MBINJERIU I FRIDRIH NIÇES
Nga Xhelal Zejneli, Shkup 17 korrik 2022
Termi “mbinjeriu” së pari është përdorur në literaturën gjermane (Ubermensch), posaçërisht te shkrimtari gjerman Johan Volfgang Gëte (Johann Wolfgang Goethe, 1749-1832). Me këtë term shprehet në mënyrë konceptuale synimi i njeriut për qëllime më të larta si dhe kërkesa për tejkalimin e gjendjes ekzistuese. Termi “mbinjeri” në përdorim më të gjerë, por me domethënie tjetër, hyri me filozofin dhe poetin gjerman, Fridrih Niçe (Friedrich Nietzsche, 1844-1900).
Niçe lindi në Rëken afër Lycenit (Röcken bei Lützen), në vitin 1844. Pas teologjisë të cilën shpejt e ndërpreu, studioi filozofinë klasike në Bon dhe në Lajpcig. Inspirimet dhe modelet e para i gjeti në Greqinë parasokratiane dhe dionizike. Duke u marrë me muzikë, krijoi miqësi të afërt me kompozitorin gjerman Rihard Vagner (Richard Wilhelm Wagner, 1813-1883). Më vonë, miqësinë me kompozitorin e famshëm e ndërpreu në mënyrë radikale, përveç tjerash edhe për shkak se e konsideroi “tepër dramaturg, shumë pak muzikant”. Në vitin 1869 ligjëroi si profesor në Universitetin e Bazelit.
Në vitin 1882, 38-vjeçari Niçe u njoh me 21-vjeçaren Lu Salome* (1861-1937). Niçe përjeton dashurinë e tij të vetme të vërtetë. Dashuria e tyre mbeti platonike. Në një koncert të Vagnerit, ishin të pranishme Lu Salome dhe motra e filozofit, Elizabeta. Pas mbarimit të koncertit, Lu u ngjit në skenë dhe u hodh në këmbët e kompozitorit të famshëm. Ky gjest nuk u prit mirë nga Elizabeta. Ajo e largoi Lu Salomen nga i vëllai, gjë që ai kurrë s’ia fali.
Zhvillimi ideor dhe depërtimi në botën e vizioneve të veta, gjithnjë më tepër e bën Niçen të vetmuar. Filozofët që i kishte adhuruar dikur, si për shembull filozofin gjerman Artur Shoepenhauer (Arthur Schopenhauer, 1788-1860), tani tërësisht i lë mënjanë.
Shumë punime i botoi në të gjallë, si traktati “Lindja e tragjedisë nga fryma e muzikës” (Die Geburt der Tragödie aus dem Geiste der Musik, 1872), rapsodia në prozë “Kështu fliste Zaratustra” (Also sprach Zarathustra, 1883-85), përmbledhjet me skica dhe aforizma “Matanë të mirës dhe të keqes” (Jenseits von Gut und Böse, 1886), “Mbi prejardhjen e moralit” (Zur Genealogie der Moral, 1887) etj.
Fridrih Niçe vdiq në Vajmar (Weimar), në vitin 1900, i sëmurë rëndë, dymbëdhjetë vjet me mendje plotësisht të errësuar.
Disa fragmente dhe skica i botoi pas vdekjes motrae Niçes, Elizabeta Fërster-Niçe* në njërën prej veprave më të rëndësishme të tij “Vullneti për të qenë i pushtetshëm” (Der Wille zur Macht, 1901). Elizabeta ishte ambicioze dhe me bindje raciste. Disa letra të filozofit të madh i falsifikoi dhe i plotësoi. Është “meritë” pikërisht e saj dhe e disa interpretuesve të tjerë fashistë, siç është filozofi gjerman, profesor i filozofisë në Drezden, Alfred Baumler (Alfred Bäumler, 1887-1968), që filozofia e Niçes u propagandua dhe u keqpërdor gjerësisht në Rajhun e Tretë (Reich). Baumleri u përpoq ta paraqesë Niçen si “paraardhës të nacional-socializmit”.
Niçe e çmonte shumë rapsodinë prozaike “Kështu fliste Zaratustra” (1883-85). Këtu glorifikohet “mbinjeriu” që pasqyrohet në një sërë parabolash. Në kritikën e kulturës dhe të qytetërimit, Niçe theksonte se njeriu i këtillë siç është, duhet të tejkalohet, të lihet mënjanë. E ardhmja duhet t’i përkasë mbinjeriut për të cilin njeriu është “ajo që është majmuni për njeriun: për të qeshur ose turp i dhimbshëm”. Prandaj, kuptimi i botës së re është krijimi i mbinjeriut.
Për Niçen, mbinjeriu është qenie me vullnet të fortë dhe me instinkte të papërmbajtura. Mbinjeriu s’njeh dot dhembshuri dhe mëshirë. Ai është qenie i cili tërësisht ka për ta flakur moralin ekzistues dhe normat ekzistuese të sjelljes.
Ideologjia naziste e mori doktrinën e Niçes për mbinjeriun dhe ua përshtati qëllimeve politike të veta. Sipas ideologëve nazistë, mbinjeriu është pjesëtar i racës ariane të pastër. Vetëm njeriut të tillë i takon e ardhmja. Ai ka të drejtë të mbisundojë mbi të gjithë popujt e tjerë që janë të racës “më të ulët”. Gjatë përshtatjes së paskrupullt të ideve të Niçes, ideologët nacional-socialistë i kanë shtrembëruar pikëpamjet e tij dhe e kanë shpërfillur faktin se Niçe ka qenë kundërshtar i racizmit, i imperializmit, i militarizmit dhe i doktrinave apo i parimeve politike të ngjashme. Për këtë arsye, për afrinë intelektuale të Niçes me fashizmin janë zhvilluar debate të shumta në të cilat kanë mbizotëruar mendimet se ky mendimtar nuk mund të konsiderohet paraardhës ideor i nazizmit.
“Kur ta shohësh njeriun duke u mbytur, mos ia shtrijë dorën për ta shpëtuar. Bjeri edhe një shkelm, që të mbytet sa më parë” – kështu e interpretojnë ideologut nacional-socialistë, filozofin legjendar. Ka pasur të tillë që e kanë quajtur Niçen mizogin (urrejtës i femrave): “A shkon te gruaja? Mos e harro kamxhikun!” Të gjitha këto janë shtrembërime dhe interpretime të njëanshme apo tendencioze. Dikush e ka quajtur mizogam (urrejtës i martesës).
Niçe ushtroi ndikim të madh mbi filozofinë dhe në letërsinë evropiane të shekullit XX.
__________
Shënim:
Motra e filozofit, Tereza Elizabeta Niçe (Therese Elisabeth Förster Alexandra Nietzsche, 1846-1935), filozofinë e të vëllait e ka interpretuar shtrembët.
Lu Salome (Lou Andreas-Salome, e lindur si Luiza Pustavovna Salome; Shën-Peterburg, Rusi, 1861 – Göttingen, Gjermani, 1937) ishte filozofe gjermane, me prejardhje ruse. Studioi në Universitetin e Cyrihut. Në moshën 26-vjeçare u martua me orientalistin me prejardhje gjermane, malajziane dhe armene Fridrih Andreas (Friedrich Carl Andreas; Xhakarta, Indonezi, 1846 – Göttingen, Gjermani, 1930). Martesa e tyre zgjati deri në vdekjen e burrit. Lu Salome e mbajti edhe mbiemrin e tij. Në vitin 1897, në moshën 36-vjeçare, Lu Salome u lidh edhe me poetin austriak, 14 vjet më të ri se ajo, Rajner Maria Rilke (Rainer Maria Rilke, 1875-1926). Lidhja e tyre zgjati tre vjet. Në vitin 1911, Lu Salome u njoh me familjen e neurologut austriak me prejardhje hebraike, themelues i psikanalizës, Zigmund Frojd (Sigmund Freud, 1856-1939). Ishte shoqe e vajzës së Frojdit, psikanalistes britanike Ana Frojd (Anna Freud, Vjenë, 1895 – Londër, 1982). Ana Frojd ishte më e vogla e gjashtë fëmijëve të Frojdit.