REMZI LUSHI, ATDHETAR E VEPRIMTAR I PANDALSHËM KOMBËTAR
Ismail Bahtiri, Monografi, “Një jetë e tërë për liri”, Prishtinë 2022
Nga Ismail Gashi Sllovia, Lypjan 19 Maj 2022
Autori Ismail Bahtiri, nuk do t’i mbetët borxh bashkëvuajtësit e bashkëveprimtarit të tij, pesë vjet pas vdekjes, me këtë vepër, do ta ndalë rënien e pluhurit të harresës apo, zbehjen e jetës dhe veprimtarisë atdhetare të Remzi Lushit. Bahtiri, me përkushtim e këmbëngulësi, ju përvesh punës për grumbullimin e dëshmive nga jeta dhe veprimtaria atdhetare e Remziut. Autori vullnetshëm mori përsipër, së pari mësyu konsultimin e arkivit, konsultoj e mori deklarata fakte e dëshmi për Remziun. Punës ia filloi nga familjarët, bashkëveprimtarët e veprimeve të aktivitetit atdhetare e organizativ, nga vendlindja me rrethinë, si familjarët, gjyshërit dhe prindërit dhe kushëririn Sabri Lushi, bashkë me të cilin Remziu çmoheshin binom i rinisë atdhetare në fshatin e lindjes Babush të Muhaxhirërve, toponim që, bart në vete një mesazh ngjarjesh nga kujtesa historike për një kohë dhe hapësirë të popullit shqiptar, dëbimin e dhunshëm të shqiptarëve nga 7oo e tehu vendbanime shqiptare të vitit 1878-81. Autori, Konsultoj miq e shokë me të cilët bashkëveproi në organizimin e veprimtarisë ilegale atdhetare, apo ishte bashkëvuajtës në burgjet komuniste serbe. Për këtë autorit ju dashtë të udhëtojë, pa kursyer kohë, mund e mjete, që të vije te e vërteta për kohën dhe ngjarjet dinamike të kohës së Remziut. Që në fillim të monografisë, autori vendos hapësirën, kohën, ngjarjet dhe raportet në rrethana historike, me të cilat prej kohësh përplasej populli i Tij.
Përballja e të mirës me të ligën, dritës dhe errësirës, lirisë e robërisë, nga të cilat krijohen konfliktet në mes popullit autokton shqiptarë dhe atij karpatian të dhunës pushtues e barbar serbë, i cili me të gjitha format e projektet e dhunës se vazhdueshme, mundohet të veprojë për të realizuar qëllimin e gjenocidit dhe pastrimit etnike të kësaj hapësire shqiptare. Për këtë angazhon Kishën ortodokse dhe gjithë moralin e stërkequr kombëtar serb, bën dhjetëra projekte antishqiptare, me gjitha format e mjetet të dhunës se vazhdueshme të okupuesit sllav, kryen luftime barbare e dëbime të dhunshme, e ndjekje gjenocidale me ngjyrën e dhunës ortodokse mesjetare, me qëllim të pastrimi etnik të popullit shqiptar nga këto troje, me gjitha format e projekteve të dhunës së vazhdueshme shekullore të okupuesi sllav.
Remziu, si çdo i ri shqiptar, edukimin elementar të dashurisë ndaj atdheut, popullit dhe gjuhës kombëtare, i mori nga familja, nga gjyshërit e prindërit, dhe në vazhdim nga personalitetet e ngjarjet në rrethinë e më gjerë. Në vazhdim, duke thelluar e zgjeruar njohuritë për kombin e atdheun. Gjatë shkollimit hyri në binarët e sistemimit të njohurive historike kombëtare, pasuroi ato me vlera pozitive materiale e shpirtëror, i hyri leximit të literaturës. Remziu kërshërinë e atdhetarizmës e filloi me kontaktin e tij me luftëtarin e atdhetarin e njohur të këtyre anëve, njëherit daja i Remziut, Ibrahim Grainca, ose Brahim Cernilla, siç njihej në popull, i njohur për atdhetarizëm në nivel të Kosovës, si dhe Gani Azemin, mësimdhënës e vendas i Remziut, veprimtar i dalluar i çështjes kombëtare.
Remzi Lushi shkollimin e mesëm e vazhdoi në Lypjan, në Qendrën e Mesme shkollore, ku, Remziut i mundësohet vendosja e kontakteve dhe thellimit të njohurive dhe veprimeve atdhetare, por edhe të zgjerojë rrethin e bashkëvepruesve. Ato vite në shkollën e mesme në Lypjan punonin një grup mësimdhënësish, të cilët për disa vjet kishin ngjallur ndjenjat kombëtare të rinisë shkollore e studentore, por edhe te një pjesë intelektuale në këtë hapësirë shqiptare dhe kishin arritur, që në këtë mjedis dominues serbë, të dëgjohej zëri shqiptar i ngulfatur deri ato vite nga dominimi dhe politika komuniste serbe. Pas 1975 këta arsimtarë, bashkë me rininë shkollore e studentore shqiptare, i dhanë valë veprimtarisë atdhetare, që kulmoi më 1979, Kur edhe këto organizime atdhetare shqiptare, edhe pse disa dhjetëra arsimtarë, dhe intelektual, student të kësaj hapësire komunale, e nxënës të kësaj Qendre shkollore u arrestuan dhe përjetuan trajtime të gjata policore dhe burgosje, mes tyre pati edhe të dënuar nga gjykata komuniste me vite burg të rëndë.
Por, edhe këto ngjarje, i dhanë shtytje e forcë rinisë atdhetare e intelektuale shqiptare të Kosovës, e cila bëhej gati për shpërthimin e demonstratave të 1981, të cilat më vonë do të shndërrohen në kryengritje gjithëpopullore të Pranverës së përgjakshme të 1981. Ngjarje në të cilat, Remziu, tani student historie në Universitetin e Prishtinës, do të jetë pjesëmarrës aktiv dhe prijës i organizimit. Për t’i shërbyer lirisë së atdheut, duhet njohur vlerat kombëtare materiale e shpirtërore pozitive historike. Mu për këtë, Remziu i hyri rrezikut, mori ilegalisht rrugën dhe doli në Shqipëri. Pas disa muajsh qëndrimi, për veprim më të përgatitur, mbajti dënimin për kalim ilegal të kufirit dhe i hyri leximit të literaturës kombëtare historike e politike. Mësoi për kohët, ngjarjet dhe personalitetet historike. Përveç pjesëmarrjes aktive, Remziu me shokët kishin formuar grupit “Isa Boletini”, dhe u bënë organizatorë të demonstratave të fuqishme të 2 prillit 1981 në Lypjan, dhe me një organizim të veçantë ky grup studentesh, më 21 Maj 1981, ndër të rrallët, përsëri demonstroi në qytetin e Lypjanit. Për gjithë këtë veprimtari, Remziu me 10 shokët e organizimit, u arrestuan nga organet e ndjekjes dhe u dënuan nga gjyqet komuniste serbe, nga 8 vjet, sa mori Remziu, deri në 4 vjet burg të rëndë. Me të arrestuar e deri në kryerjen e gjykimit, u mbajt në Burgun hetues të Prishtinës. Më vonë në Smrekovnicë dhe Gjilan, ku përjetoi dhunë të papërballueshme fizike, sa u detyrua t’ia mësyjë ikjes nga burgu. Edhe në Gospiq u vazhduan torturat, si edhe në Goli Otokun famëkeq.
Në të gjitha burgjet Remziu përjetoi tortura të rënda fizike e psikike, maltretime e rrahje. Por, si gjithmonë Remziu dallohej për rezistencë e sakrificë të veçantë. Asnjëherë, nuk u lëkund nga qëndrimi dhe mendimi i tij për çështjen e atdheut dhe lirinë e popullit, qëndrimin e Tij hapur, siç thotë populli, ”shtrut e shplut”, e shprehte në të gjitha rrethanat dhe nivelet, pavarësisht që në shumë raste i kushtonte shumë. Por, ky ishte vertebrori i Tij atdhetar. Në të gjitha burgjet, Remziu takoi e njohu shumë atdhetarë me zë e përvojë të veprimit për çështjen kombëtare, si Fehmi Lladrovcin. Ai edhe në burgje zgjeroi rrethin dhe njohurit, si dhe format dhe metodat e veprimit atdhetar.
Pasi kreu vuajtjen e dënimit , vazhdoi jetën në “burgun e madh”, siç thoshte Bacë Adem Demaçi. Ato vite në Kosovë ishte një vazhdimësi e lëvizjeve shqiptare, protestave, por edhe diferencimeve politike komuniste, ndjekjeve e dënimeve të shqiptarëve, Ai, pas një angazhimi jo të shkurtër, për arsye ekonomike, u detyrua të merr rrugën e kurbetit. Shkoi në Gjermani dhe atje nuk i ndali angazhimet në organizimin e protestave. Me formimin e subjekteve shqiptare politike në Kosovë, të cilat patën shtrirje edhe te shqiptarët jashtë vendit.
Remziu ishte aktiv në të gjitha protestat, kur ishte interesi kombëtar e shtetëror i shqiptarëve dhe Kosovës. Remziu në fillim ishte angazhuar në Klubet shqiptare në Gjermani, gjithmonë për qëllime kombëtare shqiptare, më vonë, kur në Kosovë, filluan organizimet dhe formimet e shoqatave, si ajo, “Nënë Tereza”, këshillave si, KMDLNJ dhe partive politike, LDK dhe partive të tjera në vazhdim, Remziu gati, në gjitha organizimet, shoqata, parti politike apo fonde si, “Trepërqindëshi”, më vonë “Vendlindja Thërret”, për grumbullimin e mjeteve financiare, ishte në ballë të listave të zgjedhura drejtuese e dhuruese të organizimit.
Angazhimi i Remziut edhe për veprimin ushtarak të UÇK-së në Kosovë, ishte jo vetëm përkushtues, por i dha forcë, kënaqësi e kurreshtje dhe e mbushi me optimizëm. Paraqitje publike e UÇK-së 1997, ia forcoi bindjen se, liria e popullit shqiptar të kësaj hapësire shqiptare po ofrohet, dhe çlirimi i Kosovës pas 87 vjetësh robërie të egër sllave, dhe pas 78 ditësh të bombardimeve të NATO-s, në bashkëveprim ushtarak me UÇK-në, robërisë po i vije fundi, Dielli i lirisë, do të lind më, 12 Qershor 1999, që ngrohu dhe forcoi luftëtarët e lirisë dhe atdhetarët si, Remzi Lushin, të jetojnë të lirë, në Kosovën e lirë, krah hapur e fytyrë bardhë. Më në fund, pas daljes, si nga legjenda, e zërit të pushkës së Komandantit Legjendar Adem Jasharit dhe UÇK-së, edhe kjo hapësirë shqiptare, shpëtoj nga fanitja që i kanosej. Remziu përjetoi kënaqësinë e Tij jetësore, ta sheh, të kënaqet e të jetojë 18 vjet, deri në shkuarjen e Tij në përjetësi, në moshën 56 vjeçare më 2017, në Kosovën e lirë dhe popullin e tij të lumtur në tokën dhe shtetin e vet.
Monografia është pasuruar me të dhëna informative për ngjarjet e kohës, ku lexuesi gjen freskimin e kujtesës apo pasurohet me njohuri për kohën, ngjarjet dhe personalitetet, bartës të kësaj pjese historike. Është pasuruar edhe me album fotografish dhe pjesë të zgjedhura nga fjalimet në përvjetorët përkujtimor, mbajtur pas vdekjes së Remzi Lushit, i burgosurin politik i veçantë nga të veçantit, atdhetar e veprimtar i pandalshëm kombëtar.