A ISHTE MË NË RREZIK GELBARDI PREJ RUGOVËS APO PREJ BACËS ADEM?
Nga Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA
UÇK–ë terroriste, UÇK–ë çlirimtare
Baca Adem Demaçi ishte , mbeti dhe do të jetë kuptimi i luftës së shqiptarëve për liri , pavarësi dhe bashkim kombëtar . Madje , me shembullin personal i tejkalojë kufijtë e hapësirës shqiptare dhe ballkanike duke u shndërruar në një Yll Ndriçues mbarëbotëror , bashkë me Nelson Mandelën e Republikës së Afrikës së Jugut në luftë për liri. Bëri më shumë se 28 vite burg të rëndë në llogoret e ish – Jugosllavisë pa u përkulur asnjëherë dhe pa u ankuar asnjëherë për fatin që ia caktoi historia e të cilin e zgjodhi vet, si përcaktim jetësor ndonëse ishte në moshë të re dhe , pas vdekjes së vëllait mbeti i vetmi djalë i familjes Demaçi. Të gjithë ata që e kanë pasur fatinë të jenë edhe një orë të vetme me Bacën Adem në llogoret e ish – Jugosllavisë , e të tillë ishin shumë , nuk e kishin dëgjuar kurrë asnjë fjalë të vetme nga Baca Adem që kundërshtonte , as kushtet ku e vuante dënimin e ato ishin më se të tmerrshme sikur as kohëzgjatjen e dënimit që nuk e matte me vite por me sekonda. Baca Adem ishte Nënë dhe Babë , Vëlla dhe Motër , shok dhe mik për të gjithë të burgosurit politikë shqiptarë por edhe të tjerë si edhe të dënuarit ordinerë , kryesisht shqiptarë e që kishin një përmbajtje kombëtare. Ishin disa raste që të dënuarit ordinerë shqiptarë pasi e kishin përfunduar “ akademinë “ kombëtare te Baca Adem , pasi kishin përfunduar dënimin , dënimin e radhës e kishin si të burgosur politikë . Edhe në llogoret e ish – Jugosllavisë , Baca Adem ishte porti ku patriotët shqiptarë hedhnin spirancën e sigurisë ku ndjeheshin sikur janë duke vijuar një shkollë politike me përmbajtje ekskluzivisht kombëtare . Është një bindje krejtësisht e gabuar që përmbajtjes qindpërqind kombëtare të Bacës Adem i atribuohen ngjyrime ideologjike përkatësisht marksiste dhe komuniste e që aspak nuk ishte e vërtetë. Realisht , në ato kohëra përcaktimi ideologjik i shumicës së të burgosurve politikë shqiptarë në llogoret e ish – Jugosllavisë si marksistë – leninistë apo enveristë dhe stalinistë nuk ishte shprehje e vullnetit politik të tyre por shkaku se në Shqipëri ishte një regjim i tillë , në me krye Enver Hoxhën e cila ishte alternativë e mohimit të Titos që ishte në Jugosllavi . Realisht , shqiptarët nuk kishin mundësi të zgjedhin ; ose për Enver Hoxhën ose për Titon . Dhe , natyrisht përcaktoheshin për Enver Hoxhën duke shpresuar se e përkrahë Kosovën dhe shqiptarët që kërkonin liri në hapësirat e ish – Jugosllavisë . Baca Adem , qysh gjatë fundviteve të 80 –ta ishte përcaktuar ta përkrahë Ibrahim Rugovën të cilin nuk e njohte por thoshte se : “ më në fund doli një shqiptar që artikulon qartë interesat e shqiptarëve dhe i mbronë ato…” Këto qëndrime i kishte edhe në llogorin e Stara Gradishkës dhe kërkonte të përkrahej Rugova nga të gjithë të burgosurit politikë në Stara Gradishka e që edhe e respektuan qëndrimin dhe kërkesën e Bacës Adem për Ibrahim Rugovën të cilin , as ne nuk e njihnim përveç paraqitjeve që i përcillnim në mediat e atëhershme jugosllave . Edhe pas daljes nga burgu , Baca Adem dhe pjesa dërrmuese e ish të burgosurve politikë shqiptarë vazhduan ta përkrahin Rugovën pa e sfiduar me asgjë. Votuam për te me shpresë se do ta ngjallë rezistencën ndaj regjimit të Serbisë që ushtronte terror ndaj shqiptarëve në Kosovë dhe hapësirat tjera .
Ku u këput litari i përkrahjes
Rezistenca kundër dhunës serbe nën Rugovën dhe LDK-në në ato këhëra , jo që u zbehë por , në një mënyrë u shndërrua në nënshtrim . Ishin përralla kur Rugova identifikohej me Gandin dhe rezistencën e Mahatma Gandit ndaj pushtuesve anglezë shkaku se Gandi bënte rezistencë aktive kurse Rugova preferonte rezistencë pasive , nuk rezistonte fare. Pas Konferencës së Dejtonit roli i Rugovës ishte relativizuar krejtësisht shkaku se në Kosovë kishte filluar një rezistencë aktive edhe me armë që bëhej nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës . Nga distanca kohore disa sjellje të Rugovës mund të arsyetoheshin por nuk mund të arsyetohej mungesa e gatishmërisë për marrje të përgjegjësisë në kohën kur lufta në Kosovë ishte thuaja fakt i kryer . Madje , për më keq , Rugova dhe një pjesë e LDK-së në mënyrë aktive e kundërshtonin Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si një ushtri fantome , madje edhe si terroriste . Kanë mbetur dëshmi të shkruara të kohës si dhe regjistrime zënore për qëndrimin e Rugovës atëherë . Kjo ka ndikuar edhe në ndërprerjen e përkrahjes së Bacës Adem ndaj Rugovës dhe përcaktimit që me tërë qenien ta përkrahë Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës e që u bë edhe Përfaqësues Politik i UÇK-së duke hapur zyre në Prishtinë e që ishte sfidim i madh ndaj regjimit të Serbisë . Baca Adem nuk kishte asnjë tentativë për ta dëmtuar Rugovën deri në kohën kur Rugova ishte i mbaruar dhe i dorëzuar para dhunës serbe. Sidomos gjatë bombardimeve kur në Beograd doli me qëndrim të ndërprerjes së bombardimeve të NATO –së sikur që edhe kërkoi t’i mundësohej largimi , bashkë me familje nga Kosova e që iu mundësua me inetrvenimin e popave të Shën Exhidios. Baca Adem ishte kundërshtari i vendosur i Marrëveshjes së Rambujesë sepse po ta kishte pranuar Serbia( ishte çmenduri politike refuzimi i Serbisë i kësaj marrëveshjeje ) , sot Serbinë do ta kishim këmbëkryq në Kosovë , pa mundësi të largohej nga Kosova pavarësisht rezistencës që do ta bënim . Refuzimi i nënshkrimit të kësaj Marrëveshjeje nga Serbia ishte fat i madh për Kosovën dhe fat shumë i keq për Serbinë ! Nëse sot , me gjakftohtësi analizohen pikat e kësaj marrëveshjeje që u pranua nga pala kosovare , po të nënshkruhej nga Serbia , të drejtat e shqiptarëve dhe statusi i Kosovës do të ishte shumë më i ulët se në Kushtetuten e vitit 1974 . Pikat kyçe të kësaj marrëveshjeje që e defunksionalizonin Kosovën edhe si autonimi , ishin të panegociueshme dhe këto u pranuan nga Ibrahim Rugova dhe Rexhep Qosja në takimin me ministrin e jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar , Robin Kuk , në Shkup ku prehej bileta për Rambuje por që e refuzua nga Baca Adem . Këto pika , me vonesë u pranuan edhe nga drejtuesit e UÇK-së pas së cilës Baca Adem dha dorëheqje të menjëhershme që qartazi e dëshmon se Bacës , në asnjë rrethanë nuk i ka interesuar pushteti . Nuk ka njeri që ka qenë më i sulmuar dhe i cili i ishte nënshtruar një pushkatimi publik shkaku se e ka refuzuar Rambujenë se që ishte Baca Adem. U pushkatua nga delegacioni që shkoi në Rambuje ( kryesisht pjesa komuniste , titiste dhe jugosllave ) , u pushkatua nga një shkrimtar dhe përfitues permanent i regjimit të Enver Hoxhës , Kadare , u sulmua edhe nga diplomacia e shtetit shqiptar , nga pronar të mediave në Kosovë me prejardhje jugosllave siç ishte puna e Surroit që keqpërdori gazetën personale dhe private për ta pushkatuar Bacën Adem . Të gjitha këto Baca i përballoi me një qetësi të paimagjinueshme dhe pa bërë asnjë përpjekje për hakmarrje . Realisht , tash , 23 vite pas Konferencës së Rambujesë Kosova është shtet i pakonsoliduar dhe kjo pengesë e konsolidimit i ka rrënjët në Rambuje . Aty ishte vendosur që të ndahej Mitrovica duke vendosur ushtarë francezë në uren e lumit Ibër e që edhe sot është kjo gjendje .
A kishte disponim që Kosova të bëhej shtet përnjëmend
një takim me sekretarin e shtetit , Xhejms Bejker në Beograd në vitin 1990 , delegacionit nga Kosova i përbërë nga Adem Demaçi , Ibrahim Rugova dhe Veton Surroi i ishte bërë e qartë se shqiptarët dhe Kosova duhet të kërkojnë dhe gjenë zgjidhje për të drejtat e njeriut dhe ato politike në kuadër të një autonomie nën Serbinë për faktin se , sipas sekretarit të Shtetit , amerikanët e përkrahin integritetin territorial dhe sovranitetin e mbetjes së ish Jugosllavisë e që nënkupton se Kosova konsiderohej si pjesë e Serbisë . i vetmi që e kundërshtoi këtë ishte Baca Adem . Rugova as që e tha një fjalë të vetme kurse Surroi e bëri një kundërshtim të qullët për të dalur i terur nga kjo situatë . I anatemuari doli Baca Adem . Baca e kundërshtonte përjashtimin e Kosovës nga Konferenca e Dejtonit shkaku se ky përjashtim ishte kushtëzim i Millosheviqit . Baca nuk e pranonte as propozimin e Popave të Shën Exhidios të cilët , në emër të lirimit të objekteve universitare , në fakt bënin përpjekje që Kosovës t’i siguronin një autonomi kulturore . Asgjë më tepër ! Baca Adem ishte kundër Rambujesë dhe plotësisht kishte të drejtë ! Me daljen në skenë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që bëri një luftë të pabesueshme dhe në raporte jashtëzakonisht të pafavorshme ku raporti i forcave ushtarake , policore dhe armatimit ishte në shpërputhje të madhe duke e vënë në në situatë shumë të favorshme Serbinë dhe mbetjen e Jugosllavisë. Vetëm idealistët dhe ata që e donin lirinë përtej çdo interesi personal duke e vënë jetën në rrezik çdo sekondë mund të vendosnin të bëjnë luftë me regjimin e Serbisë në ato rrethana. Dhe kjo luftë ishte madhështore në të gjitha dimensionet e saj duke sfiduar të gjitha teoritë dhe praktikat e luftave të mëparshme. Gatishmëria për sakrificë dhe vetflijim ishte betimi i çdo ushtari të së Lavdishmes Ushtri Çlirimtare e Kosovës. Natyrisht se kjo luftë u planifikua dhe u udhëheqë nga isht të Burgosurit politikë shqiptarë , të të gjitha trojeve shqiptare , nga Kosova , Lugina e Preshevës , Mali i Zi , Maqedonia , Shqipëria sikur që ishte edhe një numër i konsiderueshëm i shqiptarëve që jetonin dhe punonin në shtetet evropiane dhe SHBA.
Kur Kosova filloi të bëhej një vatër potencialisht destabilizuese për Ballkanin ( sipas strategëve dhe politikbërësve botërorë ) , jo shkaku se donta ta destabilizonte situatën por shkaku se donta ta fitonte lirinë , shumë ndrikulla evropiane dhe botërore ndërhynin që të pengonin lindjen e lirisë dhe ruajtjen e gjendjes së status quos , me shpresë se Kosova do të pajtohej me një autonomi , siç e quanin ata substanciale dhe , po të mos ishte lufta e lavdishme e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës , ashtu edhe do të bëhej. Ndërsa Baca Adem Demaçi ishte Zëri dhe Ndërgjegja e kësaj lufte . Prej ndrikullave ndërkombëtare , më agresivi dhe më i vendosuri për ta defaktorizuar UÇK-në ishte Gelbart i cili , në takimet me personat me ndikim në Kosovë angazhohej për një autonomi , bashkë me Hollbruk dhe vëllezërit Hill. Hollbruk dhe vëllezërit Hill , si bindje e përdornin diplomacinë ose karrotën ( vetëm një pjesë të vogël të saj ) ndërsa Gelbart e përdorte kërcënimin apo shkopin. Sipas pohimeve publike të Bacës Adem që janë regjistruar në mediat e atëhershme , Gelbarti pati deklaruar se UÇK-ë është organizatë terroriste kurse Baca Adem ishte përgjigjur se UÇK –ë është organizatë çlirimtare . Pas takimit me Gelbart , Baca Adem m’u drejtua me fjalët : “ Çupinë , Gelbarti më preu shkaku se shtatë ( 7 ) herë më tha se UÇK –ë është organizatë terroriste kurse unë i thashë shtatë ( 7 ) herë se është organizatë çlirimtare …”. Pastaj , Gelabrt vazhdoi se Ju , zoti Demaçi po e kundërshtoni politiken amerikane për të bërë presion që ta pranojë kualifikimin që e bëri Gelbart për UÇK-në. Natyrisht se këtë Baca kurrë nuk do ta bënte , edhe me çmimin e jetës e lëre më për një interes personal politik apo për një vlerësim pozitiv që do ta bënte Gelbart për të.
Të gjithë në Kosovë e kanë ditur se përplasja midis Bacës Adem dhe Robert Gelbart ishte rreth kualifikimit që i bëhej UÇK-së , Gelbart e konsideronte si organizatë terroriste kurse Baca Adem si organizatë çlirimtare . Me kalimin e kohës doli se Baca Adem kishte të drejt krejtësisht ndonëse e pagoi një çmim të lartë për këtë .
Pas plotë 23 viteve doli një informatë se Ibrahim Rugova qenka konfrontuar me Gelbartin shkaku se nuk e paska pranuar cilësimin e Gelbartit se UÇK-ë qenka organizatë terroriste . Madje , për ta përforcuar këtë manipulim ordiner thuhet se Rugova , për herë të parë e ka humbur durimin në takim me Gelbartin dhe , në mbrojtje të UÇK-së paska grushtuar tavolinën duke e shprehur mospajtimin me këtë cilësim. Është tepër e pabesueshme për të besuar , edhe çoftë si imagjinatë . Të gjithë ne që kemi jetuar në atë kohë e që nuk e kemi kujtesën e peshkut e kemi plotësisht të qartë qëndrimin e Rugovës ndaj UÇK-së që , në raste të caktuara aspak nuk dallon nga qëndrimi i Gelbartit ! Rugova ka qenë intelektual , e ka dashur lirinë e Kosovës nëse për të nuk kërkohej një sakrificë . Po i njëjti Rugova në takim me Bejker , sekretarin e shteti nuk e tha asnjë fjalë për pohimin se Kosova mund ta ketë një autonomi , që dërgonte ekipe politikanësh të bëjnë thirrje për dorëzim të armëve në Drenicë dhe viset tjera , që pranoi klauzolat e Popave të Shën Exhidios , që pranoi të shkoi në Rambuje pa e lexuar fare tekstin , që u përpoq ta formojë një ushtri të dytë për ta penguar UÇK-në , që kishte deklarata publike për UÇK-në , është e pabesueshme që t’i rrahë tavolinën Gelbartit apo edhe ndonjë zyrtari ndërkombëtar , pavarësisht nivelit të përfaqësimit. Qenka dashur të kalojnë 23 vite për të treguar për grushtimin e tavolinës nga ana e Rugovës ndaj cilësimit të Gelbartit për UÇK-në ? ! Askush këtë nuk e beson , madje as ai që e thotë , plotë 23 vite pasi u fal Bajrami ( pasi përfundoi lufta ). Ky është rast tipik i përpjekjeve të rishkrimit të historisë kur një pëllumb i lodhur dhe i frikësuar përpiqet të vishet me puplat dhe kthetrat e shqiponjës ! As alkimia më e sofistikuar dhe më e përparuar nuk mund ta bëjë këtë transformim e lëre më një postim i stërvonuar të cilit asnjëri nuk i beson. Po tash , ata që mund të flasin kanë ndërruar jetë dhe përfituesit përpiqen të dalin në sipërfaqe . Askush nuk mund ta përjashtojë Rugovën nga historia më e re e Kosovës apo rolin e tij në një fazë të historisë . Por , është e pandershme dhe moralisht e ulët që fjalët dhe veprimin e Bacës Adem Demaçi t’i vishen Ibrahim Rugovës apo përpjekjeve që Ibrahim Rugova të paraqitet si komandant i Komandantit Legjendar të UÇK-së , të Pavdekshmit , Adem Jashari ! Kjo nuk shkonë. Këtë jam i sigurt se nuk do ta pranonte as Ibrahim Rugova . Në asnjë intervistë apo deklarim publik të Rugovës nuk mund të gjeni ndonjë fjalë se ai ka kundërshtuar amerikanët dhe Gelbarti ishte amerikan , nuk ishte kinez! Edhe Gelbarti publikisht kishte thënë fjalët që i kishte këmbyer me Bacën Adem Demaçi , kurse Rugova nuk është as si hije e këtij kundërshtimi ! Personalitete historike bëhen të tilla jo vetëm me veprime pozitive ! Kosova dhe Shqipëria ende nuk e kanë një histori objektive . Shqipëria ka mundur ta bëjë këtë por nuk e ka bërë , Kosova nuk ka mundësi ende ta bëjë këtë sepse ende nuk është konsoliduar në të gjitha rrafshet si shtet . Prandaj edhe po merremi me improvizime duke bërë përpjekje t’i hyjmë në qejf politikës , vendore më pak dhe asaj ndërkombëtare më shumë. Nuk ka person që ka qenë i gatshëm për sakrificë për liri dhe bashkim kombëtar se Baca Adem Demaçi sikur që është edhe Adem Jashari ! Këta tejkalojnë çdo kohë dhe çdo dimension , bashkë me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës !
Edhe një ushtar i bashkohet Bacës Adem Demaçi
Ismajl Ahmet Haxhiu , aktivist shembullor politik dhe kombëtar , ushtar i UÇK-së në Kosovë dhe personlitet me ndikim shumë të madh në luftën e UÇK-së në Maqedoni dhe UÇPMB –së në Luginë , kaloi në përjetësi duke u vendosur në Panteonin e Lavdisë Kombëtare , pasi ndërroi jetë në SHBA . Tash është bashkë me Bacën Adem Demaçi , patriotin ekzemblar , Ahmet Haxhiu që e kishte Baba , shok dhe bashkëluftëtar sikur edhe me të gjithë heronjtë e Kombit dhe dëshmorët . E kam njohur prandaj isha në varrim , për të nderuar të vdekurit që fituan përjetësinë. Në varrim kishte të tillë që nuk meritonin të ishin aty por vakti e hanë kashtën ! Ishin shokët dhe bashkëluftëtarët e Bacës Ahmet Haxhiut dhe Ismajl Ahmet Haxhiut . Ata të vërtetit dhe të sinqertit që , kryesisht rrinin anash , si pakicë. Pakicë ishim kur filluam përpjekjet dhe luftën për liri dhe bashkim kombëtar , pakicë jemi edhe sot ! A po përsëritet historia ?! Uroj të mos jetë kështu !
6 korrik 2022 Prishtinë Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA