë në Kosovë, por këtu, në emigracion, dhe prej këndej, janë munduar të drejtojnë ose të ç’drejtojnë UÇK-në.

– Kryesisht me fajin e Sektorit të rëndësisë se veçantë është shkaktuar gjendja e ngrirë, nëse jo diç më shumë, në mes të Shtabit dhe Kryesisë së Degës. Në këtë drejtim duhet të ketë ndikuar përbërja e Shtabit. Kjo ka bërë që ai të mos ketë takime me Kryesinë, pas kërkesës së saj muaj më parë, pasi shumë nga anëtarët e shtabit ishin të mërguar në Zvicër dhe kjo është dashur të mbahet e fshehtë. Kaq e fshehtë ishte sa që, në takimin me Kryesinë, në prill të këtij viti, në një rast Zeka e pyet Hashimin: “Ti çfarë roli ke në UÇK?” Ose ndoshta me këtë pyetje ka dashur edhe më tej të ruaj të fshehtat e përbërjes së shtabit.

– Shtabi nuk ka koncept aktual për gjendjen ku ndodhemi, gjegjësisht për luftën, se a duhet të vazhdohet me aksione të bëra nga grupe të vogla guerile, apo duhet të përforcohen radhët për një luftë frontale, të cilën, siç po duket, pushtuesi veç na e ka imponuar në disa zona qysh tashti.

– Shtabi ka zvarritur legalizimin e UÇK-së, si një ushtri çlirimtare popullore, në përmasa të pa dëmtueshme për të, edhe pse ka pasur propozime, të cilat nganjëherë kanë qenë edhe publike. Duhet të emërohet zëdhënësi, të futet në përdorim vula, të firmosen komunikatat, qoftë edhe me pseudonimin e Komandantit të Përgjithshëm, të ngarkohen persona të caktuar me detyra të caktuara, ato të jetësohen me vendime me shkrim. Ndoshta, edhe për shkak të kësaj zvarritje, UÇK-ja vazhdon të vlerësohet nga struktura të ndryshme, brenda e jashtë, nga masmediat, herë si grup “ilegal”, e herë, çka është më keq si grup “terrorist”. (…)

Propozoj:

• Këshilli i Përgjithshëm i Degës, përkatësisht Kryesia e re që do të zgjidhet nga ajo, duhet të shkarkojë të gjithë sektorët përkatës, atë të rëndësisë se veçantë dhe të lidhje-mbajtjeve, dhe kjo është e drejtë e saj, pasi anëtarët dhe drejtuesit e këtyre sektorëve janë emëruar po nga Kryesia.

• Shtabet lokale, në bashkëpunim me shtabin qendror, duhet të zgjedhin një shtab të ri, i cili duhet të përbëhet nga anëtarë që gjenden në Kosovë dhe në të përfshihen ushtarakë të sprovuar.

• Rrjeti i logjistikës në Shqipëri duhet të organizohet në mënyrë strukturore, kryesisht me shqiptarë vendas, ushtarakë, pasi ka mjaft nga ata, më të përgatitur se shokët tanë që po merren aktualisht me këtë detyrë, nga ana tjetër kjo do të na kushtojë më lirë dhe nuk do të biem gjithaq në sy.

• Duhet të ndërpritet zvarritja dhe nënvlerësimi i ushtarakëve shqiptarë të Kosovës e të Shqipërisë, të sprovuar e të dëshmuar, të cilët kanë shprehur gatishmërinë e tyre të sinqertë për të qenë pjesë e UÇK-së.

• Duhet të përcaktohen qartë dhe pa asnjë ekuivok raportet mes UÇK-së dhe LPK-së, nga të dyja palët, pasi jemi e njëjta gjë dhe kemi të njëjtin synim. (…) «

***

– Shkëputur nga libri: (Bedri Islami – “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin – Kapitulli IX. Dy mendime të ndryshme”, faqe 315 – 322)

_____________________

DISKUTIMI (I SHKURTUAR) I IBRAHIM KELMENDIT NË MBLEDHJEN E KËSHILLIT TË PËRGJITHSHËM (KP) TË LPK-së D.J.V, MË 12 DHJETOR 1998:

Diskutimi i Ibrahim Kelmendit në mbledhjen e KP, 12 dhjetor 1998:

»Unë do të diskutoj më gjatë, i përgatitur me shkrim, për shkak të një momenti kritik dhe për shkak të rendit të ditës, pra të një vendimi  i ndërvarur me ca dukuri të tjera, vendimit për tjetërsim të Fondit  “Vendlindja thërret”.

Është kohë e përgjegjësive dhe e vendimeve të mëdha. Dhe mirë që  ka ardhur kjo kohë. Për këtë kohë është punuar shumë, është sakrifikuar shumë. Deri tek kjo kohë nuk kemi ardhur në mënyrë drejtvizore.  Siç është e rëndomtë, nuk kemi kontribuar të gjithë njësoj, por gati të  gjithë kemi kontribuar si kemi ditur dhe sa kemi mundur. Jo të gjithë  kemi vepruar në mënyrë konstruktive, kush pse nuk ka ditur e kush  pse e ka pasur me hile. (…)

Gjithsesi, nuk kemi pse të heshtim, aq më keq, edhe ta fshehim, të paktën jo këtu, qoftë edhe për shkak të modestisë, apo për ndonjë arsye a pseudo arsye tjetër, se kontributin më të madh për të ardhur deri këtu e ka dhënë Lëvizja Popullore e Kosovës. Prandaj, pikërisht për këtë, kërkohet përgjegjësi edhe më e madhe, njëherësh edhe angazhime konstruktive, po nga anëtarët e Lëvizjes.  

Në këtë moment unë Lëvizjen nuk e mendoj të ngushtuar, vetëm të anëtarëve të tanishëm statutor. Lëvizje janë edhe organizatat e grupimet pararendëse, të viteve 50-ta, 60-ta e të viteve 70-ta. Pse mendoj kështu? Sepse, sukseset, por edhe dështimet e Organizatave dhe grupimeve pararendëse, kanë nxjerrë organizatat e grupimet pasuese, për të ardhur deri tek Lëvizja jonë. (…)

I thashë këto për të rikujtuar se Lëvizja jonë është shumë më e gjerë e shumë më e shtrirë, në kuptimin pozitiv, por herë here, edhe në kuptimin negativ, se sa ka ajo tani anëtarë të rregullt, në kuptimin statutor; por edhe të parregullt, shumë herë jo për fajin e tyre, sidomos kur është fjala për anëtarët në Kosovë. Kjo ka ndodhur si rrjedhojë e pamundësive, e paaftësive dhe e defekteve të ndryshme organizative, në përgjithësi, por edhe të strukturave të saj udhëheqëse, në veçanti, pa harruar këtu edhe luftimet nga pushtuesit, që është dashur t’i përballojmë.

Të gjitha këto Lëvizjes i kanë ndodhur për shumë arsye, por më së paku për arsye përmbajtjesore ideologjike e politike, pasi, pavarësisht mënyrës së bashkimit të organizatave e grupimeve, Lëvizja ka qenë gjithnjë dhe gjithherë e hapur, shumë e hapur, me një fjalë vetëm lëvizje kombëtare, gjithsesi demokratike, në kuptimin e mirëfilltë të fjalës. Ka pasur defekte e keqkuptime, por ato nuk kanë mundur të ndryshojnë karakterin përmbajtjesor. (…)

Dikujt edhe mund t’i duken të parëndësishme dhe të pavend këto që thashë, por unë mendoj se janë me vend, sidomos në momentet kur ka individë dhe struktura, edhe brenda Lëvizjes, që po mendojnë e po sillen, sikur Lëvizja e ka përfunduar rolin e vet, se ajo duhet t’i takojë historisë. Edhe më të ashpra janë mendimet e vlerësimet e individëve apo të strukturave pranë Lëvizjes, të cilët dhe të cilat, në një mënyrë ose në një tjetër, kanë qenë në Lëvizje, ose kanë qenë të lidhura me Lëvizjen. Të tillëve, grupit të parë e të dytë, Lëvizja dhe anëtarët e saj, tani mund t’u duken dhe t’u duhen njëanshmërisht, e shumta, vetëm si servis financiar e kadrovik.Tani do të mundohem të konkretizohem për çështjen që është thirrur mbledhja. Shkresën që po shqyrtojmë sot, e shqyrtuam paraprakisht në mbledhjen e Kryesisë. Vetëm se shkëmbyen mendime, përplot shqetësime nervoze, do të thosha, së paku nga ana ime. Vendim nuk morëm, pasi letra, që i ngjan më shumë një urdhri, i ishte drejtuar njëherësh Kryesisë dhe Këshillit të

Përgjithshëm.E kam thënë atëherë, po e them edhe tani, një vendim të tillë, kështu si është marrë, në formë e në përmbajtje, nuk e miratoj. Fillimisht arsyetimi sa i përket anës formale. Me cilën të drejtë, Shtabi i Përgjithshëm i UÇK-së, i një subjekti ushtarak, të them në këtë rast, krejt sovran, merr vendim të kësaj përmbajtje ndaj një Fondacioni që e ka themeluar një subjekt tjetër, gjithashtu krejt i mëvetësishëm – Lëvizja Popullore e Kosovës? Ta zëmë se këto relacione janë kështu. Atëherë kjo do të ndodhte vetëm po qe se Shtabi i Përgjithshëm do të kishte shpallur pushtetin ushtarak. Thënë të drejtën, aktualisht edhe unë, do të kisha dëshiruar që UÇK-ja të ishte në gjendje ta bënte këtë, po të mos e bënte pa i provuar të gjitha mundësitë politike e civile.

Protagonistët e letrës dhe të vendimit ende të pakomunikuar, argumentojnë se Fondi “Vendlindja thërret” është fond i UÇK-së, prandaj vetëm Shtabi i Përgjithshëm, pas të cilët fshihen këta protagonistë, ka të drejtën sovrane të vendosë për të. Atyre nuk u intereson se kush, kur e për çka e ka themeluar dhe se vetë ata, në ato përgjegjësi, janë dërguar nga Lëvizja ose janë vetemëruar si të Lëvizjes. Në mbledhjen e Kryesisë, nga Bardhyli u informuam se drejtor i Drejtorisë Financiare të UÇK-së është “emëruar” Azem Syla, anëtar i këtij organi. Për ata që mund të kenë harruar, këtij Organi i thonë Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Popullore të Kosovës. Edhe protagonistët që e kanë iniciuar këtë vendim, për të mos thënë se e kanë marrë në mënyrë vetjake, janë gjithashtu anëtarë të Lëvizjes Popullore të Kosovës, e ndonjëri edhe anëtar i këtij organi.

Ky emër, i Azem Sylës, më ka provokuar emocionet e shqetësimet në mbledhjen e Kryesisë, por jo në ato përmasa që m’i provokoi vetë vendimi apo letra. E them këtë, për të mos kujtuar e menduar ndokush se janë në pyetje vetëm inatet personale, dhe jo përmbajtja e letrës, gjegjësisht vendimi. Sa për dëshmi, po sjell një sqarim të përmbledhur. Tre apo katër ditë para se të merrnim me shkrim këtë letër apo vendim, gojarisht e pata marrë vesh nga Bardhyli, në Tiranë, në praninë edhe të Ramiz Lladrovcit, Bilall Sherifit dhe Halil Selimit, se një vendim i tillë do të merrej. Ishte një takim i shkurtër, ku mendohej të jepej incizimi i pjesës përkatëse të mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm, pasi përmbajtja e vendimit me shkrim, hartuar nga Kryetari, Bedri Islami, ishte polemizuar, jo se nuk ishte i saktë, por sepse ishte halli diku tjetër. Ai polemizim ishte rrjedhojë e njerëzve të zgjedhur, të padëshirueshëm për Azem Sylën. Sikur Këshilli i Përgjithshëm të kishte pyetur përpara Azem Sylën se, cilin e preferon ai në atë detyrë dhe të zgjidhej sipas preferencës së tij, atëherë nuk do të na kishin ndodhur, as mosaprovimi i të zgjedhurve, as spekulimet rreth atij vendimi me shkrim, dhe as marrja e një vendimi tjetër, që mendohet të na imponohet. (…)

As që më shkonte ndër mend se Azem Syla mund të ishte ose do të mund të bëhej drejtor i Drejtorisë Financiare, pasi e dija se ai ishte drejtor i Drejtorisë së Logjistikës. Nuk është e tepërt të shtrohet pyetja: Përse na janë krijuar këto raporte ndërnjerëzore? Paksa e ngatërruar për t’u përgjigjur. Gjithsesi nuk janë fërkime të natyrës personale.Tashmë është bërë e qartë se unë kundërshtoj dhe kontestoj kryesisht veprimtarinë dhe sjelljet e katër personave. Këta janë Xhavit Haliti “Zeka”, Azem Syla, “Daja i vogël”, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli, që të gjithë anëtarë të Lëvizjes. Dy të parët, Xhaviti dhe Azemi, janë anëtarë të këtij Këshilli të Përgjithshëm, kurse dy të tjerët, Hashimi e Kadriu, thonë se janë anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, në Kosovë, por që ende nuk e kanë dëshmuar me ndonjë provë konkrete. Kjo katërshe, fatkeqësisht, i është imponuar ushtrisë Çlirimtare të Kosovës si “drejtuese” e “ komanduese” autokratike, si “Shtab i Përgjithshëm” i saj. Tani, kjo katërshe, po ndjehet e penguar në formën e drejtimit e të komandimit nga ana e Lëvizjes, gjegjësisht organeve të saj drejtuese, Këshillit të Përgjithshëm dhe Kryesisë së saj. Meqenëse iu dështuan spekulimet për të zgjedhur në organet drejtuese të preferuarit e tyre, ata duan që Lëvizjen ta shndërrojnë në një servis financiar e kadrovik, ose ta mënjanojnë fare. (…)

Mirë do të ishte sikur këto vlerësime e parashikime të miat të mos ishin të vërteta. Fatmirësisht, kam të drejtë të mendoj, bile edhe të them atë që mendoj. Ky është shqetësimi im kryesor, prandaj nuk dua ta pranoj, as formën dhe as përmbajtjen e këtij vendimi. E di se Lëvizja Popullore e Kosovës e ka themeluar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës, pavarësisht se po bëhen përpjekje për ta mjegulluar mënyrën, datën e vendin e themelimit. Mendoj se kjo po ndodh më shumë si rrjedhojë, se kujt, cilit individ, duhet t’i takojë të zërë vendin në histori si themelues i UÇK-së. Mua, nuk do të më prishte fare punë që të ishin dhe të thuhej se kjo katërshe e ka themeluar, pasi edhe kjo katërshe ishin dhe janë anëtarë të Lëvizjes. Me rëndësi është se dihet se kush e ka themeluar.

Gjithashtu e di se, të paktën Xhaviti, Azemi, Abazi, tashmë i mënjanuar dhe Jashari, tashmë i anashkaluar, janë emëruar anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm nga Lëvizja, gjegjësisht nga ky Organ i saj, duke e fshehur emrin për shkaqe sigurie si Sektor i Rëndësisë së veçantë. (…)

Shqetësimi duhet të ketë qenë, ta zëmë, kërkesa e heroit Fehmi Lladrovci (Lavdi pastë!), për t’i dërguar ndihmë financiare disa “djemve të Drenicës”, qysh në vitin 1994. Ai, në kryesinë e KP të Nëndegës së Gjermanisë, kërkoi një ndihmë modeste prej 1.000./DM për ta. Jo më shumë. E arsyetoi kërkesën e tij se, “djemtë në Drenicë”, nuk po ndihmoheshin nga asnjë fond i yni dhe se e kishin gjendjen shumë të rëndë. Më vonë mësova se ata, “djemtë e Drenicës”, ishin Heroi Adem Jashari me shokë. Për këtë mund të konsultohet procesverbali i atëhershëm. Kërkesa u miratua. Nuk e di se cilit nga anëtarët “e katërshes” nuk i ka pëlqyer ai vendim. Fehmiu, herë pas here, është ankuar edhe në mbledhjet e KP, dhe tek anëtarët e Kryesisë. Nuk ka gjetur mirëkuptim. (…)

E kam thënë edhe në një rast tjetër, por kur gjërat për arsye të ndryshme nuk kuptohen, duhet të përsëriten: Në mars ose në prillin e vitit të kaluar, Kryesia e atëhershme e KP, më thirri të jepja llogari për dërgimin e të hollave disa njësiteve të UÇK-së, në disa rrethe të saj. U akuzova për decentralizim. Kjo akuzë u fshi, meqë në pyetjen time, a janë fajtorë ata që po i kërkojnë, a janë fajtorë ata të Shtabit të Përgjithshëm që nuk po u dërgojnë, apo ne (unë dhe shokët e tjerë) që po ua plotësojmë kërkesat. Xhaviti (Zeka) pranoi se ishin shkëputur lidhjet, por ndërkohë ishin vendosur përsëri. Prandaj, unë duhej të ndërprisja dërgimin. Pranova, por me një kusht, që nga brenda të mos na kërkonin më. Nëse nuk do të na kërkonin, kjo do të thoshte se ishin rregulluar vërtet lidhjet dhe një provë se kishte filluar financimi i centralizuar në mënyrë të rregullt. Zotimi i Xhavitit nuk doli i vërtetë. Ndërkohë shtabi i Llapit dërgoi vendimin me shkrim, se duhej t’i dërgoheshin 4 mijë DM në muaj. Pra, shtrohej pyetja për ndihmesën e UÇK-së në Llap, në Prishtinë, në Dukagjin dhe në një hapësirë të caktuar të Drenicës, dhe këto, ishin thuajse të gjitha radhët e atëhershme të UÇK-së. Kjo mënyrë vazhdoi deri në mars të këtij viti, kur ndodhi Epopeja e Prekazit. Nuk do të ishte pavend pyetja: cilit shtab rajonal, ose më thjeshtë, cilave njësi të UÇK-së në rrethe, iu kanë dërguar furnizim në logjistikë ose në të holla, kjo katërshe, që në fakt ishte vetë Shtabi i Përgjithshëm? Të këtij planeti jemi edhe ne, prandaj nuk duhet spekuluar me ndonjë dezinformatë, ta zëmë se, janë furnizuar e ndihmuar radhë të tjera të UÇK-së, jashtë zonave që përmenda, atje ku nuk kishte, pasi as aksione nuk ndodhnin. Ndodhi Epopeja e Prekazit! Shpërtheu populli i Drenicës dhe i Dukagjinit, u shkund nga shpërfytyrimi rugovian. Gufoi vetorganizimi i hovshëm i UÇK-së, me karakteristikat e theksuara të kryengritjes popullore, por, fillimisht, e përkufizuar në ato rrethina ku kishte pasur më parë struktura e aksione të UÇK-së.  

Ato ngjarje më gjetën në Tiranë. Andej pari i shihja anëtarët e katërshes, sidomos Xhavitin dhe Azemin, ndonjëherë edhe Hashimin e Kadriun. Nuk kishe se si të bindeshe për funksionalitetin e Shtabit të Përgjithshëm, sidomos në terren. Edhe në Shqipëri, hutim e kaos tek ushtarët e UÇK-së. Erdhi në Tiranë Kryesia e atëhershme e KP, për të marrë në dorë drejtimin e situatës. Improvizuan një si shtab. Por shumë shpejt degradoi, pasi Xhaviti dhe Azemi as që donin t’ia dinin se ishin edhe anëtarë të asaj Kryesie, e cila kishte kohë që e kishte humbur funksionalitetin, e cila, në fakt, i kishte emëruar të dy ata, në këtë detyrë, si anëtarë të Sektorit të rëndësisë se veçantë, rrjedhimisht të Shtabit, bile Xhavitin si Kryesues të Sektorit. Kaos organizativ në Kosovë, kaos në Shqipëri, kaos në emigracion. Katërshja, d.m.th. bërthama e Shtabit të Përgjithshëm, as nuk ishte në gjendje të komandonte, ose, të paktën të drejtonte, apo të kërkonte ndihmë. Ajo ishte zënë e befasuar dhe, njësoj si Kryesia, po improvizonin shtab të përgjithshëm. (…) 

Të dëgjosh se Heroit Fehmi Lladrovci, që kur ka hyrë në Kosovë, në mars, e deri kur ka rënë heroikisht, në shtator, nga mekanizmat e shtabit i janë dhënë vetëm një mijë DM, e përsëris, një mijë DM, për shpenzimet e të gjithë njësisë që komandonte, siç u mor vesh, Brigada 114, është më tepër se skandaloze, për të mos thënë siç e ndjej, se është armiqësore. Të dëgjosh të ankohet njëri ndër komandantët e Shalës, Mensur Kasumi, se që kur është zgjedhur komandant, nuk i ka shkuar asnjë urdhër, asnjë udhëzim, asnjë ndihmë financiare, kjo nuk ka se si të mos shqetësojë. Gjithandej ankohen, kërkojnë armë, municion, kërkojnë të holla për nevoja elementare, teknikë komunikacioni, rroba. Përse ndodh kjo? Sepse ata nuk kanë lidhje me Shtabin e Përgjithshëm, me katërshen, dhe, as Shtabi i Përgjithshëm dhe as katërshja, nuk mban lidhje me ata.

Me ndihmën që dha Kryesia e tanishme, u bë bashkimi i “pikave” furnizuese. Ata u vunë nën komandën e Drejtorisë së Logjistikës, drejtor i së cilës u “emërua” Azemi. Vërtet duhej emëruar ai njeri, i cili kishte kontribuar më së shumti në përçarje e ndasi?

Unë vazhdoj të dyshoj në funksionimin e mirëfilltë dhe me përbërjen e kompletuar të Shtabit të Përgjithshëm. Bile, as bërthama e këtij shtabi, katërshja, nuk e ka funksionalitetin, siç mund të mendohet. Kjo shihet nga vendqëndrimi i tyre, nga përmbajtja e komunikatave dhe e deklaratave politike. Ta zëmë, Xhaviti nuk shkon asnjëherë në Kosovë, Azemi bëhet sikur shkon, ose shkon shumë rrallë, Hashimi e Kadriu shkojnë më shpesh, por edhe atje lëvizin ndaras, për të kryer detyrat e terrenit. Të gjithë merren me gjëra që nuk i takojnë të merren anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm. Përmasat që ka marrë UÇK-ja kërkojnë një Shtab të Përgjithshëm që komandon UÇK-në në mënyrë kabinetike, ashtu siç vetëkuptohet Shtabi i Përgjithshëm. Dhe ai Shtab duhej të ishte sa më pranë fronteve, por në vend të sigurt. Pra, kur dimë se pjesëtarë të katërshes gjenden në Kosovë, në Shqipëri dhe herë here edhe në Evropë, nuk ke ku e gjen kohën, qoftë edhe për mbledhje të rralla të Shtabit. (…)

Unë vazhdoj të dyshoj tek përdorimi i mirë i mjeteve që u janë dorëzuar atyre. Me të hollat që i kemi dorëzuar “shtabit” të “pikës” logjistike furnizuese në Hoxhaj të Tropojës, janë blerë në Shqipëri, thuajse tri herë më shumë armë se sa ka blerë ky grup, bashkë me “pikat” që ka ngritur e komandon Azemi. Me mjetet financiare që kemi dërguar në Bosnje e Kroaci janë blerë thuajse të gjitha armët e sofistikuara që në Kosovë kanë hyrë nga jashtë. Me mjetet që kemi dhënë për uniforma, mjetet elektronike, emblema, etj., kapin tre të katërtat e volumit të përgjithshëm të logjistikës që ka mundur të blejë ky grup i katërshes, së bashku me shokët e Këshillit Qendror të Fondit në Zvicër.

Më kuptoni, me këtë katërshe kam pasur raporte të mira shoqërore, i respektoja dhe i admiroja paksa më theksueshëm se të tjerët, edhe më donin e më respektonin. Nuk kam pasur asnjë arsye private të krijoj këtë mendim kritikues kundrejt tyre. (…)

Është e kuptueshme, më shumë i dua Kosovën, UÇK-në dhe LPK-në, se sa të katërtit bashkë e cilindo qoftë tjetër. Unë mendoj se veprimtaria e tyre, sjelljet e tyre, e kanë dëmtuar dhe po e dëmtojnë UÇK-në, gjithsesi edhe LPK-në. Prandaj do t’i lusja si vëllezër, që të reflektojnë. (…)

Edhe dy arsye, pse nuk do ta pranoja një vendim të tillë, të njëanshëm: E para, sepse nuk besoj se Azem Syla do të shpërndante financat drejtësisht, sipas nevojave ushtarake. Për këtë, besoj se solla argumente të mjaftueshëm, për ata që duan të marrin vesh. Në këtë gjendje, atij nuk do duhej t’i besohej as kuleta familjare. E dyta; një komunikim publik i Vendimit, si është paralajmëruar, do të sjellë ndalimin e fondit “Vendlindja thërret”. Ndokujt mbase mund t’i jetë mbushur mendja se shtetet ku grumbullohen ndihmat në Fond, nuk mund ta ndalojnë aq rreptësisht veprimtarinë e tij. Mashtrohen. (…)

Mund që keqkuptohem si sektar, si fanatik i Lëvizjes, se jam kundër përfshirjes së subjekteve të tjera në Këshillin Qendror të Fondit, se jam që UÇK-ja të jetë monopol i Lëvizjes, nëse mund të shprehem kështu. Përkundrazi, jo pak herë e kam theksuar se, do të duhet të gjejmë personalitete të subjekteve të tjera, t’i bëjmë anëtarë të Fondit, t’i vendosim në drejtim ku e meritojnë. Për bazë ne kemi një kriter të vetëm, përcaktimin patriotik, pranimin e UÇK-së si Ushtri e vetme e Kosovës. (…)«

***

Shkëputur nga libri: (Bedri Islami – “Lëvizja – Lindje e përgjakur” – Bashkëbisedim me Ibrahim Kelmendin – Kapitulli IX. Dy mendime të ndryshme” f. 323 – 331

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura