HILË LUSHAKU: TË RËNËT DHE MINISTRAT E BRENDSHËM NË ‘100 VJET SHTET SHQIPTAR’

(Tiranë, 23. 02. 2013) – Në mbledhjen e pestë të tij, Kuvendi i Vlorës, më 4 dhjetor 1912, zgjodhi Qeverinë Kombëtare (e thirrur fillimisht “e Hëpërhëshme”, pastaj “e Përtashme” dhe më vonë “e Përkohshme”), me dhjetë poste, të përbërë përkatësisht nga: kryeministër dhe ministër i Punëve të Jashtme-Ismail Qemal bej Vlora; zëvendëskryeministër-dom Nikollë Kaçorri; ministër i Brendshëm-Mufid bej Libohova, ministër i Drejtësisë-Dr. Petro Poga; ministër i Bujqësisë-Pandeli Cale; ministër i Financave-Abdi bej Toptani; ministër i Arsimit-Dr. Luigj Gurakuqi; ministër i Luftës-Gjeneral Mehmet Pashë Dëralla; ministër i Punëve Botore-Mit’hat bej Frashëri; ministër i Postëtelegrafës-Elefter (Lef) Nosi.
Rasti e donte që qeveria shqiptare aktuale të kishte pakësuar ndopak “vara
kun” e atmosferës festive dhe të kishte zbutur zhurmën e “tam-tamëve” shurdhuese të kremtimit të 100 vjetorit të shpalljes së pavarësisë e të kishte lodhur pak më shumë “kalemxhijtë” në shërbim të partisë shtet për të na “dhuruar” një bilanc të këtij rrugëtimi “suksesesh madhështore shqiptare, të pakrahasueshme me vendet e tjera”, të fshinte nga fjalori bajat i politikanëve shterpë sloganet “për herë të parë”, “më madhështorja”, “mrekullia vetë” apo shfaqjet teatrale mjerane të ndonjë qeveritari të ngjashëm me personazhin “guemplenian” të Viktor Hygoit.
Rasti ishte për ndonjë simpozium apo për ndonjë sesion shkencor, për ndonjë aktivitet qoftë edhe përkujtimor në çdo dikaster apo institucion të pavarur të administratës shtetërore, për të mbyllur e prezantuar bilancin e këtyre 100 viteve “suksesesh të arritura vetëm nga ne, shqiptarët”. Një shembull të tillë duket se e bëri të mundur, disi, intelektuali Lisjen Bashkurti, që doli në një emision televiziv dhe foli disa fjalë për diplomacinë shqiptare në këto 100 vjet shtet i pavarur. Rasti ishte për të dhënë e bërë më shumë për ata që skuqen Flamurin Kombëtar, madje që në ditët e para të shpalljes së Shqipërisë shtet i pavarur, atje në Qafë të Llogarasë, ku ranë të parët, dëshmorët që u është thyer pllaka përkujtimore nga antishqiptarët, mbase shqiptarë të ç’kombëtarizuar ose ç’kombëtarizues, nga shërbëtorët e të huajve ose edhe nga vetë të huajt, ata, shovinistët, që pretendojnë, sikurse më 1912, se ato territore janë greke.

Kudo u valëvit flamuri i kuq si gjaku, edhe ballkonet e makinat, edhe qafat e gjokset e fëmijëve u mbuluan me flamurin e kuq me shqipen dykrenore. Në Durrës u mbajt një flamur mbi tre mijë metra i gjatë, por nuk u fol një fjalë për të rënët e parë të shtetit të pavarur shqiptar, aty në Durrës, sikurse ishin delegati e firmëtari i shpalljes së pavarësisë Ajdin Draga, penëarti i çështjes kombëtare Haki Glina, atdhetarët vlonjatë Ceno Sharra e Xhezo Hanëmi, koloneli holandez Thompson, etj.
Ai gjak, ngjyrë e Flamurit Kombëtar, u derdh pra për flamurin, për pavarësinë, për kombin, për emrin shqiptar, për dinjitetin kombëtar, për të ardhmen e Shqipërisë.
Ai gjak nuk u derdh në një ditë, por për çdo ditë në këto 100 vjet, nuk u derdh për politikanët, por për pavarësinë, për lirinë, për begatinë, për integritetin territorial e sovranitetin kombëtar shqiptar.
Fatkeqësi e madhe për Shqipërinë e shqiptarët, kur politikanë e pushtetarë, harrojnë këtë gjak, nuk bëjnë një bilanc të të rënëve në këto 100 vjet, pavarësisht regjimeve e politikave që sunduan këtë popull të urtë e të duruar, por edhe në festën e ditëlindjes, në ditën e 100 vjetorit të lavdishëm, shahen, thumbohen, pështyhen e jargashen për të fituar kredo politike.
Në vitet e rrupallhanës e rrokullisjes së Shqipërisë drejt greminës, ku e çoi politika, prindi i një polici të rënë në detyrë i shkoi kryeministrit të vendit: “Para se të uleni në karrigen e kryeministrit shikoni me kujdes se në këmbët e saj, ku ju qëndroni ulur janë edhe pikat e gjakut të tim biri, rënë në detyrë, në Urën Vajgurore, në mbrojtje të rendit”.
Në këtë shkrim nuk mund të marr përsipër të shkruaj për këtë heroikë shqiptare, mbuluar me lavdi, ndonëse arkivat i kanë të gjitha të dhënat, por dua të evidentoj se indiferenca, turrja pas “lavdisë së të gjallëve” apo servilizmi, mbase edhe nënvleftësimi apo mungesa e dhimbjes njerëzore për jetët e të rënëve, mbase trysnia e politikës në ndarjet klasore e etiketimet e paekuilibruara të mendjes njerëzore, vlerësimet abuzive apo shpërfilljet për fatin e keq të atyre që u flijuan, kanë çuar në këtë harresë përshpirtjeje e nderimi të merituar.
Të rënë të detyrës, të rënë për atdheun, të rënë nga radhët e xhandarmërisë apo të policisë, të vrarë në shërbim të republikës, të monarkisë apo në luftën antifashiste, të vrarë në kufi apo në mbrojtje të rendit, ata që humbën jetën, që u sakrifikuan, që ikën nga kjo jetë, duke lënë në zi prindër, bashkëshortë, vëllezër e motra dhe fëmijë jetimë, meritojnë nderim, meritojnë një varr, një gur apo lapidar përkujtimor për nderim e përshpirtje.
Të gjithë ata që derdhen gjakun, qofshin rrogëtarë, qofshin vullnetarë, qofshin të rekrutuar apo të punësuar, që rezultojnë të regjistruar në evidenca të strukturave të sigurisë kombëtare dhe asaj të rendit publik, kanë vepruar në emër të ligjeve të shtetit, kanë qenë në shërbim të shtetit, për jetesë ose për atdhetari në këto 100 vjet Shqipëri e lirë, e pavarur, sovrane e krenare si gjithë kombet e tjerë.
Ligjet nuk i bëjnë shërbëtorët (zyrtarët) e sigurisë, ata i zbatojnë, ndaj nuk mund dhe nuk duhet të paragjykohen se dhanë jetën në emër të Flamurit Kombëtar (qoftë ky me stemën e Skënderbeut apo yllin me pesë cepa), apo të interesave të çështjes kombëtare, qoftë kjo në mbrojtje të territorit apo të rendit, sigurisë publike dhe pronës, ruajtjen e institucioneve e garantimin e jetës së qytetarëve që paguajnë dhe kërkojnë shtet me veprimtari normale. Ata meritojnë respekt njerëzor, nderim qytetar, shpërblim për gjakun që derdhen, kurse nëse diskutohet regjimi, sistemi politik apo ligjet që lidhen me rendin kushtetues e atë publik, kjo le të shtrohet si çështje e diskutimeve për vlerësimet e politikës, por jo të harrohen nga memoria e kombit të rënët që shkruan heroikën shqiptare, që lartësuan lavdinë kombëtare, që u sakrifikuan për ditët që po mburremi.
Në një bilanc që i kam bërë fatit të 68 ministrave të Brendshëm të shtetit shqiptar në këto 100 vjet (jo të rënëve për këtë shtet), rezulton një situatë e trishtë, ndonëse 16 prej tyre kanë qenë kryeministra të Shqipërisë, një kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor dhe një aktualisht është president në detyrë. Fati i keq i gjashtë ministrave solli hetimin, gjykimin e dënimin e tyre me pushkatim, sikurse kanë qenë Fejzi Alizoti, Zef Kadarja, Maliq Bushati, Koçi Xoxe, Kadri Hazbiu e Feçor Shehu; gjashtë ish-ministra të Brendshëm janë plagosur në luftime apo me atentate; katër të tjerë janë vrarë me atentate, dhe konkretisht: Esad Toptani, Hasan Prishtina, Luigj Gurakuqi, Hysen (Ceno) bej Kryeziu; tre të tjerë janë vrarë në luftime, e konkretisht Xhafer Ypi (në luftën italo-greke), Et’hem Toto (me fuqinë ushtarake të monarkisë zogiste) dhe Mark Gjon Markaj (me forcat e ndjekjes së regjimit komunist); një rezulton i vdekur i helmuar (Ismail Qemali) dhe një i vetëvrarë (Mehmet Shehu); njëzet ish-ministra të Brendshëm rezultojnë të arrestuar, hetuar, gjykuar e burgosur; tetëmbëdhjetë të tjerë janë të akuzuar, disa edhe të kërkuar, madje shpallur edhe “armiq të përjetshëm të Shqipërisë), por që nuk janë arrestuar e dënuar, mbasi u larguan nga Shqipëria, dhe disa të tjerë u falen me vonë ose çështjet e tyre mbeten në sirtarë pa një vendim gjykate; njëzet e gjashtë ministra kanë emigruar në kohë të ndryshme duke qëndruar me vite jashtë tokës amtare; njërit prej tyre nuk i dihet as fati i mëtejshëm dhe as varri ku prehet; katërmbëdhjetë kanë vdekur jashtë Shqipërisë dhe u janë kthyer eshtrat e rivarrosur në atdhe vetëm pesë vetëve prej tyre, përkatësisht: Hasan Prishtinës, Ahmet Zogut, Luigj Gurakuqit, Ceno Kryeziut e Mustafa Krujës. Shifrat flasin vetëm për krerët e institucionit të cilësuar misterioz, i cili jo pak herë ka tjerrur fatin e shumë njerëzve

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Unë pajtohem me këto kushte.

Postime të Lidhura