Presidenti Meta nderon Patër Andrea Gjekaj (pas vdekjes) me titullin “ Kalorës i Urdhrit të Flamurit “
Nga Gjekë Gjonaj, Ulqin 22 korrik 2022
Në vazhdën e nderimeve Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Ilir Meta ka vlerësuar pas vdekjes edhe martirin e kishës dhe të kombit, Patër Andre Gjekaj me titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Flamurit”, për vlerat e tij të jashtëzakonshme kombëtare dhe fetare, i cili jetoi për të mirën e kombit tonë dhe të kishës, të cilës ia ka kushtuar dhe dhuruar jetën e tij.
“ Në vlerësim të kontributit të dhënë për lidhjet e tij me arbëreshët e Italisë, ndihmën për krijimin e shoqatës “ Flamuri” në Triesh të Malësisë 1906, përkushtimin ndaj fesë si dhe shërbimin ndaj malësorëve të Tuzit fdhe më gjerë”, thuhet në dekoratën e nënshkruar nga presidenti Meta.
Në emër të familjarëve të këtij meshtari françeskan të Malësisë dekoratën e mori më 11 korrik 2022 në Washington të Shteteve të Bashkuara të Amerikës stërnipi i tij Nikollë Dedë Gjurashaj. Ky vlerësim për Patër Andrenë, me rastin e 110-vjetorit të vrasjes së tij nga ushtarët turq, ka një simbolikë mishëruese, sepse përkon me 110-vjetorin e ngritjes së flamurit tonë kombëtar në Vlorë dhe shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë .
Patër Andrea Gjekaj ( Lul Vuksani Gjurashaj) , ishte bir i familjes së mirënjohur nga shtëpia e Mal Vuksanit nga fshati Nikmarash në Triesh – Malësi e Madhe. Për këtë meshtar françeskan nuk kemi dokument zyrtar i cili dëshmon datën e saktë të lindjes. Por, mendohet se erdhi në këtë jetë si një dhuratë e Atit tonë qiellor rreth viteve 1874, nga babai Vuksan dhe nëna Mirja, nga një familje me vlera të trashëguara kombëtare, e cila që në kohën e Perandorisë Osmane kishte dëshmuar përkatësinë e tyre fetare dhe kombëtare, të cilët ruajtën brez mbas brezi doket dhe zakonet e lashta shqiptare.
Atdhedashuria, edukimi i shëndosh familjar (edhe me rruzare të përditshme në dorë) madje nga rrethi ku jetonte me një traditë të lashtë e nxitën Lulin e ri të dëgjonte zërin e Zotit , thirrjen e tij të meshtarisë, për t’u bërë meshtar. Dhe kështu edhe ndodhi! Qëndrimi i tij ishte tejet i guximshëm dhe mjaft i vendosur profetik “ për hir të Zotit jam katolik, siç ishin edhe etërit tanë”. Me sa dihet përfundoi shkollën e mesme për meshtari në Zadër të Kroacisë , që gjithnjë i kishte në kujtime të mira për njohuri të përgjithshme, për edukim dhe përshpirteni të çiltër. Në saje të këtyre virtyteve që i posedonte, do t’i mundësohet vazhdimi i shkollimit të mëtutjeshëm në Fakultetin Filologjik dhe Teologjik në Romë – Itali të cilin e përfundon me sukses, në vendin ku kishin studiuar shekuj me radhë edhe shumë priftërinj tashmë të njohur nga bota shqiptare. Si meshtar i ri me përgatitje të lartë shkollore dhe me kulturë të jashtëzakonshme evropiane filloi detyrën misionare të përcjelljes së fjalës së Zotit tek besimtarët katolikë shqiptarë. Kthimi i tij në Triesh, në një vend të vogël kufitar nën pushtetin malazez, pranë kufirit të sotëm me shtetin amë – Shqipërinë, ekonomikisht të varfër dhe me arsimim të ulët ishte në vetvete një gëzim i madh për të gjithë popullatën vendore. Sepse ishte njeriu më i ditur që kishte Trieshi dhe njëri ndër njerëzit më të kulturuar që kishte asokohe Malësia. Prandaj trieshjanët kishin nevojë për këshillat dhe predikimet e tij të mrekullueshme fetare, në zbatimin e virtyteve të krishtera, fesë, shpresës dhe dashurisë, bamirësisë, punës së zellshme gjatë ditës, ndërsa urata gjatë natës.
Ardhja e tij në Triesh, si meshtari i parë i kësaj pjese të Malësisë së Madhe, tingëlloi fort edhe për të zgjuar zemrat dhe mendjet e popullatës vendore nëpërmjet predikimeve fetare, për ruajtjen e anës fetare dhe kombëtare, ruajten e gjuhës, traditës, kulturës dhe shqiptarizmit, me të gjitha konotacionet që përfshihen në këtë emërtim. Kështu frati i ri u bë i dashur dhe njeri i çmuar dhe i nderuar në Triesh dhe në rrethinë aq sa zëri i mirë i trieshjanëve dhe fama përhapej dhe rritej dita-ditës. Ishte me jetë dhe me shembull vërtet i krishterë, nxënës i Krishtit.
Popullata vendore, me vëmendje dhe interesim të madh, ndiqnin meshat e tij dhe e admironin fratin e tyre të ditur për vlerat e mëdha kulturore e shpirtërore Patër Andrea për të përçuar dhe rritur atdhedashurinë tek trieshjanët në fillimet e shekullit njëzet në Triesh themelon Shoqërinë “ Flamuri”, kryetar i parë i së cilës u zgjodh Prëlë Lucë Hasi. Ky burrë patriot bashkë me trieshjanët e tjerë atdhetarë ngriti flamurin shqiptar në fshatin Nikmarash, në vitin 1906 , duke i paraprirë kështu ngritjes së flamurit në Deçiq, në vitin 1911.
Dokumentet kishtare të Kishës së Ljares të cilat i zbuloi patër Mirash Marinaj, famullitar i famullisë së sotme të Tuzit, tregojnë dhe dëshmojnë së Patër Andrea ka shërbyer një kohë të gjatë, prej tetë vitesh ( (1904-1912) në famullinë e Ljares në Krajë dhe famulli të tjera të Argjipeshkvisë së Tivarit, mes të cilave edhe në Kishën e Shën Pjetrit në fshatin Salç të Ulqinit. Poashtu ka shërbyer si meshtar edhe në Shkodër.
Bazuar në dokumentacionin që disponuam dhe në kronikat e kohës Patër Andrenë e vranë të pafajshëm ushtarët turq, në Shkodër në vitin 1912, në misionin e meshtarit, e jo të luftëtarit, kur ishte 38 vjeçar. Arma e vetme që kishte në dorë ishte Kryqi me të cilin qëndroi me vullnetin e tij të palëkundur dhe vendimin e tij të guximshëm bashkë me besimtarët e vet në fushën e betejës për të çliruar Shkodrën nga turqit. Nuk kishte për qëllim të luftonte me armë, por në rast vdekje t’u jepte besimtarëve sakramendet. Me këtë Patër Andrea dëshmoi se nuk deshi t’i nënshtrohet regjimit, por Krishtit, nuk deshi të njohë pushtues as pushtetarë tokësorë përveç Zotit në qiell dhe mbretërinë e tij qiellore. Flijoi jetën për Krishtin, duke i shërbyer popullit. Si shumë klerikë ( fretër) të tjerë shqiptarë para dhe pas tij
Nga të dhënat e hulumtuara deri më tani rezulton se Patër Andrea u varros në Kukël, fshat i vogël në afërsi të Bushatit, jo larg Lezhës, ku shërbesat i mbajti famullitari dhe poeti i madh i letrave shqipe Ndre Mjeda, me të cilin ai bashkëpunoi, sikurse edhe me Atë Gjergj Fishtën dhe me Patër Anton Harapin. Më vonë, siç thonë, disa të afërm të tij e rivarrosin në mënyrë të denjë në oborrin e Kishës në Pulaj (Velipojë), në afërsi të Shkodrës, duke besuar e shpresuar se pikërisht atje pushojnë eshtrat e tij.