PËRLESHJA ME NATYRËN

PËRLESHJA ME NATYRËN

(Mbi dramën e murtajës së bardhë)

Nga Rexhp Kasumaj, Berlin 24 korrik 2021

1.

Nataliteti i shqiptarëve ndër vite ishte përherë një makth kujdestar i maltusëve armiqë.

Ëndërronin e, më vonë, projektonin netëve pa gjumë vdekjen arbnore: si vrasje, dëbim biblik dhe, poaq, si mortalitet i thjeshtë natyral.

Akoma sot serbët, vetë presidenti i tyre, fjala vjen, gati në çdo temë për shqiptarët bëjnë matematikë demografie. Sa janë, sa po shtohen, në ç’thellësira territoresh do ekspandojnë nesër, e të tjera.

2.

Nuk e dija (ndjehem keq për këtë) dhe nga Morea mësova se Isa Boletini paskësh pasur 14 fëmijë: 9 djem e 5 vajza!

Veprën e tij atdhetare e njohin të gjithë. Shqiptarë e kanceleri Europe, poashtu. Por dhe ky element jetëshkrimor përplotëson figurën komplekse të tij. Familjare dhe politike, aq të heshtur ndër vite…

Më erdhi në kujtesë, i ruajtur si xhevahir i rrallë, një shkrim i këtejshëm gjerman që kishte dedikim e përmasë tjetër. Ndërkaq, sado larg, sërish përlidhet fijesh të pakëputshme me shqiptarë.

Shkronjësin e tij (me gjenealogji armene, D.V.,) e gërryente breja për Europën. Për atë Europë ku ne mungojmë. Por dhe nëse mungojmë institucionalisht, frymëjeta e saj troket e, tashmë, ka shkelur pragun e shtëpisë sonë.

Autori shkruan se natyrës nuk i intereson shkollimi elitar, të drejtat, barazia, mirëqenia, dashuria e lirë, komoditeti a kultura libertare. Asaj, të bekuarës, i intereson vetëm riprodhimi njerëzor.

Meqë murtaja e bardhë bën plojë në perëndim, aherë njeriu i kësaj hemisfere tash sa kohë gjendet në konflikt me natyrën. Dhe ajo, e mbifuqishme siç është, godet. Goditja e saj është e rëndë. E pamëshirë. Vdekjeprurëse.

Ndaj, shton ai, ne ngadalë do shuhemi dhe barbarët që po vijnë mizërisht, do fitojnë. Si gjithmonë. Arrijnë të kompensojnë këtë nivel të lartëorganizuar jetese me energjinë furishme sociale. Dhe, ashtu, shpartallojnë ekzistencën tonë sterile.

Derisa edhe ata, një ditë, të qytetërohen e të jetojnë ligjshmërisht ciklin tonë: lulëzimin, konfliktin me natyrën dhe shuarjen…

(Midisshkrim…)

Nuk e di të jetë në harmoni etike me shkrimin ndërmjetëza simbolike dhe, pra, një humor i rrallë popullor.

Sërish vemi në Mitrovicë. Atje diku, pranë Boletinit të Isës.

Një natë, si çdo natë tjetër. Nga kulla hijerëndë vjen burri në dhomën e fjetjes. Por, ndryshe nga herë të tjera, ishte plot deshirim për gruan. I vrullshëm si kurrë më parë.

Më pas i rrëfen së kish dëgjuar në lajmet e mbrëmjes Ali Shukriun, (funksionar i lartë e i hershëm proserb) tek fliste se si shqiptarët po shtohen shumë. E kjo, sipas tij, qenkësh arsyeja kryesore e prapambetjes dhe varfërisë.

Kaluan ca net e burri nuk vinte më ashtu zjarrshëm në dhomë. Gruaja heshti një kohë në pritje po, një natë, kur erdhi, i tha: a mos foli gjë Ali Shukria sonte?!

3.

Tani Ali Shukritë, këta rojtarë të deshpëruar të kolonëve serbë në Kosovë, kanë vdekur. Ishin, së paku, referencë idhnakërie për të qenë, spontanisht, në sinkron me natyrën.

Përse Shqipëria ka gjithherë tre milionë?, pyet trishtëm Kadare. Vitet ikin. Gjithçka lëvizë e ndryshon. Por, prapë, çdo relacion jep po atë numër të ndalur si zemrekë të një ore të prishur.

Megjithatë, ndryshe nga Europa e prosperuar dhe, njëkohësisht, e sfilitur nga civilizimi i vet, shqiptarët nuk gjenden ende në lundrën e saj.

Pa qenë njohës i fushës për të zhbiruar më thellë, marr kurajon të pyes: nëse, prandaj, nuk rrojnë vezullinë ekonomike, kulturore e sociale, aherë përse kjo tendencë e mortit vullnetar? E, rrjedhimisht, e ndeshjes humbëtare me natyrën?

Snobizëm kolektiv, trok pas trillesh të liga të saj, apo çka?

“Europë pas ca ëndjesh tua kurrë s’u ropa”, shkruan poeti Shkreli.

Ndryshe, trualli shqiptar hyn si oborr i përbashkët mes Europës e Azisë, lindjes së afërme të saj. I tillë, ai do të asimilojë dhe mendësi racionale të së parës dhe shpirtësi lirake të së dytës…

Prandaj, prapë e sërish: përse?

Në fakt, mirë që ndjekin prurjet e demokracisë perëndimore. Janë jetike për shtetin dhe liritë e njeriut. Por, gjithaq mirë do ishte refuzimi i tyre në pako: diferencimi në të bardhat dhe të errëtat e saj është udha e admiruar. Veçse, sigurisht, pa tretur margjinash të kohës dhe historisë…

Mirëpo ky luks, me gjasë, është i pamundur. Ndaj, druaj se disfata e përleshjes me natyrën i pret dhe shqiptarët.

Uroj të ndodh mrekullia. Kur bëhet fjalë për qiellin, një besim përvidhet lehtë n’për rétë e vrugëta!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura