ILUMINIZMI DHE MENDIMI POLITIK MBI SHTETIN

  ILUMINIZMI DHE MENDIMI POLITIK MBI SHTETIN

Nga Xhelal Zejneli, Shkup 6 Maj 2022

Liria e njeriut është absolute dhe askush atë s’mund t’ia marrë – Xhon Lok

*   *   *

Lidhur me iluminizmin janë zhvilluar debate të shumta. Historiani nga Uellsi Ser Kit Vivien Tomas (Sir Keith Vivian Thomas, 1933-) thotë se që prej se ka filluar iluminizmi, ka ekzistuar kundër-iluminizmi. Gjatë kundër-iluminizmit, ithtarët klerikalë dhe konservatorë të religjionit tradicional e kanë sulmuar materializmin dhe skepticizmin si forca të liga që nxisin amoralitet. Si dëshmi të pohimeve dhe të parashikimeve të tyre, ata theksojnë terrorin gjatë Revolucionit francez dhe prej viti 1794 e më pas. Kah fundi i epokës së iluminizmit, brezat e ri të filozofëve të romantizmit thoshin se varësia e tepërt nga arsyeja, ka qenë një gabim që e ka mbështetur iluminizmi, për arsye se i ka shpërfillur lidhjet e forta të historisë, të miteve, të religjionit dhe të traditës që nevojiten për ta ruajtur kompaktësinë e shoqërisë. 

Mendimi politik – Sikurse Revolucioni francez, edhe iluminizmi një kohë të gjatë konsiderohej bazë e kulturës politike dhe intelektuale perëndimore moderne. Iluminizmi shpesh ndërlidhej me Revolucioni francez të viti 1789.

Por, historiani dhe historiografi francez Rozhe Shartie (Roger Chartier, 1945-) thekson: “Ndoshta revolucioni e ka sajuar iluminizmin për ta përforcuar legjitimitetin e vet në korpusin e teksteve edhe tek autorët themelues, që kanë pasur synim ndërprerjen e lidhjeve me botën e vjetër”. Me fjalë të tjera, Volterin dhe Rusoin, revolucionarët i kanë ngritur në statusin e heroit, për ta arsyetuar ndërprerjen radikale me regjimin e vjetër (ancien régime).

Sidoqoftë, dy studiues të iluminizmit të shekullit XIX, esteti, historiani dhe filozofi francez Ipolit Ten (Hippolyte Taine, 1828-1893) dhe filozofi francez i të drejtës dhe i politikës Aleksis dë Tokëvil (Alexix Clerel de Tocquesville, 1805-1859), anëtar i Akademisë Franceze, kanë bërë shumë për të dëshmuar se iluminizmi është shkak i revolucionit. Ata kanë punuar shumë për të dëshmuar edhe perceptimin intelektual të iluminizmit.

Pikëpamja alternative ndaj çështjes është se parimi filozofik “i të drejtave të atyre mbi të cilët sundohet” të përkufizuar nga filozofi anglez Xhon Lok (John Locke, 1632-1704) në veprën e vet “Dy traktate për qeverinë” (Two Treatises of Government, 1689/90) bën një lëvizje para nga paradigma e sundimit të vjetër feudal, të njohur si “e drejtë hyjnore e mbretërve”. Sipas kësaj pikëpamjeje, revolucionet që pasojnë kah fundi i vitit 1700 dhe pas vitit 1800 kanë shpërthyer për arsye se ndryshimi në paradigmën e sundimit, nuk ka mundur të kryhet në rrugën paqësore. Si pasojë, kanë shpërthyer revolucionet e dhunshme. S’ka dyshim se filozofia e sundimit, sipas së cilës mbreti kurrë nuk është fajtor, është në kundërshti të drejtpërdrejtë me filozofinë, sipas së cilës qytetarët, në bazë të ligjit të natyrshëm, lejojnë qeverisjen e forumeve të veta të pushtetit. Filozofinë e vet të sundimit apo të qeverisjes, Xhon Loku (Jojn Locke) e bazonte në parimin e marrëveshjes shoqërore, si temë kryesore që e përshkonte mendimin politik të epokës së iluminizmit.

Formalisht, filozofi dhe shkrimtari anglez, i cili pothuajse njëzet vjet jetoi në Francë, Tomas Hobs (Thomas Hobbes, 1588-1679), qysh në vitin 1651 këtë ide e vuri në diskurs me veprën e vet “Leviatan” (Leviathan, 1651). “Leviatani” është vepër klasike e teorisë politike. Xhon Loku dhe Zhan-Zhak Rusoi (Rousseau) i kanë zhvilluar teoritë e veta të marrëveshjes shoqërore në veprat  “Dy traktate për qeverinë” (Two Treatises of Goverment, 1689) të Lokut dhe “Traktat për pabarazinë” (Discours sur l’origine et les fondements de l’inégalité parmi les hommes, 1755) të Rusoit. Edhe pse këto tri vepra dallohen nga njëra-tjetrën, që të tria pohojnë se marrëveshja shoqërore është e domosdoshme për njeriun që të mundë të jetojë në shoqërinë qytetare.

Për Hobsin, gjendje natyrore për njeriun është gjendja e varfërisë, e dhunës dhe e anarkisë në të cilën jeta e individit është “e vetmuar, e varfër, e neveritshme, brutale dhe e shkurtër”. Për t’i bërë ballë kësaj, Hobsi thotë se shoqëria lidh marrëveshje shoqërore me vetveten, në mënyrë që të zgjedhë udhëheqësin absolut, të gjithëfuqishëm, duke hequr dorë nga një pjesë e lirive personale, në këmbim të sigurisë dhe të mbrojtjes mbrojtjes ligjore.

Në vitin 1689, Xhon Loku (John Locke) boton veprën e vet “Dy traktate për qeverinë” (Two Treatises of Goverment, 1689). Aty, gjendjen natyrore të njeriut e përkufizon si gjendje në të cilën njerëzit janë racionalë dhe ndjekin ligjin natyror, sipas të cilit të gjithë njerëzit kanë lindur si të barabartë dhe me të drejtën për jetë, për liri dhe për pronësi. Por, po qe se një njeri e shkel ligjin natyror, atëherë edhe ai edhe viktima hyjnë në gjendje lufte, nga e cila, me gjasë, nuk mund të dilet. Prandaj, Loku (Locke) thotë se individët bëhen pjesë e shoqërisë, në mënyrë që t’i mbrojnë të drejtat e veta natyrore nëpërmjet “gjykimit të paanshëm” apo autoritetit të përbashkët, siç janë gjykatat të cilave u drejtohen.

Në kundërshti me Lokun, koncepti i Rusoit (Rousseau) përkitazi me ligjin natyror dhe shoqërinë qytetare dhe me kalimin e njeriut nga një në tjetër, bazohet në premisën se njeriu i qytetëruar është i prishur. Në veprën “Traktat për pabarazinë” (Discours sur l’origine et les fondements de l’inégalité parmi les hommes, 1755), Rusoi thotë se njeriu natyror është qenie e vetëdijshme e cila nuk ka dëshirë që s’mund ta plotësojë vetë. Njeriu natyror është nxjerrë nga gjendja e vet natyrore “kur individi i parë e ka rrethuar një copë toke të cilën edhe e ka përvetësuar, ndonëse ajo copë toke dikujt i është nevojitur. Ka gjetur edhe disa njerëz të thjeshtë të cilët ia kanë besuar këtë. Ky ka qenë themeluesi i parë i vërtetë i shoqërisë borgjeze”. Kur pabarazia, e bazuar në pronësinë private, është vendosur njëherë, shoqëria është prishur dhe ka vazhduar ta përforcojë pabarazinë nëpërmjet ndarjes së punës dhe në fund nëpërmjet raportit të forcave. Në përputhje me këtë, në veprën e vet “Marrëveshja shoqërore ose Parimet e të drejtës shtetërore” (Du Contrat social, ou Principes du droit politique, 1762) e paraqet teorinë e vet të marrëveshjes apo të kontratës. Ai thotë se njerëzit bashkohen në shoqërinë civile nëpërmjet marrëveshjes shoqërore, në mënyrë që të arrijnë unitet, duke ruajtur lirinë personale.Kjo është mishëruar në sovranitetin e vullnetit të përgjithshëm, në forumin ligjor moral dhe kolektiv, të themeluar prej qytetarëve.

Edhe pse në mendimin politik të iluminizmit kanë mbizotëruar me të madhe teoricienët e marrëveshjes shoqërore, megjithëkëtë, filozofi anglez Dejvid Hjum (Davide Hume, 1711-1776) dhe filozofi e historiani skocez, i cili është marrë kryesisht me etikën, Adam Ferguson (1723-1816), e kanë kritikuar këtë fushë. Në esenë e vet “Mbi marrëveshjen burimore” (Of the Original Contract, 1752), Hjum (Hume) thotë se pushteti që buron nga pajtimi, është diçka që ndodh rrallë. Pushteti civil mbështetet në autoritetin e sundimtarit dhe në forcë. Pikërisht për shkak të autoritetit të sundimtarit i cili është mbi individin dhe kundër tij, individi e respekton heshtazi. Hjum (Hume) thotë se individët “kurrë nuk  mund ta marrin me mend se pëlqimi i tyre mund t’i bëjë sovranë”. Këtë mund ta bëjë autoriteti.

Njësoj si Hjumi, edhe Fergusoni nuk besonte se shtetin e kanë ndërtuar qytetarët. Sipas tij, “shteti” është krijuar nga zhvillimi shoqëror. Në veprën e tij të vitit 1767 “Ese mbi historinë e shoqërisë civile” (An Essay on the History of Civil Society), Fergusoni përdor katër shkallë zhvillimi. Para tij, kjo teori ka qenë tejet e popullarizuar në Skoci, për të sqaruar zhvillimin e njeriut nga bashkësia e gjuetarëve apo e mbledhësve deri te shoqëria tregtare dhe civile, pa nënshkruar ndonjë marrëveshje shoqërore.

Marrëveshja e Rusoit dhe e Lokut (Locke) bazohen në premisën se njeriu ka të drejtë natyrore. E drejta natyrore nuk i është dhënë njeriut nëpërmjet të drejtës dhe zakonit apo traditës, por është diçka që e kanë të gjithë njerëzit në bashkësitë para-politike, kështu që ajo është universale dhe e patjetërsueshme. Formulimi më i njohur mbi të drejtën natyrore është ai i Xhon Lokut (John Locke) në studimin e tij “Traktati i dytë” (Second Treatise) në të cilin ai sjell konceptin e gjendjes natyrore. Siç u tha dhe më lartë, njeriu është më se i lirë në gjendjen natyrore, brenda ligjeve të natyrës dhe arsyes. Për Xhon Lokun, ligji i natyrës bazohet në sigurinë e ndërsjellë apo në idenë se askush nuk mund ta shkelë të drejtën natyrore të tjetrit, për arsye se çdo njeri është i barabartë dhe i ka të drejtat e njëjta të patjetërsueshme. Këto të drejta natyrore përfshijnë barazinë dhe lirinë e përsosur, si dhe të drejtën për mbrojtjen e jetës dhe të pronës. Me këtë formulim, Xhon Loku eargumentonte qëndrimin e vet kundër robërisë, duke thënë se robërimi i vetvetes e shkel ligjin natyror. Njeriut nuk mund t’ia dorëzosh të drejtat që janë të tijat. Liria e njeriut është absolute dhe askush atë s’mund t’ia marrë dot. Përveç kësaj, Loku thotë se individi nuk mund ta robërojë tjetrin, për arsye se moralisht kjo është e papranueshme. Në dënimin e robërisë, Loku ka bërë një përjashtim. Sipas tij, gjatë luftës dhe konfliktit, individi mund të bëhet rob, për arsye se kjo nuk është veçse vazhdim i gjendjes së luftës. Ai shton se askush nuk mund ta shesë tjetrin si rob, por po qe se ndokush bëhet rob me ligj, robëria e tij nuk bie ndesh me të drejtën natyrore të tij.

Sikurse edhe filozofët e tjerë të iluminizmit, edhe Zhan-Zhak Ruso(Rousseau) kishte qëndrim kritik ndaj tregtisë me robër nëpër Atlantik.

 Teoria e Lokut (Locke) për të drejtat natyrore ka ndikuar në shumë dokumente politike, duke përfshirë edhe Deklaratën mbi të drejtat e njeriut dhe të qytetarëve të Asamblesë Kushtetuese Kombëtare të Francës si dhe Deklaratën amerikane të pavarësisë

*   *   *

Në veprën e vet “Regjimi i vjetër” L’Ancien Régime, 1876), eseisti, historiani i letërsisë dhe filozofi francez Ipolit Ten (Hippolyte Taine, 1828-1893), prejardhjen e Revolucionit francez e gjen te klasicizmi francez. Por kjo nuk do të mundë të ndodhte pa ndihmën e pikëpamjes iluministe mbi realitetin, që e shembi dogmën monarkiste dhe religjioze të regjimit të vjetër. Me fjalë të tjera, Ipolit Teni (Taine) ishte i preokupuar me iluminizmin për aq sa kjo shpinte kah një diskurs shkencor përparimtar dhe e përçonte atë që ai e konsideronte trashëgimi intelektuale të klasicizmit francez.

Filozofi francez i të drejtës dhe i politikës Aleksis Tokëvil (Alexis Clerel Tocqueville, 1805-1859), i cili vitet 1831-1833 i kaloi në ShBA, më pas edhe në Angli, në veprën e vet “Regjimi i vjetër dhe Revolucioni” (L’Ancien Régime et la Révolution, 1856), iluminizmin e ka pasqyruar në mënyrë të elaboruar. Për Tokëvilin, Revolucioni francez ka qenë rezultat i pashmangshëm i përplasjes radikale ndërmjet monarkisë dhe mendimtarëve të iluminizmit në shekullin XVIII. Këta mendimtarë kanë qenë një lloj “aristokracie alternative, e cila ka qenë edhe e gjithëfuqishme, edhe pa fuqi reale”. Kjo fuqi fiktive ka rezultuar nga sensibilizimi i opinionit publik, që ka lindur pasi që centralizimi absolutist e ka larguar nga sfera politike fisnikërinë dhe borgjezinë. Politika letrare që ka lindur në këto rrethana, e ka promovuar diskursin mbi barazinë, duke qenë në kundërshti radikale me regjimin monarkist.

Fizikani, filozofi dhe shtetari gjerman, më pas edhe ministër danez, Johan Struense (Johann Friedrich Struensee, 1737-1772), duke qenë një reformator para kohës së vet, në vitin 1772 u ekzekutua nga pushteti diktatorial. 

Historiani amerikan i kulturës, i cili specializoi në Francë për shekullin XVIII, drejtor i bibliotekës së Universitetit të Harvardit, Robert Çoet Darnton (Robert Choate Darnton, 1939-),në veprën e vet The Business of Enlightenment: A Publishing History of the Encyclopédie, 1775–1800“ të botuar në vitin 1979, thotë: „Efektet kulturore të këtij transformimi në formën e shfrytëzimit të forcës,  Tokëvili i përvojon në mënyrë të qartë. Megjithëkëtë, nevojitej edhe një shekull, që në historiografi qasja kulturore të zinte vend qendror”.   

 Historiania belge e mendimit politik, profesoreshë e historisë politike moderne pranë Universitetit në Utreht, Anelien dë Dijn (Annelien de Dijn, 1977-)thotë se Piter Gej (Peter Gay)është i pari i cili në veprën e vet „The Enlightenment: An Interpretation, 1966“ , e ka formuluar interpretimin se iluminizmi e ka sjellë në Perëndim modernizimin politik, që rezulton me zbatimin e vlerave dhe të institucioneve demokratike dhe me krijimin e demokracive liberale moderne.

Edhe pse kjo tezë ka hasur në një mori kritikash, shkencëtarët anglofonë atë e kanë pranuar krahëhapur. Teza e historianit gjermano-amerikan Piter Joakim Gej (Peter Joachim Gay, Berlin, 1923 – Menheten, Nju-Jork, 2015) është përforcuar edhe nga studimet e thella të Robert Darntonit, tëhistorianit britanik Roj Sidnej Porter (Roy Sydney Porter, 1946-2002), kurse kohët e fundit, edhe nga studimet e shkrimtarit dhe akademikut britanik, të specializuar për historinë e Holandës, për epokën e iluminizmit dhe për hebrenjtë e Evropës, Xhonatan Israel (Jonathan Irvin Israel, Londër, 1946 – ).      

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura