12 QERSHORI – NJË DITË E PAHARRUAR NË MANCHESTER

12 QERSHORI – NJË DITË E PAHARRUAR NË MANCHESTER

Nga Osman Caka – Manchester, 12 qershor 2026

Sot, më 12 qershor 2026, në Ditën e Çlirimit të Kosovës dhe në 27-vjetorin e hyrjes së forcave të KFOR-it në vendin tonë, pata nderin dhe privilegjin të marr pjesë në manifestimin ndërkombëtar “KFOR and Kosovo +25”, të organizuar në Muzeun Qendror të Manchesterit.

Kjo datë e shenjtë për popullin e Kosovës na rikthen kujtimet e 12 qershorit 1999, kur forcat paqeruajtëse të NATO-s dhe KFOR-it hynë në Kosovë, duke i dhënë fund luftës, vuajtjeve dhe dëbimit të popullit shqiptar nga trojet e veta.

Manifestimi i sotëm u organizua në kuadër të projektit “KFOR and Kosovo +25”, i cili përkujton fotografitë dhe dëshmitë e viteve të para pas çlirimit të Kosovës dhe ruan kujtesën historike të rolit që luajti KFOR-i në vendosjen e paqes dhe sigurisë në Kosovë.

Në këtë manifestim morën pjesë personalitete të shumta britanike, por edhe bashkatdhetarë shqiptarë nga Kosova që jetojnë në Manchester dhe qytete të tjera të Britanisë së Madhe. Përmes videolidhjes përshëndeti Lord Robertson, ish-Sekretar i Përgjithshëm i NATO-s gjatë luftës së Kosovës, i cili foli për krimet dhe masakrat e kryera nga regjimi serb ndaj popullit shqiptar dhe për vendimin historik të NATO-s për të ndërhyrë në mbrojtje të popullatës civile të Kosovës.

Të pranishëm ishin gjithashtu Lord Mayor-i i Manchesterit, përfaqësues të institucioneve britanike, veteranë të luftës dhe ushtarë britanikë që kishin shërbyer në Kosovë. Një fjalë të veçantë mbajti edhe komandanti i këmbësorisë britanike që kishte udhëhequr forcat britanike gjatë hyrjes në Kosovë. Ai kujtoi emocionet e atyre ditëve dhe tregoi se si shqiptarët që kishin mbetur në Prishtinë i pritën ushtarët britanikë me lot në sy, përqafime dhe me fjalët: “Nuk po u besojmë syve tanë.”

Për mua ishte një nder i veçantë që organizatorët më dhanë fjalën në këtë manifestim të rëndësishëm. Në fjalën time fola për vuajtjet dhe sakrificat e popullit shqiptar gjatë luftës, duke vënë theks të veçantë te Komuna e Kaçanikut. Përmenda masakrat e Kotlinës, Rakocit, Lagjes së Re, Lamajve, Cakajve, Sllatinës, Stagovës, Dubravës, Nikajt dhe Biçecit, si dhe 104 martirët e komunës sonë dhe qindra shtëpitë e djegura e të shkatërruara nga forcat serbe.

Theksova se pas çdo numri fshihet një histori, një familje e shkatërruar dhe një plagë që vazhdon të dhemb edhe sot. Kujtimi për ta nuk duhet të shuhet kurrë.

Po ashtu, në shenjë respekti dhe mirënjohjeje, u dhurova organizatorëve një pikturë të djalit tim, martirit Ilir Caka, dhe premtova se Muzeut do t’i dhuroj edhe librin e Prof. Nusret Planës, ku dokumentohen 1.422 fëmijë shqiptarë të vrarë e të masakruar nga ushtria dhe policia serbe gjatë luftës në Kosovë.

Në fund të manifestimit pata një bisedë shumë të frytshme me organizatoren e projektit “KFOR and Kosovo +25”. U dakorduam që në të ardhmen të punojmë për realizimin e një filmi dokumentar kushtuar Komunës së Kaçanikut dhe vuajtjeve të popullit shqiptar gjatë luftës në Kosovë.

Ky dokumentar do të trajtojë masakrat e kryera në Kaçanik dhe në mbarë Kosovën, gjenocidin dhe dëbimin masiv të popullatës shqiptare nga trojet e veta, pritjen e refugjatëve shqiptarë në Maqedoni dhe Shqipëri, kthimin e tyre në vendlindje pas luftës, si dhe hyrjen historike të forcave të NATO-s dhe KFOR-it në Kosovë.

Po ashtu synohet që në këtë dokumentar të pasqyrohen rreth 400 masakra të kryera gjatë luftës, dëshmitë e familjeve të viktimave, sakrifica e martirëve dhe rrugëtimi i Kosovës drejt lirisë. Besoj se një projekt i tillë do të ishte një kontribut i rëndësishëm për ruajtjen e së vërtetës historike dhe për edukimin e brezave të ardhshëm.

Ky manifestim ishte një kujtesë e fuqishme se liria e Kosovës u fitua me sakrificë të madhe, por edhe me mbështetjen e miqve tanë ndërkombëtarë. Ishte një ditë krenarie, emocionesh dhe mirënjohjeje, që do të mbetet gjatë në kujtesën time.

Osman Caka Manchester, 12 qershor 2026

Total
0
Shares
Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Për siguri, kërkohet përdorimi i shërbimit reCAPTCHA të Google, i cili i nënshtrohet Politikës së Privatësisë dhe Kushteve të Përdorimit të Google.

Postime të Lidhura