KONVERTIMI PERVERS

KONVERTIMI PERVERS

(Mbi një barometër mashtrues)

Nga Rexhep Kasumaj, Berlin 30 tetor 2021

1. Zodiaku

Ndërsa këto ditë, i pasionuar mbas artit të tij sublim, lexoja “Shkelja e kurorës” të Paulo Koelhos, gjeta një përskajim të bukur figurativ: “Pushteti”, shkruan ai, “është më i miri zodiak në botë”!

Magjia tërheqëse e Fuqisë, ndërkaq, për grupimet e organizuara politike është krejt e natyrshme: ngjitja e shkallareve të fronit dhe, përmes tij pasurimi i lirisë dhe lehtësimi i jetës, është vetë kuptimi i qenies së tyre…

Por kur ato pushtetohen në hapsira të mugëta që s’njohin ende as ligjet e as moralin e shërbesës, ndodh rrëzoma e ligë: rrëmbejnë përfitime që venë përtej nëvojës dhe matanë së drejtës.

2. Konvertimi!

Njeriu politik mund të ndërrojë bindje e afinitet e, si Çërçilli, dhe parti politike. Kishte transmigruar në pesë të tilla, por, natyrisht, të gjitha kultivonin shpirtin e lirisë.

Po dhe vetë partitë lëvizin shpesh drejt qendrës. Këtë gjëmë i’a gatiti ish kancelari Shrëder Partisë vet Socialdemokrate e cila, pa vonuar, do bjerrte identitet e besim popullor.

Por s’më ka rënë të njoh përvojë kur një votër partiake të konvertohet e tëra në profil e ideologji tjetër.

Ndaj, pra, asnjë parti politike e Lindjes së kuqe nuk është ripagëzuar lehtësisht një “krah i djathtë”.

Kanë ruajtur, përgjithsisht, vokacionin e majtë. Një majtizëm të moderuar europian larg amzës së vjetër bolshevike.

Kështu do të ndodhte në Gjermani, në Poloni e, tutje, në Europën e Re!

3. Keqkuptimi

Por në Kosovë, ndërkaq, vetëm aty, grupimet partiake me gjenealogji klasike të majtë, një mjes të bukur do të shpallen solemnisht të djathtë.

Ldk-ja vjen nga brumi  e fryma e Lidhjes së komunistëve të Kosovës, ndërkohë që Pdk-ja, anipse kauzë e së cilës ishte Republika e federuar, trashëgonte Lëvizjen ilegale marksiste-leniniste.

Si u bë, ndaj, që ato të pësonin këtë shndrresë të beftë e të çuditshme?

E para, do thoshim, vuante kompleksin jugosllavist dhe, pra, dertonte fshirjen e biografisë, aq e nëvojshme për t’u konformuar në shekullin e ri.

Kurse e dyta, si do rridhte më pas, kishte dhe një shkakësi tjetër të ndajshtuar. Është një fillesë e zymtë shfytyrimi që, më shumë se ideologjisë, i referohet injorancës dhe etikës.

Demokracia libertare për shkollën e tyre, shfaqej e huaj, madje përbindshëm armiqësore.

Që këtej, nuk e kishin fort idenë e të djathtës. Ajo nuk përceptohej si kulturë, por, thjeshtë, si një keqkuptim i thellë në fushën e dijes, identifikohej me kamjen dhe arrogancën parasë.

Ndaj dhe, meqë, brenda natës, meteorisht, u bënë oligarkë financiarë, në gjurmë të këtij moskuptimi do të shpalleshin krenarisht të djathtë!

Rrjedhimisht, sipas kësaj optike të vëngër, i tillë mund të ishje kurdoherë. Mjafton të aderoje privatisht në rrathët epërm pasunorë.

Dhe leva e këtij statusi vezullor s’kishte aspak rëndësi: dorë mbi fondet e luftës, pastaj mbi buxhetin e varfër të shtetit, transaksionet spekulative, nëntoka, kartelat dhe forma të tjera hajnie të paparë, që prekte kufijtë e trathtisë kombëtare!

4. Simbioza!

Në fakt, pas një kohe rrugëtimi të ndarë e konfrontuar, këto dy grupime politike do të pësojnë shpejt një afrimitet të habitshëm.

Nuk ishte vetëm konvertimi pervers shtysa e përafrisë, por një yll tjetër polar që ndiqnin netëve ëndërrtare: Fuqia pushtetëse! Një fuqi që njëjtësohet me levën e grabitjes dhe ronitjes së Republikës, akoma të brishtë e në sprovë ekzistenciale të saj.

E kishin mbrapshtuar keq aromën e “Zodiakut” për ç’flet Koelho i përkorë. Prandaj dhe kjo aromë, me ç’duket, si rrallëkund në hemisferën e lirisë, do shijonte dehshëm në Kosovën e lodhur prej saj ndër shekuj…

Duke qenë një simbiozë tipike, ato sikur u ngjizën në formacion të vetëm banditokrat. Veçse njëj emërtimi të ndryshëm që sikur jepte mëvetësinë formale të tyre!

Kjo lokomotivë e dyzuar, siç rrëfejnë shenjat në horizont, do shtyhet e shtyhet tutje.

Pa gjasë të ndërrojë ftyrë e identitet të harbuar: braktisjen e portretit të vjetër, këtë kombinim të përsosur të kooperativës politike tribale dhe, tashmë, mbitokës mafioze kolumbiane.

Dhe poaq, pa gjasë për të hapur një kapitull tjetër në filozofinë e vet: me njerëz, ide e kulturë të re politike.

Të denjë për dhimbjen e atdheut!

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura