(Tiranë, 17. 01. 2013) – “Njerëzimi i sotëm, është njerëzimi i papagajve të Nembrotit, i cili duke vdekur, na ka ringjallur të gjithë neve! Habitësisht, mizorisht, paradoksalisht gjithçka më kujtonte Nembrotin biblik dhe njëkohësisht antibiblik. Bota (por dhe Universi) është një katrahurë, strukturë dhe entropi linguistike. Termi “Kiberhapësirë” është krijuar nga shkrimtari i fanta-shkencës William Gibson. Ky term përkufizon një “halucinacion konsensual” pra një hapësirë të pafundme të bërë nga një softwar-e brenda kompjuterit, që prodhon Realitetin Virtual (RV). Ky Realitet Virtual është “hapësira dhe koha e askundit”. Peizazhi artificial në Internet, ose server-ët e kompjuterit, rrjetet online, që lidhin qindra milionë njerëz në gjithë planetin, shpikin përfundimisht atë që quhet në mënyrë patetike Cyberia, planeti prej kibernetike iluzive. Sot banorët e botës janë cybernautë. Kjo më shtyn, më grish, më ngacmon, më sfilit të rrëfej se libri im “Papagajtë e Nembrotit” është (synon) më tepër përmbysjen e kohërave, daljen nga ex-Cyberia….” – thotë Moikom Zeqo.
DR.MOIKOM ZEQO
Moikomi është eseist me dhunti të gjithanshme, erudit i madh.
Ka rreth 15 vjet që në Shqipëri shkruhet dhe botohet një tjetër lloj letërsie, ashtu pa zhurmën e tam-tamet me të cilat jemi mësuar ne të përurojmë libra, qofshin këta edhe të nivelit mediokër. Është një penë sqimatare që kalon në sitën e saj Historinë e krejt Botës, gati në të gjitha fazat e saj, e që na e sjell atë jo vetëm të gatshme, por të ngritur në art, me mjete krejt të tjera nga ato klasiket, të cilat kemi njohur deri më tani. E kjo penë, thuajse çdo libër e shoqëron me një fjali, në mos të anonçuar si titull a nëntitull, si refren të pashpallur të veprës së vet: – “Një libër për të gjithë dhe për askënd”. E thotë këtë, edhe si shenjë revolte, edhe si formë dëshpërimi për heshtjen vuvë që e rrethon. E thotë këtë, pasi siç me shumë forcë e thekson si leitmotiv… “Lexuesit nuk vlejnë për vetullat e tyre, por për sytë”. I ndodhur në një ambient të pazotin për t`i bërë kritikën letrare konstruktive (por as destruktive), kuptohet plotësisht heshtja që rrethon veprën e tij. E vërteta është që sot jetojmë në një periudhë kur “heshtja” konsiderohet si armë efikase për asgjësimin e tjetrit, kur atij nuk ia arrijmë dot. Thuajse gjithë gazetarët seriozë që nuk bëjnë dot pazar shpirtin, e kanë vërejtur këtë fenomen mbas shumë shkrimesh të goditura të tyre, të çdo gjinie qofshin këto, kur kanë takuar të nesërmen “ata”, të tjerët, ata që janë të paktën dy herë në ditë në ekranet e tv-ve me…analiza për “të gjitha fushat”. Ata që me të njëjtën lehtësi bëjnë (pa qenë kurrkund), edhe gazetarin, edhe historianin, doemos politikanin: – Hë si je, ç`ke shkruar? – pyet ai i “dritares” televizive. – Po..dje, madje edhe para disa ditësh, kisha një Opinion dite tek x gazetë – i përgjigjesh ti. – Ou!, sikur ma kapi veshi në mëngjes këto ditë, por s`pata kohë ta lexoja… thotë ai i dritares… Sikur me të vërtetë të ishte ashtu, do të qe gjysma e së keqes (pavarësisht se atij që “i di të gjitha”, nuk i falet të mos ta ketë lexuar). Por e keqja dy e njëmijëfishe, është se ai e ka lexuar, ndoshta edhe rilexuar, por nuk ka dot nivelin, kulturën, fundja burrërinë (që e ka për detyrë), t`i thotë: – po, e lexova, më pëlqeu; ose s`më pëlqeu xhanëm. Jo, por… heshtje, “sikur”… heshtje. Shkruhet në këto vite një lloj tjetër proze, gati-gati prozë poetike, e një tjetër lloji, me tjetër stil, stil i cili kaherë ka kapërcyer atë stil dhe periudhë që edhe për marrëveshje fjale, quhet modernizëm. Shqipëria ka fatin që për mbi 15 vite të ketë një shkrimtar postmodernist, më saktë një përfaqësues të vërtetë të etikës së Postmodernizmit, Avanguardën e kohës, të mirënjohurin Moikom Zeqo. Miqtë e tij, por edhe lexues që mendojnë në këtë vend, kanë krijuar tanimë në shtëpitë e tyre, Bibliotekën e Moikomit – pa asnjë zmadhim kjo, po të kemi parasysh tërësinë e librave të botuara prej tij. Akademiku Ali Aliu para pak vitesh do të shprehej: -“Proza e tij me dije të gjerë, në momente të shkëputura e pezull në kohë dhe në hapësirë, të kundërta dhe përjashtuese në pushtetin e imagjinatës të thuash “të çmendur” të Moikomit, vihen nën një fill të përbashkët, edhe atëherë kur kjo duket e paimagjinueshme. E bën këtë me lehtësinë e një magjistari që kërcen e lëviz nëpër shekuj e hapësirë, si në kopshtin e vet”…Ashtu siç na vjen edhe vlerësimi i Akademikut Rexhep Qosja kur thotë: – “Kërshëria mendore e Moikomit është e jashtëzakonshme: letërsi, mitologji, pikturë, histori, arkitekturë, arkeologji, politikë, gjuhësi. Është eseist me dhunti të gjithanshme, erudit i madh. Di shumë dhe shkruan shumë. Di shumë dhe dijen e përhap edhe gjatë bisedës, e jo vetëm në libra”… Kaleidoskopi gjigand i Moikomit lëviz nëpër hapësira kontinentesh, vërtitet në gjenezat e kohërave, kapërcen kufijtë e epokave, krijon aliazhe të çuditshme të historisë dhe të artit, të shkencës dhe filozofisë, por edhe të politikës. Kaleidoskopi i tij, për vite të tëra na ndriçon në pafundësi.
(“Papagajtë e Nembrotit” TOENA, 2012)
Në ditët e para të këtij fillimviti, në kafen e urimit, diku aty tek ish Ekspozita, gjetëm rastin për të biseduar me të, me shkas librin e fundit të botuar prej tij, që u paraqit në Panairin e librit me titullin “Papagajtë e Nembrotit”…
1 – Profesor, gëzuar! Cili është mendimi Juaj për Vitin e Ri, ç`është në të vërtetë akti i ndërrimit të viteve?
MOIKOM ZEQO: Gëzuar juve, gjithë stafit të gazetës, gjithë lexuesve të saj, gjithë bashkëkombasve tanë, gjithë botës, për shumë vjet! Ka një hapësirë kohe (sintagmë krejt konvencionale), midis mbarimit të vitit të vjetër dhe të vitit të ri. Matematikisht ky dallim është një sekondë. Por, a ka edhe nënndarje më të vogla të sekondës? Le ta themi më thjesht: sekonda që ikën merr me vete një vit, sekonda që vjen, sjell një vit. Minuta që i përfshin këto dy sekonda bashkon dhe ndan dy vite. Të bësh kërkime në këtë pikë është e pamundur. Është si të hysh në thellësitë e një atomi, pikërisht si polumbarët në thellësitë e detit. Pra ardhja e Vitit të Ri nuk është mister. Njerëzimi (ndoshta njerëzimi i tërë fëmijëve të botës!), ka shpikur Plakun e Vitit të Ri. Është një abstraksion poetik. Ky Plak i Vitit të Ri vjen përherë, por pa ardhur. Askush nuk e ve në dyshim mosardhjen e tij fizike. Ardhja e tij shpirtërore është gjithçka. Dallgët e shkumëzuara të detit përshembull, mund t’i përfytyrosh si kaproj të bardhë dhe Hënën që lëviz si një koçi antike argjendi. Dhe shfaqet De Rada, Plaku im i Vitit të Ri, plot fshehtësi dhe emocione festive…
Njerëzimi i sotëm, është njerëzimi i papagajve të Nembrotit…
2 – Pse keni zgjedhur pikërisht Nembrotin me papagajtë e tij si histori për të shkruar të parin tregim të librit, por edhe titullin e tij?
MOIKOM ZEQO: Nembroti i Babilonisë është tanimë mbreti i stërnjohur për të gjithë, apo siç vetëquhej, “mbreti i mbretërve”. Një ditë këshilltari i tij i sugjeroi:
“Mbretëria jote o mbret i mbretërve është e paanë. Por ti duhet të dish se çfarë mendojnë. Për këtë duhen papagajtë. Ata i dëgjojnë dhe i mbajnë mend bisedat e tyre të fshehta. Papagajtë do të jenë ata që do të dëgjojnë për ty gjithçka. Njerëzit – që janë skllevërit e tu, flasin ndryshe kur janë para madhështisë tënde, e ndryshe kur janë larg. Shpërndaji kudo papagajtë, urdhëro që në çdo familje të ketë papagaj. Njerëzit janë budallenj. Ata i kujtojnë papagajtë vetëm dhe thjesht zogj. Por këta papagaj do të jenë tmerri i tyre. Ata do të regjistrojnë fjalët e pabesa, talljet, pasionet dhe mllefet kundër teje, rebelimet e mundshme. Mjafton t’i mbledhësh papagajtë nga të gjitha pikat e mbretërisë dhe t’i dëgjosh vetë”. E thjeshtë. Kështu papagajtë do të bëjnë atë që s’e bëjnë dot as rojat e mi, as kalorësit dhe as astrologët. Më pëlqen kjo gjë. Ah, papagajtë! Sa shumë i kam përbuzur. Ma shpifnin. Por me sa duket, duhet të ndërroj mendim për ta”-tha Nembroti. Ai bëri për papagajtë një sallë gjigande, muret e së cilës u bënë me mermer të shumëngjyrshëm, si ngjyrat e papagajve. Në sallë kishte mijëra shkrues që shënonin të dhënat për çdo papagall. Pastaj papagajtë së bashku me kafazin u dhuroheshin shtetasve, pavarësisht rangut. Shkruesve Nembroti u kishte prerë gjuhët. Ata ishin memecë, që të ruhej sekreti mbretëror. Secili nga këta shkrues kishte për detyrë të shkruante fjalët që i përsërisnin papagajtë, kur mbas ca kohësh rojat e mbretit shkonin dhe i merrnin papritur nga shtëpitë ku jetonin ata që u qenë dhuruar (kurrë nuk e kishin kuptuar pse Nembroti ua kishte dhuruar papagajtë e tmerrshëm. Papagajtë bëheshin shkak që Nembrotit t’i raportohej saktësisht ç’mendonin ata që hiqeshin si të bindur. Mbas zbulimit të mendimeve kundër tij, Nembroti urdhëronte vrasjet e panumërta. Kjo qe hakmarrja e tij… Tani le të vij tek pyetja juaj. Duket shumë e thjeshtë. Mjafton edhe një papagall, për të qenë të tërë papagajtë. Në kohërat moderne u shpikën magnetofonët dhe CD-të e kompjuterave. Nuk ishin gjë tjetër veçse një teknologji e sofistikuar e papagajve të Nembrotit. Bota dixhitale dhe kibernetika, janë mbijetesa e këtyre papagajve të papërballueshëm. Gjuha e imazhit s’ka nevojë për gjuhët e pafundme fonetike. Ne e përjetojmë të gjithë Babiloninë e Re të imazhit, pra rikthimin si bij plangprishës tek mbreti i mbretërve – Nembroti. Mungesa e gjuhës nembrotase është nembrotizimi i imazhit universal. Njerëzimi i sotëm, është njerëzimi i papagajve të Nembrotit, i cili duke vdekur, na ka ringjallur të gjithë neve! Habitësisht, mizorisht, paradoksalisht gjithçka më kujtonte Nembrotin biblik dhe njëkohësisht antibiblik. Bota (por dhe Universi) është një katrahurë, strukturë dhe entropi linguistike. Termi “Kiberhapësirë” është krijuar nga shkrimtari i fanta-shkencës William Gibson. Ky term përkufizon një “halucinacion konsensual” pra një hapësirë të pafundme të bërë nga një softwar-e brenda kompjuterit, që prodhon Realitetin Virtual (RV). Ky Realitet Virtual është “hapësira dhe koha e askundit”. Peizazhi artificial në Internet, ose server-ët e kompjuterit, rrjetet online, që lidhin qindra milionë njerëz në gjithë planetin, shpikin përfundimisht atë që quhet në mënyrë patetike Cyberia, planeti prej kibernetike iluzive. Sot banorët e botës janë cybernautë. Kjo më shtyn, më grish, më ngacmon, më sfilit të rrëfej se libri im “Papagajtë e Nembrotit” është (synon) më tepër përmbysjen e kohërave, daljen nga ex-Cyberia. Në ç’kuptim? Përmbysja si rikonstruktim. Subjekti në dukje i pazakonshëm, është në realitet i shpërdoruar në mënyrë të pakufishme. Parabola që Nembroti u mësoi gjuhën e tij papagajve, përmendet edhe tek Jambliku i Paflagonisë, – referencë tashmë e harruar. Jambliku me atribute ironie ka shkruar se Nembroti kishte një egoizëm përtej historisë, e përtej konceptit të kohës dhe të hapësirës, mendonte se gjuha e parë e botës mund të mbijetojë nëpërmjet teknikave indiferente, por të sakta siç është kujtesa e papagajve. Kam qenë i tronditur dhe i sikletosur, për të arritur në një qartësi mendore pikërisht për figurën e Nembrotit, i cili për gjuhën e vetme gjithëpërfshirëse, pavarësisht herezisë së tij të frikshme, kishte më shumë të drejtë sesa vetë Jahovai, i cili projektoi shumësinë e gjuhëve, pra një vështirësi (shumësi) të kotë. Për Nembrotin ekziston një modalitet tekstual kundër modalitetit gramatikor. Pra, gjuha e tij ishte epifania e një gjithësie pa Big Beng dhe pa Demiurg. Gjuha e Nembrotit zotërohej nga izotopia e së pathënës. Ajo mbartte të mirëfilltën si habi dhe shmangte helmimin nga kultura e dyshimit dhe e simbolit. Si ka mundësi që gjuha e Nembrotit të kishte një përparësi kaq të padiskutueshme, që marrëzisht dhe në mënyrë diletante u shpërbë nga Jahovai? Ngaqë enigma ishte e pazgjidhshme, unë e gjeta një farë ngushëllimi duke lexuar Danten. Pikërisht në Ferr, mes rrethit të tetë dhe të nëntë, Dantja e përshkruan Nembrotin si një burrë vigan, 26 metra të lartë, i cili është veshur me tesha hekuri dhe sytë i ka të mbyllura, të qepura me fije hekuri. Nembroti është i dënuar për shkak të rebelimit të tij, por jo për shkak të vizionit të tij. Kështu që subjekti im për Nembrotin dhe papagajtë në vend që t’i afrohej Dantes, i largohej pambarimisht. Të burgosësh prometeikisht në një “causa linguae” fjalësh, apo të një gjuhe të vetme si ajo e Nembrotit, do të thotë që të balsamosësh një të kaluar, e cila mbart në mitër të ardhmen. Sepse ato që kanë ndodhur do të ndodhin, dhe ato që do të ndodhin kanë ndodhur. Në një kuptim më bizar dhe më të përgjithshëm, tregimi im për Nembrotin është një situatë në gjendje të pakryer. Pra, është si ta shkruash duke skalitur, apo ngulitur ëndrrat në mermer. Kështu, tregimi mbetet i papërkufizuar, po aq sa janë të gjitha aforizmat dhe sentencat.
Froni mbretëror është mbreti…
3 – Nëse e quajmë këtë si “filozofinë e pushtetit”, cila është figura aktuale e pushtetit në përgjithësi?
MOIKOM ZEQO: Kemi të bëjmë me dy pamje: Kolltuku dhe njeriu. Pushteti, autoriteti, egoja e secilit, janë thelbi ku rrimë, ku ulemi, ku qëndrojmë, urdhërojmë, meditojmë, thurim intriga, bëjmë plane, por edhe ëndërrojmë. Për fat të keq, Froni mbretëror është mbreti, ai presidencial vetë presidenti, kolltuku i drejtorit të bankës është gati vetë banka, kolltuku i drejtorit të mediave, vetë mediat. Ah, kolltukët e antropofizuar! Kolltukët e qenieve të plotpushtetshme! Kolltukët fatalisht heriarkikë! Askush nuk i vlerëson ndenjëset e thjeshta, karriget, stolat, tërë ato struktura ku ulen punëtorët, njerëzit e varfër, emigrantët, lypësit, prostitutat, nëpunësit e vegjël, nxënësit, poetët e rinj, që s’kanë para të botojnë librat e tyre të ëndrrave, të sëmurët me kancer që s’kanë siguracione për t’u kuruar në spitale, të papunët e pafund, të divorcuarit, fëmijët e braktisur, pa lodra, pa përkëdhelje, të çmendurit, vetëvrasësit e ardhshëm, kërkuesit e plehrave, të paralizuarit, të verbrit, njerëzit e shkretëtirave dhe të periferive! Skotat dhe ndarjet e njerëzve të planetit të sfilitur! Fronet e praruar të shtetarëve të mëdhenj, burokratëve, papëve, akademikëve servilë, VIP-ave të marrë, gjeneralëve! Një imazh apokaliptik, mund të përmbyllej me kolltukë prej zjarri, për prapanicat që shtypin fytyrën e dëlirë të së ardhmes!…
Artistët janë poligamë!
4 – Në gjithë këtë katrahurë, cilët janë artistët, cili është roli i tyre, çfarë duan dhe dashurojnë ata? Ju jeni përveç të tjerave, (ose më parë se të tjerat) artist i mirëfilltë…
MOIKOM ZEQO: Artistët dashurojnë kozmosin, erërat, thërrmijat, peisazhet, gjuhët fonetike, fantazmat, mitet, makinat, piramidat, shpellat e nëntokëshme, skulpturat antike ende të pazbuluara, fluturat, raketat, lojën e shahut, shpatat, kuajt, shtrëngatat, luanët, monumentet, mbishkrimet, nuancat e tingujve, magjinë e numrave, shpikjet e shkencës, paradokset e historisë, miliardat e të vdekurve, çeljen e orkideve, lëvizshmërinë kaotike të ngjyrave, mumifikimin e mistershëm, argjendarinë e simboleve, të çmendurit që profetizojnë në një gjuhë që nuk ekziston, shpikësit e gjuhëve universale, mamuthët, milingonat, grifonët, centaurët, enët laboratorike të alkimistëve, ndeshjet e toreadorëve, gjakun e masakrave, autodofetë, lundrimet drejt së Panjohurës, fyejt dhe pianot, makineritë që janë gjithashtu piano të hibridizuara, naftën dhe avullin, rrezet e Diellit, yllin Sirius, jashtëtokësorët, lëvizjet e Arlekinit, rritjen e hundës së Pinokut, baobabët dhe eukaliptet, Sfinksin e piramidave, afresket e Mikenës, kafkat e njerëzve prehistorikë, koncertet, vrapimin e kuajve të djersitur në agim, gotat e thyera të gostive të mëdha, mbretërit që heqin dorë nga kurora e bëhen lypësa, profetët plot vizione shumë më përpara zbulimit të televizionit, unazat dhe prangat (që janë e njëjta gjë), anijet akullthyese, polet dhe shkretëtirat (që janë gjithashtu e njëjta gjë), majmunët dhe fluturat (që s’janë e njëjta gjë), tanket dhe xhirafat (që gjithashtu s’janë e njëjta gjë), dorëshkrimet, kodikët, palimpsestet, gravurat dhe llambën e Aladinit, epidemitë dhe antibiotikët, dritën dhe fushën manjetike (që s’kapen dot me dorë), thellësitë dhe shqiponjat vetmitare, skeletet e dinozaurëve dhe arkitekturat, (që mbase janë e njëjta gjë), ëndërrat dhe personazhet (që mbase s’janë e njëjta gjë), klithmën e lindjes së foshnjës dhe heshtjen e të vdekurit (që janë jo një kundërvënie, por një plotësim), mjerimin dhe elegancën (që s’përputhen kurrë), korbat dhe idetë (që vetëm fluturojnë), sirenat dhe këmbanat e katedraleve, fotografitë dhe gjeologjitë (që lindin njëra-tjetrën), gladiatorët dhe filozofët (që vrasin njëri-tjetrin), karrocat dhe orët (që mbijetojnë nga rrotat), kasapët dhe mbirjen e filizave të barit, Diellin dhe shpirtin, përkrenaret e kalorësve dhe skafandrat e kozmonautëve (e njëjta racë!), kosheret e bletëve dhe metropolet, molekulat dhe mikrobet, aromat dhe metaforat, krimbat dhe trenat, fletoret dhe tabelat e shumëzimit, dëshpërimin dhe shpresën, kutinë e Pandorës dhe formulat e Ajnshtajnit, katastrofat dhe mbijetesën, pëllumbin e Pikasos dhe katër kalorësit e Apokalipsit, bukën dhe duart, ujëvarat dhe verën e tryezës, arin e ikonave dhe lulëzimin e agavieve, futurologjinë dhe makinën e kohës, vijat e drejta paralele dhe trekëndëshat me më shumë (ose më pak) 180 gradë, lepujt dhe Pitagorën, vetëvrasjet dhe blasfemitë, të vetmuarit dhe epigonet, prostitutat dhe virgjëreshat (gjithashtu e njëjta racë), helikopterët dhe karkalecat, elektricitetin dhe boshllëkun, spermën dhe shkretëtirat, ujësjellësit dhe epruvetat, ankthin e pritjeve dhe tërë acidet, balenat dhe dirizhoblat, furrat e bukës dhe nekropolet plot eshtra, këngën e gjelit dhe buçimën e topave, lojën me litar të vogëlusheve dhe ylberin, kancerin dhe zvetënimin, kopshtet zoologjike dhe burgjet, kështjellat dhe bankat, utopitë dhe herezitë, stinët dhe ringjalljen e të vdekurve, Prometeun dhe Frankenshtajnin, semaforët dhe telat me gjëmba, helmin dhe ilaçin shpëtimtar, planetin Tokë dhe gjithë galaktikat e panumërueshme, lirikën e infinitit dhe insektet efemere, puset e naftës dhe dejet, aortat e trupit, idhujt dhe fishekzjarrët, lëvizjen e shigjetës dhe ngrirjen e saj në flurudhë, harresën si higjenë e kujtesës, liliputët dhe Guliverin, Davidin dhe Goliatin, cianurin dhe pjalmin, rrokjet e një vargu dhe vagonët e një treni, ultimatumet dhe rebelimet, parukjerët e mbretërve dhe krifat e luanëve të vdekur, ushtarët prej plumbi dhe nëpunësit, kirurgët dhe qelbin e plagëve, gangrenën dhe gjërat e gabuara, thikat dhe kangjellat, optikën dhe padukshmërinë, arsyetimin dhe mikroskopin elektronik, sintaksën dhe programet e robotëve, fuqinë (pafuqinë) e pushtetit dhe lirinë, opiumin dhe imagjinatën, absinthin dhe nargjilenë, hapat e foshnjës dhe hapat e Armstrongut në Hënë, murin e madh kinez dhe litarin e varjes së Fransua Vijonit, cironkën në xhepin e De Radës dhe balenën Mobi Dik, dehjen e Du Fusë dhe TBC-në e Migjenit, çmendurinë e Rembosë dhe qëndresën e Jan Husit, Ejfelin dhe fletët e mullirit të Don Kishotit, kalin Buqefal të Aleksandrit të Madh dhe miun e Robert Bërnsit – që ia prishi folenë, fustanellat e shqiptarëve dhe gajden e skocezëve, varrin e pagjetur të Lorkës dhe varrin e pagjetur të Onufrit, esetë e Montenjit dhe mbishkrimet e Kretës, gurin e rrokullisur të Sizifit dhe brumbujt e shenjtë të Egjiptit, vdekjen e vjeshtës dhe vdekjen e Hamletit, mirënjohjen dhe thikën e Brutit, shtegëtimin e mbretërve magë dhe Lizën në Botën e Çudirave, zjarrin e Xhordano Brunos dhe shpikjen e llambës nga Edisoni, mollën e Njutonit dhe satelitët, universin dhe hiçin, milingonat dhe Akilin (e lindur prej tyre), jehonat në zbrazëtirë dhe famën pakuptim, katakombet dhe kozmodromet, arkeopteriksin dhe balonat prej letre, frizerin e frigoriferit dhe arkivat, fenerët kinezë dhe kaledoiskopet, vërtitjen e skenave në teatër dhe flugerët, rrjetat e peshkatarëve dhe paralelet e meridianet, yllësitë dhe tatuazhet, zeron dhe infinitin, që s’perceptohet dot.
Artistët martohen me të gjitha këto. Dhe janë poligamë! Dhe ç’fëmijë që lindin!. Ajo që ngelet për t`u bërë nga bota e sotme, është të bëjë rregjistrimin (jo Censusin) e artistëve që janë dhe jo vetëm quhen të tillë…
Njerëzimi shtohet. Por individi bëhet përherë e më i vetmuar…
5 – Ç`bëhet me të ardhmen e letërsisë, si e shikoni Ju?
MOIKOM ZEQO: Nga përfytyrimi i kohës dhe i hapësirës së qenësuar nga Jahovai, kohërat moderne i kanë shtegëtuar mendjet njerëzore drejt diçkaje tjetër, më tepër përfytyruese sesa lëndore. Kështu njeriu modern, ose postmodern ka bërë një pelegrinazh të pandalshëm në padukshmëri, në diçka përtej materies, por çuditërisht të shqisuar. Jetojmë biologjikisht vetëvrasjet tona mendore. Blasfemojmë për të qenë akoma më imagjinarë, pra më fantazmorë. Kalendarin e kompjuterëve e kemi skenarin tonë të Armagjedonit. Jemi megjithatë neutrone vezulluese, por pa arsyetime në betejë. Jemi mizanskena të futurologjisë, por jo subjekti i saj. Stimulojmë zanafillat me qeniet që na ngjajnë, por që s’janë ne. Çdo gjë është ç’materializim optik, stereokulturë narciziste, sekretim i dublave pafund, mjedis fluoreshent, xixëllues, efekte dixhitale të ekranit, por jo të shpirtit. Është arritur te portat e kibernetikës – shumë më magjike sesa portat e qiellit, që ruajnë forcën totemike të Jehovait. Duam, apo nuk duam, hapësira dhe koha e letërsisë është kibernetike. E megjithatë, letërsia është e kundërta e Cyberia-s. Njerëzimi shtohet. Por individi bëhet përherë e më i vetmuar…
“Fle dhe zgjohem, lëviz, shkruaj dhe plagosem çdo çast, i përgjakur nga mosmirënjohja”…
Në vend të mbylljes
Në 2 Maj të vitit 2000, “i paudhi” (kështu zakonisht quhen të mënçurit tek ne), Makabe Zaharia, në Parafjalën e librit të Moikomit “Kështu foli Mona Liza”, ndër shumë “vërejtje” që i bën këtij mali të letrave, shënon: – “Librat e mëparshëm botuar nga ky autor (Moikomi) si: “Onufri”, “Nostradami në 3 Qershor”, “Tercinat e pasvdekjes së Dantes japonez”, “Zodiak” si dhe “Mes Laokontit e Krishtit-Onufri II”, flasin për një kokëfortësi të paepur. Nuk i tutet tradicionalistëve. Tallet me të ashtuquajturit modernistë. Rrezikon që të jetë vetë askushi. Madje shpall se ka hequr dorë vullnetarisht dhe me bindje nga autorësia e librave që shkruan. Mbase është metafora e dytë e një Zarathustre femër. Por s`ka asgjë të përbashkët me ekzotikën e të menduarit aforistik të Niçes, ndikimi fatal i të cilit i ka shqetësuar estetët pleq akademikë – pa vepra, të cilët venë në dyshim origjinalitetin apokaliptik të Migjenit, të Nolit, deri diku edhe të Lasgushit sqimatar”. Ky autor ka një guxim, që do ta bëjë përherë pré të ziliqarëve të pafund, që do ta përbuzin me heshtje të rreptë dhe në emër të një morali totalitar do ta përflasin si imoral” – përfundon i paudhi Makabe Zaharia. Të paktën për 12 vjet rresht, është vërtetuar profecia makabre e Zaharisë. Me ç`duket, akoma mund t`i japë koha të “drejtë” (nuk dihet për sa kohë). Por shkruesi i këtyre radhëve (për fat dhe shumë të tjerë më të dijshëm se ai), besojnë se Moikomi është tepër i pëlleshëm (nëse përdorim një fjalë të tijën). Ai është sa ftillëzues, aq edhe frymëzues, ai të jep lëndë të gatshme, e jo mineral bruto, dhe floririn e nxjerr nga ky material. Vetë Moikomi ynë i madh, diku në një libër të botuar në vitin 2012, shpërthen: “Fle dhe zgjohem, lëviz, shkruaj dhe plagosem çdo çast, i përgjakur nga mosmirënjohja”… Nuk di nëse të ndershmit anëtarë të jurive të ndryshme tek ne që ndajnë çmime të ndryshme, po them kot: shkrimtari i vitit a ku di unë, kanë lexuar ndonjë libër të Moikomit (shumë dyshoj). Apo bëjnë sikur?!? E mundshme kjo hata, por s`do ta uroja kurrë, për të mirën e botës së letrave të këtij vendi. Një gjë dihet e saktë: Që në Shqipëri po rritet brezi i dytë i Moikomologëve, të cilët për fat janë të shumtë, por jo në kolltuqet “vendimmarrëse”. Dhe do të shtohen, nga brezi në brez. Siç ka patur dhe ka Noliologë, Naimologë, Migjeniologë etj. Kjo dihet me siguri, sepse ka vite që është duke ndodhur. Ndërsa emrat e antarëve të jurive do të harrohen të nesërmen e përcjelljes së tyre (jetë paçin!)… Amen!
(Shkruar nga Pano Hallko, Tiranë, 17. 01. 2013)
……………………………………………………….
(Ilustrimet i përgatiti kryeredaktori i pashtriku.org)