LIBËR – DËSHMI PËR KONTRIBUTIN E GRAVE TË KAÇANIKUT GJATË LUFTËS SË UÇK-së

LIBËR – DËSHMI PËR KONTRIBUTIN E GRAVE TË KAÇANIKUT GJATË LUFTËS SË UÇK-së

Nga Prof. Dr. Sabile Keçmezi – Basha, Prishtinë 17 korrik 2022

(Hajrush Kurtaj, “Kontributi i femrës në luftën çlirimtare të Kosovës në Kaçanik dhe Han të Elezit (1998-1999)” botoi shtëpia botuese SAS, Prishtinë, 2022, f. 229)

Deri sa shfletoja librin “Kontributi i femrës në luftën çlirimtare të Kosovës në Kaçanik dhe Han të Elezit (1998-1999)”, të autorit Hajrush Kurtaj, veten e ndjeja të zënë piskë dhe memoria e stërngarkuar, u kthye mbrapa për njëzet e tëhu vite. Një epokë e tërë më doli para syve. I shikoja sytë e atdheut të shqetësuar, dhe plagët që kullonin gjak. Më dolën para grat e burrat, duke ndjekur armikun në çdo cep të Kosovës. Mu kujtua trimja – Lumnije Raka, infermierja e luftëtarja që shpëtonte jetë;  Mukadeze Lika – Muhaxherit, nënë e 4 fëmijëve, që e vranë atëherë, kur fëmijët kishin më së shumti nevojë për dashurin e sajë. Si të harrohet dëshmorja- Jehona Raka, që nuk kurse as frymën e fundit për të parë vendin e saj të lirë. Çfarë t’i themi nënës së Emsale Frangut, që humbi vajzën e pa nusëruar; si ti ngushëllojmë fëmijët për nënat që nuk kthehen nga betejat. O zot, duhet të jesh gur para këtyre tragjedive. Liria lyp kurban më thoshte babai. Liria ka emër, thanë ata që kurrë nuk e harruan luftën titanike të UÇK-së. E vitet ecin me peshën e dhembjes mbi supe. Janë kërrusur nënat, e, kujtime janë edhe më të freskëta në altarin e lirisë.

Për gratë është shkruar, shkruhet dhe do të shkruhet vazhdimisht. Për to u shkruan libra, e u xhiruan filma të cilët temë trajtimi patën jetën dhe ngjarjet, të cilat përcjellin lirin o padrejtësinë ndaj tyre. Por, ama, librin që po e promovojmë sot, nuk ka të bëjë me as njërën prej këtyre. Se ky libër në vete ngërthen krejt diçka tjetër nga ajo, që jemi mësuar të lexonim e të shihnim në botën e qytetëruar.

Për t’i dhënë monografisë karakter shkencor, autori niset nga postulati shumë i njohur, se për të gjykuar mbi nivelin e zhvillimit të një kombi duhet të njohësh shkallën e emancipimit të femrës. Në këtë libër autori bën përpjekje dhe ia del me sukses që të pasqyrojë gjendjen e gruas

në Kosovë, parë në lidhje me faktorët historikë, ekonomikë, politikë, socialë e kulturorë, që patën ndikim në këto hapësira. Në të gjithë kapitujt e librit, autori me një besnikëri fanatike prezanton : gruan- nënë të dëshmorëve; kontributi i saj në Luftën e UÇK-së; ushtaret në UÇK; gratë e vajzat që ndihmuan luftën e UÇK-së; gratë e ushtaret që u plagosën në UÇK dhe heroinat e luftës së UÇK-së.

Libri “Roli dhe kontributi i femrës në luftën çlirimtare të Kosovës në Kaçanik” të cilën e ka shkruar autori me një përkushtim e kujdes të veçantë, me një përmbajtje të veçantë dhe, gjithashtu, autori i librit është një luftëtar i UÇK-së, zotëri Hajrush Kurtaj. I cili, me vokacion nuk është historian-shkencëtar, por bënë punën e tyre. Nuk është psikolog, por, ka depërtuar thellë në ndjeshmërinë e prindërve, motrave e vëllezërve të heroinave. Mos të harrojmë se mbi të gjitha, zotëri Hajrush Kurtaj është një atdhetar i devotshëm, baba e prindër që e ka ndjerë dhe e ka përjetuar rëndë dhembjen e çdo nëne e prindi që kanë humbur më të dashurit e tyre.

“Roli dhe kontributi i femrës në luftën çlirimtare të Kosovës në Kaçanik”, është një libër i krenarisë dhe i dhembjes . Një libër që të shtang posa ta lexosh titullin e që të nxit, e cytë, që të futesh në brendinë e rreshtave që ngërthen në vete, me të dhëna të bollshme e fotografi grash që u vranë, nëna që humbën më të dashurit e tyre, familjar që asnjëherë nuk u harruan nga ata, që nuk guxojnë të harrojnë, gra që ndihmuan në frontin e luftës dhe në frontet e lirisë anë e kënd rrethit të Kaçanikut..

Për dike, ndoshta është e pabesueshme, por faktet flasin për vërtetësinë e ngjarjeve makabre që na i prezanton Hajrush Kurtaj, e që vet ishte dëshmitar e pjesëmarrës i atyre ngjarjeve që u zhvilluan në truallin e përgjakur të Kosovës martire që nga viti 1998 deri më 1999, kohë të cilën e përkufizon vet autori

Besoj se askush nuk e ka harrua se në Kosovë patëm një luftë jo të zakontë dhe, me një okupues edhe më të pazakontë, do të thosha barbar. E si do të quheshin ndryshe ata që vrasin gratë, burrat e fëmijë e pafajshëm- veçse kriminel.

Do të shtroja pyetjen, A vriten gratë bre?! Po, në këtë libër është përgjigja që të shtang. Është dëshmia rrëqethëse e e faktografuar që Hajrush Kurtaj i ka grumbulluar dhe i ka sistemuar, duke na ofruar vetëm një pjesë të majës së ajsbergut të tragjedisë që ka ndodhur në Kosovë.

Libri është tmerri vet, por që në të njëjtën kohë të bën të ndihesh i revoltuar, i rebeluar, i mobilizuar, i rezistuar para së keqes, dhe të mësohemi që kurrë më, mos të harrojmë të kaluarën, për të mos u përsëritur, jo vetëm tek ne por askund në botë.

Të ndalemi për një çast dhe të mendojmë, se si te gjithë jemi nënat, baballarët, motrat e vëllezërit e tyre. Jemi prindër që nuk i kemi më ato pranë nesh. Nuk i kemi ma buzëqeshjet e tyre. Nuk na kthehen nga shkolla apo puna! Nuk na thërrasin për asgjë! Nuk na kërkojnë ama bash asgjë, por kujtimi për ta… nëpër vite e dekada ka me na përcjell si dhimbje e pa ndalur nga ecejaket e lodhura në trotuaret e historisë, që kërkojmë vetëm pak për to, një vëmendje sublime nga gjenerata e gjenerata që do të vijnë.

Libri ka edhe shtojcën: Foto e Faksimile, që është pjesa më rrëqethëse e tij, ku janë materializuar me fakte ngjarjet që trajtohen në këtë monografi. Autorit të librit “Roli dhe kontributi i femrës në luftën çlirimtare të Kosovës në Kaçanik” i Hajrush Kurtaj, i lumtë, që me punën e tij të pa ndalur, na fali këtë libër- lapidar për kontributin e grave gjatë luftës së fundit në Kosovë. Ju lumtë edhe për kurajën që keni pasur, ngase në momente kur lexoja librin, ndjehesha me ju, kam qenë në pozitën tuaj dhe e dijë se çfarë keni ndjerë, se, mu kujtua përgatitja e librit tim “Të burgosurit politik shqiptarë” kur me net të tëra nuk fusja gjumë në sy dhe përjetoja kalvarin e dhembjes bashkë me ta. Ankth me net të tëra.

Nevoja e një botimi të një vepre të tillë, siç është kjo e autorit Hajrush Kurtajt, ish-ushtar i UÇK-së, për këto figura të shquara të kombit, është ndier kaherë në historinë e luftës së fundit në Kosovë. Përveç faktit që mbushet një zbrazëti, edhe hapen shtigje të reja për t’u parë më me plotni veprimtaria e grave që vepruan në kuadër të UÇK-së, por edhe jashtë saj, ngase ato ishin dhe mbeten figurë të madhe, të dashura, me një natyrë kryengritëse, guximtare deri në vetësakrificë. Në të njëjtën kohë ishin heroina, me një aktivitet e kontribut të spikatur në dobi të çështjes kombëtare.

Tematika e kësaj monografie është trajtuar me një seriozitet të madha (shkencor). Secili kapitull ndërlidhet reciprokisht mes veti dhe plotësojnë kuptimin e njëra tjetrës. Statistikat që prezantohen këtu janë të sakta, ku paraqiten me emra e mbiemra, me vendlindje , me vend ndodhje të masakrave, andaj libri është monument shkrimi argumentues dhe

bindës. Në fillim është dhënë përmbajtja e librit, fjala e redaktorit e recensentëve. Pastaj pason hyrja, e shumë kapituj të tjerë. Ndërsa në fund jepet përfundimi i librit nga vet autori. Por, po ashtu kisha propozua që edhe libri si tërësi kishte qenë mirë që të përkthehej në ndonjë gjuhë të huaj.

Dhe krejt në fund, do të thosha se, ky libër le të jetë sot, edhe një homazh kombëtar e njerëzor për jetën e atyre grave që u shuan në mënyrë të pafajshme nga dora barbare vetëm se kërkonin lirinë e mohuar. Le të jetë një dëshmi e paharruar e një kujtese të dhimbshme, jo, për hakmarrje, por që krimet, mos të përsëriten kurrë më, në trojet shqiptare e askund në botë. Uroj që z. Hajrush Kurtaj të ketë shëndet, të punojë edhe më me përkushtim në zbardhjen e ngjarjeve historike, për ne, dhe gjeneratat e ardhshme.

(Fjalë rasti e mbajtur me rastin e promovimit të librit, Prishtinë më 13 korrik 2022)

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura