KUMTESË
Për tryezën shkencore kushtuar akademikut Prof. Dr. Eshref Ademaj, personalitet i shquar i arsimit dhe i shkencës, luftëtar i paepur për të drejtat kombëtare e njerëzore
VEPRIMTARIA AKADEMIKE DHE KOMBËTARE E PROFESOR ESHREF ADEMAJT

Nga Sheradin Berisha (Prizren – më 21 shtator 2024)
“Ne nuk do të heqim dorë nga universiteti dhe, nëse nuk ia arrijmë qëllimit me paqe, atëherë do t’i përgjigjemi dhunës me dhunë. Kjo do të ndodhë nga vetë populli.”- Dr. Eshref Ademaj, “Bota e Re”, 3 gusht 1991.
1. Jeta dhe veprimtaria akademike e Eshref Ademajt
Akademik Eshref Ademaj lindi më 20 korrik 1940, në fshatin Zhur të komunës së Prizrenit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa Shkollën Normale në Prizren, në vitin 1960.
Në vitin 1964, ai ishte studenti i parë që u regjistrua në grupin e matematikës, si dhe studenti i parë që diplomoi në këtë grup, me sukses të shkëlqyeshëm.
Studimet pasuniversitare i kreu në Fakultetin e Shkencave Matematikore-Natyrore në Beograd, në vitin 1970, ku, me temën “Grupet lokale nilpotente pa përdredhje”, mori titullin magjistër i shkencave të matematikës.
Disertacionin e doktoratës, me titull “Kontribut për teorinë e grupeve të fundme të thjeshta”, e mbrojti në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Zagrebit, në vitin 1976.
Fillimisht punoi si asistent në Shkollën e Lartë Teknike të Prishtinës, ndërsa gjatë periudhës 1967–1971 punoi si docent.
Në vitin 1977 mori titullin profesor inordinar për lëndën “Algjebra e përgjithshme” në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore të Prishtinës, ndërsa në vitin 1987 u zgjodh profesor ordinar për lëndët “Algjebra e përgjithshme” dhe “Algjebra II”.
Rezultatet shkencore të punës së tij i paraqiti në tubime të ndryshme ndërkombëtare, në Stamboll, Novosibirsk, Varnë, Leibnitz, Novi Sad, Athinë, Ohër etj.
Që nga viti 1970, mbajti ligjërata në shumë universitete, ndër të tjera në Universitetin e Tiranës, të Sofjes, të Jenës dhe të Heidelbergut.
Me qëllim studimi dhe specializimi, qëndroi nga një vit shkollor në disa institucione shkencore jashtë vendit, si në Universitetin Shtetëror “Lomonosov” të Moskës, gjatë vitit shkollor 1972/1973, dhe në Institutin e Matematikës të Universitetit të Heidelbergut (Gjermani), gjatë vitit shkollor 1982/1983.
Akademik Eshref Ademaj ishte iniciator dhe realizues i studimeve pasuniversitare në fushën e matematikës në Fakultetin e Shkencave Matematike-Natyrore (FSHMN) të Prishtinës, ku mbajti disa kurse të specializuara në lëndët “Teoria e grupeve të fundme të thjeshta”, “Gjeometria e fundme” dhe “Kombinatorika”.
Ai ishte edhe hartues i kurrikulës mësimore në fushën e matematikës, veçanërisht i programeve të disiplinave kryesore formuese, si dhe kontribuoi në organizimin e Katedrës së Matematikës dhe në krijimin e një atmosfere shkencore në fakultet dhe në universitet.
Gjithashtu, ishte anëtar i komisioneve për përshtatshmërinë, vlerësimin dhe mbrojtjen e disa disertacioneve të doktoratës në Universitetin e Prishtinës dhe në Universitetin e Zagrebit, si dhe mentor i disa magjistrantëve dhe doktorantëve në Universitetin e Prishtinës.
Në vitin 1993, Prof. Dr. Eshref Ademaj u zgjodh anëtar korrespondent i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës (ASHAK).
Akademik Eshref Ademaj tërë energjinë e tij e përqendroi në avancimin e punës shkencore në universitet dhe në mbrojtjen e autonomisë së tij. Përgatitja e tij profesionale, aftësitë e jashtëzakonshme pedagogjike dhe organizative e nxorën atë në ballë të trupës pedagogjike dhe shkencore të Fakultetit të Shkencave Matematike-Natyrore, por edhe të Universitetit të Prishtinës.
Matematikani dhe docenti i shkencave, Prof. Dr. Aleko Minga, për të shprehet:
“Prof. Dr. Eshref Ademaj, në vijën e parë të lëvizjes e nxori formimi i tij i shëndoshë intelektual, mprehtësia dhe shpejtësia e gjykimit, aftësia organizuese dhe mbi të gjitha, tiparet e mrekullueshme njerëzore të tij, në të cilat mishëroheshin karakteristikat më të vyera të etnisë shqiptare.”
(Revista matematike “Plus”, 1994).

2. Angazhimi për mbrojtjen e Universitetit të Prishtinës dhe të arsimit në gjuhën shqipe
Kontributi i tij ishte madhor në një kohë kur pushteti okupues serb, me tërë potencialin e vet ekonomik, propagandistik, policor dhe ushtarak, ishte përcaktuar për zhbërjen përfundimtare të popullit shqiptar në Kosovë.
Ai ishte një nga ideatorët kryesorë të vazhdimësisë institucionale dhe ligjore të punës së Universitetit nëpër objekte private, pas zbatimit të masave të dhunshme administrative nga pushteti serbokomunist në Universitetin e Prishtinës.
U gjend në ballë të formave të ndryshme të rezistencës për mbrojtjen e Universitetit dhe të shkollës shqipe, duke përfshirë edhe protestat dhe demonstratat gjithëpopullore që u organizuan nga viti 1991 e tutje.
Në një intervistë për gazetën “Bota e Re”, më 3 gusht 1991, ai theksonte:
“Humbja e një viti akademik nuk është asgjë para idealit të çështjes kombëtare. Ndërsa humbja e shumë viteve nuk do të vijë në konsiderim. Prandaj, le ta dinë ata që e shkelën kulturën tonë kombëtare se me dhunë asgjë nuk fitohet. Ne mund të jemi përsëri optimistë edhe nëse humbet ky vit, ngase e dimë fare mirë se kultura dhe tradita e popullit tonë nuk do të humbasin kurrë. Dëshmitarë të kësaj i kemi shekujt e përgjakur që kaluan mbi ne. Intensitetin e veprimeve që kemi ndërmarrë ne si universitet, si shoqatë dhe si studentë në asociacionet e ndryshme ndërkombëtare, si dhe me grevën e fundit, treguam se nuk pajtohemi kurrë me ligjet dhe metodat e vrazhda të Serbisë, që i vë në fuqi përmes forcës dhe dhunës policore. Ne nuk do të heqim dorë nga universiteti dhe, nëse nuk ia arrijmë qëllimit me paqe, atëherë do t’i përgjigjemi dhunës me dhunë. Kjo do të ndodhë nga vetë populli.”
(Intervistë me Dr. Eshref Ademajn, kryetar i Shoqatës së Pavarur të Arsimtarëve Universitarë, “Nuk heqim dorë nga Universiteti”, gazeta “Bota e Re”, nr. 17, Prishtinë, 3 gusht 1991).
Dhe kjo ndodhi! Ushtria Çlirimtare e Kosovës (UÇK) iu përgjigj me armë represionit dhe terrorit të ushtrisë dhe policisë pushtuese serbe të Sllobodan Millosheviqit dhe, përfundimisht, në qershor të vitit 1999, së bashku me NATO-n, e çliroi Kosovën nga pushtimi i egër shekullor.
Prof. Dr. Ejup Statovci, duke vlerësuar figurën dhe veprimtarinë e tij, ka theksuar:
“Profesor Ademaj jetoi me Universitetin, u ngrit me të dhe e ngriti atë. Ai ishte një nga ato kuadrot e para që prodhoi ky Universitet, por edhe ndër kuadrot e para që prodhuan këtë Universitet. Ishte aq i dedikuar për ngritjen e tij, sa asnjëherë nuk iku nga puna e obligimet, por kërkonte punë – çilte punë dhe ngarkohej me obligime, por edhe hapte obligime për të gjithë, sepse vetë ishte shumë i dedikuar, shumë i ndërgjegjshëm e i sinqertë, si dhe organizator dhe udhëheqës i shquar. Ai e hetonte kohën kur duhej vepruar dhe vepronte me aq guxim e mençuri sa s’kishte si të mos i vinin prapa… Ai vetë nuk u tremb, kur edhe vetë koha zuri të trembej më 1990–1991. Nuk lejoi të ndalet koha për Universitetin, e Universiteti për kohën.”
(Prof. Dr. Ejup Statovci, gazeta “Bujku”, 8 gusht 1994).
Nga qershori i vitit 1991, shtëpia e akademik Eshref Ademajt u shndërrua në Rektorat. Në këtë kohë, ai ushtronte detyrën e rektorit, ishte edhe kryetar i Kuvendit të Universitetit dhe kryetar i Shoqatës së Pavarur të Arsimtarëve të Universitetit.
Kjo shoqatë, në atë kohë, kryente funksionet e organeve universitare, pas suprimimit të tyre nga organet e dhunshme serbe të instaluara në Universitetin e Prishtinës, me vendim të Kuvendit të Republikës së Serbisë, më 27 qershor 1991.
Në qershor të vitit 1991, Prof. Eshref Ademaj arriti t’i tubonte delegatët e Kuvendit të Universitetit në një sallë të Fakultetit Filologjik. Aty u mor vendimi për shpalljen e konkursit për regjistrimin e studentëve në Universitetin e Prishtinës për vitin akademik 1991/1992. Ky konkurs u realizua brenda afatit të paraparë dhe në kushte tejet të vështira.
Ky veprim i guximshëm i Prof. Eshref Ademajt duket se e shpëtoi Universitetin nga shthurja, duke ruajtur vazhdimësinë e tij si vatër e arsimit universitar.

3. Angazhimi për të drejtat kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve
Krahas punës së suksesshme si shkencëtar dhe pedagog në Universitetin e Prishtinës, ai ishte edhe një luftëtar i paepur për të drejtat njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Kosovë dhe më gjerë.
Që nga viti 1981, ai u angazhua aktivisht për zgjidhjen e drejtë dhe të barabartë të çështjes sonë kombëtare në ish-Jugosllavi.
Në veçanti, kontributi i tij madhor u bë i njohur pas vitit 1991, siç e theksuam më lart, në mbrojtje të shkollës shqipe dhe të Universitetit të Prishtinës, në kohën kur regjimi pushtues i Beogradit ishte vërsulur me të gjitha mjetet dhe metodat për zhbërjen e tyre.
Në simpoziume të ndryshme shkencore, vendore dhe ndërkombëtare, ai e paraqiste me guxim dhe argumente dhunën dhe gjenocidin serb të ushtruar çdo ditë mbi popullin shqiptar në Kosovë.
Në këtë kontekst, kontributi i tij u materializua edhe me botimin e librit “Kosova Viktimë” (Kosovo Žrtva), në bashkëpunim me viktimologun e njohur kroat, Zvonimir Sheparoviq.
Në këtë libër, përmes studimeve shkencore të Eshref Ademajt, Adem Demaçit, Skender Rizajt, Limon Rushitit, Hakif Bajramit, Fehmi Rexhepit, Jusuf Bajraktarit, Muhamet Pirrakut, Pajazit Nushit, Zejnel Kelmendit, Ramiz Abdylit, Goran Hershakut, Masar Stavilecit dhe të tjerëve, u trajtua në mënyrë faktografike gjenocidi serb mbi popullin shqiptar, që nga gjysma e dytë e shekullit XIX, më saktësisht nga viti 1875 e tutje.
Në këtë drejtim, Prof. Eshref Ademaj, edhe si anëtar i Këshillit për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMDLNJ) në Prishtinë, të kryesuar nga Adem Demaçi, u angazhua dhe kontribuoi në mbrojtjen e të drejtave njerëzore dhe kombëtare të shqiptarëve në Kosovë, të cilat dhunoheshin çdo ditë në mënyrë brutale nga aparati shtetëror pushtues i Sllobodan Millosheviqit.

4. Kontributi në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve
Në këtë kuadër, akademik Eshref Ademaj dha një kontribut të veçantë edhe në Lëvizjen për Pajtimin e Gjaqeve në Kosovë, gjatë viteve 1990–1993.
Unë personalisht ruaj kujtime të paharruara nga takimet me akademik Eshref Ademajn gjatë aksionit të pajtimit të gjaqeve, në vitet 1990–1993.
Më 24 janar 1991, në fshatrat Zhur dhe Billushë të komunës së Prizrenit, akademik Eshref Ademaj, së bashku me akademik Mark Krasniqin, prof. Muhamet Pirrakun dhe aktivistë të Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve dhe Ngatërresave të rajonit të Prizrenit, me kryetar prof. Bajram Kurtin, ndihmoi në pajtimin e disa familjeve të hasmëruara ndër vite.
Në këtë lëvizje gjithëpopullore, Eshref Ademaj, përkrah profesorëve të tjerë universitarë të kryesuar nga Anton Çetta, si një plak i urtë dhe i mençur, me pak fjalë ua shëronte zemrat njerëzve të hasmëruar dhe ua hiqte përfundimisht prangat e vetëngujimit.
Rrjedhimisht, akademik Eshref Ademaj ishte ndër figurat më poliedrike të botës intelektuale dhe kombëtare në historinë tonë më të re.

5. Pozitat udhëheqëse të akademik Eshref Ademajt në Universitetin e Prishtinës dhe jashtë tij
Akademik Eshref Ademaj ushtroi shumë funksione drejtuese në Universitetin e Prishtinës dhe jashtë tij.
Ndër pozitat dhe funksionet që mbajti, veçohen:
– Kryetar i Pleqësisë në Shkollën e Lartë Teknike dhe në Fakultetin Teknik të Prishtinës;
– Shef i Seksionit të Xehetarisë dhe të Teknologjisë në Fakultetin Teknik të Prishtinës (1970–1972);
– Prodekan në FSHMN të Prishtinës (1977–1979);
– Dekan në FSHMN të Prishtinës (1979–1980);
– Shef i studimeve pasuniversitare në Seksionin e Matematikës në FSHMN (1978–1982);
– Anëtar i Kryesisë së SHMFA-së së Kosovës;
– Kryeredaktor i revistës Matematika-Fizika;
– Sekretar i Këshillit Redaktues të revistës Buletini i Punimeve Shkencore të FSHMN-së së Prishtinës;
– Kryetar i Këshillit Organizativ të Kongresit VIII të MFA-së së Jugosllavisë, në Prishtinë, më 1985;
– Anëtar i Këshillit Redaktues të revistës Glasnik Matematički;
– Kryeredaktor përgjegjës i revistës shkencore Punime Matematike, botimin e së cilës e inicioi dhe më pas e shpërndau në botë;
– Prorektor dhe rektor i Universitetit të Prishtinës, si dhe një nga prijësit e tij në periudhën më të vështirë, pas përjashtimit nga ndërtesat universitare;
– Kryetar i Shoqatës së Arsimtarëve Universitarë dhe Punëtorëve Shkencorë të Kosovës;
– Anëtar i KMDLNJ-së, me seli në Prishtinë;
– Anëtar i Këshillit për Pajtimin e Gjaqeve, të kryesuar nga Anton Çetta (1990-1994) etj.


6. Shpërblimet dhe mirënjohjet për punën e palodhur të akademik Eshref Ademajt
Për punën dhe kontributin e tij, akademik Eshref Ademaj u nderua me disa dekorata, shpërblime dhe mirënjohje:
1. Mirënjohja e Universitetit të Prishtinës, në vitin 1970, me rastin e themelimit të Universitetit, për kontributin në ngritjen e mësimit dhe të punës shkencore.
2. Mirënjohja e Fakultetit Teknik, me rastin e kremtimit të 10-vjetorit të punës së Fakultetit, për kontributin në punën e suksesshme dhe në zhvillimin e tij.
3. Mirënjohja e Lidhjes së Shoqatave të MFA-së së Jugosllavisë, me rastin e 30-vjetorit të punës së Lidhjes.
4. Shpërblimi i Dhjetorit për vitin 1978, për rezultatet e arritura në fushën e shkencave matematikore.
5. Mirënjohja e FSHMN-së, me rastin e kremtimit të 20-vjetorit të punës së Fakultetit, për kontributin në punën e suksesshme të tij, në vitin 1980.
6. Shpërblimi i Nëntorit i Kuvendit të Komunës së Prishtinës, për vitin 1985, për rezultatet e jashtëzakonshme të arritura në fushën e mësimit dhe të punës shkencore.
Për të arriturat e tij në fushën e shkencës, ai ishte nominuar dhe, në vitin 1995, ishte përfshirë në edicionin e 5 000 personaliteteve më të shquara të botës.
7. Punimet shkencore dhe profesionale të akademik Eshref Ademajt
1. Grupet lokale nilpotente pa përdredhje (punimi i magjistraturës), Beograd, 1970.
2. O uslovima konačnosti u lokalno nilpotentnim grupama bez torzije, Buletini i Punimeve Shkencore të FSHMN-së, nr. 2, Prishtinë, 1974.
3. Për izolatorët dhe nëngrupet e izoluara në grupet lokale nilpotente pa përdredhje, Buletini i Punimeve Shkencore të FSHMN-së, Prishtinë, 1974.
4. Konačne proste grupe s rešivim centralizatorom involucije, Buletini i Punimeve Shkencore të FSHMN-së, nr. 3, Prishtinë, 1975.
5. Prilog teoriji konačnih jednostavnih grupa (disertacioni i doktoratës), Zagreb, 1976.
6. A Characterization of the Simple Group Lₙ(2), Glasnik Matematički, Zagreb, 1978.
7. Karakterizacija grupe L₆(2) trećim centralizatorom involucije, Buletini i Punimeve Shkencore të FSHMN-së, nr. 3, Prishtinë, 1986.
8. On a Projective Plane of Order 11 on Which Operates a Group of Order 63 Which Fixes a Subplane of Order 2, Glasnik Matematički, Zagreb, 1984.
9. On the Classification of Projective Planes of Order 15 with a Frobenius Group of Order 30 as a Collineation Group, Archiv der Mathematik, 1985.
10. On the Non-existence of Projective Planes of Order 15 with a Frobenius Group of Order 30 as a Collineation Group, Glasnik Matematički, Zagreb, 1986.
11. Biplanes of Order 14 with a Group of Order 28, Punime Matematike, nr. 3, Prishtinë, 1989.
12. Biplanes of Order 14 with a Cyclic Group of Order 14, Punime Matematike, nr. 4, Prishtinë, 1989.
13. Classification of Symmetric Block Designs for (71, 21, 6) with Frobenius Group of Order 21, në bashkautorësi me prof. Mario Essert.
8. Tekstet shkollore dhe universitare të akademik Eshref Ademajt
1. Algjebra për klasën e II të gjimnazit, Prishtinë, 1976.
2. Algjebra e përgjithshme, Universiteti i Kosovës, Prishtinë, 1983.
3. Matematika për klasën e I të fazës së parë të AMO-së, Prishtinë, 1981.
4. Matematika për klasën e III të fazës së dytë të AMO-së, drejtimi: makineri, metalurgji etj., Prishtinë, 1984.
5. Algjebra lineare dhe gjeometria analitike, Prishtinë, 1985.


9. Vdekja e akademik Eshref Ademajt
Akademik Eshref Ademaj, pas një sëmundjeje të rëndë, ndërroi jetë në Gjermani, më 17 korrik 1994. Më 7 gusht të po atij viti, u varros me nderime të larta në varrezat e Prishtinës.
Prof. Dr. Ejup Statovci, në mbledhjen komemorative kushtuar Prof. Eshref Ademajt, më 7 gusht 1994, ndër të tjera, theksoi se vepra e tërësishme e Eshref Ademajt është madhore dhe, si e tillë, do t’i japë përherë dritë mendimit të Universitetit dhe çështjes sonë kombëtare.
_________
TELEGRAM NGUSHËLLIMI
Dërguar mikut tim Rafet Ademaj, me rastin e vdekjes së vëllait të tij, akademik Eshref Ademaj
Me pikëllim të thellë mora lajmin për vdekjen e vëllait tuaj dhe të akademikut tonë, Eshref Ademajt, humbje kjo e madhe për shkencën shqiptare, sot dhe në të ardhmen.
Vdekja e parakohshme e gjeti në kulmin e krijimtarisë së tij shkencore. Ai, me tërë qenien e tij, punoi dhe veproi pa u lodhur në Universitetin e Prishtinës, duke i lënë shkencës sonë një opus të gjerë veprash dhe librash matematikorë, për të cilat gjeneratat e sotme dhe të ardhshme do ta kujtojnë gjithmonë me respekt.
Falë punës së tij të palodhur, ditë e natë, në çastet vendimtare ai u ngrit dhe e shpëtoi Universitetin tonë nga shthurja e plotë.
Unë personalisht ruaj kujtime të paharruara nga akademik Eshref Ademaj gjatë aksionit të pajtimit të gjaqeve. Ai, përkrah prof. Anton Çettës, Mark Krasniqit dhe të tjerëve, si një plak i urtë dhe i mençur, me pak fjalë ua shëronte zemrat njerëzve të hasmëruar dhe ua hiqte përfundimisht prangat e vetëngujimit.
Vdekja e tij është një humbje e madhe për ju dhe për familjen e gjerë Ademaj. Prandaj, së bashku me ju, e ndaj dhimbjen dhe pikëllimin, duke ju shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta.
VEPRA DHE KUJTIMI I TIJ NUK DO TË HARROHEN KURRË, PËR JETË TË JETËVE!
Ngushëlloj mikun tim Rafet Ademaj, familjen e tij dhe familjen e gjerë Ademaj.
Sheradin Berisha
Bazel, 20.07.1994

_______
BURIMET
1. Biografia e akademik Eshref Ademajt, Akademia e Shkencave dhe e Arteve e Kosovës (ASHAK).
2. Skender Susuri dhe Hasan Morina, Mbijetesa e Shkollës Shqipe në Komunën e Prizrenit 1990-1999.
3. Skender Susuri, Vitet e Qëndresës (libër dokumentar për jetën dhe punën e shkollës fillore “Dëshmorët e Zhurit” në Zhur, 1990-1999: Sfida, dëshmi dhe fakte).
4. Skender Susuri, Eshref Ademaj, personalitet i shquar i arsimit dhe i shkencës, luftëtar i paepur për të drejta kombëtare e njerëzore, Prizren, 2009.
5. Sheradin Berisha, Akademiku Eshref Ademaj – personalitet i shquar i shkencës dhe i çështjes sonë kombëtare, Pashtriku, janar 2023.
6. Skënder Susuri, Kontributi i akademikut Eshref Ademaj për të drejtat kombëtare dhe njerëzore të shqiptarëve, Pashtriku, 2016.
7. Nga arkivi im.
——–
Kjo kumtesë u lexua më 21 shtator 2024, në përvjetorin e tridhjetë (30-të) të ndarjes nga jeta të akademikut, prof. dr. Eshref Ademaj.
Sheradin Berisha © Pashtriku.org