HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (35)
Nga Sabit Alidema, Pashtriku – 30 Korrik 2021
Programi i punës
Për Sektorin e punëve të bashkëpunimit me Degë të Partisë së Unitetit Kombëtar
Kryesia e UNIKOMB-it, me rastin e hartimit të planit të punës, në bledhjën e mbajtur më 5.05.1996, angazhoi Mr. Tefik Gecin dhe z.Azem Hysenin, që ta udhëheqin Sektorin për Koordinimin e Punëve me Degë. Kuptohet mirëfilli rëndësia e koordinimit të punëve ndërmjet Qendrës së UNIKOMB-it, pra Kryesisë, Këshillit të Përgjithshëm, Kryetarit dhe të dy nënkryetarëve, në njërën anë me Degët, në anën tjetër, qëllimi i së cilës është funksionimi partiak sipas Statutit dhe realizimi konsekuent i Programit të Partisë së Unitetit Kombëtar.
Veprimtaria e Koordinimit të Punës bëhet konform Statutit të Partisë, pra Kryesisë/ nenet: 28-32/, Kryetarit dhe nënkryetarëve / nenet: 18-19/, Këshilli i Përgjithshëm /nenet: 22-27 edhe Degët /nenet: 33-38/. Sipas nenit 34 të Statutit: UNIKOMB-i me Degët dhe Nëndegët e veta shtrihet në të gjitha trojet etnike shqiptare dhe në diasporë. Nëndegët themelohen në ato mjedise – rajon ku ka më së paku 11 anëtarë Degët themelohen në nivel të qendrave komunale dhe që përbëjnë disa nëndegë.
Shtrirja e Degëve të UNIKOMB-it në Kosovë
Sipas gjendjes reale në Kosovë janë të mbuluara me Degë të UNIKOMB-it këto Qendra Komunale:
1.Prishtina me këto Degë:
a/ Kodra e Trimave (Gani Krasniqi, kryetar. Për aktivizim angazhohen: Tefik Geci, Avdi Limani e Nuhi Bunjaku.
b/ Ulpiana e Kodra e Diellit, Fadil Kryeziu kryetar. Për aktivizim angazhohen: Nuhi Bunjaku, Avdi Limani e Tefik Geci.
c/ Dardania e Lakërishta, Limon Jashari, kryetar. Për aktivizim angazhohen: Avdi Gjata, Abdyl Berisha dhe Tefik Geci.
d/ Qendra e Qytetit, Bahri Simnica, Selim Rexhepi e Skënder Ismajli. Për angazhim: A. Limani, N.Bunjaku, A.Gjata e T.Geci.
e/ Obiliqi – Degë e pestë, Ilmi Paloja, Ragip Sallova, Riza Jashari.
f/ Ajvalia, Mramor, Degë e gjashtë, Hasan Vitia, Xhevrije Tmava, Avdi Gjata e Tefik Geci.
g/ Fushë-Kosovë, Degë që duhet formohet me angazhimin e Zekë Rrecajt, Daut Bogujevcit e Tefik Gecit.
2. Dega e Podujevës, kryetr Jusuf Ejupi me nëndegë.
3. Dega e Gjilanit, kryetar Dalip Dalipi me nëndegë.
4. Dega e Lipjanit, kryetar Naim Ymeri me nëndegë
5. Dega e Vushtrrisë, kryetar Prof. Ramadan Uka me nëndegë.
6. Dega e Mitrovicës, kryetar Istref Istrefi me nëndegë.
7. Dega e Skënderajt, kryetar Nasuf Shabani me nëndegë.
8. Dega e Ferizajt, kryetar Nuhi Hyseni me nëndegë.
9. Dega e Suharekës, kryetar Ukë Thaçi me nëndegë.
10. Dega e Pejës, kryetar Beqë Kajtazi, kërkohet riorganizimi.
11. Dega e Drenasit, kryetar prof. Halil Kuliqi me nëndegë.
Në të gjitha qendrat tjera komunale në Kosovë duhet të formohen sa më parë këshillat iniciatore për organizimin e kuvendeve themelues të degëve të UNIKOMB-it. Degët duhet të formohen në këto qendra komunale:
1. Dega në Prizren, kryetar nëndegë
2. Dega në Gjakovë, kryetar nëndegë
3. Dega në Rahovec, kryetar nëndegë
4. Dega në Klinë, kryetar nëndegë
5. Dega në Malishevë, kryetar nëndegë
6. Dega në Kaçanik, kryetar nëndegë
7. Dega në Viti, kryetar Dr. Sadik Rashiti nëndegë
8. Dega në Kamenicë, kryetar nëndegë
9. Dega në Dragash, kryetar nëndegë
10.Dega në Albanikos, kryetar Nexhmedin Vllahiu nëndegë
11. Dega në Deçan, kryetar nëndegë
12. Dega në Istok, kryetar nëndegë
13. Dega në Shtimje, kryetar nëndegë
14. Dega në Gazivodë, kryetar nëndegë
15. Dega në Shtërpcë, kryetar nëndegë
Sipas propozimit të koordinatorëve dhe vendimit të Kryesisë, Kryetarit ose Këshillit të Përgjithshëm mund të formohen degë të UNIKOMB-it edhe në disa qendra të mëdha, të banuara përkundër asaj se nuk janë komunale, por kanë numër të konsideruar të antarësisë.
Propozohet që Degë të UNIKOMB-it të kenë tri qendrat komunale:
1. Presheva
2. Bujanoci
3. Medvegja
Këto tri qendra komunale janë të banuara me shqiptarë, gravitojnë me Kosovë dhe duhet të përfshihen në organizimin e UNIKOMB-it.
Gjithashtu propozohet që të riorganizohen dhe të formohen degë të Unikomb-it në këto tri qendra të mëdha komunale në Mal të Zi:
1. Ulqin Dr. Bahri Brisku
2. Tuzë
3. Plavë e Guci
Organizimi i punës koordinuese me Degë
Organizimin e punës koordinuese në relacion Qendër – Degë do ta bëjnë grupet punuese, që propozojnë koordinatorët, ndërsa aprovon Kryesia.
Këto grupe punuese do të shënohen me emra e mbiemra në një regjistër tjetër që do të konsiderohet si pjesë përbërëse e këtij programi.
Së bashku me koordinatorin do të angazhohen anëtarët e kryesisë që janë të lidhur me qendra komunale nga të cilat rrjedhin dhe të cilat i njohin me mirë edhe gëzojnë autoritet në punë partiake.
Grupet punuese propozojnë këto qëndrime për koordinimin sa më të mirë të punës ndërmjet Qendrës dhe Degës:
1. Ftesën e grupit punues për të marrë pjesë në të gjitha mbledhjet e Degës, ku shqyrtohen çështje kryesore partiake,
2. Ftesën e grupit punues për të gjitha mbledhjet, ku janë ftuar dhe marrin pjesë kryetarët dhe sekretarët e nëndegëve,
3. Ftesën e grupit punues në të gjitha tubimet tjera partiake me tematikë të shqyrtimit teorik e partiak të përvjetorëve jubilare historike.
Ndërkaq grupet punuese zotohen se do t’i përmbahen qëndrimit që të ftohen kryetarët e degëve ose kryesitë e degëve, kur Kyresia ose Këshilli i Përgjithsshëm vënë në rendë të ditës çështje që kanë rëndësi të veçantë kombëtare ose partiake.
Grupet punuese të koordinimit kërkojnë që Degët e UNIKOMB-it të hartojnë oraret precize të shënimit të ngjarjeve dhe datave, përfshirë këtu edhe ato të personaliteteve historike të kombit, me qëllim që ato të shënohen në mënyrë sa më madhështore.
Kur sipas situatës së UNIKOMB-it shtrohen çështjet themelore të interesit gjithëkombëtar, Kyresia, Kryetari e nënkryetarët edhe Këshilli i Përgjithshëm kërkojnë nga Degët që të vihen dhe të shqyrtohen në mbledhje pikat e caktuara partiake e kombëtare dhe të marrin vendime të caktuara. Gjithashtu edhe Degët e UNIKOMB-it e mbajnë të drejtën që t’i propozojnë Qendrës shqyrtimin e ndonjë çështjeje me interes partiak dhe kombëtar.
Për formimin dhe përhapjen e rrjetit të degëve etnike në Kosovë, Sektori i Punëve të Bashkëpunit do të bashkëpunojë ngusht dhe reciprokisht me Sektorin Organizativ, si në formimin e këshillave inicuese ashtu edhe në organizmin dhe mbajtjen e kuvendeve themeluese të degëve.
Për mirëvajtjen dhe koordinimin e punëve në Qendër dhe në Degë do të shkëmbehen proçeset dhe vendimet e mbledhjeve nga shërbimet përkatëse të administratës dhe ato do të shqyrothen në të dy nivelet.
Koordinuesit: T. Geci e A. Hyseni – 10.05.1996
ME RASTIN E PËRKUJTIMIT TË NJËVJETORIT TË VDEKJES SË HALIL ALIDEMËS, PO EVOKOJ DISA KUJTIME PËR TË:
Në vitin shkollorë 1943-1944, Halil Alidema ishte nxënës i klasës së III-të të shkollës fillore. Mësues e kishim Hilmi Begraca-Shehu. Mësimi zhvillohej me katër klasë të kombinuara.
Objekti në të cilin mësonim ishte shkolla fillore, e cila ka qenë e ndërtuar qysh më 1908, në qendër të fshatit. Mësuesi Hilmi Begraca-Shehu që në fillim na kishte mësuar himnin kombëtar, të cilin e këndonin për çdo ditë në fillim të orës së parë dhe në mbarim të mësimit ditor.
Siç po shihet Halili bashkë me shokë gjatë kësaj kohe e këndoi disa qindra herë himnin kombëtar. Ishte obligim nga okupatori që të mësohet edhe himni Italia, mirëpo këtë e këndonim vetëm atëherë kur reth shkollës kalonte ndonjë oficer italian. Lamërimi i nxënësve për të biseduar me mësuesin apo për të përsëritur mësimin ka qenë me ngritjen e dorës, por me një gist dhe atë me gishtin tregues ose siç thuhet ndryshe gishti i pushkës.
Përballë objektit të shkollës ishte edhe objekti, ku ishte vendosur administrata komunale. Në anën tjetër të rrugës ishte vendosur një batalion ushtar të Italisë Fashiste. Rruga që për çdo ditë Halili vinte në shkollë dhe kthehej përsëri në shtëpi kalonte rreth portës së kësaj kazerme. Pranë portës së kazermës italiane ishte vendosur një tra kuq e bardh si pengesë në mes të rrugës, aty gjithnjë rrinte roja italiane, e cila bënte kontrollimin dhe identifikimin e fshatarëve pa dallim moshe dhe gjinie. Kishte raste që kontrolloheshin edhe nxënësit që vinin në shkollë po ktheheshin në shtëpi. Një kontrollim të tillë e ka përjetuar shumë herë edhe Halil Alidema.
Prej prillit të vitit 1941 dhe deri në muajin gusht të vitit 1944, tokat e Pozheranit ishin të ndara në dy pjesë. Pjesa përtej Moravës ishte nën okupimin bullgar, kurse pjesa këndej Moravës ishte nën okupimin italiano-gjerman. Këta të parët e kishin vendosur tërë aparatin shtetërorë dhe administratën bullgare dhe patë drejtë shkollimi në gjuhën amtare. Pjesa tjetër që ishte nën okupimin italiano-gjerman kishte vendosur administratën në gjuhën shqipe, personeli administrativ ishte shqipëtar. Për nga shkollimi i popullatës, këta të dytët ishin më liberal, pra shkollat shqipe punonin.
Kjo ndarje e vendlindjes sonë kishte një jehonë shumë të madhe negative te të gjithë populli shqiptar. Këtë e kishte përjetuar edhe Halil Alidema qysh në fëmijëri. Në gusht të vitit 1944 Bullgaria fashiste shpartallohet dhe trojet tona bashkohen.
Në shtator të këtij viti u organizua dhe u mbajt një manifestim në Viti. Ky manifestim kishte për qëllim të vërtetoj bashkimin e tojeve të Anamoravës. Në këtë manifestim shkolla jonë mori pjesë me një program të përgatitur prej nxënësve, prej pikave që kishim përgatitur ishte himni kombëtar dhe shumë recitime e këngë tjera patriotike.
Më kujtohet si sot se Halili ishte i stolisur me flamur kombëtar, të veshur krahaqafë dhe doli në ballkonin e vogël të ndërtesës së Komitetit Kombëtar shqiptar dhe recitoi vjershën “Nëna Shqipëri”.
Për recitimin e mirë që bëri Halili mori një duartrokitje frenetike nga populli, që ishin tubuar për ta festua këtë ditë. Pasi recitoi vjershën, kryetari i komunës së Vitisë, Hasan Kabashi kapi Halilin me të dy duart dhe e ngriti mbi të gjithë nxënësit që ishim në ballkon të ndërtesës.
Pas kryerjes së shkollës fillore katër klasëshe Halili refjistrohet në Gjimnazin e ulët të Gjilanit, mirëpo për shkak të një konflikti që pati me organet e policisë së atëhershme, Halili arrestohet për disa orë apo ditë dhe më në fund përjashtohet nga shkolla. Për fat të mirë vitin e ardhshëm shkollor 1950/51, hapet Gjimnazi i ulët në Pozheran.
Në këtë gjimnaz u regjistruan shumë nxënës pozheranas, por edhe të fshatrave tjera të Anamoravës. Fatkeqësisht për Halilin nuk kishte vend, pasi që ky ishte i përjashtuar nga Gjimnazi i Gjilanit. Pas shumë intervenimeve dhe me lutje iu mundësua që edhe ky të na bashkohet nga fundi i tetorit 1950.
Në fillim të gjysmëvjetorit të dytë të po këtij viti shkollor, shkollën tonë e vizitoi një delegacion nga Prishtina, i kryesuar nga Ahmet Mumxhiu. Si nxënës me sukses shumë të mirë Halilin e propozojnë që të dërgohet në seminarin pedagogjik për ta përgatitur për mësues të vitit të ardhshëm. Mirëpo Halili këtë ofertë nuk e pranoi dhe vazhdoi shkollimin e rregulltë në këtë gjimnaz.
Kushtet për shkollim ishin shumë të vështira. Nuk kishte tekste të mjaftueshme shkollore. Nuk kishte lokal të mjaftueshëm për mësojtore. Prandaj prindërit dhe gjithë popullata e Pozheranit ndërtuan objektin e ri për shkollë fillore. Në këtë objekt të shkollës së re kemi mësuar vitin shkollor 1953/54, pikërisht në muajin tetor. Para nxënëseve shqiptar ishin vendosur nxënësit serbë, pikërisht në shtator të vitit 1953. Në këtë kohë, shkolla shqipe dhe ajo serbe ishin të ndara, për shqiptarë drejtor shkolle ishte Rexhep Jakupi nga Gjilani, kurse për serbë ishte Dinçiqi nga Gërmova. Nxënësit shqiptarë u vendosën në katin përdhesë, prandaj ishim të revoltuar. Për ta shprehur këtë revoltë Halili propozoi që ta bojkotojmë mësimin. Ashtu vepruam, megjithatë kërkesa jonë nuk u pranua. Pasi që nuk patëm sukses të gjithë ishim të revoltuar, por të njejtën revoltë dëshironim të gjithë ta shprehnim në ndonjë mënyrë.
Ai që e shprehu më së miri dhe në mënyrë më adekuate ishte Halil Alidema. Për hakmarrje, Halili propozoi që fotoja e Titos që ishte në klasë të rrëzohet dhe të thyhet, edhe kështu u veprua. Dy ditë pas këtij vendimi, ndërmjet orës së dytë dhe të tretë, Halili nga sygjeroi që të ndahemi në klasë pasi që ishte pushim i gjatë. Ay mbetëm dy shokë, Halili e ngrehu bangën, hypi mbi te e kapi foton e Titos e gjuajti në dysheme dhe e shkeli me këmbë. Për shkak të theyrjes së fotos së Titos u bënë shumë hetime, megjithatë Halili nuk u zbulua. Ndonëse nuk u zbulua Halili qysh atëherë u vu nën hetime dhe që atëherë u hap dosja e tij dhe nuk u mbyll deri në vdekje.
HALIL ALIDEMA PUNËTOR ARSIMI NË POZHERAN:
Viti shkollor 1965-1966, shtator të këtij viti, Halili kthehet në Pozheran. Ishte arsimtar i edukatës fizike dhe i lëndës së historisë. Si arsimtar i historisë , Halili nuk iu përmbante plan-programit që ishte i paraparë me aktet normative të ish Jugosllavisë së Titos. Ai zhvillonte mësimin nga historia kombëtare shqiptare, prandaj nxënësit e kuptuan shumë shpejt dhe filluan të grumbullohen rreth tij. Ky ishte arsimtari më i preferueshëm nga nxënësit e klasës së tetë.
Nga lënda e edukatës fizike u tregua edhe më i mirë, sallën e edukatës fizike e paisi me mjete-rekuizita sportive. U dallua me përgatitjen e shumë çfaqjeve sportive, sidomos nga lëmia e atletikës dhe u dallua me përgatitjen e shumë sleteve, të cilat i prezentoi para publikut pozheranas. Këtë sletë e dokumentojnë fotografitë që gjenden në arkivin e shkollës. Në bisedat që bënim, ai gjithmonë kishte dëshirë të bisedohej për bashkimin kombëtar. Kur u përmendte emri i shkollës “Bashkim Vëllazërim” Halili sygjeronte “Nuk duhet të mbajë emrin kështu, po, Vllazërim Bashkim”.
Demonstratat e vitit 1968 na dhanë shumë shpresë, se më në fund filloi Lëvizja Kombëtare për Liri. Në këtë kohë, Halili u gjet në mesin e rinisë dhe ishte njëri prej organizatorëve të këtyre demonstratave të viti 1968. Këto demonstrata e detyruan regjimin komunist të avansoi Kosovën në rangun e autonomisë e pak më shumë se autonomi. Viti 1969, ishte viti i ndërrimit ose më mirë të themi fillimi i ndryshimit të kushtetutës.
Në fillim të nëntorit të këtij viti, në Pozheran organizohet një mbledhje, në të cilën kishte vetën një pikë të ditës. Diskutimi i projekt-kushtetutës. Mbledhja është mbajtur në lokalet e Shkollës fillore në Pozheran. Proçesmbajtës isha unë, dhe ate me propozimin e Halilit. Halili e kishte pergatitur me shkrim diskutimin e tij. Kjo kërkesë e tij kishte 17 faqe. Përmbajtja e këtij diskutimi ishte kërkesa për avancimin e Kosovës në republikë të barabartë me republikat tjera të ish Jugosllavisë.
Arsyetimi, që e paraqiti Halili ishte shumë i argumentuar dhe i mbështetur në të drejtat njerëzore e kombëtare. Këtë kërkesë dhe propozim të Halilit e përkrahën unanimisht qytetarët shqiptarë pozheranas. Shumë prej tyre e përforcuan me kërkesat e tyre.
Pasi që kërkesa e Halilit ishte jasht platëformës së regjimit komunist-Titist, kishte rrezik dhe ishte e mundshme që të merren masa të ashpra ndaj Halilit, prandaj të nesërmën në ora nëntë drejtori i Shkollës, Haki Alidema nëpërmjet korierit më thërret të paraqitem urgjenitsht në drejtori të shkollës.
Kur hyra në zyrën e drejtorit, i cili në atë kohë ishte edhe kryetar i Konferencës Aksionale të Lidhjes Komuniste të Bashkësisë Lokale në Pozheran.
Drejtori m’u drejtua: Feriz, ti dhe Zoti do të na shpëtojë nga përgjegjësia që na pret, dhe vazhdoi duhet ta ndërrojmë përmbajtjen e proçesit.
Isha i vetë dijshëm për këtë ndërrim të proçesit. Menjëherë u ula në tavolinën e drejtorit dhe fillova të përshkruaj, duke i mënjanuar të gjitha kërkesat, të cilat ishin jashtë platformës që kishte caktuar Sllavo-Komunizmi. Proçesin origjinal me konsultimin e Hakiut dhe Halil Alidemës e futëm në stufë dhe e dogjëm.
Kur është diskutuar për planprogramet mësimore, e sidomos për lëndën e gjuhës shqipe dhe lëndën e historisë Halil Alidema dilte me kërkesa të qarta, këto ishin që në gjuhën shqipe të futën në plan-program Letërsia e Rilindasve shqiptarë, kurse nga lënda e historisë kërkonte Historinë Kombëtare Shqiptare. Për këto kërkesa shpeshherë serbët e sulmonin Halilin me këto fjalë: “Ti si sin ballista, od tebe se ne oqekuje neshto drugo”. Këtë e bënin për ta paralizuar Halilin, megjithatë ai ishte edhe më këmbëngulës në kërkesat e veta.
Feriz Pira, veteran i arsimit POZHERAN
BARTËS I LIRISË SË KOSOVËS
Fjalimi i Gjeneral lejtnant Agim Çekut me rastin e katër vjetorit përkujtimor të Halil Alidemës në Viti (pas luftës)
Të nderuar bashkëfamiljarë e bashkëvuajtës të Halil Alidemës,
Të nderuar qytetarë të Pozheranit, të Vitisë e të Karadakut,
I nderuar Baca Hysen Tërpeza,
Vëllezër e motra, miq e të nderuar,
E ndjej vetën tepër të nderuar që gjendem në mes jush, në këtë vend me tradita të shquara mikpritje e dashurie, në këtë vend që ka dhënë patriotë dhe intelektualë të shquar, me emra të nderuar si HALIL ALIDEMA si në katërvjetorin e tij, që po e përkujtomë ne sot dhe Ju falënderoj të gjithëve që u dhatë përkrahje e mbështetje Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës edhe sot që po jepni përkrahje e kontribut Trupave Mbrojtëse të Kosovës.
Është nder e krenari që Halil Alidema la pas vetës veprën e tij, duke u bërë vetë i nderuar, ai ju nderoi juve, na nderoi neve të gjithëve.
Të gjithë ju nga krenaria e madhe duhet ta ndjeni veten krenar për veprën e tij shumë dimensionale.
Unë nuk kam pasur nderin ta takoj ndonjë herë Halil Alidemën, por kam njohur veprën dhe kontributin e tij dhe kurdoherë më ka frymëzuar guximi dhe qëndrueshmëria e tij. Ashtu siç kanë përjetuar shumë e shumë të tjerë edhe Halili përjetoi shumë vuajtje e peripeci. Ai njohu me themel vuajtjet e popullit të vet. Jetoi me këto dhembje dhe në asnjë çast nuk i ndali përpjekjet e tija për çlirimin e Kosovës.
Këto përpjekje i sollën vite të tëra burgu, i sollën shumë vuajtje, por ai asnjëherë nuk u ligështua as nuk u gjunjëzua, por edhe në burg e ndjente veten më të lirë sesa disa të tjerë që mendonin se janë të lirë në burgun që kishte ngrit Serbia.
Nuk mund të lëmë pa përmend rolin e Halil Alidemës, i cili si drejtues i UNIKOMB-it, parti e cila bëri punë të madhe për unitetin e çështjes kombëtare. Kjo parti pati fatin që të ketë drejtues edhe Ukshin Hotin, patriotin e paepur të çështjes kombëtare, fat ky i cili e shqetëson gjithë kombin, për të cilin ai ka bërë aq shumë.
Halil Alidema me shokë e mbajtën gjallë flakadanin e lirisë dhe ushqyen me krenari një brez të tërë, i cili tregoi heroizmin e pashoq…
Njerëzit si Halil Alidema janë të rrallë, ndaj në këtë çast kemi nderin që ta nderojmë bashkërisht figurën e Halil Alidemës. Atë gjithmonë duhet ta nderojmë e përkujtojmë dhe të gjithë dëshmorët e kombit ata që lanë të pavdekshme veprat e tyre.
Na mungon Halil Alidema… bartës për çlirimin e Kosovës, ai me shokët e tij na i përcaktuan kornizat e së ardhmes së Kosovës, na ndriçuan rrugën që na shpie drejt fitores, drejt lirisë e pavarësisë, që na mbeti amanet ta çojmë deri në fund këtë rrugë të trasuar nga Halil Alidema.
Ky është misioni ynë. Kështu nderojmë ata që dhanë atë që patën-jetën e tyre për Kosovën. Kështu e nderojmë edhe Halil Alidemën.
I përjetshëm do të jetë emri dhe vepra e Halil Alidemës.
(Gjeneral lejtnant Agim Çeku)
OBORRI MBRETËROR SHQIPTAR
ROYAL COURT OF ALBANIA
Rezidenca: Vishnje, Petrelë E-mail [email protected] P.Box. NO. 8170
Tiranë, SHQIPËRI tel/ Fax Rezidence: 003554271191
Tirana, ALBANIA
HALIL ALIDEMA – PERSONALITET I MENDIMIT DHE VEPRIMIT KOMBËTAR
Nga Gjen. FLUTURAK GËRMENJI
Shpesh figurat kalojnë para nesh, para bashkëkombësve me idealin e tyre shkëlqimtar, duke mos e vënë re menjëherë kontributin e shkëlqimit të tyre. I tillë ishte Halil Alidema, biri i shquar i Kosovës dhe i gjithë shqiptarizmës. Ai e filloi veprimtarinë e tij që nga Kodra e Diellit në Prishitnë dhe qëndroi përpjetë në dheun amë, në Tiranë.
Karakteri i tij i paepur në mbrojtje të Kosovës, të ëndrrës për pavarësinë dhe shtetësinë e Kosovës, na bashkoi që kur erdhi në Tiranë, në fillimet e viteve ’90, kur në Shqipëri u përmbys diktatura komuniste. Ai ishte Kryetar i UNIKOMB-it të Kosovës. Por më shumë se kaq: Ai ishte një luftëtar dhe drejtues i përmasave të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit. “Shqiptarët vuajnë, kanë nevojë të bashkohen për të realizuar aspiratat e tyre kombëtare” – më thoshte shpesh në bisedat e gjata në vilën e z. Y.Dervishi, ku banonte, apo edhe në shtëpinë time, ku qëndroi për një kohë të gjatë. Bashkë me gruan e tij, Teuta Alidema (Kryeziu) dhe vajzën, Yllkën, kalonim në bashkëbisedime të gjata për gjenocidin serb, për dënimin me vdekje, që e shoqëronte prej kohësh, dhënë nga regjimi serb. Shqetësimet e tij ishin tek bashkimi, si hap i parë i organizimit të luftës për pavarësinë e Kosovës, për bashkimin e trojeve shqiptare.
Vendosmëria e tij, devotshmëria dhe sakrificat për çështjen Kombëtare, shoqëroheshin me dituritë e thella (ishte magjistër i shkencave historike, politike) dhe me një organizim të studiuar për strukturat kombëtare. Së bashku diskutonim gjatë për të përgatitur “SHQIPET”, si pararendëse të aksioneve për Pavarësinë e Kosovës. Për këtë ideal kombëtar shpenzoi energjitë e tij dhe pasurinë e tij. Ne organizuam programe konkrete për këtë qëllim. Ai i ndiqte me guxim dhe vendosmëri, duke organizuar stërvitje praktike dhe kurse teorike për shumë grupe të “SHQIPEVE”.
Vizioni i qartë politik, dhe filozofia kombëtare, që shoqëronte mendimin dhe veprimin e tij politik, u shfaq me përmasa kombëtare, kur filloi përgatitjen e “Librit të Bardhë”. Ky ishte një botim serioz i botuar në disa gjuhë, për çështjen Kombëtare…
Me net të tëra punonim së bashku mbi bazën e materialeve, që vinin nga trojet e Kosovës. Ato materiale i kalonin e shoqja – Teuta, disa nga “SHQIPET”, Vjosa, etj., nëpërmjet kufirit, ndërmjet terrorit dhe kontrollit të ushtrisë dhe policisë serbe. Ishin materiale studimore, të përgatitura nga intelektualët më të shquar të Kosovës, që nga Ukshin Hoti – në burgjet serbe dhe deri tek akademikët dhe profesorët e Prishtinës… Disa vajza tiranase i shtypnin në kompjuter. Unë me Halil Alidemën i redaktonim, duke i përgatitur për t’i dërguar në shtypshkronjë, në Tipografinë Ushtarake, në Tiranë, ku disa djem dhe vajza i shtypnin fashikujt gjatë natës. Ne korrigjonim përsëri bocat, duke i dërguar në makineritë e Tipografisë… Në fundjavë, topografët kishin arritur të shtypnin me dhjetëra mijëra kopje, të cilat përcilleshin përtej kufirit shtetëror nga “SHQIPET”. Me mijëra e mijëra kopjet të “Librit të Bardhë” u shpërndanë në Evropë e në SHBA. Tashmë “Libri i Bardhë” ishte një bazë teorike për të vërtetat historike të shqiptarëve në trojet e të parëve tanë, në Kosovë. Ky libër dëshmonte gjenocidin serb, mbi bazën e dokumenteve historike, denonconte planet e spastrimeve etnike dhe dëshmonte shkencërisht shtetësinë e Kosovës. Botimi i “Librit të Bardhë” ishte një përgjigjje ndaj “Librit të Kaltërt” që Beogradi e qarkullonte pranë kancelarive europiane.
Kontributi i Halil Alidemës në botimin dhe shpërndarjen e këtij libri ishte shumë i madh, vendimtar.
Si një njeri me vlera intelektuale dhe patriotike, Halili i kushtonte shumë rëndësi zbërthimit të ideve kombëtare në mediumet shqiptare. Ai jepte shumë intervista dhe botonte artikuj studimorë, pamflete dhe ese politike. Ne diskutonim së bashku për temat që ai i trajtonte me kompetencë shkencore dhe me patriotizëm, duke mos lejuar asnjëherë shtrembërime. Shpesh takonte gazetarë, duke u shpjeguar me durim situatën në Kosovë dhe në rajon. Ai i angazhonte edhe ata që të përgatisnin dhe të botonin materiale për çështjen Kombëtare. Ky kontribut i tij dha rezultate për të sensibilizuar opinionin mbarëshqiptar.
Kryetari i UNIKOMB-it, Halil Alidema, zhvillonte shumë takime me trupin diplomatik, të akredituar në Tiranë, si dhe kreu disa vizita jashtë shtetit, si në Turqi, Maltë, etj. Në këto vizita, në shumë takime ndërkombëtare, ai ngrinte me guxim problemin e Pavarësisë së Kosovës, jepte mendime dhe këmbëngulte që të saktësohej në Rezoluta Ndërkombëtare zgjidhja e Çështjes Kombëtare Shqiptare. Kam ruajtur një kasetë video nga intervista e tij në Televizionin Shqiptar, pas një aktiviteti ndërkombëtar në Maltë, ku Halil Alidema arriti të nënshkruhej një Rezolutë për Kosovën, si dokument që vërtetonte domosdoshmërinë e Pavarësisë së Kosovës, si një kusht i domosdoshëm për stabilitet në Ballkan.
Një veprimtari të dendur dhe frytdhënëse kreu Halil Alidema, dha për bashkimin me UNIKOMB-in e Tiranës. Në dhjetëra takime të zhvilluara ai këmbëngulte për një bashkim dhe veprimtari intensive, duke organizuar takime mbarëkombëtare si në Tiranë dhe në Stamboll, ku miratoheshin rezoluta mbarëkombëtare. Halil Alidema nuk lejoi asnjëherë që rrymat marksiste të futeshin në veprimtaritë e UNIKOMB-it. Ai kërkonte vazhdimisht që Ideali Kombëtar të ishte në bazë të dokumenteve politike dhe të programeve të veprimit të përbashkët mbarëshqiptar.
… I vendosur deri në vetëmohim, njeri i sakrificës dhe i veprimit, i durueshëm për të bindur njerëzit me të cilët bashkëbisedonte, Halil Alidema ishte një politikan i nivelit të lartë, një njeri me kulturë të gjerë politike, historike e diplomatike. Ai ishte i duruar, dinte të respektonte dhe të vlerësonte bashkëpunëtorët, krijoi shoqëri me njerëz që e vlerësonin për karakterin e vendosur dhe për devotshmërinë dhe vetëmohimin për çështjen Kombëtare…
Unë ruaj respekt dhe nderim të veçantë për këtë figurë të mendimit dhe të veprimit kombëtar… Humbja e tij e papritur na dëshpëroi të gjithëve, po, siç nga thoshte shpesh ai vetë “duhet të vazhdonim përpjekjet kombëtare për çlirimin e Kosovës”…
Kështu dhamë besën edhe kur e përcollëm për në banesën e fundit, në varrezat e Sharrës, pranë Kryeqytetit, Tiranës, në Shtetin Amë… Edhe në fjalimin, që mbajta në varrimin e tij, kur e përcollën mijëra e mijëra shqiptarë, nga Kosova e nga Shqipëria, theksova “Halil Alidema do të mbetet përgjithmonë në Panteonin Kombëtar në përjetësi, i shoqëruar me Flamurin Kombëtar!”
Tiranë, 28 Nëntor 2004
HALILI KISHTE LIDHJE ME SHUMË SHTETE
Halil Alidemën e kam njohur mirë, sepse kemi pasur takime të shpeshta me të. Mirëpo, unë nuk kam hyrë në fshehtësitë dhe sekretet e punës së tij. Zyrën, ku punonte Halili e kishte te shtëpia e Mira Dervishit, në Tiranë, ndërsa Halilin e mbante Rexhë Xhakli, duke i dhënë detyrën e mbikëqyrësit të Qumshtores në Durrës. Këtë që po them unë, Halili e dokumenton edhe me shkrim, sepse më 13 dhjetor 1995 Rexhë Xhakli ishte me ekspertin Vinçenc Vindsor për rregullimin e makinerisë së fabrikës së qumështores. Rexha shkoi për Amerikë më 18 dhjetor 1995, shkuarje, të cilën e konfrimon me shkrim Halil Alidema. Kështu, sipas Ramazanit del se ndër miqtë më të afërt të Halilit ishte Rexhë Xhakli, Mira Dervishi dhe unë Ramazan Sala dhe vjehrri i Mirës Izja Dervishi. Pastaj Xhema nga Maqedonia, që merrej me tregti pemësh, Mala që kishte dyqanin në rrugën Bardhyli në Tiranë, Dritoni gjithashtu nga Maqedonia, Sadiku nga Skifteraj (Gjylekari), Germeni, një oficer i kohës së Enver Hoxhës, i cili edhe sot merret me politikë dhe me shkrime. Po ashtu edhe Fluturaku, i cili i botonte shkrimet e Halilit. Halili e kishte edhe një shok nga Podujeva me emër të ashtuquajtur Bugari, por që nuk di më tepër për Të e as nga ka lëvizur. Hamzë Morinën në Kosovë dhe këtu në Shqipëri e kishte shok dhe bashkëpunëtor. Ndërkaq, njëri me emrin Ramush aty në vitet 1992 dhe 1993, por nuk dijë me se merrej, por kishte kontakte të shpeshta me Halilin. Ndër personalitetet, që kishte kontakte me Halilin ishte edhe Hidajet Beqiri i UNIKOMB-it të Shqipërisë. Sa mund të dijë unë, Halili është takuar edhe me Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin, Ukshin Hotin e të tjerë. Halili vazhdimisht shkruante dhe kërkonte shumë informata. Ai kishte një pasaportë diplomatike dhe pasaportë të një personi me emër Sabit Alidema. Këto gjëra për mua ishin shumë sekrete. Mua më pat thirr Sigurimi të mësonte diç nga unë për Halilin, por unë si polic që kisha qenë, u thashë se Halilin e kisha mik shtëpie, ndaj ai sillet me mua si mik shtëpie. Ndërkaq, sa i përket Ruzhdi Saramatës, unë vetëm kisha dëgjuar prej Halilit për këtë emër, por as nuk isha takuar me të e as nuk e dija se kush ishte ai. Mirëpo, unë kisha dëgjuar se po bëheshin përgatitje të mëdha për luftë, për çlirimin e Kosovës. E kjo luftë mua më duket se po përgatitej nëpërmjet Halilit. Ai kishte me vete edhe Bugarin. Halili nuk është marrë me çështje të ekonomisë financiare. Mirëpo, ai kishte lidhje me shumë shtete, sa më kujtohet mua me: Suedinë, Gjermaninë, Zvicrën, por këto lidhje i zhvillonte me sekretin më të madh. Halili e kishte një zyre modeste të varfër nga orenditë, ku kishte bashkëpunëtore Mira Dervishin, e cila ishte e gjithanshme, shumë e aftë për të zhvilluar biznes dhe politikë.
Deshifruar nga manjetofoni, por i përpunuar gjuhësisht.
Flet: Ramazan Sala, Tiranë, roje dhe shofer i Halil Alidemës në Shqipëri.
– VIJION –
____________________________
HALIL ALIDEMA – METEORË LIRIE (34)
Nga Sabit Alidema, Pashtriku – 30 Korrik 2021