U SHUA NGA JETA VEPRIMTARI I HERSHËM I LËVIZJES, HYSEN GEGA

U SHUA NGA JETA VEPRIMTARI I HERSHËM I LËVIZJES, HYSEN GEGA

Në kujtim për veprimtarin e hershëm të Lëvizjes Atdhetare Ilegale, Hysen Gega

Nga Ibrahim Shala, 30 korrik 2021

Me dhimbje të madhe mora lajmin se me 28 korrik 2021 në moshën 71 vjeçare u nda nga jeta patrioti dhe veprimtari i hershëm i Lëvizjes  Atdhetare Ilegale Hysen Gega. Është fjala për fillimet e organizimit të pas vitit 1975, pas arrestimit dhe gjykimit të tretë të Adem Demaçit  me  shumë shokë  dhe bashkëveprimtarëve të tij.

Hysen Gega kishte filluar aktivitetin e organizuar politik si punëtor në Gjermani ku  ishte njohur me aktivist  patriot dhe veprimtarë të tjerë. Në vitin 1978 ai vjen në Suharekë dhe banë kontaktet e para me njerëz aktivist dhe rini shkollore që ishin në fillimet e organizimit ilegal atdhetar dhe fillon bashkëpunimin me ta. 

Në këtë kohë ai ishte furnizuesi kryesor me literaturë politike atdhetare që vinte nga Shqipëria.  Ai ishte edhe frymëzuesi i veprimeve konkrete të aksioneve të kohës si shkrimi parullave me përmbajtje anti jugosllave dhe anti titiste, dhe parullave me kërkesat për liri dhe bashkim kombëtarë.

Ai nuk ndodhej në Kosovë në valën e arrestimeve të vitit 1979. Ai ndodhej në Gjermani ku vazhdonte aktivitetin e vet organizativ, por tash krahas  veprimtarëve të mëhershëm ju ishte bashkuar nga Kosova  edhe  ideologu i Lëvizjes Kombëtare, heroi kombit Jusuf Gërvalla, me të cilin u bënë   bashkëpunëtorë të ngushtë dhe të pandarë. 

Në fund të vitit 1980 Baca Hysen kishte ardhur me detyrë organizative në Kosovë dhe u arrestuat me 31 dhjetor 1980. Pas një faze të tmerrshme torturuese të hetuesisë u dënua me burg të gjatë nga të cilat i mbajti 10 vite. 

Ashtu si tregojnë të gjithë ata shokë që patën rastin të jenë me të nëpër burgjet jugosllave e përshkruajnë me një fjalë, për njeriun e fortë dhe të qëndrueshëm në burg mund të thuash; i fortë dhe i qëndrueshëm vetëm si Hysen Gega.

Atje ai njohu dhe zgjeroi shumë rrethin e shokëve, që secili ka një pjesë historie për të treguar të kohës që kanë kaluar bashkë. Atij dhe shumë shokëve të tjerë nuk ju dha mundësia të ishin pjesëmarrës të Pranverës së Madhe Shqiptare të viti 1981. Ai së bashku me shokët tjerë këto ngjarje të mëdha frymëzuese i përjetuan nga qelitë burgjeve. Ai doli nga burgu pas 10 vjetëve të mbajtjes së dënimit, pikërisht në ditët kurë ne shokët e idealit dhe organizimit po prisnim kthimin e trupit të pajetë nga Zvicra edhe të një patrioti të madh nga Sallagrazhda e vogël, trupin e bashkëveprimtarit të orëve të para të veprimtarisë atdhetare dhe bashkëpunëtorit shumë të afërt të Bacës Hysen, birin e madh të Kosovës, heroin e kombit Fadil Vata.

Në proceset e tranzicionit politik, Baca Hysen krahas aktivitet në Lëvizjen Popullore të Kosovës, po ashtu ishte pjesëtar aktiv i veprimtarisë legale në kuadër të Lidhjes Demokratike të Kosovës që atëherë perceptohej nga ish të burgosurit politik jo si parti politike por si një lëvizje e masave të gjera popullore. Për shkak të veprimtarisë politike atdhetare ai përsëri arrestohet në vitin 1993, përsëri kalon nëpër kalvarin e torturave të policisë së Serbisë.

Pas përfundimit të burgut del edhe më i fortë, vazhdon veprimtarinë deri në aktivizimin në radhët e UÇK-së, ku do të jetë një luftëtar aktiv deri në ditën e çlirimit. Ai arrit ti bashkojë dy anët e litarit kohor, që nga fillimet e organizimit ilegal e deri te çlirimi i Kosovës të jetë vetë pjesëmarrës aktiv dhe ti gëzohet faktit  dhe ti gëzohet çlirimit, lirisë, shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe themelimit të institucioneve shtetërore edhe pse shumë shokë nuk ishin më të gjallë, por ishin heronj dhe dëshmorë në altarin e lirisë.

Pas lufte ai nuk pati ndonjë punësim dhe aktivitet në  organet shtetërore, ai bënte një jetë të qetë në harmoni me natyrën në bjeshkën e bukur të Dellocit, ku ishte mikpritës i madh i të gjithë shqiptarëve, bashkëveprimtarëve, bashkëluftëtareve, miqve dhe dashamirëve që merrnin mundimin ta vizitonin, e vetëm ata mund të flasin për mikpritjen e madhe shqiptare tradicionale të Hysen Gegës.

 Ai kurë mori një “kompensim” në para nga shteti për të burgosurit politik, përsëri ishte zemra e tij bujare dhe dëshira e madhe për të forcuar ushtrinë e Kosovës si shtyllën kryesore të shtetësisë në vitin 2015 i dhurojë FSK-së 10000 euro donacion.

Ky shembull fletë vet për qëndrimin karshi shteti të qytetarit patriot që nuk   u bazua në atë se çka bëri shteti për të por ai po vazhdonte të bënte për shtetin. Sigurisht se shteti ynë i ri ka nevojë për një filozofi të tillë të qasjes, për një patriotizëm që ka për objektiv forcimin e shtetit e jo të individëve, grupeve apo partive politike.

Jemi të gjithë dëshmitarë se nga ai nuk kemi dëgjuar asnjë herë ankesa, por ka rrezatuar fjalë besimi dhe miradie për çdo punë të mirë që është bërë në të mirë  Kosovës dhe shqiptarisë. Ai kurrë nuk pati problem me askënd për çështje personale, ai ishte modest deri aty  sa edhe për jetën e vet nuk fliste me rrahje gjoksi dhe në vetën e parë njëjës, por vetëm në shumës, ne, thoshte për këtë çështje mund të flasin më shumë shokët që kanë qenë aty me mua të pranishëm. Kjo është thjeshtësia e një njeriu të madh, e një shqiptari të madh dhe patriot në çdo etapë të jetës së tij.

Prandaj sot jo vetëm familja, fshati rrethina dhe shokët, por krejt Kosova dhe shqiptaria e kanë humbur njeriun e madh, patriotin që nuk do të harrohet sa të jenë shqiptarët në këto troje.

Lavdi jetës dhe veprës së Hysen Gegës.

Lavdi të gjithë dëshmorëve të kombit.

Çoftë i përjetshëm kujtim për të.

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura